Pedagogjikja, shkolla që ka nxjerrë mbi 2000 mësues
Nga SHEMSI MANJANI


Kam kënaqësi të veçantë që sot, në moshën 85-vjeçare, arrita të jem këtu bashkë me ju e t’ju përshëndes të gjithëve, të ardhur për të përkujtuar 70-vjetorin e shkollës së parë të mesme të Dibrës, shkollës pedagogjike, nxënës i së cilës kam qenë që në fillimet e saj, disa vite mësues së bashku me bashkëshorten e, së fundi si drejtor, dhe duke vazhduar pastaj gati po aq vite mësues, në seksion të arsimit, por i lidhur ngushtë me ish-nxënës, shokë e mësues të shkollës pedagogjike.
Të gjithë ne, ish-pedagogjikasit, mësues e nxënës, ruajmë kujtimet më të mira për vitet që kaluam bashkë, duke pasur parasysh përkushtimin e të gjithëve për të arritur rezultate sa më të larta në mësime e në çdo drejtim. Të admirueshme qenë marrëdhëniet mësues-nxënës që vazhduan e vazhdojnë pa ndërprerje gjatë gjithë këtyre viteve të shumta në pension, me takime të përzemërta të rastësishme ose të organizuara, si për 7 Marsin. Në mënyrë të veçantë të paharruara do të mbeten dhe organizimet e përvjetorëve të maturave apo shumë raste të tjera të gëzuara, kur, të mbledhur së bashku mësues e nxënës, kënaqësia, gëzimi dhe hareja arrinte kulmin.
Dhimbje të thellë ndjejmë sot për ata që nuk janë midis nesh, ish-mësues e ish-nxënës që janë ndarë nga jeta, dhimbje që na ka shoqëruar ndër vite, sa herë mësonim për këto humbje nga radhët tona. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre.
Përvjetori i kësaj shkolle për gjithë zonën verilindore është i lavdishëm, sepse ishte dhe mbetet e lavdishme vepra e saj, elita e parë për përgatitjen e mësuesve e gjenerimin e personaliteteve vendase. Janë mësuesit e personalitetet që kanë lënë gjurmë të pashlyera për rrezatimin e dritës së dijes në gjithë zonën e më gjerë.
Viti 1948, kur u hap kjo shkollë, e gjeti Dibrën me afro 90% të popullsisë analfabete, vetëm me 14 mësues me arsim përkatës, që kishin mbaruar Shkollën Normale të Elbasanit dhe edhe më keq në rrethe të tjera të kësaj zone. Kishte fshatra ku asnjë nuk dinte të shkruante e të lexonte. Në mjaft shkolla jepnin mësim mësues pa arsimin përkatës, të përgatitur nëpër kurse e forma të tjera kualifikimi. Rol vendimtar për shumicën e shkollave të ciklit fillor e shtatëvjeçar, që funksiononin në ato vite të para, e luajtën mësuesit e ardhur nga rrethe më të zhvilluara, kryesisht nga Elbasani e Shkodra. Populli i zonës verilindore u është mirënjohës për jetë atyre mësuesve që punuan për vite të tëra me përkushtim dhe në kushte të vështira pune e jetese, larg familjeve të tyre.
Qeveria e atyre viteve, fill pas çlirimit, ndonëse në kushte të vështira, duke e pasur të qartë se arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e çdo vendi, vendosi hapjen e shkollës pedagogjike për të përgatitur mësues për gjithë këtë zonë, që ishte ndër më të prapambeturat në atë kohë në gjithë Shqipërinë. Ndërtesa u bë gati nga specialistët dibranë, gollobordasit duarartë, për shtatorin e vitit 1948, siç ishte planifikuar, me të gjitha pajisjet e nevojshme. Ishte një ndërtesë nga më madhështoret në vend, siç është pohuar edhe nga mësuesit e porsaardhur nga qytetet kryesore të vendit. Shkolla ishte me katër kate, me 12 klasa mësimi, me korridore me shumë ndriçim, me konvikt brenda ndërtesës për 300 konviktorë, me të gjitha mjediset për mësim, edukim e argëtim. Kësaj shkolle iu bashkëngjit shpejt dhe ndërtesa e shkollës ushtrimore, po me katër kate për praktikat mësimore, ku do të jepnin mësim mësuesit më me përvojë për shkollat fillore e ku do të ushtroheshin mësuesit e ardhshëm.
Shkolla pedagogjike funksionoi deri në vitin 2008, nga ku dolën mbi 2000 mësues, ndër to afër 450 mësuese, duke llogaritur këtu dhe ata që e mbaruan shkollën me korrespondencë. Mbi 35% e nxënësve të kësaj shkolle vit pas viti mbaruan arsimin e lartë të rregullt a me korrespondencë e ndonjë edhe jashtë vendit.
