Shaban Bitri, inxhinieri i respektuar, dibrani me vlera të spikatura


Në Hotel Tirana International, ditën e shtunë më datë 28 prill, u zhvillua ceremonia e dekorimit të z. Shaban Bitri nga Këshilli Bashkiak i Dibrës. Në këtë veprimtari, e cila u organizua nga shoqata Lidhja e Intelektualëve Dibranë, morën pjesë anëtarë të shoqatës, kryetarët e shoqatave të tjera dibrane, deputetë, koleg e miq të Shabanit.
Pas fjalës së prof. dr. Edlira Haxhiymeri, u shfaq një dokumentar rreth jetës e punës së Shabanit në veprat, si dhe u lexua një përshëndetje e ing. Faruk Kaba, kryetar i Shoqatës së Inxhinierëve Konsulentë Shqiptarë, i cili solli përshëndetjet e tij personale dhe shoqatës që ai me vlerësime për punën e Shabanit. Më pas foli z.Munir Hoxha, shok fëmijërie, i cili vlerësoi aftësitë e Shabanit dhe në punën e tij si inxhinier, duke theksuar se ky nder që i bëhej ishte plotësisht i merituar. Ing. Kujtim Bejtja vlerësoi te Shabani kontributin e tij në ndërtimin e urave, jo vetëm ato të infrastrukturës, por edhe në jetë, duke u bërë simbol i bashkimit nga jugu në veri.
Vlerësime për Shabanin dhanë edhe Petrit Malaj, deputeti i Dibrës dhe Korcës Përparim Spahiu e Hekuran Hoxhalli, mbesa Sara, etj.
Shaban Bitri është edhe një mik dhe donator herë pas here i gazetës sonë, ndaj për lexuesin po sjellim fjalën e plotë të prof. Edlira Haxhiymeri, kryetare e shoqatës LID.

Prof. Dr. Edlira Haxhiymeri

Është kënaqësi e vçcantë për mua që në emër të Shoqatës së Intelektualëve Dibranë të uroj nga zemra mikun tone, shokun tone, dibranin me vlera të spikatura, inxhinierin e respektuar zotin Shaban Bitri, për nominimin e tij Qytetar nderi i Peshkopisë.
Shabani është biri i nderuar e i respektuar i fshatit Bllice. Në këtë trevë patriotike të Çidhnës, pellgut të Drinit, në shpinë të Lurës e përballë Korabit madhështor, u lind dhe u formua si karakter Shaban Bitri.  Shiu dhe bora, dielli përvëlues i verës, rropatja për të ndihmuar prindërit u ravijëzuan në trupin dhe karakterin e një djaloshi të ajthëm. Burra, gra, fëmijë të fshatit apo krahinës që rropateshin ditë pas dite, muaj pas muaji dhe vit pas viti, nuk mund të mos skaliteshin në memorien, por edhe në karakterin e personalitetin e djalit, inxhinierit e familjarit të ardhshëm. Në AND-në e Shabanit u plazmuan natyra e ashpër dhe e egër gjeografike e zonë, por edhe qëndrueshmëria e vendosmëria e atyre njerëzve të rreshkur nga vuajtjet e sakrificat për mbijetesë, fjalë pak, me shikim zhbirues, burra kuvendi  e odash epike.
Babai i Shabanit, Qazimi, ishte njeri i drejtë, udhëhiqej nga parimi “shtrij këmbët sa ke jorganin”, me karakter të pastër dhe i përkushtuar deri në vetmohim për mbarëvajtjen e punëve të shtëpisë, larg konflikteve, racional, bari i mirë i tufës së vet, njeri praktik. Të gjitha këto cilësi të rralla inspiroheshin tek personaliteti I Shabanit në mënyrë krejt të natyrshme. Atyre u bashkangjiteshin edhe vlerat e mëdha të nënës Hirije, e cila me vetmohim, natë e ditë, u përkushtohej fëmijëve me gatim, larje e qepje të teshave. Përkushtimi i saj ishte epik sepse i shërbente nga mëngjesi deri në mesnatë një familjeje që gjallonte nga 6 fëmijë  (Lutfiu, Shabani, Ruzhdiu, Zarja, Latifi dhe Bilbili) dhe dy bashkëshortët, në kushtet e vështira të kohës. Ajo ishte ana tjetër e medaljes së familjes së respektuar të Bitrajve.
