Kush ishte Sami Gonxhja, autori i muzikës “Marshi i djelmënisë dibrane”


Sami Gonxhe lindi në vitin 1893 në qytetin e Dibrës së Madhe. Babai tij, Hafëz Raif Gonxhja, ka qenë një hoxhë erudit, ndërsa nëna e tij, Habibja, ishte bijë e latifondistit Ismail Kurt Aga Dovolani (Dagleri).
Sami Gonxhja kreu në vitin 1910 shkollën e mesme të përgjithshme në qytetin e Manastirit. Ashtu si edhe babai i tij zotëronte plotësisht gjuhën turke, arabe dhe persiane.
Veprimtaria arsimore: Fil pas shkollës së mesme e deri sa doli në pension, në vitin 1951, për mbi 40 vjet u aktivizua krejtësisht në fushën e mësuesisë. Ai ishte në grupin e parë të mësuesve dibranë që ka kontribuar në hapjen e shkollave të ciklit të ulët: në Zerqan, në Homesh, në qytetin e Peshkopisë dhe në Prezë. S. Gonxhja është mësuesi i parë në shkollën fillore të Ibës (Tiranë) në Arbanë (Tiranë) dhe Mollagjesh (Elbasan).
Në periudhën 1940-1942 ai dha kontributin e tij si mësues në shkollat e para fillore përkatësisht në fshatin Muhur dhe Sohodoll të Peshkopisë.
Në periudhën 1942-1945 ai shkriu të gjitha energjitë e veta si mësues shembullor në shkollat fillore të porsakrijuara në qytetin e Dibrës së Madhe prej të cilës ishte larguar familjarisht si muhaxhir pas pushtimit Sllavo-Serb të vitit 1913. Sami Gonxhja ka dhënë ndihmesën e tij si mësues edhe në shkollat fillore të kryeqytetit: J. Vreto, Kristoforidhi, shkolla e Kuqe, Kongresi i Lushnjës, Shkolla tek Rr. e pishës (Tani Tefta Tashko) dhe në Yzberish.
Veprimtaria politiko-shoqërore: Mësuesi S. Gonxhja ka qenë i ndjeshëm edhe për sa i përket rrymave social-politike të kohës. I frymëzuar nga qëllimet iluministe të Lëvizjes “Bashkimi” të udhëhequr nga Avni Rustemi, ai bëhet një veprimtar i shquar duke arritur të kryejë edhe detyrën e kryetarit të Degës Bashkimi për qarkun e Dibrës deri kur u përmbys qeveria e Nolit në Dhjetor 1924.
I akuzuar fillimisht, për tentativë kundra jetës së presidentit A. Zogu (1926) dënimi kapital i propozuar nga prokurori për mungesë faktesh, u kthye në burgim 6 mujor dhe me heqjen e të drejtës për të dhënë mësim në shkollat laike për 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe (deri në vitin 1928) ai dha mësim në shkollën e Medresesë së Lartë në Tiranë.
Sami Gonxhja gjatë periudhës 1929-1939 arriti të reflektojë dhe të vlerësojë si mjaft pozitive regjimin e qeverisë Mbretërore për ndërtimin e shtetit të ri shqiptar, zhvillimin e arsimit dhe edukimin kombëtar.
Në kohën e pushtimit fashist ai mbajti qëndrim. Duke qenë nëpunës vetëm për një vit (1939-1940), në Institutin Femëror Pedagogjik, shfaqi haptas pikëpamjet e veta kundër pushtimit italian. Dhe ndëshkimi nuk vonoi: në shkurt të vitit 1940 S. Gonxhja transferohet familjarisht si mësues në fshatin Muhurr të Peshkopisë ndërsa në vitin 1941-1942 punoi si mësues në Sohodoll. Në periudhën qershor 1942 – gusht 1945, ai transferohet në qytetin e Dibrës së Madhe gjithnjë me detyrën e mësuesit për të dhënë kontributin në shkollat e para që u hapën në këtë qytet.
Duke pranuar propozimin e nipit të vet, dëshmorit Shaban Jegeni (i pushkatuar në Prishtinë) S. Gonxhja vuri në dispozicion shtëpinë e tij në Tiranë ku u themelua celula e parë e Grave Antifashiste të Shqipërisë (fundi i vitit 1941).
