Personaliteti i Hafiz Xhemal Mullait


Është e bukur që në këto ditë aktiviteti përkujtimor të kujtosh ato vite të bukura mësimi plot nostalgji me mësuesin e nderuar të Kuranit Hafiz Xhemalin. Në vitet e shkollimit në Medresenëë e Tiranës, orët e mësimit më mbresëlënëse ishin ato me mësues Hafiz Xhemal Mullai. Momentet mësimore që kalova më të, kanë qenë e kanë mbetur vazhdimisht pjesë e jetës time, kuptimi i punës dhe i ndjesive të mia, që edhe sot i kujtoj me dashuri, mallëngjim e respekt.
Ka kaluar një kohë e gjatë prej 65 vitesh, të shkëputur nga orët mësimore prej tij, por duke u vënë sot në rolin e nxënësit, shpreh respekt të veçantë për këtë mësues që ma bëri të dashur Kuranin në zemrën time. Falë tij, unë kuptova se vërtet mund të sjell diçka të bukur në mënyrën e të kënduarit të Kuranit. Nuk mund të harroj kënaqësinë që më fali në vitet e mukabeles si Hafiz në xhaminë e Pazarit të Ri (Kokonozi) për katër vite me rradhë mbresa të cilat janë të gjalla edhe sot.
I veçantë do të mbetet për mua kursi i specializimit në Universitetin El-Az-Harit në Kajro të Egjiptit, kur isha mësues në Medresenë e Tiranës, me rihapjen e saj kur erdhi në pushtet demokracia. Ishte viti 1993, në provimin e Kuranit dallohem më i miri në tërë grupin e specializimit. Doktori i Kuranit në mes të auditurës më tha: “Cili doktor t’a ka mësuar Kuranin?” Unë ju përgjigja: “E kam mësuar nga doktor Hafiz Xhemal Mullai”. Kur doktori u foli të pranishëmve për jetën, aktivitetin dhe personalitetin e Hafiz Xhemalit, kjo ishte krenaria më e madhe për mua. Sepse përpara meje ka qëndruar një personalitet, që me potencialin e tij në fushën e Kuranit më ka mësuar dhe imponuar respektin dhe kulturën e të kënduarit të Kuranit. Hafiz Xhemali ishte një personalitet i mirëinformuar me një kulturë poliedrike, me imagjinatë të lartë, me ndjeshmëri dhe vizion për mësimin e Kuranit, e veçanërisht për memorizimin e tij.
Ora e mësimit me Hafiz Xhemalin, paraqitej si një orë shpirtërore, ku të gjithë japin e marrin nga njeri tjetri, sepse në krye qëndronte specialisti mësimdhënës, që menaxhonte në mënyrë të harmonizuar të gjitha hallkat e mësimdhënies. Sjellja e tij i jepte autoritetin e mësuesisë në përmbushjen e misionit edukativnë shkollë dhe si qytetar jashtë saj.
Hafiz Xhemali ishte një personalitet me virtyte e cilësi shpirtërore që rrezatonte energji e gjallëri, dhe me këtë sfidonte dhe moshën e tij. Mësimi i tij ishte i shenjtë sepse përçonte tek nxënësit me saktësi mesazhin Hyjnor. Me përkushtimin e tij në orën e mësimit ai ishta konkret, praktik dhe i drejtpërdrejtë. Nuk i ndante aftësitë e tij të mësimdhënies me ato edukative dhe për këtë kishte futuar nderin, prestigjin dhe dinjitetin e autoritetin personal. Ishte shembull pozitiv për nxënësit, i paanshëm dhe objektiv, i drejtë dhe real në rraport me kërkesat ndaj nxënësve. Me ne ai përfaqësonte mirësinë, dashurinë, harmoninë, respektin, mirësjelljen dhe optimizmin. Nuk u dëshpërua asnjëhherë dhe nuk e humbi shpresën me nxënësit që paraqisnin dobësi, por punoi me zell e dashuri me ta. Ishte këmbëngulës e i aftë për të qenë gjithmonë i arsyeshëm dhe i matur në veprime me nxënësit.
