Një rrëfim për Shaqir Kaloshin (1920-1993) përmes kujtimeve të autorit dhe rrëfimit të vëllait, Fehmi Kaloshi, në librin e tij “Përplasje me egërsinë e jetës”
Saga e familjes Kaloshi, nga koha e Mbretërisë së Zogut deri në rënien e komunizmit, një kalvar i gjatë luftërash dhe përpjekjesh për drejtësi dhe mbijetesë.
Nga Xhafer Martini
Për Shaqir Kaloshin nga Sina e Dibrës së Poshtme, gjithnjë kam pasur një mendim të përveçëm si burrë trim e besnik, me karakter të fortë. E kam njohur personalisht në një mexhelis burrash. Fliste ngadalë e qetë, por fjala i zinte vend, prandaj burrat e dëgjonin me shumë vëmendje dhe i jepnin rëndësi fjalës së tij. Pozita e tij politike ishte fort e lëkundur, madje fare në zgrip, por populli në përgjithësi dinte t’i nderonte figura të tilla dhe i mbështeste sa kishte mundësi. Populli e kishte konceptin e të qenurit opozitar me sistemin, sadoqë që fjala opozitar nuk njihej e nuk përdorej. Shaqir Kaloshi ishte djali më i madh i Selim Sulë Kaloshit të Sinës; ky kishte edhe dy djem të tjerë, Eminin dhe Fehmiun. Të tre vëllezërit ishin, si thotë ajo fjala e urtë: “bamë babë të të ngjajë”.
Selim Sulë Kaloshi u vra nga komunistët pas një gjyqi qesharak dhe të nxituar. Vendimi gjyqit që e dënoi me vdekje, u ekzekutua të nesërmen. Nuk bëhej fjalë për apelim dhe dukuri të kësaj natyre, se ajo ishte një drejtësi plotësisht e komanduar. Vendimi ishte marrë para se të fillohej gjyqi. Arsyeja e vërtetë pse e dënuan ishte kjo: e dinin që ai ishte antikomunist, patriot i vërtetë, ithtar i Shqipërisë Etnike. Por si shkak i nxorën “pjesëmarrjen në Luftën e Gjormit bashkë me Halil Alinë”, në dhjetor – janar 1941-42, ku Halil Alia vrau Qazim Koculin. Selim nuk kishte qenë me Halil Alinë asnjë ditë. Kishte qenë Selim Xhetan Kaloshi i Kandrrit. Për këtë dilnin dëshmitarë gjithë dibranët që e dinin fort mirë ngjarjen. Por trupi gjykues nuk pranoi asnjë dëshmitar: ti ke qenë me Halil Alinë dhe mbaroi kjo punë. Ndryshe si do ta dënonin me vdekje?! Për vrasjen e Qazim Koculit, të afërmit e tij, në Tiranë u bënë atentat më 29 maj 1943 Halil Alisë dhe Seilm Xhetan Kaloshit. Atentati konfirmohet edhe nga ministria e Drejtësisë , e cila bën me dijeni Kryeministrinë, për shak se në përplasje me armë mbeti i vrarë edhe një karabinier italian dhe u plagosën disa persona të tjerë. (AQSH, fondi 249, viti 1944, dosja I-450, f. 355)
Po le të shkojmë tek ngjarjet e Luftës. Kaloshët qenë në fillim me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Ata në saj të trimërisë arritën pozita komanduese në ushtrinë nacionalçlirimtare. Por, kur mbaroi lufta “u divorcuan” nga PKSH dhe komunistët dhe dolën në mal. Arsyeja kryesore qëndron në faktin se e panë qartë që Enver Hoxha nuk do ta ndante pushtetin me askënd, pra, nuk do të kishte as pluralizëm, as demokraci. I pari doli në mal Cen Elezi, pastaj djemtë dhe nipat e tij. Por Kaloshët e Ndretë ishin të lidhur me njeri-tjetrin me nipa dhe mbesa të shumtë. Disa prej Kaloshëve, si: Murat Kaloshi, Selim Sulë Kaloshi, Haziz Kaloshi gratë i kishin bija të Ndreve. Ndër Kaloshët e Sinës që u arratisën e dolën në mal, ishin edhe Selim Sulë Kaloshi me të bijtë. Shaqir Kaloshi bashkë me të atin, Selimin, qëndroi disa vjet në mal. Në vitin 1946 u dorëzua. E dënuan me dy vjet burg. Kur doli nga burgu, iu nënshtrua një persekutimi të gjatë dhe të vazhdueshëm, por natyrë stoike dhe punëtor i madh, i bëri ballë jetës me nder dhe krenari.
