“Vera në Dibër”, veprimtari që synojnë të mbajnë gjallë dashurinë për vendin


Fituesit e turneut të parë të Ping-Pongut

Pas një viti të mbyllur tërësisht për dibranët jashtë Dibrës së Madhe, ky vit pritet të ketë një rikthim të tyre në vendlindje, pas lehtësimit të masave anti-covid.
Me këtë rast, Shoqata Atdhetare “Dibra” në New York, në bashkëpunim me Komunën Dibër e Madhe dhe Klubin Bjeshktar & Çiklist “Dibra”, kanë hartuar një kalendar veprimtarishë të përbashkëta gjatë sezonit veror 2021.
Turi i veprimtarive nisi më 4 korrik, në një turne pink-pongu, ku morën pjesë shumë admirues të këtij sporti, mes të cilëve edhe veteranët Xheladin Pjeça dhe Ylber Daci.
Vendin e parë në këtë veprimtari e zuri Mentor Mela, ndërsa të dytin dhe të tretin, përkatësisht Shpend Erbeli dhe Arbër Ambari.
Veprimtaria tjetër e radhës është më 18 korrik, e cila quhet “DibraTriathlon”, ku do të ketë gara në tre disiplina: not, vrap dhe çiklizëm. Më datat 24 e 31 korrik dhe 7 e 14 gusht do të ketë veprimtari me fokus “Të mësojmë të jetojmë së bashku”, ku do të ndërthuren punime të përbashkëta të fëmijëve që vijnë nga SHBA, Europa, Shkupi, Prishtina e Tirana.
Në fund të këtij muaji, më 30 dhe 31 korrik do të organizohet një kampionat basketbolli “Street Ball”, ndërsa më 1 gusht do të festohet 100-vjetori i Klubit Sportiv “Korabi”.
Nga data 3 deri 7 gusht, për disa ditë me radhë do të organizohet një turne minifutbolli. Më 6 gusht do të mbahet në sheshin “Skënderbej” maratona me këngë popullore “Këngë moj”. Në nga veprimtaritë e përvitshme do të jetë ecja në mal, me moton “E duam Dibrën”, ku këtë vit destinacioni final është mali i Korabit.
Veprimtaritë e organizuara do të mbyllen me 20 gush me një turne tjetër tenisi.
Organizatorët, përmes këtyre veprimtarive, kanë qëllim që të gjithë dibranët të shohin mundësinë që këtë sezon veror të kalojnë në Dibër dhe përmes veprimtarive të përbashkëta të njihen më shumë me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë përvojën, miqësinë dhe përmes këtyre veprimtarive të synojnë një rigjallërim të jetës sociale dhe ekonomike në qytetin e Dibrës së Madhe.
Për më shumë informacione mund të ndiqni në Facebook njoftimet e herëpashershme që nxjerr Shoqata Atdhetare “Dibra” me qendër në New Tork. (facebook.com/shoqataatdhetaredibra)