Jam i lumtur kur kanë të tjerët


Në qershor të këtij viti u mbushën plot njëzet vjet ku banorët e Sllatinës festojnë festën e tyre të bukur të bjeshkës. Nisi fare rastësisht si një vullnet e dëshirë e madhe e djemve të këtij fshati që janë prej vitesh në mërgim, por ja që ajo llavë e ndezur njëzet vjet ma parë ende nuk shuhet, por flaka e saj ndriçon në të gjithë zonën e Ujemujës. Dhe këtë flakë, këtë shkëndijë të madhe po e mban ndezur prej njëzet vitesh Esat Hysa, një djalë Sllatine, emigrantë në Amerikë prej 30 vjetësh.

Jeta e Esatit është e çuditshme, ajo tek ne na vjen si nëpërmjet legjendës, i kalon perceptimet e të vërtetës. Që në moshën 12 vjeçare edhe pse filloi të kuptojë mirë e të ia dijë vlerën lekut kur ishte në shkollë po ti ndodheshin pesë lek në xhep do të blinte një gurabi e do ta ndante në pjesë të barabartë me të gjithë shokët e klasës. I tillë ishte Esat Hysa fëmijë, i tillë ka mbetur edhe sot që është bërë prind dhe me fëmijë vetë. Në ato vite varfëria ishte ulur kudo në votrat shqiptare, por Esati mundohej edhe pse nuk kishte, të ishte ndryshe të tjerëve. Kërkonte shumë nga vetja por e vështirë ishte të plotësoheshin ato që kërkonte. Megjithatë askush nuk e pengonte djaloshin Esat Hysa të vishej ndryshe, gjithë sqimë, të vishej pastër e me mjaft gusto, të mbante flokë të gjata ndryshe nga të gjithë moshatarët e tij, të organizonte mbrëmje me të rinjtë në fshat. 

Kishte mësuar që i vogël t’i binte çiftelisë dhe fyellit. E vetë i mblidhte të gjitha moshat, që tek të vegjlit e deri tek më të rriturit. Që në atë moshë kishte dëshirë të organizonte mbrëmje, të bashkonte njerëz, të falte bujari e mirësi, të falte vetëm buzëqeshje dhe dashuri. 

Veshja e tij, moda që mundohej të mbante, shpirti i tij herë-herë rebel nuk mund të mos binin në sy për keq. Edhe muret kanë vesh, thotë populli dhe shkonin të dhëna tek operativi i zonës, raportonin për sjelljet ekstravagante të nxënësit Esat Hysa.Bënte si bënte dhe sa herë që qepte ndonjë palë pantollona të reja ndiqte modën e qyteteve të mëdha si Tirana e Shkodra, të ngushta në gjunjë e të gjana në fund sa kur ecte serbes serbes në qendër të Sllovës dukej sikur pantallonat e tij fshin pluhurin gjatë rrugës. Megjithatë dy vite të shkollës së mesme i përfundon në Sllovë. U shkëput nga Sllova dhe vazhdoi me korrespondencë në Zalldardhë. Kurrsesi nuk donte ta ndërpriste shkollën, e donte, e donte shumë se besonte që përparimi, zhvillimi,dija, kultura nga shkolla vinin. Kishte vullnet të paparë. Mendonte për babanë e tij, Hajrushin, i cili ishte i vetmi student në ato vite nga Ujemuja që mbaroj studimet në ish Jugosllavi.

Esati nuk pretendonte për shumë, por mendonte ta mbaronte shkollën e mesme dhe pastaj mund të futej në ndonjë shkollë muzike. I pëlqente shumë muzika. Ishin bërë si familje po thuaj një orkestër e kompletuar. Të gjithë në mbrëmje vonë këtë punë bënin. Dikush çifteli, dikush sharki,fyell e klarinetë. Tamam një orkestër gjatë mbrëmjeve në shtëpinë e Hajrush Hysës. 

Duke parë pasionin që kishte për muzikën, Naim Plaku së bashku me Përparim Tomçinin bënë një sakrificë vërtet të madhe duke e dërguar Esat Hysën në shkollën e muzikës në Tiranë, ku këtu qëndroi vetëm një vit. Megjithëse kishte bërë përparime të mëdha dhe mund të ecte edhe më shumë, pas një viti e ndërpreu shkollën në Tiranë dhe kthehet pas familjes në fshat. Kishte të tjera plane, të tjera ambicie, por që asnjëherë nuk i kishte diskutuar me të tjerë. Esati ishte dhe mbeti njeri enigmatik që nuk e njohën tamam as shokët e ngushtë të tij që kalonin ditën bashkë. Asnjëherë nuk fliste para kohe, asnjëherë nuk premtonte pa u siguruar ma parë se çdo gjë realizohej dhe nuk mbetej fjalë e dhënë kot.