Në periudhën kur ishte mësues në qytetin e Dibrës së Madhe shtëpia e tij shërbeu si bazë e sigurt ku depozitoheshin dhe përcilleshin veshmbathje e municione në drejtim të çetave partizane të Dibrës edhe pse ishte i paralajmëruar që të hiqte dorë nga bindjet e tij antifashiste. Për këto qëndrime zgjidhet kryetar i frontit antifashist të qytetit të Dibrës së Madhe, detyrë që e kreu deri në mes të vitit 1945, kur dha dorëheqjen për t’u kthyer familjarisht në Tiranë.
Dorëheqja e Sami Gonxhes u paraqit kinse për arsye moshe dhe për t’u rikthyer në Tiranë ku kishte edhe shtëpinë e tij. Në të vërtetë, kjo dorëheqje ishte pasojë e pakënaqësisë dhe zhgënjimit të thellë që pati për masat shtypëse e ndërmarra nga pushteti maqedonas kundër shqiptarëve që banonin në trojet e veta në këtë republikë.
Këto masa represive të sllavo-maqedonasve, S. Gonxhja i pa me sytë e tij dhe i dëgjoi me dhimbje të madhe ankesat e të lebetiturat e burrave dhe grave shqiptare të Kërçovës, Gostivarit, Tetovës etj., kur po vazhdonte rrugën për të marrë pjesë në Kongresin e 2 Antifashist të Maqedonisë në Shkup (nëntor 1944) si anëtar dhe flamurmbajtës i delegacionit dibran që e kryesonte kryetari i qarkut të Dibrës së Madhe – patrioti dhe “gjenerali me tirqe” Aqif Lleshi. Më kujtohet kur në shtator 1944 në shtëpinë tonë na erdhi për vizitë “Mësuesi i Popullit” (atëherë n/kolonel partizan) Qamil Guranjaku, koleg i babait dhe ish mësuesi im i edukatës fizike, para vitit 1939, në “Shkollën e Kuqe” të Tiranës.
Të them të drejtën, unë si veprimtar i rinisë antifashiste, e ndjeva veten disi ngushtë, kur im atë me kurajo qytetare, nisi t’i tregojë ish mësuesit tim (që ishte dërguar enkas nga Tirana për t’u informuar mbi situatën në Dibër dhe në trojet etnike shqiptare të Maqedonisë) për ato çka kishte parë e dëgjuar si më sipër. Gjatë gjithë këtij rrëfimi Q. Guranjaku mbajti shënime dhe i premtoi tim eti se për këto do të njoftonte Qendrën në Tiranë. E shënova këtë kujtim se të vije në dyshim dhe të flisje kaq hapur kundra miqësisë “vëllazërore” të popullit shqiptar dh atij jugosllav sidomos në vitin 1944 deri në vitin 1948 të burgosnin si “armik e shovinist antijugosllav”.
Zhgënjimi i tij i dytë ishte kur pjesëtarë të familjes së tij u persekutuan egërsisht nga regjimi diktatorial i P.P.SH. Kështu, motra e tij, Ismete Llanai (Gonxhja) u burgos dhe u torturua tmerrësisht në qelitë e Degës së Brendshme të Burrelit derisa u çmend sepse nuk dha informacionin për vendndodhjen e bashkëshortit të saj të arratisur, oficerit akademist Xhemal Llanaj, i cili në vitin 1946 u vra nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Po ashtu edhe vëllai i tij, Tahsim Gonxhja ish antifashist i orëve të para dhe i internuar për 2 vjet në ishullin Ustika (Siçeli) u burgos dy herë gjoja për agjitacion kundër pushtetit popullor i cili megjithëse kishte mbaruar shkollën tregtare të Vlorës dhe dinte dy gjuhë të huaja (italisht dhe Anglisht) u detyrua të punonte vetëm me punë krahu deri sa doli në pension.
Sqarojmë se S. Gonxhja ka kompozuar 10 këngë patriotike dhe rreshtore (pa nota) kryesisht për nxënësit e shkollave nga të cilat mbijetoj vetëm kënga: Marshi i djelmënisë dibrane me tekst të mësuesit të popullit Haki Sharofi dhe orkestrim të muzikantit tenderuar dibran profesor Isa Shehu. Ky marsh që i dedikohej fitores të luftëtarëve dibranë kundër pushtuesve serbë në Lan të Lurës së Dibrës u ndalua të këndohej në kohën e monizmit si këngë “shoviniste”, ndërsa tash këndohet lirisht në të gjitha veprimtaritë festive.
