Neshat Ndreu, modeli i njeriut të suksesshëm


Neshat Ndreu është një njeri energjik, kërkues ndaj vetes, këmbëngulës për të ecur përpara. Ai është modeli, shembulli që duhet ndjekur për të kapur suksesin dhe progresin. 

Kur ne flemë, Neshati mendon, planifikon suksesin për ditën e nesërme, për ditët, javët dhe muajt e ardhshëm. Kur ne rrimë, ai ecën, kur ne ecim, ai vrapon, kur ne përpiqemi të vrapojmë apo na duket se po vrapojmë, ai fluturon. Vrapon e fluturon i lehtë si era, shpresëplotë si pranvera dhe i begatë si vera e vjeshta. Ritmi i jetës së tij është i shpejtë, tepër i shpejtë. Ashtu si ritmi i frymëmarrjes së tij, është i shpejtë edhe ritmi i hapit, i ngjitjes, i rritjes, i përparimit, i suksesit. Ai është njeri shumë i suksesshëm, sepse është guximtar. Nuk ka dështuar, por ai nuk i druhet dhe nuk i trembet as dështimit, sepse ai e di dhe na tregon edhe ne, se nuk mund të jesh i suksesshëm, nëse nuk guxon, nëse trembesh e frikësohesh nga dështimet.

Neshat Ndreu u lind në vitin 1964, në fshatin Zall-Dardhë të Dibrës, në një familje me tradita atdhetare dhe me kontribute të shquara në historinë tonë. Neshati, jo vetëm e filloi jetën duke qarë si të gjithë fëmijët e tjerë, por duke qarë e vazhdoi dhe e jetoi një pjesë më të rëndësishme të jetës së tij. Ai pati një jetë me brenga e halle, me vuajtje dhe dhimbje të thella shpirtërore, sepse regjimi komunist, familjes së tij, jo vetëm i mohoi kontributin e shquar në Luftën Nacionalçlirimtare, gjakun e derdhur nga familja e tij për çlirimin e vendit, ku Selim Ndreu ra dëshmor, ndërsa xhaxhai i Neshatit,   Bajram Ndreu, jo vetëm ishte partizan, por edhe u plagos në luftë për çlirimit të vendit. Familja e tij u përndoq dhe persekutua deri në ekstrem, duke e cilësuar dhe etiketuar “kulak”. Kur lindi Neshati, u gëzuan prindërit, familja dhe të afërmit e tij, por u mëzit partia dhe u zemërua regjimi komunist, sepse ai regjim gëzohej vetëm kur kjo shtresë popullsie vuanin, bile vetë regjimi prodhonte e krijonte rrethana e kushte sa më të vështira që njerëzit e kësaj  shtrese popullsie të vuanin, të qanin e të lotonin çdo ditë.

Ndërsa Neshati rritej, ai shihte, dallonte, kuptonte dhe çdo ditë ballafaqohej me presionin jo vetëm psikologjik të përndjekjes dhe të luftës së klasave. Kudo që të ishte, në rrugë, në shkollë dhe shoqëri, ai shihte dhe ndjente diferencimin dhe përbuzjen klasore, të cilat, tek ai, te familja dhe të afërmit e tij, krijonin plagë dhe dhimbje të  thella shpirtërore. Ai nuk kishte asnjë mundësi tjetër, veçse të duronte  në heshtje, por edhe të fshihte brenda vetes të gjithë zemërimin, mllefin dhe urrejtjen ndaj regjimit komunist. Për shkak të vështirësive dhe halleve të shumta familjare, Neshati u detyrua të fillonte punë në moshë shumë të re. Fillimisht punoi në vendlindje, por më vonë punoi edhe në Vlorë, Koman, Banjë, Bovillë etj.

Neshati kishte shpirt të dlirë, por kishte edhe natyrë rebele. Ai jo vetëm e donte, e dëshironte dhe e ëndërronte lirinë, por edhe mendonte se si ta kërkonte e ta fitonte atë, por diktatura komuniste ishte shumë e egër dhe liria kishte kosto dhe çmim shumë të lartë dhe shumë njerëz e kishin pagur shumë shtrenjtë, me burgosje, bile edhe me jetë, me varje dhe pushkatim. Në vitin 1990, vetëm disa muaji pasi Havzi Nela u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me varje në litar, në mes të qytetit të Kukësit, Neshat Ndreu, bashkë me kushëririn e tij Luan Ndreu guxuan dhe vendosën të arratiseshin nga Shqipëria, me synimin dhe shpresën për të arritur në vendet e zhvilluara perëndimore, ku liria nuk ishte dogmë, por demokracia, liria dhe  mundësitë për jetë dhe jetesë shumë më të mirë  ishin reale. Autoritetet jugosllave i kthejnë në Shqipëri, por fatmirësisht, procedurat e hetimit, gjykimit dhe dënimit u zbutën menjëherë dhe nuk kishin më forcë, sepse regjimi komunist kishte filluar të tronditej.

