Me Rrugën e Arbrit, Dibra kthehet në kopshtin e Tiranës


Më 10 nëntor, u bëra pjesë e një darkë që qeveria shtroi me anëtarët e saj të kabinetit, funksionarë dhe punonjës të administratës.
Salla e katit të poshtëm të Hotel “Verit”, aty ku qeveria kishte zhvilluar më parë mbledhjen e saj, ishte e mbushur plot. Në secilën tavolinë ishin vendosur drejtuesit e ministrisë përkatëse dhe vartësit e saj në qark.
Në tavolinën nr. 1, përveç kryeministrit, ishte edhe zëvendësja e tij, Senida Mesi, deputetët e Dibrës, Ilir Beqja dhe Almira Xhembulla, prefekti i Dibrës Nexhbedin Shehu, Bajram Krrashi, ish drejtues lokal dhe një investitor i suksesshëm, kryetarët e katër bashkive të qarkut, Muharem Rama, Nezir Rizvani, Basir Çupa dhe Melaim Damzi, përkatësisht kryetarët e bashkive Dibër, Mat, Klos dhe Bulqizë, dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Dibër, Hajri Laçi. Të gjithë së bashku janë rreth një tavoline, që më shumë se një darkë, ishte një tryezë debati dhe diskutimesh.
“Ju ftoj të kaloni një dark të këndshme, tha kryeministri Rama në fillim, dhe më pas u kujtoi të gjithë anëtarëve të kabinetit, që në fund të darkës, nga secila tavolinë të raportohej mbi problematikat e diskutuara”.
Dhe Kryeministri e nis bisedën me kryebashkiakun e Matit, ku pak ditë më parë, shpërtheu një sasi tritoli në shkallët e pallatit ku banon. Kryeministri kërkon të dije më shumë rreth kësaj ngjarje, por asgjë nuk mësohet më shumë se sa shtypi ka njoftuar. Të dy bien dakord se ajo mund të ishte një mjet presioni.
Më pas, Kryeministri thotë se “më në fund, kemi arritur një rezultat të mirë në lidhje me rrugën e Arbrit”. Ai tregon se për këtë çështje morën shumë kohë negociatat me kompaninë kineze, për të cilën, tha se ishin të detyruar të vazhdonin negociatat. Por tani jemi të kënaqur, sepse jemi në prag të nënshkrimit të marrëveshjes e cila është shumë favorizuese nga ana financiare.
Më pas, kryeministri flet për atë që do të fitojë jo vetëm Dibra me ndërtimin e rrugës së Arbrit, por edhe Tirana dhe Durrësi.
“Kur ne morëm ekspertët austriakë të na ndihmonin në ndarjen e rajoneve, ata na këshilluan se rajoni funksional nuk do të ishte trekëndëshi Elbasan-Tiranë-Durrës, por Durrës-Tiranë-Dibër.
Me Rrugën e Arbrit Dibra do të kthehet në kopshtin e pasmë të Tiranës” tha ai.
Kryeministri flet edhe për avantazhet që do të sjellë rruga, për fshatrat e bashkisë së Klosit, Xibër Murrizë, Drezës, Bastar. Ai thotë se kishte qenë më parë në këto zona dhe ishte e paimagjinueshme për të, që këto fshatra kaq pranë Tiranës, të jenë të izoluara.
Kryebashkiaku i Klosit thotë se në këto fshatra, përfshirë edhe Zall Bastarin në Tiranë, njihen për prodhimin e perimeve, sidomos të domates, por kanë vështirësi në nxjerrjen e tyre në treg. Kryeministri diskuton me të mbi mundësitë e sigurimit të tregut, dhe e fton atë të hartojë një projekt në lidhje me një frigorifer për ruajtjen e prodhimeve bujqësore.
Më pas, ai pyet kryebashkiakun e Matit, se pse matjanët nuk e duan investimin në rrugën e Arbrit. Ai thotë se një ditë më parë, gjatë një bisede me pronarin e “Gjoka Konstruksion”, ky i fundit kishte theksuar me rëndësi në projektin e rrugës, lidhjen e Rrugës së Arbrit me Klosin dhe Burrelin. Sipas tij, kjo do ta afrojë shumë qytetin e Burrelin me Tiranën. Banorët e Matit nuk e kanë dashur këtë investim, pasi ata janë për të investuar në një rrugë tjetër që e lidh më shkurt Burrelin me Tiranën.