Por puna e do që të hidhemi në të kaluarën. Zogu, me të marrë pushtetin në Shqipëri, filloi të ndikojë tek paria, sidomos tek paria e Veriut që ata t’i linin hakmarrjet e gjakmarrjet, karshillëkun dhe rebelimin dhe t’i kanalizonin energjitë në dobi të shtetit të ri. Për këtë qëllim Zogu në vitin 1925, organizoi në Tiranë një kongres ku morën pjesë 350 bajraktarë dhe përfaqësues të malësisë së Dibrës, të Shkodrës, Kukësit. Nga paria e Dibrës në këtë kongres morën pjesë Murat Kaloshi, Tafë Kaziu, Selim Xhetan Kaloshi , Selim Sulë Kaloshi dhe të tjerë. Për këtë veprim të zgjuar të Zogut ka pasur vlerësime të mira. Mit’hat Frashëri kapi esencën e veprimit të Zogut, i cili bëri që “Lokalizma dhe kantonizma t’i lënë vendin patriotizmës , tendenca ndarëse dhe mërgonjëse filloi të peshojë drejt një pike të vetme ; krahinat dhe elementët që kishin kujtuar vehtësinë e tyre malore të huaj për njeri-tjetrin, nisën të mësohen dhe të ndjehen solidarë , me një fjalë, fiset të bëhen komb”. (Kthimi i Mid’hat Frashërit, Tiranë 1997, f. 24). Njeri prej atyre që i shërbeu me devotshmëri mbretit Zog ishte edhe Tafë Kaziu nga Katër Grykët e Dibrës. Ky u caktua me shërbim në Vlorë në krye të forcave dibrane për të vendosur rregull dhe qetësi fill pasi Revolucioni i Qershorit i Nolit (1924), dështoi dhe Zogu erdhi prapë në pushtet. Ishte viti 1925. Ngjarjet kishin qenë tronditëse sidomos në Vlorë ku revolucioni pati fillimet e tij. Fshatarët, të mashtruar nga ideali fallco i propagandistëve nolistë, u ngritën kundër bejlerëve, kundër atyre që i kishin mbajtur me bukë. Ndër këta kishte vërtet figura të spikatura kombëtare; njeri prej tyre ishte Syrja bej Vlora, që në kujtime e tij ka folur për vendosjen e rregullit dhe të qetësisë nga oficerët e Zogut, konkretisht nga Tafë Kaziu, i dërguar në Vlorë në krye të shumë dibranëve. Syrja bej Vlora tregon se Tafë Kaziu nuk ishte rebel e injorat, “malok”, siç i quanin veriorët, por njeri i kulturuar që vepronte në bazë të ligjit duke hyrë edhe në marrëveshje me autoritet lokale, si një mjet që do t’ia lehtësonte kryemjen e detyrës. “Një ditë të bukur dimri, – kujton Syrja bej Vlora, – më 12 janar 1925, po rrija në peristilin e hyrjes së shtëpisë sime dhe po pija cigare. Befas hapet dera e kopshtit dhe sulen brenda, në dukje shumë të tronditur dhe të trembur, rreth 100 fshatarë të rrethinave. Disa kishin dalë përpara dhe më thanë se kanë ardhur disa mijëra dibranë të armatosur, me qëllim që të plaçkitin dhe të djegin Vlorën dhe të vrasin të gjithë përkrahësit e Revolucionit të Qershorit. Edhe unë e dija se një ekspeditë e tillë po përgatitej në Tiranë. Gjysmë ore më vonë lajmi ishte përhapur gjithandej. Qindra njerëz vrapuan në shtëpinë time, mbushën kopshtin dhe oborrin duke kërkuar mbrojtje dhe siguri. Sapo kisha zënë vend në zyrë, së bashku me disa miq, vjen me nxitim një shërbëtor dhe më lajmëron ardhjen e komandantit dibran. Shkova atëherë në sallë dhe u gjeta përballë Tafë Kaziut. Ne u përshëndetëm dhe Tafë Kaziu tha me zë të lartë (që ta dëgjonin edhe ata në kopsht): “Beu (Ahmet Zogu) më dërgoi mua dhe njerëzit e mi në Vlorë për të ndëshkuar ata që të kanë fyer dhe ata që nuk të janë bindur.”