Shpirti i tij liridashës ishte etur e djegur për liri, prandaj edhe ai u përfshi maksimalisht në lëvizjen popullore për rrëzimin e regjimit komunist dhe demokratizimin e gjithë jetës së vendit. Rrëzimi, rënia dhe përmbysja e regjimit komunist në Shqipëri, ishte dita më e bukur, gëzimi më i madh, kthesa më e rëndësishme dhe fitorja më e madhe dhe më e pakrahasueshme në jetën e tij. Dielli i ditëve pluraliste shkriu akullin e diferencimit  dhe të përndjekjes  klasore, fshiu mjegullën në sytë dhe në rrugën e tij, rilindën shpresat dhe u ngrohën zemrat, shpërtheu vrullshëm optimizmi dhe energjitë fizike dhe shpirtërore për të ecur përpara, për të krijuar e ndërtuar një jetë e jetesë më të mirë, pa vuajtje, brenga dhe halle.

Neshati i ri dhe energjik, i palodhur, këmbëngulës dhe i përkushtuar, me mendim dhe ide vizionare, me shpirt krijues, iniciativë dhe vetëveprim, ia nisi dhe iu vu punës për të ecur përpara, për të realizuar dëshirat dhe ëndrrat e tij. Në vitin 1996 kreu dhe mbaroi studimet e larta dhe, përveçse në policinë e shtetit punoi edhe në Ministrinë e Financave. Disa vite ishte drejtor i ndërmarrjes nr. 2 të trajtimit të studentëve në Qytetin Studenti në Tiranë. Ndërkohë që vazhdonte studimet e larta, u njoh dhe u martua me Leonora Ismailin  nga Berati, e cila ka punuar dhe ka kryer detyra të ndryshme, si ekonomiste në Bazën e Armatës,  (Ministria e Mbrojtjes), tetë vite drejtoreshë e tatimpaguesve, shefe auditi në bashkinë e Tiranës, ndërsa aktualisht është ekonomiste në kompaninë “Klaron Security” dhe administratore e kompanisë National Security Albania (NSA).

Me punë dhe përkushtim, Neshati dhe bashkëshortja e tij, Leonora, kanë krijuar dhe ngritur kompaninë private “Klaron Security”, e cila është e shtrirë dhe vepron në disa rrethe të vendit, të cilën, prej dymbëdhjetë vjetësh e drejtojnë me shumë efektivitet dhe sukses. Ata kanë krijuar një ekonomi të qëndrueshme dhe një jetë e jetesë komode. Por pasuria më e madhe e tyre është familja. Ata kanë krijuar e ndërtuar një familje shembullore dhe model, në themel të së cilës është mirëkuptimi dhe harmonia. Ata kanë rritur dhe edukuar dy fëmijë të mrekullueshëm, të sjellshëm, të kulturuar, të edukuar dhe të arsimuar në universitete prestigjioze amerikane. Djali Aronoeli ka mbaruar studimet e larta për menaxhim biznesi dhe është angazhuar në biznesin e familjes, ndërsa vajza, Klaudia, është në vitin e fundit të studimeve për menaxhim biznesi ndërkombëtar në Florida të SH.B.A.

Sukseset e arritura dhe jetesa komode në Tiranë, nuk e kanë zbehur asnjëherë dashurinë e tij për vendlindjen, për Dardhën dhe Dibrën. Ai, jo vetëm ka ndërtuar shtëpinë e tij në vendlindje, ku shkon e kalon pushimet familjare, por ka treguar gjithmonë interes për vendlindjen, për problemet që ka fshati i tij dhe zona dhe është përpjekur për zgjidhjen e problemeve të zonës. Është pikërisht dashuria për vendlindjen, që ndezën tek ai dëshirën dhe vullnetin për të ringjallur traditën kulturore dhe artistike të Dardhës, për të ringritur ansamblin artistik “Kuvendi” të Dardhës. Ai është president i këtij ansambli dhe kontributi i tij është i çmuar dhe shumë i rëndësishëm, jo vetëm për iniciativën për ringritjen e këtij ansambli dhe organizimin e veprimtarive artistike, por ai, me buxhetin e tij familjar ka përballuar koston e veprimtarisë së këtij ansambli, sigurisht duke u bërë nxitës që edhe subjekte e individë të tjerë të vetëofrohen me financime për këtë ansambël.

Që në fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri, Neshati është angazhuar në strukturat politike, fillimisht me PD e më vonë me PAA. Aktualisht është sekretar organizativ i kësaj partie.

“Ku ka rrjedhur, në mos rrjedhtë do të pikojë”, thotë një fjalë e urtë popullore.  Por Neshat Ndreu nuk është pikë që pikon atje ku ka rrjedhur dikur. Ai është rrjedhje e pandërprerë, është rrjedhje e vazhduar, e shtuar, e shumëfishuar e asaj rrjedhje të hershme, në ato troje të zëshme, buzë Drinit. Ai është gjurmë e dukshme e një fisi dhe familje me shumë emër, që kanë krijuar e lënë gjurmë në historinë tonë. Ai është gur i çmuar në truallin dhe në themelet e kalasë qëndrestare, në vendlindjen e tij,  në Dardhën-mal historik në Nëntë Malet e Dibrës, ku fjala është celebruar me besën, besa me betimin, betimin me heroizmin dhe heroizmi me lavdinë e përjetshme. Ai është pentagram i zërit të vendlindjes, që ushqehet nga historia dhe bëhet këngë dhe ushqim për historinë, traditën, artin, kulturën… Ai është gjak i gjakut të Haziz Ndreut, është jehonë e zërit të Qerim Sulës, është ritëm i valles së Xhelal Çerpes, ai është lis e shkëmb në bjeshkë, valë e dallgë Drini …