Ndahet nga jeta Qemal Kërkuti, mësues i mijëra nxënësve


Qemal Kërkuti u nda nga jeta më 17 qershor 2021. Qemali u nda nga familja, djemtë dhe vajzat dhe nipërit e mbesat, nga miqtë e shokët e tij duke lënë në dëshpërim të thellë gjithë ata që kanë jetuar dhe punuar me të.
Qemal Etem Kërkuti ka qenë mësues nga brezi i vjetër që ka lënë gjurmë në arsim në zonën e Maqellarës, për cilësitë e tij të larta si edukator dhe drejtues i aftë, që për 41 vjet la gjurmë të thella në brezat e nxënësve të tij. Do të mbetet i pashlyer në breza kontributi i tij në të gjithë zonën e Maqellarës si mësues i talentuar, si drejtor e nëndrejtor në shkollën “Hamdi Lleshi” Majtarë dhe në shkollën e Maqellarës deri sa doli në pension në vitin 2000.
Ai lindi më 1942 në Çernenë të Maqellarës në një familje me tradita të vyera patriotike. Xhaxhai i tij ra dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare duke dhënë jetën për çlirimin e Tiranës në nëntor 1944. Jeta e Qemalit është një shembull plot krenari për familjen e tij, për shokët dhe dashamirët. Pasi mbaroi shkollën pedagogjike punoi si mësues në Maqellarë dhe drejtues më 1964 në shkollën e Majtarës, pastaj mbaroi studimet në degën gjuhë – letërsi në Institut, dhe punoi deri sa doli në pension.
Qemal Kërkuti do të mbetet në memorien e kolegëve të tij si mësues shumë i përgatitur që me metodat e tij e bënte tërheqëse dhe të dashur gjuhën shqipe dhe letërsinë. Udhëhiqte me shembullin e tij personal punën në shkollë, ishte aktiv në tërë veprimtarinë mësimore dhe edukative, ishte gjithmonë i papërtuar duke ndihmuar me shembullin e tij tërë shokët dhe shoqet mësues dhe edukatore. Ai së bashku me bashkëshorten e tij, Lirie Kërkutin (Goxhi), ndarë nga jeta pak më shumë se 1 vit më parë, është çifti model i mësuesve në zonën e Maqellarës që me punën dhe shembullin e tyre u bënë shumë të shtrenjtë për të gjithë kolegët e tyre.
Qemal Kërkuti ishte jo vetëm mësues i zoti, por dhe një veprimtar i tillë që dha shembull në ngritjen social-kulturore, artistike dhe sportive në vitet ’60 – 90’. Kjo ishte një veprimtari që e bëri të shquhej dhe si artist, dhe si futbollist, edhe si veprimtar në të gjithë fushat e jetës në atë periudhë kur Maqellara shquhej në Dibër në këto aktivitete me shumë vlera.
Qemal Kërkuti, mjeriu që mësoi me qindra nxënës në zonën e Maqellarës, do të mbetet në kujtesën e brezave . Ai do të jetë shembull krenarie për familjen e tij, për vëllezërit dhe motrat, për fëmijët dhe nipërit dhe mbesat që la pas. Jeta dhe vepra e tij do të kujtohen përgjithmonë nga të gjithë.
Le të prehet i qetë në pafundësi mësuesi i shquar Qemal Kërkuti duke lënë shembullin e bukur të Edukatorit me shkronjë të madhe.

Ramazan Ilnica, Shahin Lazri, Qamil Sula, Neki Osmani, Baudin Strazimiri, Petrit Myftari, Skënder Pahumi, Avni Gjoni, Ruzhdi Keshi, Hajri Xhili, Jeton Tafçiu, Jonuz Duka, Ramazan Piku, Zabit Lleshi, Islam Uka, Artan Kerkuti