Personaliteti i Hafiz Xhemalit reflektonte dhe në pamjen e tij të jashtme. Thjeshtësia e tij shoqërohej me pastërtinë dhe elegancën. Stili i veshjes me hijeshi ishte shembull që edukonte. Reflektonte vlera të mirëfillta njerzore, sepse u përpoq të kultivojë tek nxënësit humanizmin dhe solidaritetin që janë pjesë e domosdoshme e karakterit të një besimtari. Hafiz Xhemali zotëronte disa gjuhë të hueja, vecanërisht arabishten që është gjuha e Kuranit. Kultura gjuhësore përbënte një aspekt të rëndësishëm të personalitetit të tij si mësues i Kuranit, që vlerësohej si bazë në zhvillimin intelektual, emocional e shoqëror për nxënësit e tij. Gjuha arabe është elementi bazë i mësimit të Kuranit. Nëpërmjet një pune sistematike na mësoi se si të shqiptojmë shkronjat e fjalës, bukur e pa gabime. Jo vetëm kaq por ai e përqëndronte vëmendjen dhe në zotërimin e normave dhe rregullave të texhvidit, dmth në shqiptimin e drejtë të shkronjave dhe muzikalitetin e tij.
Një formim i tillë i jepte prsonalitetit të tij një forcë të madhe që dallohej për individualitetin, nga këndimi melodioz, me aërin kumbues të mbrekullueshëm, që shërbenin si model jo vetëm për nxënësit por për të gjithë teollogët vendas. Ai zotërontë “shtatë mënyrat” e këndimit të Kuranit pasqyruese të përdorimit të ndryshëm në kohën e shpalljes përfshirëse të varieteteve në shqiptim, madje dhe me pak dallime në leksik. Fjala “Elkiraet” që shumësi bëhet kira’at rrjedh nga fjala ka’ra’a, që do të thotë “lexim, këndim” nga ku vjen dhe fjala “Kuran”. Është një emër parafoljor , që dotë thotë “Këndim”.
Hafiz Xhemali ishte i vetmi nga teologët shqiptar që lexonte Kuranin në përputhje me gjuhën (gramatikën ) arabe pa asnjë të metë. Ai respektonte texhvidin në Këndimin e Kuranit. Tregonte qetësi, përulje dhe respekt gjatë këndimit. E shoqëronte me një zë të bukur dhe respektonte rregullat e texhvidit, që do të thotë e zbukuronte me një shqiptim të plotë e të duhur të gërmave të ndryshme në vende të ndryshme. Punë të veçantë bënte me grupin e nxënësve që ishin përfshirë në memorizimin përmendësh të Kuranit.
Ai është i vetmi në historinë e Medresesë së Tiranës, si mësues i lëndës së Kuranit. Për çdo etapë të orës së mësimit, ai zbulonte botën shpirtërore të nxënësve dhe provonte aftësitë dhe shprehitë e secilit. Pikërisht këtë e bënte me përzgjedhjen për t’i inkuadruar disa individë në memorizimin përmendësh të Kuranit, për të përgatitur si hafizë të ardhshëm, pjesë e të cilëve u bëra edhe unë. Në këtë mënyrë ai ishte i suksessshëm në orën e mësimit, duke qëndruar pranë secilit duke ndihmuar në artikullimin e fjalëve dhe shqiptimin e bashtingëlloreve. Ndikimi i tij psikologjik me taktin pedagogjik bënte që nxënësit e grupit të hafizëve të përvetësonin mirë mënyrën e këndimit të Kuranit.
Hafiz Xhemali ushqente edhe nxënësit e tjerë me frymën e ambicies për t’i edukuar me dëshirën, që edhe ato të mësonin sa më shumë pjesë përmendësh. Personaliteti i tij si mësues i Kuranit ishte në një shkallë të lartë, sepse shquhesh si një drejtues e organizues i mirëfilltë i proçesit mësimor. Zotëronte një kulturë të përgithshme teologjike, por mjaft i thelluar në njohjen e Kuranit. Pikërisht , kjo e bënte atë që të ishte shumë i përgatitur nga ana pedagogjike, didaktike e metodike. Nga ana tjetër pasioni për punën me nxënësit, dashurinë dhe respektin për personalitetin e tyre, kompletonin figurën e nderuar të personalitetit të tij si mësues.
