Sllova është e Dibrës, Sllovana është e imja


Trandafile Molla Baja, vajza durrsake që shkruante poezi që në kohën e gjimnazit,  është e martuar që në vitin 1975 me Ramazan Baja nga Sllova. kanë jetuar në Durrës, por prej vitit 2002 u largua familjarisht për në Itali, në Novara, ku aktualisht jetojnë dhe punojnë. Në një intervistë për gazetën “Rruga e Arbërit” rrëfen për jetën dhe poezinë…

 

 – Kush është Trandafile Molla Baja?

– Durrësakja me gjysh e prindër, lindur në Durrës por që ndjen veten dhe dibrane…

 

– Çfarë ju lidh me Dibrën?

– Bashkëshorti im, Ramazan Baja, është dibran, dy vajzat e mia, Enkeleda dhe Sllovana thonë “jemi me origjinë nga Dibra. E nëse Sllova është e Dibrës, Sllovana është e imja.

 

– Pse ia vutë emrin vajzës Sllovana?

– Sllovana është vajza ime e dytë. Ishte dëshira e Ramazani, i cili me dashurinë për vendlindjen, donte t’ia vinte edhe emrin vajzës Sllova…

 

– Ç’mund të na thoni rreth poezisë?

– Kam shkruar poezi që në gjimnaz. nën kujdesin e mësuesit dhe shkrimtarit të njohur Gjergj Vlashi. Por vetëm pas viteve 1990 kam botuar librat me poezi “Fjalë zemre”, “Kur zemra flet”, “Vazhdoj të jem” si dhe kam botuar edhe një libër me poezi në gjuhën italiane “Parole di cupre”. Kam gati për botim librin tjetër, po me poezi.

 

– Përveç poezisë, cilat janë pasionet e tua?

– Lexoj shumë. Më pëlqen vallëzimi, udhëtimet…

 

– Cila është familja juaj?

– Kam një familje të shkëlqyer dhe të konsoliduar. Të qënurit gjyshe më ka dhënë kënaqësi. Mbesës së parë, Aurorës, sapo i festuam 16-vjetorin e lindjes. Jam bashkëshorte e denjë, nënë e përkushtuar dhe një amvise në shtëpi, një mikpritëse e devotshme dhe gatuaj vazhdimisht.

 

– Për lexuesit e gazetës, ç’do të na thonit?

– I përshëndes dibranët kudo ku janë. Kam respektin si njerëz të mençur e punëtorë. Duke qenë dhe unë gjysmë dibrane, kemi miq dibrane përmes e prej tyre kemi dëgjuar për Rrugën e Arbërit, median tuaj, e cila prej vitesh lobon për rrugën dhe pasqyron problemet dhe shqetësimet e atyre njerëzve dhe asaj krahine. Uroj që ëndrra juaj dhe e jona të realizohet sa më shpejt.

 

Kur zemra flet

 

Kur zemra flet, fjala merr dhenë,

Dhe zemra ndjehet çuditërisht më e qetë,

Dhe në jetë hapet një fletë lumturie,

Kur fleta e lumturisë arrin gjer tek retë.

 

Zemra flet dhe drithërohet nga lumturia,

Merr udhën dhe arrin në hapësirën qiellore,

Kërkon të kapë një rreze diellore.

Dhe fjalën e zemrës kërkon ta shkruaj në një fletore.

 

Fjala e ëmbël të rrënqeth trupin,

Fjalë e zemrës së brishtë me dashuri flet,

Dhe ti ndjehesh më e lehtë më e lumtur,

Si ndjehet fjala në zemër me dashuri të vërtetë.

 

Fjalën e zemrës mos e njollosni me baltë,

Është fjalë zemre është fjalë delikate e artë,

Fjala e zemrës ka nevojë për mbrojtje e s’duhet vrarë,

As me dashuri të zjarrtë e as me dashuri të marrë.

 

Zemra vritet dhe rri shtrirë si e ngordhur,

Kur fjala e artë është e brengosur dhe e lodhur,

Zemra fluturon në qiellin e kaltërt,

Kur fjala i flet zemrës me dashuri të pastër.

 

Po mos rri e strukur e arta fjala ime,

Dil dhe shoqëro zemrën e vrarë dhe jetime,

O fjalë mos rri strukur e lënduar në zemër,

Por dil e thirr fort: të dua zemra ime.

 

Mos o fjalë zemre, mos e tradhto zemrën,

Se fjalë e dhimbsur pa zemër nuk bën dot,

Se nga thellësia e zemrës dhe nga dashuri e saj ke dalë

O e ëmbla, e brishta delikatja, e madhërishmja fjalë.

 

Fjala shndrit kur ajo është e mbushur plot dritë,

Fjala e zemrës është e sinqertë e reale,

Fjala e zemrës është e mbushur plot dashuri,

Si një trëndafil i kuq i mbushur me petale.