Rafting lumenjve të Dibrës që s’bëzajnë
Nga Abdurahim Ashiku


I kam jetuar lumenjtë e Dibrës, të vegjëlit duke udhëtuar anash tyre, duke i kaluar në ura teli apo në trungje pishe me gozhda mbi pardia, thupra apo furde.
Në Murrë jam futur hurdhave të thella e zhytas kam provuar të kap ndonjë troftë rrëshqitëse sa edhe ngjalës ia kalon.
Me Drinin jam lidhur që fëmijë kur zhytesha hapa këmbësh mbi qafën e dajë Ganiut e më vonë lidhur pas mesit me hinka, “kunguj ujës” siç i quanim dhe i mbillnim në kopsht. Më pas kam ndjerë në gjoks tallazet kur provoja të notoja kundër rrymës apo kur zhytesha thellë “Hurdhës së Mone”…
I kam njohur degët e Drinit pranverës kur shfrynin me dallgë të shkumëzuara e verës kur rridhnin aq sa nuk mbulonin gurët e zallit.
E kam jetuar Zallin e Okshtunit në burim e Zallin tek Ura e Qytetit që mbledh në shtrungë ujërat e Fushë-Bulqizës…
Kam mbush grushtet me ujë të pastër qelibar në Shtrungë e kam parë troftat të hidheshin nga 3-4 metra lartësi në ujëvarën që binte mbi Kacni e bashkohesh tek Ura e Selishtës për të marrë emrin e Katër Grykëve, Murra…
Kam pi ujë me kallam në burimet e Bjeshkës së Shehut, ato të Preshit e të Shpellasit për të mos futë këtu burimin e Bjeshkës së Ponairit ku kam një fotografi përjetësuar në kopertinën e librit “Njerëz që i dua”. E kam shoqëruar Veleshicën deri në deltën që hapet para se të derdhet në Drinin e Zi.
Mollën e kam parë dhe fotografuar në rrjedhën e saj mes përmes Borie Lurës e Fushë-Lurës, në shkumëzimin e saj në teposhtën e Zabelit të Nikës, e kam kapërcyer në një urë me trungje pishe në Arrëmollë për ta takuar në Gjurë Reç e në rënien në Dri.
E kam jetuar Setën ndryshe nga degët e tjera që mjelin malet për ta përcjellë shkumën e vluar mbi Drinin Zi.
E kam jetuar në shkulmin që buron nga gjiri i malit e në rrjedhën që zbret nga liqenet. E kam fotografuar dhe jam fotografuar përballë ujit që përplaset gurëve të latuar të shkëmbit. E kam me vete negativin bardhë e zi…
E kam jetuar në “tamë të vijës”, atje ku merr rrugë një kanal që i foli kohës me një “piketë me plumb pushke”, me trimërinë më të pastër e më heroike të dibranëve, me rrjedhën e ujit në gjashtë kilometra mbi e mes shkëmbinjve të paarritshëm deri atëherë, me tetëqind metro tunel nëpër Gjalicat asokohe të pakalueshme…
Në korrik të vitit 1967 uji i Setës vaditi për herë të parë tokat e Çidhnës për të vijuar në vitet më tej drejt Dardhës e Reçit nga njëra anë, me sifon drejt Sinës e po me sifon drejt Fushës së Çidhnës dhe Kastriotit deri në Vakuf në dhjetor 1969…
Edhe sot, po të kalosh anës kanalit të Setës, Gjalicave, rrugicës si fije peri që varet pas shkëmbinjve, pyet i habitur “Çfarë njerëzish kanë qenë ata që u varën në këto hone të thella, që çanë malin dhe krijuan këtë vepër ujore, këtë vepër arti me përmasa mbarëkombëtare?”
Në gazetën “Bashkimi” të 30 gushtit 1967 ikona e gazetarisë shqiptare Hamit Boriçi shkruante: “…Më 1 mars filloi puna. Uji në bazë të planit duhej ti jepej fshatarëve në vitin 1969, kurse ai filloi të rrjedhë 6 muaj pas fillimit të punimeve, pra dy vjet para afatit…Ishte planifikuar të punohej gjatë tre vjetëve, të hapeshin tre tunele, të punohej në 6 fronte pune. U punua 6 muaj, u hapën 13 tunele, u punua në 26 fronte pune njeri më i vështirë se tjetri…”
Nuk ka degë të Drinit të Zi ku të jetë shkruar kaq pastër trimëria dhe begatia, heroizmi i vjetër dhe heroizmi i ri i një populli që e ka në gjak punën, shpatën dhe barotin por jo penën…
E kam jetuar Drinin e Zi dhe degët e tij duke ecë e kundruar bukuritë anash. Nuk i kam jetuar duke u përplasur dallgëve të tyre…
Asokohe nuk kishte mjete për tu zhytur dallgëve e duke u përplasur shkëmbinjvetë ngushtë vende-vende sa i takon me krah hapur.
Tash mosha nuk ma lejon, ndonëse shpirti ma do…
Me shpirt po i ftoj të rinjtë të udhëtojnë Drinit e degëve të tij, mbi kajakë apo gomone, veshur me rroba raftingu, për të tërhequr turistë në një trevë gjeografike nga më të bukurat që mund të përshkruhet…
Për kërshëri të tyre, duke shfrytëzuar një vjetar statistikor të vitit 1966 të ekonomistit të shquar dibran Shemsi Hoxha por përcjell hapësirën që krijon Dibra për spote cilësore të Raftingut…
Dibra me një pellg të gjerë ujor, me Drinin e Zi shtyllë kurrizore e të paktën gjashtë degëve të tij që rrjedhin ujë të pastër burimesh tërë vitin, është më pak e eksploruara në sportin e raftingut dhe lundrimit me kanoe.