Edhe pse bënin një jetë të varfër, si shumë të tjerë, etja për dije e shkollim ishte një zjarr i brendshëm për Shabanin, sikundër edhe për shumë bashkëkohës të tij. Ai e mbaroi shkollën 7 vjeçare në Fushë Alie, me të gjitha notat 5, vlerësim maksimal për kohën. Tashmë adoleshent, Shabani hodhi vështrimin drejt shkollës së mesme. Me një valixhe druri, me pak rroba në të, trokiti në dyert e Teknikumit të Ndërtimit në Tiranë. Edhe pse ishte me rezultate të shkëlqyera, atij ju akordua vetëm një gjysëm burse, por që me vullnetin e këmbënguljen që e karakterizonte, arriti rezultate shumë të mira në mësime dhe e fitoi bursën e plotë. Tirana hapi një dritare të re, të madhe për djalin e ardhur nga Çidhna. Ajo ishte një univers krejt i ndryshëm nga vendlindja e tij rurale. Në këtë univers po kaliteshin intuita, vendosmëria, besimi në vet-vete dhe po projektohej personaliteti i inxhinierit të ardhshëm. Fakulteti i inxhinierisë së ndërtimit, maja e formimit të plejadës së inxhinierëve të ndërtimit, arkitektëve e drejtuesve të ndërtimit e gllabëroi të riun Shaban Bitri, i cili u zhyt në detin e madh të dijeve shkencore inxhinierike. Imagjinata më çon në ditët dhe netët e pa gjumë të Shabanit mbi telajot e projektimeve të shumta, të skicave dhe projekteve, që kërkon ky specialitet i nderuar, i diskutimeve të shumta me kolegët dhe pedagogët për mbrojtjen e tyre, kjo edhe për faktin se në familjen time kam patur fatin e mrekullueshëm të jetoja me tre inxhinierë: Babain, një nga themeluesit e fakultetit të inxhinierisë mekanike, vëllain dhe dajën, që u diplomuan inxhinierë mekanikë.
Shabani nuk u tut nga përgjegjësia që mori për t’u kalitur si specialist i respektuar i ndërtimit dhe i kushtoi këtij qëllimi fisnik gjithë kapacitetin e tij mendor e fizik.
Të gjithë e njohim dhe e përdorim në biseda postulatin se ‘Jeta është kriteri i të vërtetave’, dijeve me të cilat je mbrujtur në universitet. Këtë e ka përjetuar edhe miku e shoku ynë i respektuar Shaban. Inxhinier apo kryeinxhinier ndërtimi, përgjegjës sektori, drejtues teknik, në kantieret e ndërtimit në Pukë, Fushë Arrëz, Fierzë, Koman dhe kudo tjetër, është jeta brilante e një njeriu pasionant, këmbëngulës dhe i vendosur, të cilën e kanë ndjekur nga afër me kënaqësi edhe shokët, miqtë e të afërmit e tij e që do ta kishte zili çdo i ri sot, por edhe si motiv nëse do të vendoste t’i hynte rrugës fisnike, të bukur, por edhe të vështirë, të inxhinierit të ndërtimit.
Ndryshimet e mëdha demokratike vunë në provë shumë modele të reja jetese e pune, cilësisht të ndryshme nga ato të modelit socialist, model që, siç dihet, u tregua ineficent dhe për rrjedhojë edhe u zëvendësua në vitet ’90-të. Periudha e tranzicionit vuri në provë grupe sociale apo individë të ndryshëm se si ata do të ambientoheshin me sistemin e ri kapitalist në ekonomi, që po instalohej në vendin tonë.  Përvoja dhe eksperienca mungonte, kjo rrjedhojë e më shumë se 50 viteve letargjie komuniste. Por nuk mungonte dëshira dhe vullneti i individëve, apo grupeve të caktuara, intuita dhe pasioni për t’u futur në këtë sfidë të re ku, mund të fitoje, por edhe mund të dilje i humbur. Konkurrenca ishte elementi i ri, i cili kishte munguar në sistemin socialist, por që ditë pas dite po bëhej motori i modelit të ri ekonomik. Inxhinieri i spikatur Shaban Bitri nuk u tut nga sfida e re. Ai, së bashku me dy ortakë, vendosën dhe themeluan shoqërinë e ndërtimit “Jubica” në vitin 1994 dhe dy vjet më vonë (1996) shoqërinë e dytë të ndërtimit “Almo Konstruksion”, një kompani ndërtimi kjo lider në vendin tonë. Në terrenin e një ekonomie tregu, ku po kërkohej gjithnjë e më shumë aktivizimi, përfshirja dhe konkurrimi, në projekte të ndryshme ndërtimi, “Almo Konstruksion”, e drejtuar nga inxhinieri i talentuar Shaban Bitri. Ajo po bëhej një konkurruese e denjë në fushën e ndërtimit. Ajo mori pjesë në ndërtimin e veprave të shumta. Emri i mirë i kësaj kompanie, hap pas hapi, po i kalonte kufijtë e vendit tonë. Në vitin 2010 “Almo Konstruksion” u nderua me Çmimin më të lartë Ndërkombëtar të Cilësisë në kategorinë Platinium, akredituar për Arritje në Cilësi, Aftësi Drejtuese, Teknologji dhe Risi, mes 65 kompanive nga vende të ndryshme të botës.