 

***

Pikërisht tani fillon jeta e dytë e Esat Hysës, jetë që lindi si një ëndërr, si një dëshirë e tij netëve të gjata por për shumë vite i kishte mbetur në sirtar. Esati, si një djalosh gjithë ëndra për jetën mendonte ndryshe me bashkëmoshatarët e tij. Sllatinën e donte, i dhimbsej vendlindja, i donte shumë dhe njerëzit e saj të vuajtur, të lodhur, të plakur para kohe nga hallet dhe varfëria e tejskajshme, por ishte i pa fuqishëm t’ju thoshte se kjo që po bëjmë është jetë qeni.

Ishte verë e vitit 1982. Esat Hysa sapo ishte futur në pranverën e tetëmbëdhjetë të jetës së tij. Ishte djalë i ri, por shumë i pjekur për moshën që kishte. 

Mendonte dhe vepronte si një i rritur.”U poqëm para kohe” thotë me shaka vetë Esati.

Edhe pse Esati ishte krejt ndryshe, mendonte krejt ndryshe, vishej krejt ndryshe kishte shumë shokë, rrinte me ta ,fliste hapur, i besonin të gjithë në ato që thoshte, por për të tjerët, për pushtetin, për hijet që endeshin natën si hijena pas gjahut Esati ishte me rrezikshmëri të lartë.” Kërkon që të na infektojë me mendime mikroborgjeze edhe bashkëmoshatarët e tij, edhe krejt shoqërinë e shëndoshë”. Kështu mendonin njerëzit e veshur me pushtet, ndiqej, survejohej e kontrolloheshin mirë të gjitha lëvizjet e Esat Hysës. Duke parë nga afër vuajtjet dhe varfërinë e tejskajshme jo vetëm të prindërve të tij por të gjithë fshatit mendonte se në këtë vend ku kishte lindur shpresat për të ardhmen ishin të vdekura. Asgjë nuk ia mbushte syrin djaloshit Esat Hysa. Pesimizmi e ndiqte ngado. 

Në verën e vitit 1982 i takoi të punonte në Gramë. Ishte vetëm 18 vjeç djalë por për të ndihmuar sado pak familjen i duhej edhe Esatit të punonte. Gjatë gjithë verës të atij viti punoi në Gramë, tek diga e liqenit. Së bashku me të ishin edhe Bashkim Rusi nga Rrenxi dhe Elez Përgjegji nga Përgjegje. Të tre ishin shokë të ngushtë, të tre bisedonin lirshëm, të tre i hapeshin shumë njeri tjetrit. Pas një pune të lodhshme dilnin dhe vështronin bukuritë mahnitëse të Korabit. Sipër ishte piramida, matanë piramidës shtriheshin tokat e republikës Jugosllave. Kur hidhnin vështrimin poshtë dukeshin konturet e fshatrave të Dibrës. Tre shokët e ngushtë mendonin se vërtet vendlindja e dashur është por jetesa skëterrë. Matanë një jetë krejt ndryshe. Kjo verë e vitit 1982 ua nxiti edhe më shumë djelmoshave të arratiseshin njëherë e përgjithmonë, të provonin fatin e tyre duke braktisur kështu vendlindjen. 

Ajo stinë vere i vuri që të tre në një provë të madhe, thurnin plane gjithë natën dhe nesër në mëngjes kur gdhiheshin asgjë nuk po realizonin.

Bashkim Rusi kishte dajat të arratisur vite ma parë të cilët ndodheshin në Nju-Jork. Kaluan kështu plot pesë vjet duke thur plane njeri me tjetrin dhe asnjëherë nuk po vendosnin dot. 

Në pranverën e vitit 1990 Esati ikën nga Sllatina dhe shkon në Rrenx. Pasi futet në shtëpinë e Bashkimit, hanë drekë bashkë dhe përsëri bisedojnë rreth planit të arratisjes.

-Unë do të ik, i thotë Esati, nëse do vish me mua bëju gati. Je i vetmi që po ta hap zemrën. Për planin tim nuk di gjë askush, as familja.

-Më vjen keq, por unë nuk mund të vij, megjithatë po të jap adresën e dajës tim dhe ty ta baftë Zoti udhën dritë- ia kthen Bashkimi. U ndanë dy shokët e ngushtë, u ndanë atë pranverë dhe secili mori drejtimin e jetës së tij. 

Esati u nis i vetëm për në Sllatinë. Rrugës tashmë mendonte se si ta organizonte planin e arratisjes, se si ta shpejtonte sa ma parë. 

Një natë të bukur gushti u mblodhën të gjithë bashkëmoshatarët por edhe më të rritur në moshë në qendër të fshatit. Esatit i pëlqenin këto takime, organizonte shpesh mbrëmje të tilla me shokë. Qëndruan duke biseduar, duke pirë dhe kënduar bashkë deri vonë. 

