Rabdisht-Bellovë një udhëtim i paharrueshëm


Rabdishti

Fshatrat Bellovë, Cerjan, Zagrad dhe Rabdisht ndodhen në një distancë jo më larg se 7 km larg qytetit të Peshkopisë, në njësinë administrative Melan. Kjo zonë mbart vlera historike, kulturore dhe vlera natyrore, të cilat vlerësohen si tërheqëse për njerëzit që e vizitojnë për herë të parë. Por si pika më tërheqëse janë fshatrat e Bellovës dhe Rabdishtit.
Për të gjithë personat, të cilët shprehin interesin për të vizituar këtë zonë, itinerari që ofrohet është një ditor dhe nis nga Muzeu i Peshkopisë vazhdon për në fshatin Rabdisht, Bellovë dhe mbyllet në Stacionin e Llixhave të Peshkopisë. I gjithë itinerari është lehtësisht dhe i mundur që të përshkohet në ecje me këmbë.
Pika nisjes së këtij itinerari fillon tek Muzeu i qytetit të Peshkopisë, i cili dikur ka shërbyer si Shtëpia e Kulturës për trevën e Dibrës. Ecja vazhdon drejt shëtitores kryesore “Elez Isufi”, e cila përveç emrit të një prej figurave historike të Dibrës, dallohet për gjerësinë e saj dhe karakterizohet prej pemëve të blirit dhe pishës, që e bëjnë më të veçantë ecjen. Gjithashtu, përgjatë kësaj shëtitoreje mund të shikojmë Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli” dhe bustin e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit- Skënderbeu.
Pasi lëmë pas shëtitoren kryesore të qytetit përballemi me disa shtëpi të vjetra të punuara me gurë ose me mure prej balte, jo më shumë se 2 kate. Të gjitha të vendosura mbi njëra-tjetrën dhe me nga një oborr të vogël para. Këto shtëpi përbëjnë lagjen e vjetër të qytetit, e cila ishte qendra e aktiviteteve tregtare dhe institucionale. E karakterizuar nga rrugicat me gurë dhe arkitektura tradicionale e qendrave kryesore të para 100 viteve shtrihej mbi përroin e llixhave. Aty aktivitetet kryesore ishin tregu i zejtarëve dhe fshatarëve të zonave përreth, shkollat e para shqipe, ku në sy bie shkolla e parë e vashave, e hapur më 1915. Gjithashtu, janë edhe objektet e kultit, ku duket xhamia e vjetër, si dhe institucione më të rëndësishme shtetërore për kohën. Ndër fiset e vjetra që jetojnë në këtë lagje janë: Fisi Stojku, Bardulla etj.
Duke lënë pas këtë lagje ngjitemi në lagjen e Bulkllarëve, ku emrin e ka marrë nga fisi Bulku; me drejtimin drejt Parkut Natyror të Bugjunecit dhe pastaj në Gradishtën e Peshkopisë.
Ndalesa e parë vjen në Gradishtën e Peshkopisë. Krahas një pushimi, do të shikohen gjurmët e një murri rrethues të një prej kalave, njëkohësisht dhe të kishës së njohur me emrin si Peshkopata e Stefanikës nga ku mori emrin Peshkopia. Mendohet që është ndërtuar gjatë kohës së perandorit romak Justinian në vitet 527-565 (shek. VI pas Krishtit) dhe mendohej të kishte një sipërfaqe prej 1500 m2.
Duke lënë Gradishtën e Peshkopisë para do të na shfaqet një hapësirë e madhe, ku fare thjesht përpara dallohet vargmali i Korabit, ku në këtë pjesë dallohen Bjeshkët e Rabdishtit dhe Cerjanit. Para tyre dallohet Mali i Rabdishtit, që ka formën e një piramide natyrale. Duke ecur përkrah përroit dhe shpatit të gipsit me pisha (monument natyre i njohur si Borovëjku), ne i afrohemi një kryqëzimi të madh me tre drejtime: drejtimi drejt Rabdishtit, Zagradid dhe ai drejt fshatrave të Bellovës e Cerjanit. Pranë këtij kryqëzimi ndodhet edhe njëri nga burimet me ujë të ftohtë termalë që përdoret për qëllime shëndetësore, por edhe si atraksion turistik. Këtu është edhe ndalesa e dytë, ku shijojmë natyrën që ofron vargmali me pisha dhe nën zhurmën që krijon uji termal që del nga thellësia e malit të Rabdishtit.
I drejtohemi Rabdishtit. Me të mbërritur në fshatit këtë fshat shijojmë mjedisin që krijon arkitektura e tij dhe ngjyra gri e gurëve të rrugicave dhe shtëpive e ndërthur me mikpritjen e banorëve. Interesant është fakti që banorët po i restaurojnë shtëpitë sipas mënyrës tradicionale. Ndalesa në këtë fshat do të jetë në njërën nga shtëpitë pritëse për turistë, në familjen e Haki Golecit ose Sabri Shahinit. Aty, përveç mikpritjes, shijohet edhe ushqimi tradicional nga produktet prodhuar nga vetë banorët, që nga pula me jufka, patatet, gatimet me miell misri e djathi deri tek frutat e fermës së këtyre familjeve dhe rakia. Gjithashtu, shikojmë edhe mikpritjen e ngrohtësinë që përçojnë tek miqtë këta banorë.
Pasi lëmë pas fshatin e Rabshtit, i ngjitemi malit të Rabdishtit që na krijon idenë e ngjitjes drejt një piramide natyrale. Pasi ngjitemi në lartësinë 1800 m mbi nivelin e detit, shikojmë qartazi fshatin Rabdisht, ndërsa në krahun tjetër të malit shfaqet Gradsihta e Bellovës dhe fshtrat Cerjan e Zagrad, në largësi dhe në afërsi Bellova. Sa më shumë zbresim, aq më shumë afrohemi drejt fshatit Bellovë, ku do të vizitojmë kompleksin e Sul & Mudë Kadrisë, që dallohet për kompozimin dhe mënyrën e ndërtimit me çardak. Për këtë, në 18 dhjetor 1987 është shpallur si monument kulturor.
Pasi lëmë edhe fshatin e Bellovës, nisemi drejt Peshkopisë. Përpara do të shikojmë një mulli të vjetër, i ndërtuar në vitin 1951 nga familja Saraçi dhe i restauruar në 2015 nga Korpusi i Paqes dhe Outdoor Albania Association në bashkëpunim me një grup studentësh të Universitetit të Vjenës. I ngritur pranë një burimi tjetër termal ujit të ftohtë, e gjithë puna e këtij mulliri për përgatitjen e miellit realizohet nga uji, që vë në lëvizje gjithë mekanizmin. Gjithashtu, vlerësohet si aset turistik, sepse është interesant ruajtja e këtij mekanizmi pune.
Më poshtë është burimi në natyrë me ujin e nxehtë me përmbajtje squfuri dhe gipsi që shërben si mjet kurativ për shumë sëmundje. Gjithashtu, furnizon edhe kompleksin e llixhave, i cili është ndërtuar rreth viteve 1970. Në këtë kompleks ofrohen edhe seanca kurative me baltën e kësaj zone, sepse shërben për sëmundjet reumatizmale, nervin shiatik etj.
Këtu mbyllet vizita një ditore në itinerarin Peshkopi – Rabdisht – Bellovë – Peshkopi.