Shabani nderohet e respektohet jo vetëm për cilësitë e larta  që ka manifestuar si inxhinier ndërtimi, por edhe për tiparet e spikatura dhe vlerat e një familjari shembullor. Ai e zgjodhi shoqen e jetës, Afrovitin, ose siç e thërrasim ne të tërë Vitën tone të mirë, nga Jugu, nga Palasa. Kjo lidhje martesore nuk ishte e para e këtij lloji. Shumë kohë përpara tij këtë zgjedhje e bëri i madhi Skënderbe që u martua më të bijën e Gjergj Arianitit. Pas tij vijuan shembuj të tjerë në historinë e Shqipërisë. Por gjithkush nga ne mund të bënte pyetjen e thjeshtë se çfarë i bashkoi Shabanin dhe Vitën? Vita kishte kaltërsinë e dallgëve të Jonit, kurse Shabani bardhësinë e borës dhe madhështinë e Korabit. E përballuan jetën me të mirat dhe vështirësitë që ajo mbart. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Nga ky çift bashkëshortësh shembullorë erdhën ne jete dhe u rriten dy djem si petrita (Mondi dhe Alfonsi) por edhe këmbëngulës e të vendosur për të ecur në rrugën e prindërve.
Shumë nga shokët, kolegët apo të afërmit kanë evidentuar cilësi të veçanta të tij.  “Shabani ishte një djalë punëtor i ndërgjegjshëm, serioz në punë, e kishte me pasion punën e inxhinierit, e donte profesionin” rrëfen Drejtuesi i punimeve të Fierzës Ismail Ahmeti. ‘Si kryeinxhinier i kantierit të prodhimit, Shabani shquhej për iniciativë dhe këmbëngulës për prodhimin e disa betoneve me karakteristika të veçanta e cila ishte një punë e mirëfilltë shkencore’, kujton Kujtim Bejtja. ‘Si Shaban Bitri është vështirë të gjesh inxhinier. Ai është një ndër më të mirët në këtë fushë’, nënvizon Faruk Kaba. ‘I dashur, kërkues, i vëmendshëm, i hapur ndaj sugjerimeve, komunikues me këdo’, thekson Lefter Kashta. Edhe artisti i mirënjohur Petrit Malaj evidenton një cilësi të veçantë të Shabanit. ‘Prej këtij burri kam mësuar se si mund të krijohet një familje e shëndoshë dhe si mund të rriten e të edukohen fëmijë të ndershëm e të edukuar’.
Edhe shumë nga ju, të nderuar pjesëmarrës në këtë takim, mund të evokoni kujtime,  mendime e vlerësime të veçanta për njeriun e punës, familjarin e devotshëm. Por, do të më lejoni që të evidentoj edhe një anë tjetër të personalitetit të Shabanit. Si kryetare e shoqatës së intelektualëve dibranë, kam konstatuar, me kënaqësi, faktin se Shabani nuk është nga ata që i kthejnë shpinën krahinës nga kanë ardhur. Jo. Ai i përket asaj race intelektualësh e patriotësh që jetojnë shpirtërisht me fshatin e lindjes, me Dibrën tonë të dashur. Vitet që kemi kaluar së bashku në këtë Shoqatë  të nderuar, që në zanafillën e saj e deri në ditët tona më kanë lënë mbresën e thellë se Shabani është një nga aktivistët e palodhur e të spikatur të kësaj shoqate të nderuar, themeluar nga i paharruari Prof Nuri Abdiu.
Ju  kërkoj ndjesë në se fjala ime ishte pak e gjatë, por ajo është shumë pak për të evidentuar figurën e inxhinierit të talentuar, dibranit të respektuar, që sot Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Dibrës e shpall “Qytetar Nderi”.
E gëzofshi titullin e lartë, i dashur Shaban, së bashku me familjen tuaj të respektuar!