Kur shitësi u kërkoi leje të rinjve që të mbyllte dyqanin u shpërndanë të gjithë nëpër shtëpi. Esati po ecte i vetëm drejt shtëpisë së tij mirëpo nata ka hije, nata është e frikshme. Një dorë e fuqishme e kapi nga flokët pas dhe po e tërhiqte. Kjo i erdhi si befasi Esatit, mendoi mos ndoshta ndonjë shok po bënte shaka. Në fakt nuk ishte shaka kjo. Nën dritën e hënës kur kjo hije që në fakt nuk ishte hije, njohu fare mirë operativin e zonës, një njeri i urryer për të gjithë zonën. Ishte nga Mati dhe e kishin sjellë me shërbim në Sllovë. Nuk ishte vetëm, jo ai nuk ecte vetëm kurrë se e njihte frikën. Bashkë me të ishte edhe një polic nga Greva. Operativi i zonës nuk flinte gjumë, vepronte natën, ruante befasitë, gjuante dhe kapte viktimat, gjahun që i duhej.

-Të erdhi fundi Esat Hysa, do të kalbesh në burg. E shikon çantën time, e kam plot me letra e denoncime që më vijnë për ty, dhe e di nga më vinë. Më shumë janë nga Sllatina. Ti je njeri me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë. Operativi fliste e fliste pa pushim. Esati nuk ndjehej fajtor, nuk kishte bërë krim, nuk kishte shkelur ligjin, kaq e kuptonte, pastaj në një shtet me diktaturë çfarë nuk pret. Dhe operativi ashtu siç doli nëpër natë edhe iku, u largua por ama një hije frike e la tek djaloshi sllatinas. 

Dielli nuk po shikonte më, shpresat ishin vrarë, re të zeza e mjegull ngado që vinte këmbën. Kishte herët që bluante në kokë planin e madh të arratisjes, por takimi nëpër natë me operativin e zonës, kërcënimet e tij mjerane ndikuan më shumë për ta shpejtuar planin .

Iku nëpër natë në shtëpi, por historinë e trishtë me operativin kobzi të zonës nuk ia tregoi njeriu. U mbyll edhe më shumë në vetvete. Filloi të mos hapej, nuk po i besonte më askujt.

Jetesa në Sllatinë ishte bërë e vështirë. Dera e burgut siç duket ishte e hapur. Dielli nuk po ngrohte më për Esatin, retë ishin shpërnda ngado dhe yjet natën ishin zhdukur, shpresat ishin vrarë dhe jeta ishte bërë e pa durueshme. Hijet e ndiqnin kudo. Planin e tij të arratisjes e shpejtoi edhe më shumë.

Atë vit i kishte vdekur nënë Xhevria, ishte ndarë nga kjo botë me nënën e mirë, me dashurinë më të madhe , me jetën që i falte jetë, me lumturinë që i falte lumturi. I mungonte shumë nëna. 

Shpesh kur ndjehej ngushtë shkonte te varri i nënës e qante, qante shumë. Vetëm këtu i dukej se përsëri merrte këshilla se si të vepronte. 

I kishte mbledhur një natë nëna të gjithë djemtë bashkë dhe kur aty ishte edhe Hajrushi u kishte thënë:”Prej jush dua shumë, dua të bëheni të mirë për vete, për njeri tjetrin, për fshatin dhe ma shumë se kaq. Ta doni njeri tjetrin në ditë të mirë dhe të keqe, ta ndihmoni dhe silleni kudo si u ka hije. ta doni vendlindjen, të ndihmoni kur keni mundësi. Hallall, çdo gjë hallall. Në shtëpinë e Hajrush Hysës vetëm hallalli ka vlerë, haramin nuk ua do nana.

Data shënonte 9 shtator e vitit 1990. Vjeshta kishte ardhë dhe nga maja e maleve dita ditës prisje që koha do të prishej, do të fillonin shira, moti do të ftohej e rruga do të bëhej edhe më e vështirë, rruga, një rrugë e pa shkelur asnjëherë më parë. Ishte mëngjes herët. Esati zgjohet pa i thënë askujt, mori disa fotografi të nënës që kishte dalë që kur ishte e shtruar në spital me vete, mori dhe mjaft foto të tjerëve të njerëzve të tij të dashur, të farefisit, i futi në një qese plasmasi, i mbështolli mirë rreth vetes dhe doli nga shtëpia. 

Në fillim vajti tek varrezat. U ul tek varri i nënës. Dheu ishte ende i njomë. Mblodhi pak lule rreth e qark dhe i hodhi sipër varrit. U ul, puthi dheun e i dukej sikur po puthte nënën. Mbeti gjatë krejt i mpitë ashtu sipër varrit. U ngrit dhe foli, foli dy fjalë me zë të lartë por era këtë radhë i mbajti për vete fjalët e Esatit: “ Po iki nënë, po iki larg, shumë larg. As vetë nuk e di se ku do përfundoi, por Sllatina nuk po më mban më mua, nuk më kuptoi asnjëherë. Hije të zeza, re dhe furtunë më ndjekin ngado. Kam ardhur këtë mëngjes shtatori me të thënë lamtumirë, me të përqafuar fort, fort, si dikur kur ishe gjallë dhe po të them se amanetet e tua do t’i kem gjithmonë parasysh.

