Jeta dhe puna e familjes Keshi në Majtarë të Maqellarës, një shembull për të gjithë


Fisi Keshi në Majtarë është nga më të mëdhenjtë e këtij fshati. Ata kanë qenë historikisht të lidhur me bujqësinë dhe blegtorinë, duke fituar admirimin dhe respektin e shokëve e miqve. Por, jo vetëm kaq, por të paktën tre drejtorë shkollash janë prej këtij fisi, pa përmendur mësues të shumtë, në degë të ndryshme të dijes e shkencës. Ndoshta do të shkruajmë më shumë për këto gjëra, kur të mendohet një historik për fisin, apo fshatin e sot do të ndalemi te njëra nga këto familje.
Kapllan Keshi ishte një nga burrat e shquar të këtij fisi. Dhe pse ishin kohë të vështira e shpesh me zi buke, Kapllani diti ta mbajë familjen në kushte krejt normale, ta edukojë atë me ndjenjën e punës, por dhe me besimin te Krijuesi. Ai kishte bujqësinë, jo vetëm mjet jetese, por dhe pasion e kënaqësi. Familja e tij i mbillte vetë bimët në shpore apo shtretër të ngrohtë. Pak i duheshin për vete, pasi shumicën e tregtonte tek fermerët e tjerë. Një natë para pazarit të së dielës, vaditeshin pak bimët, shkuleshin me kujdes, lidheshin bukur në dorëza, si fjongo me lëkurën e shelgut apo të verrinit, dhe ambalazhoheshin në kosha.
Kapllani i dëgjonte me kujdes fjalët e më të moshuarve, pasi ajo ishte vetë eksperienca që do ti shërbente në të ardhmen. Ai nuk kishte kosha të tij, që asaj kohe përdoreshin aq shumë dhe i kërkonte tek një komshi. I kërkoi njëherë dhe dy, kurse të tretën komshiu nuk ia dha. “Hajde me mua”, – i tha komshiu më i madh në moshë. Shkuan tek një përrua, plot me pemë e filiza të rinj. Zgjodhën disa prej tyre dhe mbushën një krah. Komshiu e mësoi djaloshin e ri si të vepronte. Nuk ishte zgjidhje që ai të mbetej gjithë jetën duke kërkuar koshat, apo veglat e të tjerëve. Lypsej që ai të mësonte vetë se si ti bënte ato. Ngulën në tokë disa shkopinj më të trashë në formë pak a shumë rrethore. Me të tjerat më të holla u shkonin rrotull, duke i ndërthurur bukur dhe në fund i bënë nja dy kapëse të bukura. Kapllani e kishte thurur koshin e parë, nën mbikëqyrjen e komshiut dhe të dytin e bëri krejt vetëm. Dukej i mrekulluar kur i shihte ata kosha të rinj, që tashmë ishin të tijat e nuk ishte më nevoja të kërkonte te të tjerët. Në fillim e mori pakëz inat komshiun, kur nuk ja dha koshat, por më pas e kishte kuptuar qëllimin, duke marrë një leksion që nuk do ta harronte kurrë. Nëse donte që të merrej e ti përkushtohej bujqësisë, ai duhej të kishte mjetet e tija të punës.
Bahçja e Kapllan Keshit ishte e madhe, që nga shtëpia e tyre pranë rrugës e deri në përrua poshtë. Të gjitha llojet e pemëve e të varieteteve ndodheshin aty. Në ato kohëra kur mungonin frigoriferët, Kapllani kishte teknikat e veta të ruajtjes. Veshulëve të rrushit u vinte një kokërr rrushi te bishti, në mënyrë që të ushqehej për një kohë sa më të gjatë. Mollët bio e të paspërkatura me ndonjë lloj helmi, vileshin dhe futeshin në kashtë, deri në mbarim të pranverës. Një aromë e mrekullueshme e zbulonte vendndodhjen e tyre që dhjetëra metra larg. Gjatë rronin dhe ftonjtë e mëdhenj që zbuteshin gjithë dimrit, kurse arat nuk kishin nevojë për ndonjë trajtim të veçantë. Të gjitha këto servireshin për miq, shokë e dashamirë, për të sëmurë, që u shkonte mendja për ndonjë frut jo të stinës dhe që i dukej se do ti bënte derman.
Mjalti do të ishte gjithmonë i bollshëm në familjen e tyre. Mbi njëzetë koshere bletësh, ashtu primitive, siç ishin në atë kohë, do të ishin gjithnjë prezente, duke e ëmbëlsuar sadopak jetën e vështirë të asaj kohe.