Edhe më shumë rezultate do të kishte pasur kjo shkollë, nëse nuk do të ishte ndërprerë disa herë vazhdimi i saj, me pasoja jo vetëm për numrin e mësuesve të përgatitur, por edhe për zbehjen e përvojës së fituar gjatë 19 viteve pa ndërprerje, nga 1948 deri më 1967. Në fund të kësaj periudhe kjo shkollë radhitej me shkollat më të mira të Republikës. Shumë vetave u pëlqente ta quanin dhe e quajtën “Universiteti i zonës verilindore”.
Me mësuesit dhe nxënësit e saj, që erdhën duke u shtuar nga njëri vit në tjetrin, Pedagogjikja me veprimtaritë e shumta kulturore, artistike e sportive i dha gjallëri qytetit të Peshkopisë.
Meritë të veçantë në arritjen e sukseseve të kësaj shkolle kanë pasur padyshim drejtuesit e mësuesit e saj, populli i këtyre anëve i etur për arsim e dije dhe fëmijët e tyre të zellshëm. Në nderim të punës së përkushtuar të tyre, më lejoni të kujtoj disa nga drejtorët e mësuesit që kanë lënë gjurmë në shkollën tonë:
– Rexhep Kadcadej nga Elbasani, drejtori i parë që filloi punën, pasi mbaroi shkëlqyeshëm Institutin Pedagogjik Dyvjeçar;
– Pandi Cici, nga Korça, që kishte studiuar në Francë, me shumë përvojë të fituar brenda e jashtë vendit, i cili erdhi familjarisht në Peshkopi;
– Shefik Osmani, nga Shkodra, drejtori që qëndroi më gjatë në këtë detyrë, deri në vitet kur dolëm ne, dy maturat e para, dhe disa prej nesh me interesimin e kujdesin e tij u caktuam për të vazhduar studimet e larta;
– Astrit Hozha, nga Dibra, që kishte mbaruar gjimnazin në Shkodër e Fakultetin për matematikë me rezultate shumë të mira, punoi në këtë shkollë një vit si mësues e tre vite si drejtor;
– Zenel Sula, nga Dibra, i pari si ish-nxënës i shkëlqyer që u dërgua nga kjo shkollë për studime të larta në ish-Bashkimin Sovjetik, ku përfundoi po me rezultate të shkëlqyera dhe pastaj punoi disa vite si drejtor i shkollës sonë. Pas këtyre erdhën në këtë detyrë: Sami Ferizi, Shemsi Manjani, Myslim Koka etj. Në vitet e fundit para mbylljes, drejtor i suksesshëm ka qenë Ilmi Cani, më i interesuari dhe më i përkushtuari në qytetin e Peshkopisë për festimin e këtij përvjetori.
Këtë shkollë e drejtoi vetëm një shoqe, Naxhie Zekja, mësuese e ardhur në Dibër familjarisht, pasi i shoqi ishte dërguar me detyrë partie. Ajo u dallua për aftësi drejtuese, përkushtim në punë e për marrëdhënie shumë të mira me kolektivin mësues-nxënës.
Një nderim i veçantë shkon për mësues e mësuese që punuan në këtë shkollë. I kujtojmë disa prej tyre: Jorgji Sinjari, Kleanthi Qendro, Ismail Turdiu, Llazar Mbreshtanaku, Shefki Hafizi, Sotir Temo, Kolë Tahiri, Hasan Kaduku, Semi Hoxha, Kadri Shupheja, Andon Lakuriqi; mësuesit dibranë: Moisi Cami, Ismail Erebara, Shemsi Manjani e Zenel Sula, të parët mësues, ish-nxënës të kësaj shkolle. Mësues të tjerë dibranë: Riza Manjani, Munir Shehu, Ismet Bellova, Osman Turja, Sabri Vraniçi, Lutfi Hanku, Bexhet Shehu, Myfit Trepça, Fadil Kaca, Qani Përtafi, Bajram Mata, Hamza Spahiu, Fitim Mati, Lavdrim Kaba, Kadri Zhulali, Xhetan Strazimiri, Durmish Shehu, Sefulla Shehu e shumë të tjerë deri në mbyllje të saj.
Mësueset e pedagogjikes: Juli Levani, Perihan Dizdari, Diamanda Doda, Nevrez Manjani, Fanie Hoxha, Fatmira Zeqo dhe mësueset e ushtrimores: Jolanda Rada, Irena Bitri, Drita Zhulali, Hava Hoxha, Sanie Sula e të tjera.