Po iki nënë por dije se amanetin tënd do ta kem busull orientuese kudo që të shkel. Do punoi me mund e djersë, do t’i dua vëllezërit, njerëzit e farefisin, do ta dua Sllatinën time dhe tënden, do ta dua shumë dhe të jap fjalën se sa të kem jetë do punoi për të”. Sytë e Esatit ishin mbushur plot për plot me lot por nuk e dha veten, nuk qëndroi shumë. Kështu me zemër të thyer dhe të lënduar u nis në udhën e gjatë pa kthim.

Rruga vetëm e vështirë, edhe më e vështirë kur nuk e di, edhe më e vështirë kur ec me frikë se nga momenti në moment mund të biesh në pritë të ushtarëve të kufirit. Ashtu i vetëm siç ishte, që në fakt nga historitë e gjata e të shumta të “arratisjes” asnjëherë nuk kishte ndodhur që të iknin vetëm por gjithmonë me dy, tre e më shumë veta, duke ecur rrugë pa rrugë më së fundi arriti fare afër kufirit. Doli nga gropat e minave, në krah të portës së Korabit. 

Komandant i postës kufitare ishte Ali Elezi, ushtarak i betuar që nuk falte as kafshët kur shkelnin kufirin e jo ma njerëzit. Fati i priu Esatit. Dielli ende nuk kishte perënduar, ende ishte lart e megjithëse i shkoi rruga gjatë e kaloi më së fundi brezin e butë. Përballë tij shfaqej piramida ku shkruante Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Matanë saj shkruante Republika Federale e Jugosllavisë. Ktheu edhe njëherë kokën pas. Nga larg dukeshin si konture të largëta fshatrat e Dibrës, Mundohej të gjente Sllatinën mes asaj zallamahie fshatrash por ishte e pa mundur. Sllatina nuk dukej por për Esatin Sllatina mbeti gjithçka. Hodhi vështrim poshtë. Zgjateshin e zgjateshin fshatra pa mbarim. Ishin fshatra të huaj për të. 

Fshati i parë që ra ishte Tanusha, shqiptarë ishin banorët por kufiri i kishte nda dhe coptuar keq shqiptarët. Këtu vajti vetë dhe u dorëzua në postën e kufirit. Nuk e pritën mirë, kuptohet, kishte rënë në dorë të hasmit më të madh të shqiptarëve, dhe hasmi i vjetër nuk mund të bëhej mik i ri . E futën në një makinë policie dhe e nisin për në burgun e Gostivarit. Rrugës policët e provokonin, talleshin me të, e qëllonin por Esati qëndronte i heshtur, nuk e hapi gojën fare. Në qelinë e burgut ku e futën i vinte nga do era gjak. Njollat e gjakut dukeshin në mure, në çarçaf e jastëk. Këtu ishte i detyruar ta kalonte natën pas një rrugëtimi të gjatë e të lodhshëm që kishte bërë, pa bukë e pa ujë. Bukë kishte ngrënë në mëngjes në shtëpinë e tij në Sllatinë.

Nesër në mëngjes e morën përsëri. Rrugës e ndaluan makinën dhe policët po hanin në një lokal mëngjesin. Për djaloshin sllatinas as që u shkonte ndër mend se kishte njëzet e katër orë pa bukë dhe pa ujë. E çuan në burgun famëkeq të Shkupit. Aty u hap një portë e madhe dhe pa brenda dy djem të rinj, të dy moshatar me Esatin, të dy nga e njëjta krahinë, nga Ujemuja, nga Venishti, Maksim Pucin e Bujar Pucin, të dy i njihte. Kur i pyeti , i treguan se ishin arratisur nga kufiri i Dibrës. Eh ! histori të dhimbshme, histori njerëzore që sot kur nis e i tregon vetë Esati tek ne vijnë si përtej njerëzores, si nëpërmjet legjendës por ja që në fakt kanë ndodhur.

Çdo ditë në mëngjes i mblidhnin dhe i provokonin të burgosurit shqiptarë që ishin mbledhur nga vise të ndryshme e ku shumica ishin mosha të reja, të aftë për punë e mjaft të fuqishëm por që në Shqipëri i kishin humbur shpresat. 

