Kongresi i Dibrës, kongresi i zgjimit të ndërgjegjes sonë kombëtare


 

Nga Sakip Cami

Kongresi i Dibrës u mbajt nga data 23-29 korrik 1909. E veçanta e këtij kongresi është se ai organizua nga xhonturqit për qëllimet e tyre, për të shprehur afërsinë e shqiptarëve me turqit dhe u kthye në një kongres proshqiptar falë këmbënguljes së shumicës së delegatëve shqiptarë. Fakti që Kongresin e organizuan xhonturqit, debatet e ashpra të zhvilluara gjatë punimeve të tij kanë lënë të hapur shtegun për një interpretim jo të saktë të vendimeve të dala prej tij. Por në fakt Kongresi i Dibrës ishte kongresi i zgjimit të ndërgjegjes sonë kombëtare për pavarësi nga Turqia.
Të vërtetën historike e thotë me argumenta diplomati britanik Josef Suajr, dipomat bashkëkohës në Perandorinë Osmane në librin e tij:”Shqipëria, ngritja e një mbretërie” SHB Dituria, 2005 (botuar për herë të parë në vitin 1929 në Londër nga Uilliam & Norgate ltd. Në faqet 92 – 93 të këtij libri ai shkruan:”Gjatë vërës së vitit 1909 turqit e rinj, konstatuan se Komiteti Nacionalist Shqiptar kishte propozuar të mbahej një konferencë, për të diskutuar probleme me rëndësi kombëtare. Pas kësaj ata morën nismën dhe mblodhën në fund të korrikut në Dibër një kongres ku thirrën përfaqësues të të gjitha rracave të Turqisë Europiane, me synimin që t’i manipulonte punimet e kongresit, në atë mënyrë që përfaqësuesit, midis tyre shqiptarët, të mund të bindeshin të pranonin otomanizmin që parashikonin turqit e rinj, ndërmjet tyre Njazi Beu, e rregulluan që të zgjidheshin si përfaqësues në kongres dhe u përgatit një listë vendimesh, miratimin e të cilave , turqit e rinj shpresonin ta miratonin pa diskutime. Por ata përsëri e nëvleruan forcan e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve dhe shumë pak kohë pas hapjes së kongresit , elementi shqiptar fitoi kontrollin e plotë të punimeve. Delegatët e mbledhur në Dibër zgjodhën nga rradhët e tyre 8 përfaqësues për seicilin nga 5 vilajetet e Turqisë në Europë. Këtë 40 delegatë pranuan raportin që kishte qenë përgatitur nga turqit dhe pastaj nisën të fusnin klauzola dhe amenamente shtesë që nuk ishin aspak në harmoni me poltikën e turqve të rinj. Në veçanti shqiptarët kërkuan që të kishte drejtësi në gjykata, që në shqipëri të ngriheshin shkolla shqiptare, që pushteti i këshillave të përgjithshëm të vilajeteve të ishte më i gjërë, që qeveria të ndërtonte rrugë etj.”
Krerët e Komitetit “Bashkim e Përparim” gabuan rëndë në llogaritë e veta, kur e caktuan Dibrën si qendër të këtij Kongresi. Tubimi i korrikut 1909 dëshmoi se Dibra e Madhe (Shehri) jo vetëm kishte qenë, por dhe kishte mbetur një nga vatrat më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare. Turqit harruan se pikërisht në Dibër në korrik 1844 me ekspeditën e Hajredin Pashës lanë jo pak por 12 mijë forca në fushën e luftimit se më 1 nëntor të vitit 1878, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u mblodh Kuvendi i Dibrës për të gjetur terrenin e zbatimit të vendimeve të kësaj lidhjeje që jo rastësisht kishte kryetar një dibran të madh, patriotin Iljas Pashë Dibra (Qoku). Edhe në vitin 1880 kemi përsëri një kuvend mbarëkombëtar në Dibër të Madhe. Në mars të vitit 1899, pas kuvendit të Pejës në janar të vitit 1899, mblidhet Kuvendi i Dibrës. Po kështu në tetor të vitit 1908 në Dibër u themelua klubi patriotik “Bashkimi” me një numër të madh patriotësh nga të gjitha krahinat e Dibrës dhe më gjërë. Pra ky ishte terreni patriotik që kishte në fakt Dibra , por që disa nëpunës dhe pashallarë të shitur përpiqeshin tja servirnin Dibrën, portës së lartë të Stambollit, si proturke.