Unë vështrova buzëgaz në sytë pyetës përreth dhe kapa kuturu për jake një nga fshatarët e mi të Llakatundit, i cili qëlloi të ishte “borizani i kryengritjes”, e tërhoqa atë pranë vetës dhe e përqafova.
“Shumë faleminderit beut dhe ty, or Tafë, që menduat për mua dhe për shqetësimet e mia të vogla gjatë trazirave. Shkaktarët kryesorë të kësaj lëvizjeje të paturpshme sot nuk janë këtu dhe tani unë nuk kam më asnjë mosmarrëveshje me bashkëfshtarët dhe bashkëqytetarët e mi, të cilët në këtë ngjarje kanë lojtur vetëm një rol të dytë. Unë i kam falur të gjithë, e, në radhë të parë këta fshatarë të gjorë, të ndërsyer nga propaganda e krerëve, u sollën pakëz keq me mua.” (Syrja bej Vlora, Kujtime, Tiranë 2003)
Pasi Italia e pushtoi Shqipërinë, ajo kërkonte për të arrestuar dhe burgosur oficerët më të talentuar që i kishin sjellë shërbime Zogut. Njeri prej tyre, nga më të parët në listë, ishte edhe Tafë Kaziu. Ky, për t’i shpëtuar arrestimit dhe persekutimit të italianëve u detyrua të fshihet. Në gjithë Dibrën nuk gjeti njeri më të përshtashëm se Selim Kaloshin e Sinës, burrë trim dhe i besës që nuk shitej për flori. Hide Kaloshi, e bija e Elez Isufit, martuar me Selim Sulë Kaloshin e Sinës, tregon për Tafë Kaziun:
“Tafa kishte qenë i detyruem me u fshehë herë këtu e herë atje, mbasi kishte qenë oficer i Zogut e kishte kundërshtue me armë hymjen e Italisë në vendin tonë. Italianët donin me e burgosë. Ai kishte besim tek Selimi, prandaj vinte shpesh në shtëpinë tonë. E dinte se e ndiqte jo vetëm Italia, por ene krenët e parisë që donin me e heq qafe. Tafë Kaziu mësoi se çfarë u kishte punue Selim Kaloshi atyne që kishin dashtë me e çue drejt turpit me flori për me vramë patriotët e ndershëm. Tafa ishte i bindun se ma i sigurtë se në shtëpinë tonë nuk ishte kërrkund. Erdhi me ndejtë në shtëpinë tonë, jo ma nji natë , si mik, por me muej, se Italia e ndiqte kamba-kambës. Tafa ruhej shumë, saqë edhe familja e tij nuk e dinte se ku ndodhej. Selimi i çon fjalë djalit të madh të Tafës, Llan Kaziut, në Selishtë, e i thotë: “Mos bahi marak për Tafën, se asht shëndoshë e mirë në shtëpinë time”.
Kur Italia kapitulloi, Tafa shkoi në shtëpinë e vet dhe aty qëndroi pa u marrë ma me politikë. U sëmur dhe ra në dyshek. Kur e pa se ishte tue vdekë, i thotë djalit të vet, Hajredinit:
– Ma gjejë Llanin të vijë këtu.