Neziri thotë se kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Është e vërtetë që matjanët kanë një ide për një lidhje më të shkurtër me kryeqytetin përmes Qafë Shtamës, por me Rrugën e Arbrit distanca shkurtohet rreth 50 km, dhe ky është një avantazh i madh për të gjithë bashkinë.
Deputeti Beqja ndërhyn në bisedë dhe kërkon të dijë për se si po shkojnë investimet në bashkinë e Klosit, kryesisht unaza. Ai bën një vërejtje për unazën, pasi lidhja e saj me rrugën aktuale bëhet pingul në dalje të urës dhe krijon vështirësi në qarkullim.
Kryeministri Rama e përshkruan rrugën si skandaloze, si një tmerr që shpreson t’i jepet zgjidhje sa më shpejt.
Kryebashkiaku i Klosit thotë se ka vështirësi në atë segment, pasi është një urë e vjetër si dhe ka ndërtime rreth e rrotull. Por Kryeministri i kërkon që sa më shpejt të hartojnë projektin e urës, madje bashkë me projektin e shëtitores dhe sa më parë të sigurojmë financim për ndërtimin e saj. Po ashtu, kryebashkiaku i Klosit kërkoi mbështetje edhe për restaurimin e Kalasë së Petralbës, për të cilën kryeministri kërkoi të dinte mbi gjendjen aktuale të saj si dhe një projekt rehabilitimi, që do ta financonin menjëherë.
Është po deputeti Beqja që kërkon vëmendjen e kryeministrit për disa çështje të tjera në qark, sidomos ajo e mbylljes së thertoreve, që ka krijuar probleme, sidomos në furnizimin e institucioneve publike, spitaleve dhe kopshteve me mish, për zgjidhjen e së cilës, i kërkon kryeministrit të ndërhyjë që ato të rihapen sërish, së paku edhe 2-3 muaj, deri sa disa thertore në qytet plotësojnë kushtet.
Edhe për këtë çështje, Kryeministri thekson nevojën e zgjidhjes së problemeve në mënyrë afatgjatë, jo për momentin. Ai i fton kryebashkiakët që të jenë me aktiv në lidhje me projektet për sigurinë ushqimore, dhe qeveria është e gatshme që të financojë projekte për thertorët apo pikat e grumbullimit. Për këtë, ai i ftoi ata që të jenë më bashkëpunues edhe me bizneset që operojnë në këtë fushë, duke nxitur krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta.
Në tavolinë shtrohen për diskutim edhe probleme të tjera lokale, si ujësjellësi i Maqellarës, që megjithëse është ndërtuar, akoma nuk është vënë në funksionim apo probleme që kanë të bëjnë me sipërmarrjen. Për të gjitha rastet, Kryeministri i referohet ligjit përkatës për zgjidhjen e problemeve.
Më pas biseda shkon rreth buxhetit të ri. Kryebashkiaku i Matit i kërkon kryeministrit që në buxhetin e ri, të kihet parasysh që bashkitë të marrin një tarifë mbi pasuritë e tjera nëntokësore, ashtu siç u jepet bashkive për mineralet. Dhe solli rastin e ujit, përdoruesit e së cilës, kryesisht kompani të mëdha, e paguajnë një taksë fikse mbi xhiron për shtetin, por bashkitë nuk fitojnë asgjë.
Kryeministri fton Arben Ahmetajn, ministrin e Financave, që të dëgjojë sugjerimin e kryetarit të Matit. Ai nuk është dakord me këtë propozim, por Kryeministri, kur e kupton se për çfarë shumash bëhet fjalë, ndërhyn sërish: Le t’ua japim atë taksë! Me ato lekë ata (bashkitë) do të lyejnë ndonjë kopësht apo shkollë… Dhe biseda mbetet e hapur për diskutim.
Shkon nga shkon biseda, sërish dilet te Rruga e Arbrit. Pa të, çdo gjë duket e largët.