Megjithatë dyshonin se ndoshta ishin futur nga sigurimi famëkeq por pas një muaji tek Esati u bindën plotësisht, u binden se ishte një emigrant që kërkonte fatin e tij në perëndim, u bindën kur i panë të gjitha fotot e familjes që mbante me vete, u bindën plotësisht se Esat Hysa ishte ndryshe, kërkonte liri dhe as më pak e as më shumë nuk donte Esati. Kërkonte vërtet të ishte i lirë, i lirë në mendime, i lirë në veshje, i lirë kudo. Nuk e pranonte diktaturën Esati. E dinte se nga diktatura vetëm dhuna fitonte. Dhe kështu pas një muaji më së fundi e çuan në Beograd, në burgun Padidka Skela ku ishin grumbulluar të gjithë emigrantët që prisnin të gjithë të niseshin udhëve të perëndimit për të punuar dhe filluar një jetesë krejt ndryshe. 

Kushtet ishin si mos më keq, në një dhomë më pak se 20 metra katrorë qëndronin 60 veta bashkë, me krevat 4-katësh. Jo pak por plot gjashtë muaj në një torturë të tillë. Të gjithë ishin të rinj në moshë nga 18 vjeç deri në 30 vjeç, askush nuk i kishte përjetuar kampet e Hitlerit, por ky kamp-burg në Beograd ua kalonte edhe kampeve famëkeq të asaj kohe.

Djemtë që u futën nga 80-100 kilogram kur dolën nuk i kalonin 40-45 kilogram. Një skëterrë e vërtetë si në trajtim, në ushqim, në fjetje, në higjienë e kudo. Esati shpesh pasi u largua në Amerikë është shprehur mes miqve e shokëve: “Po ta dija se sa do të vuaja në fillim në këto burgje e kampe të Beogradit, do të rrija të haja bukë e kripë vetëm në Sllatinën time”.

Pas gjashtë muajsh e nxorën Esatin nga burgu famëkeq dhe bashkë me disa të kombësive të tjera i dërguan në një hotel, por edhe këtu torturat ishin nga më të ndryshme. I zgjonin në mes të natës, i provokonin sa u bënë tortura të pa durueshme. Kishte dëgjuar dhe lexuar Esati për bëmat dhe poshtërsitë e serbëve ndër shqiptarë. I kishin paguar me jetë të parët e tij në Sllatinë. Brutaliteti dhe krimet monstruoze serbe nuk kishin të numëruar. Dhe ja, sot po i shikonte nga afër.”Jo, or jo, hasmi i vjetër nuk mund të bëhet mik e shok me ne” u thoshte shokëve, por qëllimi ynë është të durojmë, të mendojmë si duhet të shpëtojmë dhe të largohemi sa ma parë nga këta kanibalë”

Një natë vendosën të arratisen edhe nga hoteli së bashku me disa shokë nga Dibra. Ikën shumë larg hotelit, ikën në mal ku ngritën kasolle plasmasi. Këtu e kalonin natën. Ditën lëviznin, lëviznin shumë, dilnin fare pranë rrugës së makinave ku kalonin serbët dhe kërkonin punëtor krahu, kishin nevojë për punëtor. Ndërtonin shtëpi të reja dhe u duheshin punëtor ndërtimi për të bërë beton në vend të betonierës. Filluan me radhë në këtë mënyrë të punonin. Ai që punonte duhej të blinte bukë dhe ushqime për të gjithë.Vazhduan gjatë këtë lloj rituali por njëkohësisht filluan të përgatisnin letrat tek zyra e Kombeve të Bashkuara si emigrant, të prisnin fatin. 

Shkonin me radhë tek kjo zyrë e shikonin mos ndoshta janë miratuar si emigrantë. Nuk vonoi gjatë kjo peripeci dhe Esat Hysa miratohet si emigrant me letra të rregullta në Amerikë. Kjo ishte një lindje e dytë për djaloshin nga Sllatina, një sukses, një fitore. Që në intervistën e para ambasada amerikane e pranon si emigrant politik. Fati këtë radhë kishte qenë me Esatin.

Pas një kalvari të gjatë vuajtjesh, pas sakrificash të mëdha më së fundi për djaloshin e Sllatinës doli drita në fund të tunelit. Amerika, toka e premtuar tashmë ishte fare pranë tij.

Data shënonte 26 gusht 1991 kur këmba e djaloshit nga Sllatina shkel për herë të parë në tokën e premtuar, në vendin e lirive, në Amerikë. Ajo ëndërr e kahershme e këtij djaloshi që nuk u dorëzua kurrë edhe përballë sfidave të vështira, ku jeta vihej në rrezik arriti më së fundi ta shikojë nga afër ëndrrën e kahershme rinore. Stacioni ishte Uashington State Seattle ku në fillim e mori një kishë bamirësie. I dhanë një dhomë të vogël tek universiteti ku kuzhinën, banjon dhe dushin i kishin të përbashkët edhe me studentët ku gjithsej ishin tetë veta. Edhe pse ushqime i sillnin ai nuk dinte të gatuante, ishte hera e parë që vihej para një prove të tillë, dhe megjithatë ku haptas e ku fshehtas të tjerëve ia doli.