Kapllan Keshi, që dinte të menaxhojë aq mirë familjen e tij, ashtu do të dinte të bënte dhe rolin e kryetarit të këshillit në fshatin e tij. I zgjuar dhe autoritar, ai dinte të zgjidhë probleme, mosmarrëveshje, të paqtojë e të bashkojë njerëzit e fshatit.
Djali i tij, Nuriu, nuk ishte i dhënë shumë pas bujqësisë, si i jati. Ai ishte më i dhënë pas ndërtimit dhe shumë kohë u angazhua me restaurimin e monumenteve të kulturës. Megjithatë, ndoshta për hir të një tradite të vjetër, apo të lidhjes fort pas tokës, familja e tij bleu dhe 30 dynymë, krahas asaj ekzistuese. Nëse do ta konsideronim një makineri gjithë këtë sipërfaqe toke, i vetmi që mund ta vinte në lëvizje këtë, do të ishte Abduli, djali i madh i Nuriut. Ata janë tre vëllezër, por dy më të vegjlit, janë me gjithë familjet e tyre në Itali.
Abduli kishte qenë dhe vetë në Itali, jo pak kohë. Kishte shfaqur shumë cilësi në jetë, por që nuk kishin shumë lidhje me bujqësinë. Dy vjet kishte bërë kurs fizarmonike në Peshkopi, duke treguar një talent të veçantë. Në ushtri ishte veçuar si qitësi më i mirë i divizionit, në Meglushë të Shkodrës. Në Itali kishte mësuar mjaft mirë gjuhën italiane, si dhe profesionin e berberit.
Të gjitha këto i mblidhte dhe i bashkonte, sërish i ndante për të gjetur atë trajektore që duhej të ndiqte në jetë. Nuk di pse një zë i largët i thoshte që nuk duhej të braktiste bujqësinë, tokën që kishin dhe që kishin blerë, traditën e bukur të gjyshit Kapllan. Gjërat nuk do bëheshin menjëherë, por jeta do ta mësonte hap pas hapi se si të vepronte. Tek toka e blerë, aty anës së xhades që të çon te dogana e Bllatës ngritën një ndërtesë trekatëshe. Bahçja e vjetër, bashkë me shtëpinë e vjetër ishin rrënuar. Vetëm kujtimet e fëmijërisë kishin mbetur të paprekura, të ruajtura mrekullisht në një nga disqet e kujtesës. Rreth e rrotull vilës vuri pak pemë si fillim, sa për nevojat e familjes. Pak rrush, qershi, mollë e dardhë. Disa varietete të vjetra e rezistente shkoi e i mori te trojet e vjetra. Më pas numri i tyre rritej e rritej vazhdimisht.
Para tre vitesh Fondacioni “World Vision”, me qendër në Peshkopi, solli mjaft fidanë lajthie për fermerët e rinj e të pasionuar. Një prej këtyre përfituesve ishte dhe Abduli, i cili mbolli katër dynymë lajthi, me varietetin italian “Tondo Romano”. Fidanët u vunë në pranverën e vonë me shpresa të vakta zënje, por dhe njëfarë enigme se si do të ishin ato kur të rriteshin. Me një kujdes të veçantë në vaditje, punime e plehërime, pak nga pak blloku i mbjellë filloi të marrë fizionominë tipike dhe pak kokrra u ravijëzuan dhe u zhvilluan që në vitin e parë.
Frikërat e para u larguan. Zënia e fidanëve ishte e kënaqshme dhe lloji ishte vërtet, ashtu siç ishte premtuar. Tani, në vitin e tretë, Abduli synon t’i drejtohet dhe tregut me një sasi të vogël prodhimi, për tu rritur më pas vit pas viti, duke shtuar të ardhurat e familjes së tij. Klientela do të jetë e sigurt se lajthitë nuk kanë asnjë lloj trajtimi me plehra kimike, bile dhe trajtimi me pesticide është mjaft i reduktuar, afër nivelit zero.
Janë shtuar qershitë e mbjella, dardhat e rrushi, boronicat e aronjat, kivi, arrat e gështenjat. Madje dhe kulturën e kikirikut e eksperimentoi me shumë sukses. Abduli është bërë një shartues i mrekullueshëm. Mjafton ta shohë njëherë një punë, një veprim dhe nuk ka nevojë për herë të dytë. Sa herë që sheh diku një varietet të bukur peme, do të marrë kalema e sytha për ta pasur atë dhe te shtëpia e tij.