Deputeti Beqja thotë se me Rrugën e Arbrit lidhja me Lurën do të jetë shumë shpejt. Ai hedh idenë e ndërtimit të një tuneli, rreth 1 km, dhe nuk është e nevojshme që të ndërtohen rrugë malore, por nga fshati Çidhën dilet direkt në Gurë Lurë. Edhe kosto për këtë rritet vetëm me 1 milionë euro.
Po ashtu, ai hedh edhe idenë e ndërtimit të në aksi tjetër që lidh zonat e Selishtës me fshatin Zogje dhe prej aty bëhet lidhja me rrugën e Arbrit në Shupenzë.
Në fund, nga çdo tavolinë raportohet për problematikat e konstatuara. Shumë prej tavolinave bëjnë falenderimet dhe arritjet, por në disa prej tyre shprehen edhe shqetësimet.
Nga tavolina e Ministrisë së Arsimit raportohet për problematikat e hasura në klasat kolektive; nga ajo e Ministrisë së Brendshme nevoja për zyra të policisë në çdo njësi administrative, nga ajo Ministrisë së Shëndetësisë mbi nevojat në pajisje dhe mjekë, etj. Ministria e Energjisë kërkon më shumë fillëronjës gjatë periudhës së dimrit në detyrë, ndërsa Ministria e Kulturës raporton mbi nevojën e disa investimeve në vendlindjen e Skënderbeut, siç është Muzeu në Sinjë, etj.
Më të ashpra dhe më problematike u raportuan probleme në fushën e Ministrisë së Bujqësisë, ku është konstatuar se subvencionet në këtë drejtim kanë qenë joeficente. Ka fermerë që i kanë prerë mollët apo të tjerë që investimet në arrorë janë lënë në dorë të fatit, apo çmimet e ulura në treg për shkak të presionit mbi prodhuesit: shite lirë ose le të kalbet. Zëvendësministri mendon se duhet ndërhyrë urgjent në këtë drejtim, pasi kështu, investimet në këtë fushë në gjithë këto vite, rrezikohen të kthehen në pikën zero.

***
Kur takimi po shkon drejt fundit, deputeti Ilir Beqja më fton të kyçem në bisedë: Çfarë do të bëni me gazetën, tani që rruga do të fillojë?…
– Do ta bëjmë më të mirë, i them. Më pas shpjegoj shkurtimisht një histori gati 11 vjeçare të gazetës dhe më shumë se 25 vite në shoqërinë civile në përpjekjet për sensibilizimin e kësaj rruge.
“Atë që ekspertët austriakë kanë konfirmuar në ndarjen e re rajonale, ku Dibrën e kanë vendosur në një rajon me Tiranën e Durrësi, gazeta jonë vazhdimisht e ka përcjellë përmes shkrimeve të posaçme nga specialistë të fushave përkatëse. Theksova se gazeta nuk është vetëm një lobuese për këtë çështje, por po me të njëjtin seriozitet trajton edhe problematika të tjera të qarkut të Dibrës, si dhe është një hapësirë promovuese për turizmin, bujqësinë, artin dhe kulturën; gjithçka të mirë që ka Dibra.
Shpreha besimin se nga pikëpamja e leverdishmërisë ekonomike, Dibra do ta shlyejë shumë shpejt investimin në rrugën e Arbrit, por shpreha edhe shqetësimin e dyshimeve tona në lidhje me projektin aktual, pasi nëse segmentet e tenderuar që do të ndërtohen plotësisht të reja, premtohet se do të jenë sipas standardeve europiane, por segmenti i ndërtuar nga Fushë – Bulqiza deri të Ura e Çerenecit nuk i përmbush këto standarde, çka do të bëjë që rruga të jetë e mirë për Dibrën, por ajo nuk do ti kapë standardet që ne kërkojmë: lidhjen e Durrësit me Shkupin.
Beqja thekson se për standardet nuk duhet të ketë asnjë dyshim, pasi kompania do të paguhet 13 vite pas ndërtimit, kështu që ajo është në radhë të parë e interesuar për një ndërtim me standarde.
Më herët, Kryeministri kishte shprehur edhe besimin se edhe negociatat që do të vazhdojnë me qeverinë e Maqedonisë, do të jenë të suksesshme, me qëllim që edhe atje të ndërtohet rruga sa më shpejt, në mënyrë që Shkupi dhe Tirana t’a shkurtojnë distancën mes tyre në rreth 100 km.