Më së fundi gjeti punë me një pagesë që po ti llogarisësh në fund nuk i mbeteshin për të paguar taksa e qera. Nuk ishte ajo Amerika që kishte dëgjuar. Një realitet krejt ndryshe. Këtu jetesa ishte e shtrenjtë, nuk ia dinte njeri se sa vuan dhe heq ti. Nuk mund të ecje si gjarpër me zvarritje, me servilizma. Jo, jo, këtu duhej punë dhe vetëm punë. Ajo ishte faktori kryesor për një jetesë normale. Këtu e pa nga afër Esati se liria nuk paska vlerë pa punë, pa djersë, pa mund e sakrifica. Më vonë gjeti edhe punë të dytë, punë të vështirë pranë një materniteti por ishte i kënaqur se pagesa ishte ndryshe, fitimi ishte më i madh. Në shtëpi kthehej në orën 2 të natës por megjithatë po punonte për mrekulli. Shumë punë, shumë sakrifica, shumë djersë për të arrirë këtu ku ndodhet sot. 

Mirëpo krejt ndryshe ndodhi situata në Sllatinë, në familjen e Hajrush Hysës. Një dramë e vërtetë, dramë sa njerëzore aq edhe psikologjike. Mëngjes, drekë dhe darkë do të trokisnin në derë njerëz të sigurimit, polic me uniformë dhe pa uniformë. Pyesnin në shtëpi por edhe në Sllatinë. Jo vetëm Hajrushi por edhe djemtë filluan të përjetojnë stres orë e çast. Hije, hije kudo. Nëna sapo ishte ndarë nga jeta, ende nuk ishin tharë lotët për humbjen e nënës. Tani ja dhe arratisja e Esatit një dramë mjaft e rëndë. Askush nuk dinte gjë, askujt nuk i kishte treguar. Fshati ziente ditë e natë si zgjua bletësh. 

Dikush thoshte se e kanë vrarë në kufi gjatë arratisjes, dikush thoshte se e kanë vrarë në kufi duke kaluar në Austri. 

Vuajtja e madhe ishte për familjen Hysa. Një goditje e rëndë për Hajrushin. Sa dhimbja për djalin që as dinte gjë e as dinte ku ta kërkonte, nuk po mbaronin edhe telashet e njerëzve të sigurimit të shtetit që ecnin e bridhnin si hijena natën udhëve të Sllatinës. 

Sadraimi, si vëllai më i madh nis e tregon:

-Më thirrën komisari postës kufirit në zyrë se vëllai juaj Esati ka tre ditë që është larguar nga stani. Nëse ka ardhur në shtëpi, apo ka njeri të afërt më trego. 

U ndava me komisarin dhe vajta në shtëpi. Hapa i vetëm valixhen e Esatit ku mbante disa fotografi familjare. Pashë se fotot më të mira mungonin. Kisha dëgjuar se ato që arratiseshin merrnin me vete dhe foto të familjes. Ia tregova babës bisedën që kisha bërë me komisarin dhe për mungesën e fotove në valixhe. U qetësuam diçka por meraku përsëri i madh ishte.

Sllatina ziente, dikush thoshte se Esati është vrarë në kufi, dikush thoshte është vrarë në Beograd. Këto fjalë vinin tek ne por në darkë mblidheshim të gjithë rreth zjarrit. Më shumë binim pa darkë. E kujt i shkonte ndërmend të hante në atë gjendje që ishim. Nuk dinim asgjë për fatin e vëllait. Një dramë kjo që zgjati gjatë, sy e vesh ishim matanë kufirit të dëgjonim ndonjë fjalë, e hije gjatë natës bridhnin rreth e qark shtëpisë tonë. Çdo lëvizje e jona kontrollohej tashmë. 

Njoftova komisarin e postës se ne si familje nuk kemi asnjë lloj informacioni. Komandanti i postës Ali Elezi më thirrën një ditë dhe më thotë:

-Më preve në besë si burrat. Prej teje e lashë Esatin në bjeshkë se të ishte për mua, atij nuk i kam besuar asnjëherë. 

Filloi syri i partisë të vigjilojë me kujdes. 

Tashmë ia kishin frikën ndonjë arratisje tjetër. Esati nuk ishte vetëm, kishte jo vetëm në fshat por në të gjithë zonën mjaft shokë, që kishin mendime të përbashkëta.

Jo pak por plot 4- 5 muaj asnjë informacion nuk kishim për Esatin. Një torturë e madhe kjo, një dramë që vetëm ata që e kanë përjetuar e dinë se sa e rëndë është kur të largohet vëllai nga shtëpia dhe nuk di asgjë për jetën e tij, nuk di se ku ka përfunduar, a është gjallë apo e kanë vrarë siç flitej lart e poshtë në fshat.