Ai zotëronte shprehitë dhe mjeshtërinë e orës së mësimit të Kuranit, që ishte çelësi i suksesit të tij si “Hafiz” dhe mësues i Kuranit. Metodat e përdorura prej tij përmbanin shumë elementë ku përfsshihej jo vetëm marrja e njohurive teknike të leximit të Kuranit, por kjo e gërshetuar ngushtë me zbatimin në praktikë nga çdo nxënës. Kjo e bënte mësimin mjaft tërheqës dhe frutdhënës. Gjatë demostrimit të tij në leximin e pjesëve të Kuranit, atë e dominonte faktori psikologjik, përfshihesh në gjendje emocionale, që i jepnin atij siguri e përgjegjësi specifike për artikullimin e cdo shkronjee fjale. Intelegjenca dhe aftësia mendore kishte arritur te ai, që të kontrollonte funksionin e kujtesës në memorizim të plotë të Kuranit dhe të gëzonte titullin “Hafiz”. Aftësinë e inteligjencës e shkrinte dhe te muzikaliteti i Kuranit, mënyra intuitive e shqiptimit dhe improvizimit si dhe ndjenja e ritmit. Të gjitha këto, nëpërmjet një mësimdhënie sistematike e bënin Hafiz Xhemalin shumë të dashur për nxënësit dhe të respektuar nga teologët.
Hafiz Xhemali ishte një teolog i mirëfilltë dhe jo rastësisht Universiteti Teologjik i Stambollit, ku ai u diplomua e emëroi pedagog të saj, si dhe anëtar të Gjykatës Islame, me qënëse ishte diplomuar dhe në jurisprudencë.
Fillimi i vitit 1924, Hafiz Xhemalin e gjen në Shqipëri, deputet të Dibrës në Kuvendin Kushtetues, propozuar nga shqiptarët e Turqisë, në një kohë kur gjendja politike e vendit ishte shumë e acaruar. interesat e Atdheut e sjellin në Shqipëri për të punuar në vendin e tij. Ai erdhi kur u mblodh Asambleja Legjislative Kombëtare, ku për herë të parë zgjidhet Nën Kryetar i saj dhe merr pjesë në përpilimin e ligjeve themelore të Shtetit Shqiptar. Personaliteti i Hafiz Xhemalit kishte përmasa më të gjëra se sa personaliteti i një mësuesi në Medresenë e Tiranës. Për kontributin e tij për Kombin dhe mos pranimin e pushtimit nga Italia fashiste, internohet për 5 vite në Itali. Edhe këtu do të tërhiqte vemendjeen e banorëve të Bergamos. Ai nuk hoqi dorë nga Kurani. Lexonte dhe këndonte dhe ato që e dëgjonin zërin e tij kumbues e melodioz mallëngjeheshin dhe i bënte të nxirrnin lot. Ata e Konsideruan atë njeri të shenjtë dhe i drejtuan lutje Papës që të ndërhyntë për t’a liruar para kohe nga internimi.
Kur u kthye në Shqipëri përjetoi një persekutim të dytë nga regjimi komunist, duke i sekuestruar shtëpinë dhe gjithçka kishte. Komuniteti Musliman, duke parë gjendjen se si përfundoi ky personalitet me vlera kombëtare e mori mësues në Medrese në moshën 63 vjeçare.
Për pedagogun e nderuar Hafiz Xhemali, mund të flasim pambarimisht, se si e drejtonte mësimin e Kuranit, orën e tij mësimore, personalitetin e tij që vinte nga një pedagog i Universitetit Teologjik të Stambollit, mendimet dhe personalitetin e tij si Parlamentar, si anëtar i Gjykatës Islame, si kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” të shqiptarëve të Stambollit, drejtues i gazetës “Paqja” dhe ngritës i flamurit të Shqipërisë në Stamboll më 28 nëntor 1912.
Një personalitet i tillë mbeti në hije për shumë kohë deri sa do të vinte demokracia dhe në vitin 2016, mori vlerësimin nga Presidenti i Republikës me titullin “Nderi i Kombit”. Edhe sot ky aktivitet do të shërbejë si homazh për kontributin e tij kombëtar, gjatë gjithë jetës e në përjetësi.
Tiranë qershor 2021