Lidhur në “Marshim e Djelmënisë Dibranë” më duhet të kujtoj një takim interesant të rastësishëm që kemi patur me një personalitet të shquar ushtarak të Luftës Partizane.
Ndërsa në një ditë qershor të vitit 1947, unë dhe babai im sapo kishim kaluar Shkollën e Kuqe në rrugën Qemal Stafa, papritmas fare pranë nesh, frenoi një “xhips” ushtarak. Me shpejtësi zbriti nga xhipi si një gjeneral topolak truplidhur por shumë simpatik, i cili me mirësjellje, me dialekt verior, iu drejtua tim eti:
– Me falni, në mos u gatofsha, a jeni ju ish-mësuesi im z. Sami Gonxhja, në shkollën fillore? (S’më kujtohet shkolla që përmendi gjenerali).
– Po, u gjegj im atë, disi me ndrojtje. Unë jam mësuesi Sami Gonxhja, por më vjen keq, që mua nuk po më kujtoheni, sepse nga duart e mia kanë kaluar shumë brezni nxënësish…
– Pa më thoni, “shoku”, gjeneral, po juve si quheni?
– Unë quhem Gjin Marku, safi djalë Mirdite – u gjegj gjenerali, dhe vazhdoi më tutje. – Z. Sami. S’ka rëndësi se a më mbani apo s’më mbani mend. Rëndësi ka fakti se unë ish nxënësi juaj në klasën e katërt dhe njëherësh trazovaç i bankës së fundit… për të cilën, gjithsesi ju kërkoj ndjesë (tha me të qeshur gjenerali) mbaj mend ato këngët rreshtore që na i keni mësuar ju ku ndër më e pëlqyera prej meje dhe bashkëmoshatarët e mi ka qenë “Marshi i djelmënisë Dibrane”. Z. Sami – vazhdoi fjalën e tij, gjeneral mirditor: A e ke bezdi që ta këndojmë së bashku këtë marsh luftarak që më ka frymëzuar edhe në luftën partizane?
– Po, me gjithë qejf – u gjej im atë. Dhe që të tre nisëm të këndonim me zë të ulët këtë marsh pa u bërë merak për kalimtarët e rastit të cilët po habiteshin duke parë një gjeneral dhe dy civilë që po këndonin këtë “marsh” luftarak në mes të rrugës?!
Duke kujtuar këtë episod, si unë ashtu edhe ima atë nuk na shkonte ndërmend që ky gjeneral trim e atdhetar mirditor do të binte pas dy vitesh viktimë e draprit gjakatar në dorën e Makbethit Shqiptar.
Do të më bënte vinte shumë mirë që marshi i Djelmënisë Dibrane të këndohet si qëmoti, veçanërisht në shkollat 9-vjeçare të qarkut të Dibrës.

“MARSHI I DJELMËNISË DIBRANE”,
Autor i tekstit “Mësuesi i Popullit” Haki Sharofi

Drin o Lum i Gjanë
Drin o lum i gjanë, plaku i malësisë!
A ke me j’a lënë Dibrën Serbisë?
Kurrë nuk durohet kjo rrobni,
Dibra e Mojsiut asht shqipëni
Refreni
Çohi; burrë, çohi
Gjithë me besa besë,
Për Dibrën luftoni
Me të madhe shpresë!
Lurë, o vend i nalt, vend i trimërisë!
Aty u bënë fjalët, besa e lirisë:
Dibra do shpëtue, vend i Kastriotit
Dibrani lirue, si ka qenë motit
Çohi, burra, çohi
…………………….
Bregut t’Drinit krisi topi, gjëmoi dheu
Dibranin luftë detyrën e kreu,
Syni s’iu tremb kurrë, armikun përzu
Dhe vet mbeti burrë, Dibrën e shpëton.
Çohi, burra, çohi
Gjithë me besë besë!
Dhe lirinë festoni
Me të madhen shpresë!…
Dibra historike, me lufta me valë,
Dera e Kastriotit gjinit t’and ka dalë,
Ke pasun kreshnikë, po ke dhe sot,
Që për Shqipërinë gjakun s’kursen dot.

Çohi, burra, çohi…