Hidrocentrali i Skavicës
Samiti i Triestes rikthen debatin, qeveria nuk tregon detajet e projektit
Nga Bujar Karoshi


Varianti i Skavicës me 2 diga. Skavicës 395 metra. Katundit i ri 444 metra. Burimi: Ministria e Energjisë dhe Industrisë. “Shfrytezimi i Potencialit Hidro-Energjetik të lumit Drini i Zi”, Agim Bregasi, Shkurt 2016. Faqe 7.

 

Hidrocentrali i Skavicës ridel sërish në skenë pas Samitit të Triestes, i cili u zhvillua më 12 korrik 2017, ku morën pjesë 6 shtete të Ballkanit Perëndimor, të cilët konkurruan me projekte për të marrë financime nga Bashkimi Europian.

Majlinda Dhuka, Drejtore e Departamentit i Zhvillimit dhe Ndihmës së Huaj në Kryeministri, gjatë një konference shtypi mbajtur me 14 korrik, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, tha se morëm “mbështetje për zhvillimin e hidrocentralit të Skavicës, një nga veprat më të mëdha energjetike të vendit dhe të Ballkanit Perëndimor”.  Kjo mbështetje ishte një nga katër projektet që Shqipëria mori nga Samiti i Triestës.

Në të njëjtën konferencë shtypi, Kryeministri Rama nuk e përmendi më Skavicën, por iu referua investimit mbi Rrugën e Arbrit, si për të ulur diskutimet mbi çështjen e Skavicës, aq të debatuar në publik.

“Ashtu sikundër besoj që me fillimin e realizimit të Programit “1 Miliardë për Rindërtim” të qeverisë shqiptare, që nis në këtë vjeshtë me Rrugën e Arbrit” theksoi Kryeministri.

Skavica duket se është një nga çështjet që përmendet nga qeveria shqiptare, sa herë që ajo ndodhet ndodhet përballë vështirësive, sidomos për sa i përket mungesës së investimeve të huaja të mëdha në vend.

 

Skavica, projektet në vite

 

Ideja për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës fillon që në vitet 1960. Pas studimesh për rreth dy dekada, rreth viteve 1980 filloi të flitej publikisht për të. Sipas projektit të asaj kohe, hidrocentrali do të ndërtohej në grykën e Skavicës, ku shtrati i Drinit të Zi ngushtohet deri në 40 metra në një gjatësi 5-6 kilometra. Që në atë kohë studimi kishte paraparë dy zgjidhje te cilat në vetvete përbënin dy projekte të ndryshme.

Zgjidhja e parë parashikonte ndërtimin e një dige 163 metra të lartë, që krijonte një liqen artificial me nivel normal të tij në kuotën 445 metra mbi nivelin e detit. Vëllimi i digës do të ishte 11 milionë metër kub. Ky variant përmbyste luginën e Drinit të Zi deri në kufi me ish-republikën Jugosllave të Maqedonisë. Vëllimi i liqenit do të ishte 2.7 miliardë metër kub, sipërfaqja 60 km katror, fuqia e instaluar 350 megavat, si dhe energjia e prodhuar në vit do të ishte 1 miliardë kvh. Kosto e ndërtimin në këtë variant ishte parashikuar 600 milionë USD.

Zgjidhja e dytë parashikonte një digë shumë më të lartë, 210 metra, po në Skavicë, që e shfrytëzonte luginën e Drinit tërësisht. Vëllimi i digës do të ishte 16.5 milionë metër kub. Kjo digë krijonte një liqen me nivel normal në 485 metra mbi nivelin e detit dhe që kishte shtrirje e përmbyste deri në brendësi të ter¬ritorit maqedonas. Diga ishte e parashikuar në të dy zgjidhjet të vendosej në kuotën 305 m mbi nivelin e detit në ceketinën e luginës, të krijuar nga lumi Drin i Zi (Gryka e Skavicës). Vëllimi i liqenit do të ishte 6.5 miliardë metër kub, më shumë se dyfishi i Liqenit të Fierzës. Sipërfaqja 95.5 km katror, fuqia e instaluar 350 megavat, si dhe energjia e prodhuar në vit do të ishte 1.3 miliardë kvh. Kosto e ndërtimin në këtë variant ishte parashikuar 950 milionë USD. Ky variant do të krijonte një kaskadë të në Drin me rregullim disavjeçar.

Me rënien e regjimit komunist, qeveritë në vend nuk patën kapacitete financiare për ta vazhduar projektin, kështu që gjithçka u la në mes.

Në Maj 2005, qeveria shqiptare miratoi në vendim “Për fillimin e procedurës së dhënies me konçesion të ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës sipas propozimit të pa kërkuar”. Sipas këtij vendimi, Skavica do ti jepej me koncension grupit TGK (Tasara-Geo Tecna -Kinglor).

Por, më shumë se tre vite më vonë,  më 17 dhjetor 2008, qeveria shqiptare hapi një tender për ndërtimet e HEC të Skavicës,  në të cilën morën pjesë gjashtë kompani të huaja, mes të cilave, përveç TGK, ishin edhe Korporata Energjetike e Koresë së Jugut, shoqëria norvegjeze STATKRAFT, dy kompani austriake VERBUND  dhe KELAG GRUP, si dhe konsorciumi gjerman “R.W.E” AG.