EMËRTIMI I SHTEGUT:
Peshkopi- Rabdisht- Bellovë- Peshkopi
Ku niset: Muzeu – Peshkopi
Ku përfundon: Kompleksi i Llixhave
Distanca në km: 14km
Kohëzgjatja e udhëtimit: 5 orë
Pikat kryesore përgjatë shtegut:
1. Lagjja dhe Pazari i vjetër i Peshkopisë
2. Gradishta e Peshkopisë
3. Stacioni i Llixhave
4. Burimet e ujërave termalë (Burimi i ujit të ngrohtë dhe të ftohë)
5. Mulliri i përgatitjes së miellit (mulli me punim me ujë)
6. Banesa e Sali Kadrisë (në fshatin Bellovë).
7. Borovëjku (Shpati gëlqeror i mbuluar prej pishave, në rrugën e Rabdishtit)
8. Fshati Rabdisht
9. Gradishta e Bellovës

VENDQËNDRIMET KU TURISTËT MUND TË KALOJNË NATËN OSE NJË NDALESË PËR USHQIM TRADICIONAL:
1. Hotel dhe Restorant “Ballkan”
2. Hotel dhe Restorant “Natyra e Qetë”
3. Hotel dhe Restorant “Alpin”
4. Shtëpi pritëse Goleci, Rabdisht (Fitim Goleci)
5. Shtëpi pritëse Shahini- Rabdisht (Sabri Shahini)
6. Shtëpi pritëse Feta- Zagrad (Nexhat Feta)
Kostoja e shërbimit të guiderit: 30 euro (vetëm shërbimi si guider)

Autori është një guidë e certifikuar nga GTZ dhe Shoqata Alpine Gjermane. Për të shijuar këtë guidë, mos hezitoni të kontaktoni me Grehans Ukën në numrin e telefonit (+355) 0673625835 (What’s app & Viber) ose përmes emailit <udhetomegresin@gmail.com>
Në numrat e ardhshëm të gazetës “Rruga e Arbërit” do t’ju njohim me guida të tjera në qarkun e Dibrës, me qëllim nxitjen e zhvillimit të turizmit në rajon.