Nisma e maturantëve të vitit 1992 të gjimnazit të Peshkopisë


Nga Besnik Alku

Një grup ish-maturantësh të gjimnazit të Peshkopisë në vitin 1992, pas 25 viteve u mblodhën dhe e festuan këtë ngjarje nostalgjike në Peshkopi. Me vite eksperiencë në profesione të ndryshme, të shpërndarë anembanë botës, malli dhe nostalgjia për Peshkopinë dhe gjimnazin i bëri që këto ish-maturantë jo vetëm të mblidhen, por të mendojnë edhe ndryshe për shkollën e tyre.

Gjimnazi i Peshkopisë për këtë brez dhe gjithë brezat e tjerë, përveç një institucion arsimor, mbart në vetvete një vend të veçantë në memorien e të gjithë brezave dhe emocionin e nxënësve që kanë studiuar në këtë shkollë. Ai nuk është thjesht institucion arsimor, por një mjedis i shëndetshëm që ka sjellë dhe sjell një ndryshimin pozitiv të jetës së vetë komunitetit të Dibrës, si një institucion me vlera të larta edukative dhe prestigji për dibranët.

Për të memorizuar dhe lartësuar vlerat e pashterushme arsimore të gjimnazit Peshkopi, grupi i ish-nxënësësve të maturës 1992 morën inisiativën për të hapur një fond kontributi në institucionin e shkollës për të promovuar nxënësit që kanë veti apo cilësi të spikatura, që i japin shkollës imazh krenarie dhe prestigji.

Iniciatorët kanë menduar të kontribojnë financiarisht për hapjen e këtij fondi, dhe për të memorizuar këtë fond t’i japin emrin e mësuesit të matematikës të gjimnazit të Peshkopisë z.Agim Shubleka, i cili ka kontribuar për rreth 30 vjet si mësues matematike dhe drejtues në këtë shkollë dhe është dalluar për vlera dhe norma të larta mësimdhënie, edukative dhe formimi të karakterit dhe personalitetit kërkues, inteligjent, konkurrues dhe rezultativ të nxënësve, duke zënë një vend të veçantë në memorien e tyre për nga njohuritë e dhëna dhe mësimet për jetën.

Fondi do të ketë si qëllim që të vlerësojë me çmim nderi nxënësit më cilësorë, që tregojnë me rezulatet e tyre vlerat më të mira dhe rrisin krenarinë e shkollës, duke e bërë atë të spikatur dhe konkurruese me shkollat e tjera.

Këto çmime do të jenë për nxënësit që shkëlqejnë me talentin e tyre në sport apo fusha të tjera; për nxënësit që kanë rezultate të mira në ciklin akademik shkollor dhe për nxënësit që spikasin me karakterin e tyre human, miqësorë, altruist, bëjnë përpjekje specifike në çështje apo tema të ndryshme, apo kontribojnë në zhvillimin e mjedisit dhe komunitetit.

Modeli i kësaj nisme është shumë e njohur në shkollat amerikane dhe europiane, që komuniteti dhe dashamirësit e shkollës kontribojnë me donacione financiare, dhe që mbajnë emrin e njerëzve të spikatur që kanë kontribuar me punë ose mësime në këtë shkollë. Pikërisht këtë model kanë zgjedhur iniciatorët e Maturës 1992 dhe që e pagëzuan me emrin e mësuesit të tyre të shquar Agim Shubleka.

Një përfaqësi nga Matura 1992 në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës së mesme “Seit Najdeni” po punojnë për detajet dhe modalitetet e operimit dhe menaxhimit të fondit, i cili së shpejti do të ketë llogarinë e tij, strukturat menaxheriale dhe kriteret vlerësuese dhe bashkë me strukturat e vlerësimit dhe operimit të tij.

Grupi iniciator i Maturës 1992 i fton të gjithë bashkëmoshatët e tyre, ish nxënësit e tjerë të gjimnazit të Peshkopisë, dashamirës dhe përfaqësues biznesi, që të mbështesin me kontributin e tyre këtë fond, që lartëson vlerat dhe talententet dibrane në shkollën ku u maturuam dhe do të maturohen brezat e ardhshëm.

Së shpejti do të keni të publikuara të gjitha detajet rreth fondit “Agim Shubleka”, në median lokale në Dibër dhe median sociale online.