Vjen Llani dhe i qëndron te koka. E kuptoi se Tafa kishte nji amant me i lanë. Tafa i tha:
– Ma ban hallall, or Llan, se kaq e pat Tafë Kaziu. Më ka ardhë fundi. Po të la nji amanet. Po u baj mik burrin ma të mirë, ma bujar e ma besnik që ka Dibra. Ky asht Selim Sulë Kaloshi i Sinës. Nuk them kështu pse më ka mbajtë me bukë, por ai asht burrë – burrash e due mue ua lanë mik. Kur unë të vdesë, çoi njeri Selim Kaloshit e t’i thuesh këto fjalë prej meje: “Ke selam prej Tafë Kaziut: Të kam ba mik sot e sa të jetë jeta. Për djalin tand të madh Shaqirin, të kam dhanë vajzën time, Vlorën (më vonë e quajtën Flora). Ata e gëzofshin njani-tjetrin e miqësia qoftë e gjatë”.
– Babë, mos u baj merak se këtë porosi do ta çoj në vend ,- i tha Llani.
Atë natë Tafë Kaziu vdiq. Nesër, pa zbardhë drita mirë, Llan Kaziu çon te Selim Kaloshi, vëllain, Hajredinin, vetë i treti. Hajredin Kaziu i tha Selimit:
– Ke selam prej babës me na pranue si miq, se baba ta ka dhanë Vlorën për Shaqirin.
– Pastë faqen e bardhë Tafë Kaziu. Si nuk e pranoj për mik?! A mund të gjejë mik ma të mirë se Tafë Kaziun?!
Selimi e njifte mirë Tafë Kaziun. Ai kishte qanë përherë atdhetar, ene pse komunistët kishin hapun fjalë sikur gjoja ai kishte bashkëpunue me serbët kundra Shqipnisë. Po çfarë të keqe i bani Shqipnisë Tafë Kaziu? Asnji të keqe. Veç i bani nji të mirë të madhe që nuk e ka ba kush: kur ushtria serbe deshi me rrafshue Dibrën e me dalë në Mirditë, me i shkue në ndihmë kapidanit të Mirditës, që kishte ngrej krye sipas porosive dhe interesave të serbëve, ai u doli para oficerëve e u tha: “Mos kaloni nëpër Katër Grikë se asht’ krahina eme. Me ba të kundërtën, mue ma nxini faqen”. Serbët ia ndigjuen fjalën e Katër Grikët nuk u prekën. Ushtria Serbe ia mbajti përmënjanë e doli në Arras. Kaq mund të bante Tafa në atë kohë.
Por le të shkojmë tek ajo që ndodhi mbasi Selim Sulë Kaloshi pranoi miqësinë me Tafë Kaziun. Hajredini i tregoi Selimit se Tafë Kaziu kishte vdekë. Selimi shkoi në mort vetë i shtati, me një ka përpara. Shkoi si mik i derës. Kështu u lidh miqësia jonë me Kaziet”.
Shaqir Kaloshi pati me Vlora (Flora) Kaziun dy djem: Tomorrin dhe Munirin. Tomorr Kaloshi ndërroi jetë herët. Qe një djalë i mrekullueshëm që i erdhi keq për të drurit dhe gurit, si thotë populli. Po japim pak strofa të elegjisë së nipit të tyre, që jeton në Amerikë, Ilir Spata, kushtuar Tomorr Kaloshit:
“Kot nuk e kishe emrin nga një mal
Mal me dashuri Zoti të kishte falë.
Kujt s’iu gjete pranë: n’të mirë e n’të keq
Rrugëve të botës tue u rropat e heq
Hidja* ku pushon do të shohë me habi
Shaqirin ta zgjojë të të presë ty.
Mes lotësh e britmash këtu na le ne
Në këtë mes qershori prehesh nën dhe.
Flora t’mbet te kryet, mbledhur sa një grusht
Qan hallet e jetës që s’ja hoqi kush
Ky çast kaq i hidhur sa shumë paska lot
Vdekja – mal me dhimbje që s’u mbajtka dot.