Ishte janar i vitit 1991. Edhe pse bënte ftohtë në zyrën ku ishte një telefon për ndërlidhje në Shumbat kishte shumë veta. Njerëzit ma shumë futeshin për tu ngrohur se sa për punë. Në këtë zyrë shërbente Musa Sulejmani. Bie zilja, bisedat e të pranishmëve u ndërprenë. Nëpërmjet receptorit vinte një zë që mezi dëgjohej: “Alo! Jam Esat Hysa. Ju lutem njoftoni në familjen time, ndodhem shëndoshë e mirë në një kamp refugjatësh në Beograd” .Kaq foli Esati e biseda u ndërpre. 

Lajmi vajti shpejt në Sllatinë. Akulli i ftohtë që kishte ngërthyer zemrën e Hajrush Hysës sikur filloi të shkrijë nga pak. Në sytë e tij të vegjël dolën dy pika lot. ishin lot gëzimi. U shkëputën kontaktet dhe telefonatat me Esatin, u shkëputën gjatë tani, u desh një vit që Esati të bëhej i gjallë, të komunikonte lirshëm me familjen, t’ju tregonte gjithçka për rrugëtimin e vështirë të tij që kishte bërë, për punën dhe jetesën në kontinentin e largët Amerikë.

Ishte shtator i vitit 1991. Në postë punonte Bashkim Beqiri, një djalë i mirë, ndër ata djemtë të rrallë që e donin dhe respektonin jo vetëm në Sllatinë por në të gjithë Ujemujën. Në mes letrave të shumta që vinin nga posta, në mëngjes sapo vjen posta e re gjen një letër që e bëri të derdh lot gëzimi nga sytë. Letrën e dërgonte Esat Hysa nga Amerika për familjen e tij. Ky ishte sihariqi ma i madh që mund ti jepte Hajrushit në këtë moshë të thyer çdo kush që do të shkonte të dorëzonte letrën. Esati ishte gjallë dhe jetonte për mrekulli në kontinentin e largët. Bashkim Beqiri ia dha letrën babait të tij, Hajdarit të na e dërgonte ne.

E pamë që larg se po drejtohej nga shtëpia jonë. Në dorë tundte një letër.

-O Hajrush Hysa, o Hajrush Hysa! Oborri i shtëpisë gumëzhinte nga zëri i Hajdar Beqirit. 

Në dhomë ishte qetësi e madhe, askush nga ne nuk bënte zhurmë, nuk flisnim. Kishte pllakosur heshtja që nga koha e zhdukjes së Esatit. Prisnim ndonjë lajm, qoftë për mirë apo për keq por siç duket fati na ishte kthyer kundra. Lajme, lajme nga më të trishta qarkullonin kudo në Sllatinë, por era nuk përtonte që të na i sillte dhe në vatrën tonë. Dhe këto haberet ishin bërë si kafja në mëngjes pa sheqer, të zakonshme por po na lodhte më shumë, po na godisnin kudo si familje me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Bëheshin mbledhje natën e ditën, diskutohej familja e Hajrush Hysës, si familje antiparti. 

Me mendime të trishta binim gjumë, me ëndrra të bukura zgjoheshim në mëngjes. Shikonim dritë në fund të tunelit. Shpresat nuk i kishim humbur. Humbëm nënën por jo shpresën. Kishim humbur vëllanë por jo jetën, të ardhmen, perspektivën. Besonim shumë në Zot, besonim se një ditë jeta do të çelte bukur në shtëpinë tonë.

Hajrush Hysa del në derë dhe pret krahë hapur Hajdar Beqirin, pa e ditur fare se çfarë lajmi do të sillte këtë mëngjes.

-Është gjallë Esati yt, është gjallë Esati ynë, është gjallë djali i Sllatinës, fliste pa pushim Hajdari dhe tundte letrën. -Ja, letra që të sjell nga Amerika. Të dy u shtrënguan fort, të dy derdhën lot. Ne fëmijët nuk mbaheshim nga gëzimi. 

Vërtet kishte filluar të çelte jeta në shtëpinë tonë. E gjetëm vëllanë, e kishim gjallë si kokra e mollës. Tashmë ajo mjegull që kishte rënë mbi shtëpinë tonë u largua menjëherë, lotët u thanë e jeta vazhdoi si ma parë. Fjalët në kruan e madh heshtën e thjeshtë tek tuk bashkëmoshatarët e Esatit flisnin:”Djalë i gjallë, me guxim dhe kurajo. Gjithmonë bota për të ishte e madhe, shumë e madhe, e kërkonte vazhdimisht dhe ja tek e gjeti. Sllatina ishte shumë e vogël për të, nuk mund të ia plotësonte ëndrrat dhe dëshirat e shumta që kishte për jetën”. Hajrush Hysës i kishte lindur djali për së dyti herë, kishte gëzim, kishte dasëm. Tashmë urat e bashkimit ishin hedhur. Nuk kishte forcë, stuhi e rrebesh që ta ndante nga djali i tij. Lotët i fshiu për herë të fundit nga sytë, dhe sytë e tij nuk panë lot më kurrë.