Më datë 5 janar 2009, komisioni i vlerësimit të ofertave duhej të shpallte fituesit për vazhdi¬min në fazën tjetër, por kjo nuk ndodhi kurrë. Qeveria shqiptare e asaj kohe pranoi dështimin vetëm një vit më vonë, duke ia vendosur për këtë fajin krizës ekonomike që kishte filluar të godiste eurozonën.

Por, kryeministri i asaj kohe, duke mos pranuar gjendjen e keqe financiare në vend, theksonte se “situata është më premtuese që qeveria të konsiderojë vetë ndërtimin e kësaj vepre gjigante. Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, KESH-i dhe agjenci të tjera duhet ta shqyrtojnë me hol-lësi, duhet të hapë tenderin për projektin, nga studimet fillestare deri tek projekti i zbatimit, ose të përcaktojë parimet dhe ta tenderoi me çelësa në dorë”.

Që nga viti 2009 deri në me stë vitit 2014, Skavica u harrua. U bë shkak një takim përfaqësuesve të konsorciumit Power China Corporation me ministrin e energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, që Skavica të rikthehej në vëmendje.

Por ndërkohë që kompani kineze kishin dhënë oferta për Skavicën, qeveria shqiptare i dha një kompanie turke bonus për  ndërtimin e një hidrocentralit tjetër mbi Drin, atë të Katundit të ri, i cili hapi një debat të madh në vend në lidhje investimet energjetike mbi Drin.

Përveç kundërshtarëve, kryesisht banorëve të zonës, për mosndërtimin e asnjë HEC, ka edhe qëndrime që ndahen në mënyrën nëse duhet të ketë një HEC të madh në Skavicë, dy HEC më të vegjël në Skavicë dhe Katund të Ri, apo ndërtimin e tre HEC: Skavicë, Arras dhe Katundi i Ri.

Tenderi i HEC i Katundit të ri dështoi, megjithëse kompania turke kishte marrë 8 pikë bonus.

HEC i Katundit të Ri do të ndërtohet në një kuotë 445 metra. Parashikohej të kishte një kapacitet ujëmbledhës prej 12.4 milionë metër kub, me një fuqi të instaluar prej 49 MW dhe prodhim vjetor prej 206 GWh. Ky hidrocentral do të përmbytë vetëm 87 hektarë tokë dhe do të zhvendosë nga banesat e tyre 150 persona. Vlera e Investimit e HEC të Katundit të Ri do të ishte 99.5 milionë euro, por shoqëritë turke  “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” u tërhoqën nga gara.

 

* * *

 

Ndërtimi i HEC të tjera mbi Drin duket se do të jetë në synimet e ardhshme të qeverisë shqiptare. Ajo ka kryer një studim të plotë mbi këto projekte, por nuk është bërë akoma e qartë se mbështetja financiare e marrë nga Samiti i Triestës është për projekte financimi apo plane studimi. Kjo do të mbajë të hapur debatin mbi grupet e interesit në vend, të cilët vazhdojnë të jenë të ndarë mbi perspektivat e zhvillimit të këtij rajoni.

Ofertat e kompanive energjetike nga Kina

Qeveria shqiptare ka marrë propozime, madje ka firmosur edhe Letra Mirëkuptimi për ndërtimin e Skavicës së Madhe si pronë e KESH nga tre kompanitë më të mëdha në Kinë dhe në botë (PoëerChina, GeZhouBa dhe Norinco), që i propozuan qeverisë shqiptare (KESH-it) financimin 100 për qind të Skavicës së Madhe (1 miliardë euro), me një kredi të butë 35 vjeçare, 7 vjet periudhë mospagimi dhe në vazhdim 2 përqind në vit interes. Por qeveria nuk u ktheu kurrë përgjigje kompanive të mësipërme.
Power China, kompania më e madhe e hidroenergjisë në botë, me 53% të tregut botëror ka dorëzuar një ofertë pranë qeverisë shqiptare më datë 30 tetor 2014. Ajo  parashikon një financim 1 miliard euro dhe do ta ndërtonte Skavicën me një “Leasing Contract” 15 vjeçare. Pasi me çmim mesatar të energjisë 5 €c/MWh dhe me prodhim 2 milionë MWh në vit, Skavica do të gjeneronte 100 milionë euro në vit. Pra do të vetëshlyhej nga 12 deri në 15 vite.
Një ofertë të dytë të ngjashme qeveria ka marrë edhe nga kompania e dytë energjetike në Kinë,  Ge Zhou Ba
Ndërsa oferta e tretë që qeveria ka marrë gjatë vitit 2014 është sërish nga një kompani kineze, NORINCO,  një grup i fuqishëm industrial kinez, i cili ka propozuar një financimin 100%, 1 miliard euro, me një kredi të butë 35 vjeçare, 7 vjet periudhë pa pagesë dhe në vazhdim 2% në vit interes.
Në lojë është edhe një kompani gjermane, “Becker Büttner Held”, e cila ka dhënë detaje mbi modelin e financimit të hidrocentralit të Skavicës.

KOMENTI JUAJ

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *