Hasmëria Murrja-Hasa dhe zbatimi në perfeksion i kanunit


I -PROLOG

Një ndër hasmëritë e shumta në Dibër ka qenë edhe ajo e fisit Murrja me fisin Hasa në fshatin Hotesh në Luzni. Hasmëria midis tyre kujtohet si një nga konfliktet më të ashpra të kohës. Gjendja e “luftës” ndërmjet familjeve të përfshira në konflikt ka zgjatur më shumë se një dekadë.

Hasmëria midis fiseve Murrja e Hasa është pjesa e katërt e studimit “Kronologjia e fisit Murrja në Hotesh të Dibrës”. Objektivat e studimit janë: (i) Informimi me detajet e hasmërisë. (ii) Kur ka ndodhur dhe kohëzgjatja? (iii) Cila familje e fisit Murrja mbajti barrën e kësaj gjakmarrjeje? (iv) Kush është enigmatiku Dan Murrja? (v) Si iku (u largua) fisi Hasa nga fshati Hotesh? (vi) Precedenti i pranimit nga Murrja si “vlla” në troje i Shqutit me origjinë nga Lura, i vendosur përkohësisht në Sinë. Qëllimi i punimit është njohja me zbatimin në perfeksion të zakoneve kanunore nga fiset Murrja dhe Hasa.

II –ASPEKTI METODIK

Për të sjellë në “kornizë” shkencore historinë e hasmërisë së fiseve Murrja e Hasa kemi mbledhur gojëdhënat, faktet toponimike, pozicionet gjeografike të kullave, opinionet dhe i kemi analizuar në bazë të “teorisë së lojës”, ku një nga elementët bazë të sajë është “racionalja ose logjika/arsyeja”. Dinamizmin deskriptiv/përshkrues e kemi ballafaquar dhe krahasuar seritë kohore, ku etalon është brezi biologjik i jetës së njeriut (deri në 30 vite). 

Për të gjetur periudhën e ndodhjes së hasmërisë jemi bazuar në pemët gjenetike të fiseve Murrja e Shquti. Për herë të parë pema gjentike e degës së fisit Murrja në fshatin Hotesh është skicuar nga studiuesi Munir Shehu rreth viteve 60’ të shekullit të kaluar. Sipas studiuesit mendjendritur të folkorit, të këngës epiko-historike, të gojëdhës dhe të historisë së Dibrës pasardhësit e Halilit janë Elezi, Hasani, Hyseni, Seferi dhe Limani. 

Përfshirja rastësore e Vesel Shqutit në shamatën fillestare midis Murres e Hasës është provë e pakontestuar dhe më kryesorja në këtë studim. Krahasimi kohor i gjeneratave të dy fiseve na orjenton në familjen Murrja që përfshihet në hasmëri dhe në dekadën e dy shekujve të mëparshëm të ndodhjes së konfliktit.

III –SHKAKU DHE PASOJAT 

E HASMËRISË

1 –Shamata dhe lindja e hamërisë

Në fshatin Hotesh të Luznisë, një ditë prej ditësh, gratë e familjes së Sefer Murres kishin dalë për të mbledhur krande në zabelin e fisit Hasa. Kujtojmë se Hasani, Elezi, Hyseni, Seferi dhe Limani janë pasardhësit e Halilit ose thënë ndryshe përfaqësuesit e brezit të dytë të degës së fisit Murrja në Hotesh. Pasardhësit e Seferit janë Tafa dhe Brahimi (referohuni Figurës 4.3). Kulla e Tafës dhe Kulla e Danit djalit të Brahimit (në të majtë të Figurës 4.1) ishin karshi kullës së Hasës (në të djathtë të Figurës 4.1.) në lugina ballë për ballë, të ndara nga përroi i fshatit.

Sipas zakonit kanunor përveç meras së “katunit”, mbledhja e shkarpave dhe kullotja e bagëtive në zabelet e njëri-tjetrit ishin dhe janë të lejueshme. Ndalohej vetëm përdorimi i spatës dhe kmesës, thënë ndryshe prerja e degëve të lisave.

Ndërkohë gratë po mblidhnin krande, pikasen nga disa burra të fisit Hasa. Ato fillojnë të shajnë dhe fyejnë gratë e Murre. Por sipas kanunit gruaja ishte e mbrojtur ndaj ofendimeve dhe akoma më shumë ndaj kërcënimeve.

2 -Përfshirja e Shqutit në këtë hasmëri

Për fatin e mirë, në shamatën e grave të tarafit të Seferit me burrat e familjes Hasa gjendet rastësisht Vesel Shquti (pinjolli i parë i fisit Shquti në Hotesh), që kishte shtegtuar para disa viteve nga Lura në Sinë dhe në fund ishte vendosur për të jetuar me familjen e tij në fshatin Hotesh në Luzni. Ai iu thotë burrave të Hasës: -Mos i shani gratë e Murre sepse i kam motra. Në shkëmbime verbale fjalësh midis tyre Vesel Shquti vret me hutë një nga burrat e fisit Hasa. Kundërpërgjigja e tyre ishte e menjëhershme duke vrarë Vesel Shqutin dhe duke lënë të plagosur rëndë një grua të fisit Murrja (Burimi: Shaqir Shquti sot 80 vjeç).

Akti i Vesel Shqutit ishte heroik. Heroizmi i tij u vlerësua nga Murrja. Murrja i çon “Plakun” Hasës.

3-Zgjatja e hasmërisë dhe zgjidhja e gjakmarrjes

Pas vrasjes së Vesel Shqutit dhe plagosjes së njërës prej grave, Murrja i çon “Plakun” Hasës. Plaku e vë në dijeni Hasën se do të hakmerrej për gjakun e Vesel Shqutit dhe të gruas së plagosur. Familjet u ngujuan dhe për 12 apo 17 vjetë rrjeshtë nuk u panë as qetë në ara (Burimi: Jahe Murrja, Shaqir Shquti, Xheladin Murrja). Në njërën anë familja Hasa mbrohej në anën tjetër tarafi i Seferit kërkonte të zhbënte atë. Ekonomia e familjeve në hasmëri sa vinte e rëndohej, saqë secila në hesapet e veta (llogaritë e tyre) po mendonte të largohej apo të ikte nga fshati.

Kullat ballë për ballë i bënin sehir njëra-tjetrës. Çdo të lindur të Diellit, familjet kontrollonin jetën e njëra-tjetrës duke vështruar tymin e oxhaqeve respektivë. Pas më shumë se një dekadë Hasa detyrohet të lërë pronat dhe ikën/largohet nga Hoteshi. Ato vendosen për të jetuar në fshatin Bllat në Maqellarë. Ikja e Hasës shënoi fundin e hasmërisë ose thënë ndryshe zgjidhjen e gjakmarrjes. Sipas kanunit kur hasmi largohej gjakmarrja ndërpritej dhe pala tjetër zaptonte pronat.

Legjenda vendase e shpjegon kështu largimin e Hasës: -Kriza kishte arritur kulmin. Burrat e tarafit të Seferit një natë prej netësh ishin mblidhur për të diskutuar largimin nga fshati sepse Hasa ua kishte sjellë ngushtë. E zonja e shpisë i dëgjon dhe u thotë: -Meqë maxhja (arka e miellit) ka miell për bukë edhe për nesër, ta sosim (mbarojmë) dhe mbledhim rraçet (rrobat) dhe ikim. Por në të njëjtën situatë gjendej edhe Hasa. Për habi edhe ato ishin mbledhur për të diskutuar pamundësinë e qëndrimit në fshat dhe të bënin planin e ikjes. Por ç’farë ndodhi të nesërmen? Burrat e shpisë së Seferit, si zakonisht nga kulla e tyre, shikonin nëse dilte tym nga oxhaku i kullës së Hasës. Kaloi mesdita dhe tym nuk po dilte. Hasa kishte mbledhur rraçet dhe kishte ikur nga fshati. 

 

  1. Shquti i ardhur nga Lura u bë vëlla në/me troje nga Murrja

Me detyrim-përcaktim Fisi Hasa iku nga fshati. Sipas kanunit nga dezertimi i Hasës, pasurinë e përfitonte Murrja. Por fisi Murrja për të vlerësuar aktin heroik të Vesel Shqutit mblodhi të gjithë vllallikun për ta bërë vlla në troje familjen e tij.

Për jetën e humbur të Vesel Shqutit në mbrojtje të grave te Murre, Murrja i dhuron familjes së tij 2/3 e pronave të Hasës (kullën dhe pjesën më të mirë të arave dhe pyjeve) dhe 1/3 e mbajti për vete. Thuhet se në kuvendin e mbajtur nga Murrja për këtë problem ka patur zëra kundra dhurimit, por shumica ka vendosur, që Shquti të bëhej “vlla” në troje nga Murrja. Zëri kundër është bindur me argumentin, se nëse Murrja nuk do të dhuronte pasurinë familjes së Veselit që ishte vrarë për të mbrojtur gratë e fisit Murrja, do të shaheshin dhe do të ulej reputacioni si Pari e Malit të Luznisë (Burimi: Shaqir Shquti).