Në kongres morën pjesë delegatë nga të katër vilajetet shqiptare, Janinës, Manastirit, Kosovës dhe Shkodrës. Kishte edhe delegatë nga vilajeti i Selanikut. Parë në këtë plan ky kongres ishte jo vetëm mbarëshqiptar por edhe ballkanik sepse morën pjesë përveç shqiptarëve përfaqësues nga Stambolli, serbë, maqedonas, grekë, bullgarë, arumunë (vllehë) etj. Kryetar i Kuvendit ka qenë Vehbi Dibra, i cili me 28 nëntor 1912 do të ishte edhe kryetar i Pleqësisë (parlamentit). Pritja nga qytetarët e Dibrës ka qenë madhështore.Kongresi në saj të luftës së delegatëve atdhetarë u shpall dhe vijoi punimet si kongres thjesht shqiptar. Në kongres, krahas turqishtes si gjuhë zyrtare e Parandorisë, u përdor dhe gjuha shqipe, çka u pasqyrua dhe në dokumentet përfundimtare të tij, të cilat u botuan në të dy gjuhët. Kongresi i Dibrës ka meritën e madhe se ai dëshmoi katërcipërisht, që elementi shqiptar ishte nga ana demografike dhe etnike elementi mbizotërues në zotërimet osmane në Ballkan aso kohe. Kjo, jo vetëm përsa i takonte katër vilajeteve perëndimore të Rumelisë, që bënin pjesë në konceptin territorial të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Platforma e Kongresit e parapërgatitur qysh më parë nga organizatorët xhonturq, u hodh poshtë nga shumica e delegatëve që në mbledhjen e parë të tij. Si rrjedhim, Kongresi i Dibrës, sapo filloi punimet e tij, pushoi së qeni një forum xhonturk dhe u shndërrua menjëherë në arenë të ndeshjes së qarqeve atdhetare të shqiptarëve me organizatorët e tij. Për më tepër ky Kongres, në saje të guximit dhe vendosmërisë së delegatëve atdhetarë, u kthye në tribunë të zjarrtë të parashtrimit me forcë të problemeve kardinale që shqetësonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Patriotët shqiptarë nuk u mjaftuan me kaq, por mundën, gjithashtu, që në këtë tubim të sanksiononin, qoftë dhe në formë të moderuar, kërkesa që objektivisht çonin në drejtim të hapjes së rrugës për realizimin e autonomisë së Shqipërisë.
Kongresi u shndërrua në një forum vendimmarrës i shqiptarëve përballë pushtetit xhonturk dhe në praninë sa autoritare po aq dhe aktive të përfaqësuesve të tij. Me këmbënguljen e delegatëve atdhetarë tubimi i vijoi punimet dhe mori vendime shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë.
Prof Zekeria Cana në librin e tij “Lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë 1908-1912” faqe 61 thekson se me kërkesën e përfaqësuesve shqiptarë patriotë u hoqën nga programi disa formulime dhe u aprovua versioni i ndryshuar që përmbante një varg kërkesash ekonomike dhe kombëtare si:1) ndërtimi i hekurudhave dhe tharja e kënetave moçalike 2) mësimi i njohurive moderne, 3) Hapja e shkollave fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe, 4) ndarja e shkollës nga kisha dhe xhamia, zhvillimi i ceremonive fetare në gjuhën amtare, 5) njohja e zakoneve dhe e gjuhës shqipe nga na e pushtetit shtetëror, 6) vendosja e regullit në sistemin e rekrutimit në ushtri.
Kërkesa të tilla si ajo që nëpunësit të dinin gjuhën dhe zakonet e vendit, futja e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, kryerja e shërbimit ushtarak në vend nuk përbënin një fitore të vogël për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Kongresi atyre iu dha një forcë vendimore me peshë shumë të madhe, sepse në të përfaqësoheshin të gjitha krahinat e vendit dhe të gjitha forcat politike shqiptare të të gjitha krahëve. Që nga Lidhja e Prizrenit, asnjë tubim masiv i tillë i shqiptarëve në vend nuk kishte arritur t’i parashtronte kërkesa të tilla me karakter të theksuar politik autoriteteve osmane.
Vendimet e Kongresit nuk u botuan me alfabetin turko-arab, por me alfabetin latin të miratuar në Manastir.