Nga personeli i konviktit meritojnë gjithë nderimin tonë, zëvendësdrejtorë e kujdestarë: Nuri Prenjasi, Bardhul Hakani, Hajdar Haxhihyseni, Shemsi Zhulali, Adem Shehu, Remzi Prapaniku, Terzi Dungu, Nuri Abdiu, Esat Caka, Iljaz Kaca, Islam Kosova, Lutfi Manjani, Hava Hoxha, Nadire Hasa, Bardhoshe Pepleka, Fatmira Zenuni, Hike Strazimiri e të tjerë.
Nuk mund të lëmë pa përmendur në këtë përvjetor e në çdo veprimtari tjetër arsimore e kulturore në Dibër legjendën e arsimit dibran, Selim Alliun, me kontribute të shumta për hapjen e funksionimin e kësaj shkolle e zhvillimin me suksese të arsimit e kulturës në Dibër. Ai qe afër 20 vjet shef i seksionit të arsimit e kulturës në Dibër, një detyrë me shumë përgjegjësi e me probleme të shumta për t’u zgjidhur, që i përballoi me sukses, me maturi e kompetencë si askush tjetër. Ai është i pari në Dibër që u vlerësua me titullin më të lartë për kohën “Mësues i popullit”.
Të nderuar pjesëmarrës!
Është provuar tashmë se në shumicën e rasteve, pikënisja për arritje të suksesshme e të dallueshme në jetë, fillon që me vazhdimin e mbarimin me sukses të shkollave të mesme e duke vazhduar me shkollat e larta, pa nënvlerësuar kushtet e tjera favorizuese ose jo për këto arritje. Nuk bëjnë përjashtim këtu për këto arritje të dallueshme dhe mjaft ish-pedagogjikas, personalitete, kudo ku kanë punuar e drejtuar gjatë këtyre viteve. Unë si më i moshuari dhe më i lidhuri e më i njohuri me arritjet e ish-nxënësve të Pedagogjikes, mendova t’i përmend në këtë përshëndetje disa prej tyre për arritjet më të dallueshme gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë duke u nisur nga fakti se është përvjetori i shkollës së tyre. Kërkoj falje për ndonjë harresë apo vlerësim ndoshta jo aq objektiv, siç ndodh në kësi rastesh, në konsiderata personale:
– Shaban Sinani, prof. dr. studiues dhe historian i letërsisë, etnolog dhe publicist, shumë i vlerësuar për punimet e realizuara në fushat e mësipërme nga studiues të ndryshëm, brenda e jashtë vendit, akademiku i parë dhe i vetëm nga të gjithë ish-pedagogjikasit e shkëlqyer. Librat dhe studimet e tij të shumtë kanë të veçantë se, veç cilësisë së lartë, trajtojnë probleme të rëndësishme për kombin;
– Hajri Shehu, prof. dr., studiues në fushën e gjuhësisë më kontribute të shumta në fushën e leksikografisë e leksikologjisë, bashkautor në hartimin e disa fjalorëve shpjegues të shqipes, autor i një fjalori anglisht-shqip, si dhe i një fjalori krahinor për zonën e Dibrës (Ujemuja);
– Enver Hysa, prof. dr., studiues në fushën e gjuhësisë me kontribute të veçanta në fushën e morfologjisë e të fjalëformimit, bashkautor i Gramatikës shkencore të gjuhës shqipe dhe autor i shumë punimeve në fushat e mësipërme, bashkautor i shumë teksteve të gjuhës për shkollat e cikleve të ndryshme;
– Bajram Xhafa e Muharrem Dezhgiu, prof. dr., studiues në lëmin e historisë, me studime e botime të rëndësishme në këtë fushë;
– Studiues, botues e shkrimtarë të dalluar, që kanë dalë nga kjo shkollë: Prof. dr. Shefqet Hoxha, “Mësues i popullit”, prof. dr. Arian Kadiu “Mjeshtër i madh”, shkrimtar; shkrimtarë e studiues të tjerë: Xhafer Martini, shkrimtari ynë i mirënjohur, Naim Plaku, Lutfi Hanku, Qemal Mata, Rakip Lasku, Hysen Shehu, Xhezair Abazi etj.;
– Gazetarë: I mirënjohuri Kamber Faruku, Garip Troci, Zaim Basha, Urim Bajrami;
– Artiste e artistë: Lirie Rasha, ëmbëlsia e këngës dibrane, këngëtare e talentuar, shumë e duartrokitur brenda e jashtë vendit, piktorët: Pjetër Marku, Duro Ibrahimi; artistë të skenës teatrale: Dervish Biba, Bajram Ballabani; muzikantë: Ahmet Balliu, Iqmet Hoxha, Nuredin Mazari, Mersin Iskurti;
– Sportistë: Lutfi Manjani, Shemsi Manjani, Islam Kosova, Meleq Kaloshi, Fran Lena, Zyber Xhetani, Dodë Progni, Kadri Zhulali (shahist), Fllanza Toçi, ish-pedagogjikase, volibolliste e dalluar e “Korabit” në kategorinë e parë.