Esati vërtet kishte shkelur në tokën e premtuar, në vendin e lirive të mëdha siç kishte ëndërruar herët por çdo fillim domosdo që ka edhe vështirësitë e veta. Nuk e pati aspak të lehtë në fillim por falë vullnetit, kurajos dhe forcës ia doli. 

Vërtet Amerika ishte tokë e premtuar, liritë dhe garancitë e njerëzve ishin primare por për çiftin e ri në Amerikë nuk ndodhi ashtu siç edhe flitej. Këtu kishte rregulla strikte. Liri dhe demokraci vërtet kishte. Nuk donte njeri të ia dinte për jetën e tjetrit, por ama ligjet ishin njëlloj si për qytetarin, ashtu edhe për Presidentin. Lodhje, sfilitje, rraskapitje të ndryshme për çiftin e ri të sapo martuar shqiptar në Uashington e letrat po vononin. Filluan të lindin fëmijët njëri pas tjetrit. Letrat po vonoheshin. 

Kaluan pesë e dhjetë vjet. Jetesa kështu vazhdoi. Punë shumë, lodhje shumë, stres shumë. Më së fundi erdhi dita që kishin ëndërruar. Të dy si Esati, si Mimoza, bashkëshortja e tij morën pasaportat amerikane, bënë betimin solemn para flamurit amerikan dhe u quajtën nënshtetas amerikan. Kjo ishte domosdo fitorja ma e madhe që kishin arritur. Tashmë bridhnin botën me atë pasaportë që zotëronin në xhep. Por çdo fillim domosdo që ka dhe vështirësitë e tyre, nuk e gjetën të shtruar çifti Esat dhe Mimoza Hysa. Ju, ua është dashur mjaft punë, mjaft lodhje, mjaft sakrifica për të arritur këtu ku janë sot. Filluan të bëjnë edhe nga dy punë, të punojnë në profesione që nuk kishin punuar më parë, të mësonin në mënyrë audidakte profesione të rinj, dhe këtë e bënin të dy bashkë, falë vullnetit dhe forcës që kishin.

Fëmijët po rriteshin, telashet po shtoheshin, jetesa e shtrenjtë, më e shtrenjtë arsimimi i fëmijëve por Esati dhe Mimoza i vunë detyrë vetes të punojnë shumë e fëmijët ti shkollojnë të gjithë në degët që preferonin vetë.

Vajza e madhe Lisa mbaron fakultetin e mjekësisë dhe do të specializohet përsëri në mjekësi, ndoshta për kirurgji. Djali Roberti vazhdon për stomatolog. Vajza tjetër Emi vazhdon vitin e parë në shkollë të mesme dhe ka dëshirë të vazhdojë ashtu sikur dhe vëllai për stomatologji. Vajza e vogël Anita është në klasën e shtatë dhe kjo ka dëshirë të vazhdojë mjekësinë. Kështu në një të ardhme të shpejtë çifti Esat e Mimoza Hysa mund të hapin një spital model në Amerikë me të gjitha specialitetet.

Dhe për Esat Hysën tashmë pikësynimi ishte ndryshe, vështrimin e kishte hedhur larg, mendonte për vendlindjen, i donte njerëzit që ishte rritur dhe kishte kaluar rininë bashkë me to, e kishte edhe si amanet nga nëna që për Sllatinën dhe njerëzit e saj duhej të sakrifikonte gjithmonë.

Mimoza nuk e pengonte në nisma dhe iniciativa të tilla për vendlindjen, ajo e mbështeste vazhdimisht. Po kështu edhe fëmijët kur filluan të rriten mësuan më shumë lidhjen shpirtërore që kishte babai i tyre me Sllatinën, dhe këtë lidhje filluan ta forcojnë edhe vetë.

Kanë kaluar njëzet vjet nga 30 qershori i vitit 2000 që atëherë kur Esati mendonte krejt ndryshe për Sllatinën dhe banorët e saj. Esati e donte vendlindjen, kishte mall, mall emigranti ndaj duhej një festë gjithë përfshirëse, festa e bjeshkës që do të organizohej çdo 30 qershor. Këtu nuk kishte dallime. Sllatina ftohej e gjitha por jo vetëm kaq. Kishte ftesa edhe nga fshatra të Ujemujes, nga pushteti vendor, nga këngëtar e artistë të njohur. 

Kështu e nisi udhën festa e Sllatinës njëzet vite ma parë, festa e bjeshkës , kështu vazhdon të festohet me madhështi përsëri, dhe më kryesorja, të gjitha shpenzimet janë nga vetë financat vetjake familjare të Esat Hysës. Deviza kryesore e Esatit është:”Jam i lumtur, jo kur kam para, por kur kanë dhe të tjerët. Lumturinë time dua ta ndaj me të gjithë!”