Gruri, kultura që po mbillet çdo vit e më pak


Korrja e grurit | Foto: B.Karoshi

Qarku i Dibrës mbjell zakonisht një sipërfaqe prej rreth 3000 hektarësh. Të dhënat tregojnë se në vitet në vazhdim, sipërfaqja e mbjellë me këtë kulturë, po vjen në ulje të vazhdueshme, duke bërë një zbritje drastike me gati 1000 hektarë, në vitin aktual. Arsyet për këtë janë të shumta.

Në qarkun e Dibrës, ka fshatra të thellë, malorë me rrugë të ngushta, dhe pamundësi për të shkuar kombajna për korrje, apo makineri të tjera. Kjo e vështirëson mjaft mekanizimin e proceseve, duke ndikuar për keq te rendimenti. Në dy ish komunat  Qendër dhe Melan, rreth 35 përqind e sipërfaqes së mbjellë,  korret me dorë  e pastaj bëhet shirja me makinë. Kjo gjë, jo vetëm ka shtuar koston e prodhimit, ka shtuar firot nga shkërmoqja e grurit, por dhe e degjeneron gjithë procedurën në një rraskapitje totale.

I vjetër, sa dhe vetë njerëzimi, gruri i ka shërbyer njeriut si një nga kulturat bazë, krahas misrit dhe orizit. Mendohet të jetë shfaqur në Mesapotaminë e lashtë, ne Kinë, e më pas duke u përhapur kudo në botë, për tu bërë aq popullor sa e njohim sot.

Qarku i Dibrës mbjell zakonisht një sipërfaqe prej rreth 3000 hektarësh. Të dhënat tregojnë se në vitet në vazhdim, sipërfaqja e mbjellë me këtë kulturë, po vjen në ulje të vazhdueshme, duke bërë një zbritje drastike me gati 1000 hektarë, në vitin aktual. Arsyet për këtë janë të shumta.

Të mbjellësh grurë sot duket si një sipërmarrje e madhe. Në këtë rrugë të gjatë 8 – 9 mujore, fermeri ndesh pengesa dhe vështirësi të panumërta, që i zënë rrugën, dhe jo pak herë e bëjne atw pesimist, aq sa ai mendohet gjatë për vitin tjetër. “Të mbjellësh apo të mos mbjellësh”, kjo është dilema e sotme. Janë kaq shumë faktorët që ndikojnë pozitivisht apo negativisht në këtë drejtim, saqë ia vlen të merresh me secilin veç e veç, dhe të gjithë së bashku.

Një nga specialistët e vjetër të agronomisë në Dibër, Qerim Kadriu, thotë, se që të zbatosh teknologjinë, duhet të njohësh mirë fiziologjinë e kësaj kulture. Gruri kalon fazën e jarovizimit në temperatura nën 15 gradë celsius, që quhet dhe stadi i temperaturave të ulta.

Qarkullimi bujqësor është shumë i rëndësishëm për të marrë rendimente të larta. Pas kulturave prashitëse si misër, patate, fasule, mund të shtohet prodhimi me 30 përqind, kur kushtet e tjera nuk ndryshojnë. Po nëse vazhdojmë të mbjellim grurë pas gruri, rendimenti do të ulet respektivisht me 15, 20 dhe 30  përqind, në vitin e tretë. Kjo ndodh, pasi kjo kulturë e shfrytëzon sipërfaqen aktive deri në 30 centimetra, duke e “lodhur “ tokën. Mbjellja e përsëritur bën që të shfaqet ndryshku i grurit e një sërë sëmundjesh të tjera që ulin akoma më shumë rendimentin, e rrisin akoma më shumë koston e prodhimit, duke i luftuar ato. Do të ishte mirë që vetëm pas tre katër vjetësh, kjo kulturë të rimbillej në të njëjtën sipërfaqe toke.

Kullimi dhe vaditja janë dy faktorë që duhen marrë në konsideratë, por që në jo pak raste ata neglizhohen. Sidomos, në situata të nxehta, si vera e  vitit të kaluar, vaditja ka qenë shumë e kërkuar. Ismail Karaj, Riza Balliu, Petrit Kryemadhi, Hazis Fisniku, Agron Sallai dhe ndonjë tjetër, arritën të marrin mbi 70 kuintalë për hektarë dhe padyshim, një efekt të mirë ka pasur realizimi i këtij procesi. Nevojat për ujë janë në të gjitha fazat, por pak më të mëdha do të ishin në kallëzim e formim kokrre. Por jo më pak i rëndësishëm është dhe kullimi. Hapja e vijave kryesore apo siç thirren krenare, në krye të parcelës, bëjnë një rritje të shëndetshme, shmangin asfiksinë, zverdhjen e bimës dhe për pasojë dhe pakësimin e barërave të këqia. Në një hektarë të mbjellë me grurë mund të hapim rreth 700 m linear vija kullimi. I përmendim këto, pasi të merr malli të shohësh ngastra të mbjella dhe fermeri të ketë hequr qoftë dhe një vijë të vetme kullimi apo vaditje.