Mbledhë i madh e i vogël t’prekin edhe qajnë
Gazi ka ngrirë e lotët do s’i mbajnë…”
Unë kam qenë tek shtëpia e Shaqir Kaloshit. Prej duarve të Flora Kaziut kam hëngër bukë e kam pirë kafe. Vitet e kishin rënduar, por nuk ia kishin prekur aspak fisnikërinë dhe bukurinë e shpirtit. Nuk kam njohur grua më dinjitoze se ajo. Ajo i bënte nder shtëpisë ku kishte le dhe shtëpisë ku u plak dhe ndërroi jetë.
Për Tafë Kaziun kam dashur të shkruaj një monografi të plotë, por rrethanat e sollën që kjo punë e nisur, të mos shkonte më tej. Por, ndërkohë, isha takuar me ish-shokun tim të shkollës së mesme, Nazif Bodinin, arsimtar në Katër Grykë dhe me përgjegjësi të tjera në krahinë, njohës i mirë i saj. Ai më dha fjalën se do të më ndihmonte me kujtime dhe me dokumente që provonin se Tafë Kaziu nuk kishte qenë kolaboracionist, siç shpjegohej kjo fjalë në diktaturë, por patriot i ndershëm që i kishte sjellë veç të mira Shqipërisë. Por kjo punë, si thashë, nuk u krye dhe unë për Tafë Kaziun po mjaftohem me këto radhë.
Në fokus të këtij shkrimi është Shaqir Kaloshi. Ka treguar një qëndresë të madhe, të jashtëzakonshme ndaj komunizmit dhe diktaturës. Por këtë varet si e kupton, më shumë varet si e bën. Shaqir Kaloshi, por edhe vëllezërit e tij, Emini dhe Fehmiu, kanë jetuar kryelart, plot dinjitet. Qëndresa e Shaqir Kaloshit ngrihet në një parim filozofik, prandaj dua ta shpjegoj ashtu si e gjykoj dhe kuptoj unë. Kjo ka lidhje me filozofinë e të mundurit në luftë. Ky është një lloj Gandizmi shqiptar që mendoj se tek Shaqir Kaloshi pati udhëheqësin shpirtëror. “Kur mundesh në luftë, rri i mundur”, thotë populli, i cili është realist dhe në pikëpamjet e tij filozofike. Por të rrish i mundur nuk do të thotë aspak të nënshtrohesh, nuk do të thotë aspak të ulësh qafën, të turpërohesh për të kaluarën tënde dhe për luftën që bëre kundër diktaturës, nuk do të thotë aspak t’i lëpihesh diktaturës dhe ca më keq të përdoresh prej saj. Të “pranosh humbjen” do të thotë të mos i japësh asnjë mundësi diktaturës që të të godasë; të qëndrosh i heshtur dhe krenar në heshtjen tënde, ta përballosh jetesën me punën tënde, qoftë edhe shumë të rëndë, duke bërë ato punë që të tjerët, nuk i bëjnë; të shkollohesh, edhe pse e di mirë që ajo shkollë nuk do të hyjë në punë, të mos harrosh miqtë dhe dashamirët edhe kur ata janë bërë objekt i luftës së klasave dhe veçimit sikur të ishin të prekur nga kolera. Ka edhe të tjera karakteristika për të treguar “se si mund të qëndrohet” i mundur në kuptimin filozofik. Se si vepruan dhe qëndruan Shaqiri, Emni, Fehmiu (por edhe Kaloshët e tjerë), këtë mund ta shikojmë mirë dhe “ta prekim” në librin e rëndësishëm që Fehmi Kaloshi ka shkruar për periudhën që kaloi nën diktaturë ai, vëllezërit, miqtë e dashamirët e tij. Është fjala për librin: “Përplasje me egërsinë”, kujtime, Tiranë 2023, shtëpia botuese M&B. Ky nuk është libër thjesht për Fehmiun, as vetëm për Kaloshët. Është libër për inteligjencën shqiptare, për atë pjesë të saj që nuk iu nënshtrua diktaturës; për atë pjesë të inteligjencës që sakrifikoi shumë, gjithçka, për t’u arsimuar, sepse, pavarësisht se ç’thuhej nga propaganda komuniste, konkretisht ata ishin të përjashtuar nga arsimi, u lejohej veç fillorja, arsim i detyruar i asaj kohe që kishte të bëjë me zhdukjen e analfabetizmit. Shkallët e tjera të arsimit ishin si të ngjiteshe në majën e Korabit.