Dy lopë me prodhimtari të lartë qumështi, janë përherë në fermën e tij. Ata shoqërohen gjithnjë me dy viça, por shpesh bëhen dhe katër, pasi lopët e tij bëjnë dhe binjakë. Misër, jonxhë, elb dhe shumë produkte të tjera janë në dispozicion, që ata të mos bien nën 20 litra qumësht secila. Dhjetëra pula përfitojnë nga këto ushqime cilësore dhe shpesh miqtë kur përcillen nga kjo familje marrin me vete dhe një sasi vezësh krejt bio.
Kosheret primitive me mjaltin e mrekullueshëm i trazonin shpesh kujtimet e tij dhe një ditë, jo më larg se tre vjet të shkuara, vendosi ta përtërijë traditën. Mori vetëm dy koshere si fillim, dhuratë nga daja i nuses në Klos. Nëse do tregonte pasion, punë e mençuri, shifrat mund të shkonin në rritje. Nga dy në fillim, numri i koshereve ka shkuar në njëmbëdhjetë të tilla. Jo vetëm kaq, por ai është bërë një mjeshtër i vërtetë. Din të punojë me to, të ndërrojë mbretëresha e të prodhojë të reja, tu paraprijë sëmundjeve, me sa më pak preparate të dëmshme. Shpresojmë që parku i tij i bletëve të shtohet sa më shumë në të ardhmen, që dhe ne miqtë e tij të shijojmë e të përfitojmë vlerat kurative të mjaltit.
Abduli shihte në shumë vende të tjera, kur vila si e tij, kishte pranë dhe një serë të vogël. Ai vendosi që ta kishte dhe ai të tijën. Ai ishte mekanik, saldator i shkëlqyer, mekanizator për zetor e çdo pajisje tjetër. Përse të mos kishte perime, që nga marsi e deri në janar? Skuadroi një sipërfaqe prej 50 metër katror, futi tubat 50 cm në tokën e fortë, i mbushi tubat e trashë plastikë me beton dhe një fije hekur, duke u dhënë qëndrueshmëri të lartë. Të gjitha kthimet e hekurit i bëri vetë, duke e siguruar serën nga era, bora e çdo shkak tjetër dëmtues. Kastravecat i nxori mjaft herët, kurse tani ka në prodhim specat, patëllxhanin, domaten e perime të tjera. Ai përdor vetëm plehun organik të fermës së tij dhe asnjë lloj spërkatje, duke siguruar vërtet një produkt bio, element që e ka të panegociushëm, jo vetëm për familjen e tij, por dhe për të tjerët.
Mendja e Abdulit përherë ka diçka për të shpikur. Një ditë mendoi se si motocapin ta adaptojë dhe për prashitje. Ç’farë paska japonezi, që të jetë më i zgjuar se ne? I vuri nja dy rrota, seç i bëri dhe ca marifete të tjera dhe e vuri në provë eksperimentin. Vetëm në gjysmë ore prashiti dy dynym misër, kur do ti duheshin të paktën dy ditë punë, bashkë me familjen. Nuk harxhoi më shumë se një litër benzinë me motocapin e tij ekonomik.
Shkolla nëntëvjeçare e Majtarës,nuk është shumë larg nga shtëpia dhe pronat e tij. Banjot e kësaj shkolle nuk janë në formatin e duhur dhe ne si komunitet kemi menduar që ti bëjmë ato me parametra bashkëkohore. Që të ndodhi kjo, krahas investimit monetar, duhet dhe uji i rrjedhshëm të jetë i pranishëm. Abduli e afron bujarisht ujin që do të dalë nga një pus i hapur në tokën e tij dhe me vetërrjedhje do të shkojë drejt tek shkolla, për nevojat e saj. Sa mirësi e sa sevape të përfituara. Gjithë ato nxënës e mësues do t’i lëshojnë Abdulit dhe familjes së tij urime pa fund, që do t’ju burojë nga zemra, siç do burojë nga toka uji i pusit të tij.
Ai rregullon pa problem elektro-shtëpiaket e familjes dhe të miqve të tij, duke fituar vlerësimet maksimale të shoqërisë. Pas shkollimit të mesëm bujqësor, diku nga vitet nëntëdhjetë, Abduli mbaroi dhe juridikun, part time. Ka punuar ca kohë si jurist në ndërmarrjen pyjore, kurse tani punon në një agjenci sigurimi të automjeteve. Abduli eksploron udhëve të jetës, çan me vendosmëri në kanionet e saj, i dobishëm për familjen dhe për njerëzit që e rrethojnë. Me siguri, që dhe gjysh Kapllani ndihet i qetë e i kënaqur, nga nipi që po përcjell më lart e më larg veprën e tij.