Në qarkun e Dibrës, ka fshatra të thellë, malorë me rrugë të ngushta, dhe pamundësi për të shkuar kombajna për korrje, apo makineri të tjera. Kjo e vështirëson mjaft mekanizimin e proceseve, duke ndikuar për keq te rendimenti. Në dy ish komunat  Qendër dhe Melan, rreth 35 përqind e sipërfaqes së mbjellë,  korret me dorë  e pastaj bëhet shirja me makinë. Kjo gjë, jo vetëm ka shtuar koston e prodhimit, ka shtuar firot nga shkërmoqja e grurit, por dhe e degjeneron gjithë procedurën në një rraskapitje totale. Në të tilla kushte, mbjellja e mëtejshme në vitet e tjera, mund të shikohet pa interes. Një pjesë fermerësh, sidomos të moshave të vjetra, mbjelljen e grurit,  më shumë do ta bënin për forcë zakoni, apo thjeshtë për të siguruar kashtën e grurit, aq të nevojshme për blektorinë.

Po të bënim një analizë të thjeshtë ekonomike, apo konto të kësaj kulture, siç e quajnë specialistët në gjuhën teknike, rezulton se bilancet nuk janë shumë pozitive. Procese të tilla si plugimi, frezimi, mbjellja, korrja, shtuar këtu farën e grurit, nitratin e shpenzime të tjera, e çojnë në gati 25 lekë koston e një kilogrami grurë të prodhuar. Po të mendosh që mund të ketë vite me thatësirë dhe ujitja është e pamundur, bilanci i shpenzimit dhe fitimit, përmbyset në favor të grupit të parë.

Në mbjelljen e kësaj kulture, ashtu si dhe për shumë të tjera, respektimi i afateve, është vërtet shumë i rëndësishëm. Fillimi i tetorit, deri në mesin e muajit nëntor, do të ishte afati më ideal. Populli, shpesh përdor termin “struga”, si të thuash pak a shumë afate. Struga të para, të dyta dhe struga të treta. Mbjellja para këtyre afateve do ta zhvillonte tepër bimën, me prirje për tu rrëzuar e për tu kalbur gjatë dimrit. Mbjellja më pas, pra pas fundit të nëntorit, do ta bënte bimën të paaftë për të kapur ritmin, e të futet e shëndetshme në temperatura të ulëta. Në dy komunat që përmendëm më sipër, Melan dhe Qendër, rreth 23 përqind e sipërfaqes u mboll në muajin dhjetor. Kjo do të ishte një goditje akoma pa u nisur, sikur gjithë vazhdimi të ishte perfekt.

Nuk do të ishte luks, por nevojë, deri në domosdoshmëri studimi i përmbajtes së tokës. Kjo do të vlente jo vetëm për grurin, por dhe për shumë kultura të tjera, mos themi për të gjitha. Duke ditur përqindjet dhe raportet e elementëve bazë, azot, fosfor, kalium, si dhe mikroelementet, ne do të dinim si të operojmë më tej, ç’farë duhet shtuar dhe sa. Sot analiza toke mund të bësh vetëm në laboratorin e Fushë Krujës, pra shumë larg mundësisë praktike të fermerit, duke e rënduar procesin në kohë, në para e plot pengesa të tjera burokratike. Bota e zhvilluar i mban në çanta dore, instrumenta të thjeshta që bëjnë analiza të tilla. Të vjen turp për shumë gjëra, ku kemi rënë shumë më poshtë se në kohën e komunizmit. E kishim laboratorin e tokave, nuk e kemi, e kishim laboratorin veterinar, nuk funksionon, e kishim sistemin e prognozës, nuk e kemi, e kishim me ujë fushën e begatë të Maqëllarës, është bërë shkretëtirë. Flasim për bujqësi intensive, kur në disa gjëra ecim në drejtim të kundërt. Irlanda e shumë shtete të tjerë marrin 10 kuintalë grurë për dynym, pra më shumë se dyfishin tonë, pikërisht se i vlerësojnë fort të gjitha hallkat agroteknike të kësaj kulture. Ata duan të punojnë, duan të ndërtojnë shtetin e jo të bëjnë retorika boshe siç bëjmë rëndom ne shqiptarët.

Mendoj se ka ardhur koha që të mblidhet një forum i qendrave të teknologjisë në shkallë kombëtare, i specialistëve më të mirë në shkallë vendi dhe të hartojnë një program i posaçëm për këtë kulturë. Të gjykojnë në ja vlen të mbillet në të ardhmen dhe të mbështetet me të gjitha mënyrat e mundshme, deri dhe me subvencione nga shteti, apo të lihet e të braktiset fare. Nëse ndodh kjo e dyta, fëmijët tanë do ta njohin këtë kulturë vetëm nga fotot e së kaluarës, duke thënë na ishte njëherë një kulturë që quhej grurë dhe dikur mbillej dhe në vendin tonë.