Malet e sajë s’bëzajnë…
Hapësira e mundshme për rafting në hapësirën gjeografike prej 1569 kilometra katrore përshkohet nga Drini i Zi dhe degët e tij në një gjatësi të përgjithshme prej 179 kilometrash, hapësirë lineare më e gjata në Shqipëri.
Drini i Zi nga hyrja në Gjoricë e deri në liqenin e Fierzës, 57 kilometra gjatësi, në saj të ujit të bollshëm si dimrit edhe verës, mundëson zhvillimin e shumë sporteve ujore, individuale e kolektive, kanotazh me kanoe njëshe e me gomone të mesme e të mëdha.
I bukur udhëtimi nëpër Drinin e Zi është nga Ura e Topojanit në dalje tek delta e Katundit të Ri, në ngushticën e Muhurrit ku takohet me Murrën, në deltën e Fushë Çidhnës ku takohet me Setën e Përroin e Gramës dhe në ndrydhjen e tij nga takimi me ujërat e Veleshicës deri në Skavicë…
Në këtë rrjedhë Drini lag themelet e lashta që lidhen me Kalanë e Grazhdanit, Kullën historike të Murre nëHotesh, kullat e Dine Hoxhës në Muhurr, Sinën si vend origjina e Kastriotëve, Fushën e Kastriotit dhe atë të Fushë-Çidhnës ku flitet për Betejën e Torviollit, e para ndër 19 beteja fitimtare të Gjergjit të Gjon Dibranit kundër pushtuesve osmanë, për të vijuar rrjedhën në themele të Zallë-Dardhës djep i këngës popullore dibrane, për tu ngushtuar aq shumë midis maleve të Reçit e të Kalisit sa kur e sheh nga larg të duket sikur do ta kalosh me një kërcim një hapësh.
Harqet e këputura të një ure të lashtë në Zall-Reç të bëjnë të mendohesh e të kërkosh të dish…
Seta me një burim spektakolar në Gurë-Lurë, në tërë gjatësinë e saj prej13 kilometrash deri në takim me Drinin në Arras, është lumi ku mund të maten guximtarët në raffting nëpër kalimin mbase më të ngushtin e një kanioni ku majat e maleve duket sikur takohen. Një vendas thotë se kanionin e Setës, në rrjedhë uji, deri sot nuk njihet ta ketë kaluar askush. Rëniet e ujit në shkallë natyrore pjerrësie, ujëvarat, vorbullat dhe ato që vendasit i quajnë “gropat e zeza” janë të frikshme e ta ndalin hapin.
Seta është lumi që s’bëzan…
E ndërsa rrjedhës së ujit flitet që nuk ka kaluar askush, shpatit të thepisur të malit vendasit, mjeshtrit e mëdhenj dibranë të ndërtimit të kanaleve ujitëse, kanë shkruar një heroizëm që do të befasonte çdo turist me tregime njerëzish që e kanë jetuar.
Seta, gjykoj që është sfida më e madhe për guximtarët e raftingut, sfidë që të fton për të guxuar veçanërisht në pranverë kur ende uji i saj është në rrjedhjen e vet më të madhe natyrore, ende pa u futur në kanalet ujitëse…
Veleshica (15 kilometra) që merr e mbush rrjedhën nga burimet e Korabit është kombinimi më i bukur i turizmit malor me raftingun kanioneve të saj që mblidhen e hapen derisa qetësohen përpara se të bashkohen në Zall-Kalis me ujërat e Drinit të Zi.
Murra (19 kilometra) me burime nga malet e Katër Grykëve të Murrës, veçanërisht nga burimet e Shtrungës ku hasen një grup liqenesh, për mendimin tim më të bukur se ato të Lurës, shumë pak të vizituar e të fotografuar, ka një rrjedhë që veçanërisht nga Lunara krijon mundësi të sporteve lumore përmes një peizazhi mahnitës.
Zalli i Zerqanit (29 kilometra) dhe ai i Okshtunit (34 kilometra) i pari me burim në Vajkal të Bulqizës dhe i dyti me burime në Prodan të Gollobërdës janë një ndër udhët turistike ujore që flasin për histori qëndrese e kulturë popullore (në deltën e tyre Hajredin Pasha, në Gjoricë ku bashkohen me Drinin, siç thotë kënga, la: “Jo ma pak por dymbëdhjetë mijë”)
Molla (18 kilometra) merr ujërat e Kunorës së Lurës, liqeneve emri i të cilëve i ka kaluar kohët dhe vendet për ti zbritur në një peizazh mahnitës në pasqyrë të fshatrave të Krej-Lurës, Arrmollës, Gjurë Reçit për ti bashkuar me Drinin e Zi…
Nuk kam dëgjuar që në Dibër të ketë ndonjë shoqatë apo grupim sportiv që të udhëtojë e të promovojë bukuritë e Dibrës nëpërmjet sportit burrëror të raftingut.
Nuk kam dëgjuar as që Albania Rafting Grup ta ketë shtrirë hapin e saj drejt rrjedhave ujore të Dibrës. Në faqen e saj zyrtare shoh vetëm veprimtari rafftingu në kanionet e Osumit…
Shqipëria nga Valbona në Bistricë duhet të tërheqë guximtarë të këtij sporti të bukur nga e gjithë bota duke i dhënë një hapësirë të gjerë turizmit në të gjithë hapësirën shqiptare.
Lumi Drini i Zi dhe degët që e ushqejnë atë verë e dimër janë një rrugë e madhe sportive e turistike që duhet përshkuar e përshkruar…
Ata duhet të zgjohen nga gjumi dhe të bëzajnë fort, fort, fort… si vikamat e kushtrimeve në kohë betejash…