– Drejtues e pedagogë në arsimin e lartë e në institucione shkencore të vendit: Prof. dr. Nuri Abdiu, “Mësues i popullit”, zëvendësdrejtor në Universitetin e Shkodrës, Kadri Zhulali, dekan i Fakultetit Ekonomik, Enver Hysa, zv.-drejtor i Institut të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave e pedagog, Hajri Shehu, Agim Bardulla, Bajram Xhafa, Shaban Sinani, Shaban Çollaku e Riza Lika;
– Diplomatë: Abdi Baleta, ish-pedagogjikas i shkëlqyer, përfaqësues i Shqipërisë në OKB, botues i mjaft librave e shkrimeve me vlerë, Sulejman Tomçini, 8 vjet ambasador në Egjipt, Algjeri e Arabinë Saudite, përkthyes e autor i fjalorëve arabisht-shqip e shqip-arabisht. Të tjerë diplomatë Maxhun Peka, ish-ambasador në Vietnam, Francë e Kinë, i cili sapo ka botuar librin “Një jetë në diplomaci”, Lazam Koldashi, Përparim Sinani, Ivzi Çipuri, Adem Ymeri e Kamber Faruku;
– Drejtues në Komitetitet Ekzekutive, të Partisë, të Rinisë e të institucioneve të tjera të rretheve: Avni Fida, Selvie Lena, Petrit Spahiu e Haxhi Krashi. Lavdrim Shehu, nxënës i dalluar në shkollë e si mësues, kryetar i Këshillit të Rrethit në vitet e demokracisë;
– Ushtarakë: Hasan Leka, Sali Onuzi, Shahin Zogu, Musa Riçku:
– Shefa të seksioneve të arsimit: Moisi Cami e Shemsi Manjani në Dibër, Esat Sula 12 vite në Mat, Dali Tota e Qemal Mata në Kukës, Zymbile Zeneli, Shefe e seksionit të kulturës, kur ky seksion u nda nga ai i arsimit;
– Zenel Kurti e Xhavit Lashi, sekretarë të parë të komiteteve të rinisë e sekretarë të komiteteve të partisë në Mat e Kukës. Xhaviti, ish-nxënës i shkëlqyer në pedagogjike, i cili, pas botimit të librit voluminoz “Qarku i Kukësit në rrjedhën historike”, na ka sjellë sot librin shumë të mirëpritur për ne “Shkolla pedagogjike e Peshkopisë”. Po kështu dhe shkrimtari i mirënjohur Xhafer Martini ka sjellë librin e ri të tij “Pedagogjikja, personalitete”. Me këtë rast i falënderojmë për këto botime me rastin e këtij përvjetori të lavdishëm të shkollës sonë.
– Disa ish-pedagogjikas në vite të ndryshme janë zgjedhur deputetë: I pari nga radhët e arsimit, Moisi Cami, pastaj Natasha Kodra, ish-nxënëse e shkëlqyer e pedagogjikes, Shefqet Hoxha, po i shkëlqyer, Mustafa Hoxha, deputet e shumë vite kryetar i BP në Kukës e Bukurie Lleshi. Të tjerë ish-pedagogjikas deputetë e drejtues në organe të larta të Partisë, të Pushtetit e të institucioneve të tjera: Xhelil Gjoni, në poste të larta partie, Tefta Cami e Safet Zhulali, ministra, Fehmi Abdiu, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Lumturi Rexha, kryetare e Bashkimit të Grave të Shqipërisë.
Duke përfunduar, dëshiroj të falënderoj e të përgëzoj Prefektin dhe të gjithë drejtuesit e Qarkut e të Bashkisë së qytetit të Peshkopisë për kontributin e dhënë në përkujtimin e këtij përvjetori e për pritjen tonë dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë përvjetor.
Lavdi veprës së ndritur të Shkollës Pedagogjike të Dibrës, fidanishtja e parë për përgatitjen e mësuesve dhe gjenerimin e personaliteteve vendase!
Rroftë populli dibran dhe i gjithë Shqipërisë!
Peshkopi
26 shtator 2018.