  1. Enigma Dan Murrja!

Bratësi dhe mbajtësi i peshës së hasmërisë midis fisit Murrja dhe fisit Hasa ka qenë Dan Murrja (Burimi: Osman Shquti i vjetër, Shaqir Shquti sot 80 vjeç, djali i Osmanit). Ai ishte nipi i fisit Dedja në Hotesh (Burimi: Zir Dedja). Historia e tij është diçka shumë e vështirë për ta kuptuar, për ta zbërthyer a për ta shpjeguar, është diçka mjaft e errët dhe e paqartë.

Gojëdhënat tregojnë për sjellje kontraverse të tij. Kjo shpjegohet nga mos mbështetja e vllallikut në bëmat e tij. Thuhet se nuk kishte qejf të thirrej Dan Murrja por Dan Brahimi. Trimëria e shfrenuar i morri jetën duke i djegur kullën dhe duke e vrarë në një konflikt të armatosur me Alkun e Dohoshishtit (Burimi: Zir Dedja & Brahim Murrja). 

Natyrshëm njerëzit lindin dhe vdesin, por jo të gjithë lënë emër. Trimëria e shfrenuar dhe bëmat kontraverse të Dan Murres janë reflektuar dhe memorizuar nëpërmjet toponimeve Kroi i Danit, Kulla e Danit (ku sot ndodhen disa nga pasardhësit e tarafit të Seferit) dhe Ara e Danit (një arë e rrafshët në “vgjeret”/vgjerishtet e Sheremetes).

IV –FAKTE DHE ARGUMENTE

Në diagramën e mëposhtme paraqiten të reduktuara pemët gjenetike të fisit Murrja me fokus tarafin e Seferit dhe fisin Shquti. Në boshtin vertikal të grafikut kemi vendosur brezat biologjikë (1810-2020) dhe në atë horizontal kemi vendosur pemët gjenetike respektive të fiseve.

Në të e djathtë të diagramës pasqyrohet pema gjenetike e fisit Shquti (Burimi: Shaqir Shquti) ku konstatojmë 6 breza biologjik, që do të thotë se Vesel Shquti ka ardhur në fshatin Hotesh para vitit 1870. Në të majtë të diagramës pasqyrohet pema gjentike (e reduktuar) e fist Murrja me fokus tarafin e Seferit. Ardhja e Shqutit përkon me brezin e tretë të fist Murrja në Hotesh. Familja e përfshirë në konflikt me Hasën është familja ose tarafi i Seferit. 

Fakte të ekzistencës dhe ikjes së fisit Hasa nga fshati Hotesh janë toponimet Kulla e Hasës, Kroi i Hasës (sot tek lagja e Beqirallarve), Zabeli i Hasës dhe Kodra e Hasës. Kulla e Hasës ka qenë aty ku sot është shtëpia e Shaqir Shqutit. Pronat e dhuruara, si shpërblim ndaj aktit heroik të Vesel Shqutit në mbrojtje të grave të fisit Murrja gëzohen edhe sot nga pasardhësit e tij.

Kohët ndryshojnë dhe bashkë me atë ndryshojnë edhe njerëzit, por secili është në të drejtën e tij. Lidhja e Murres me Shqutin si vllezër në/me troje është ruajtur me fanatizëm deri vonë. Vllalliku në troje është transmetuar nëpërmjet “nunllikut”, ku gratë e fisit Murrja zgjidhnin për nuna burrat e fisit Shquti dhe anasjelltas. Kjo shpjegon “hatikatllikun” midis dy fiseve.

IV –PËRFUNDIME

Konstatime të respektimit të zakoneve kanunore:

(1) Edhe përse Murrja ishte në superioritet numerik dhe ekonomik me Hasën në konflikt është përfshirë vetëm tarafi i Seferit. 

(2) Në pamundësi për të qëndruar në fshat, Hasa ka bërë zgjidhje morale. Hasa kishte bërë faj dhe për të mos vazhduar gjakmarrjen është larguar nga fshati.

(3) Natyrshëm zaptimi i pronave të Hasës nga Murrja ka qenë kompesimi i gjakut të Vesel Shqutit dhe plagosjes së njërës prej grave të tyre, të gjendura në shamatë.

(4) Dhurimi i 2/3 së pronave ku përfshihej dhe kulla e Hasës, tregon fisnikërinë e pinjollëve të fisit Murrja nën udhëheqjen e Elez Murres njëkohësisht Kreu i Malit të Luznisë.

(5) Afrimiteti midis Murres dhe Shqutit e tregojnë marrëdhëniet zakonore të nunllikut midis tyre, e cila shpjegohet si mirënjohjen reciproke.