Në pasazhin që do të japim më poshtë nga libri i Fehmiut do të shikojmë sakrificat e tij dhe të shokëve të tij për t’u arsimuar. Libri është shkruar me realizëm dhe vërtetësi të madhe, pa lajle e pa lule, me stil energjik dhe të fuqishëm duke krijuar tablo të rënda dhe emocionuese se në art edhe e keqja, e pështirosura, e tmerrshmja janë burim emocionesh. Kjo është karakteristikë e artit. Kur gjermanët në Luftën e Dytë Botërore pushtuan Parisin, hynë edhe në një studio të një piktori të famshëm dhe ia ngulën sytë një tabloje ku shikohej skuadra e pushkatimit përballë patriotëve. Në fokus ishte vënë skuadra e pushkatimit që kishte qëndruar shumë afër atyre që do të pushkatoheshin saqë flakët e pushkëve preknin pothuaj gjokset e të ekzekutuarëve. “Kjo është tabloja juaj?” – e pyetën piktorin gjermanët. “Jo, kjo është tabloja juaj”, – u tha piktori gjermanëve.
Fehmiu është treguar mjeshtër duke dhënë tablo rrëqethëse, imtësi dhe detaje që të emocionojnë përmes llahtarës që shprehin. Një prej këtyre tablove ai e jep me paraqitjen e dhomës ku jetonin. Kishte të tjerë që jetonin në kasolle me kashtë nëpër rrugë të ndryshme të Peshkopisë për të ndjekur pedagogjiken, e vetmja shkollë e mesme në qytet në atë kohë. Unë këtë e kam dhënë me dhimbje dhe vërtetësi në librin tim “Pedagogjikasit”, Tiranë 2008. Fehmiu dhe shokët e tij, nga kjo anë, ishin “të privilegjuar” se u kishin dhënë një dhomë. Po si ishte dhoma që ua kishin liruar? Këtë e tregon Fehmiu:
“Kur isha në vitin e tretë (të shkollës pedagogjike) na dhanë gjoja një dhomë për të jetuar aty. Dhoma ishte në katin përdhes, por kishte lidhje hidraulike, tubacionesh dhe ku di unë se çfarë me banjot e shkollës që i kishim ngjitur. Dhoma ishte e vogël, por aty ne ishim rrasur gjashtë vetë me krevat marinari, një poshtë e një lart. Përveç meje në atë dhomë flinin dhe jetonin edhe Aqif Kaloshi e Muharrem Kaloshi, nga Sina; Ajet Mahmut Ndreu, Petrit Xhetan Ndreu nga Sllova; Hamit Hoxha nga Arrasi. U thye vija e spitalit dhe dhoma jonë u mbush një metër me ujë. Por uji kishte pushtuar edhe nevojtoret e shkollës dhe në dyshemenë tonë dhe në gjithë korridorin e nevojtoreve notonin fekalet që me t’u pështirosë. U dyndëm duke vjellë. Unë kisha vënë një stol të lart gati një metër dhe mbi të një darrasë pesëpontshe si një urë ajrore që lidhte krevatin me derën. Por më në fund edhe kjo nuk funksioni se uji vinte duke u shtuar dhe kakat e thata, më falnin për shprehjen, notonin në dhomën tonë. U ngujuam nëpër krevat lart duke qenë të sigurt që uji e pisllëku nuk do të na arrinin. Kur vija e thyer u rregullua, uji filloi të pakësohej. U pakësua aq shumë sa mbeti vetë llumi i ndyrë sa kujtoje që nuk je në një dhomë ku jetonin ata që do të bëheshin mësues, por në një nevojtore që nuk është pastruar kurrë. Gratë e konviktit dhe disa punëtorë të komunales kishin filluar punën për pastrimin e korridorit dhe nuk pushonin duke hedhur kova me ujë të pastër që ta shtynin ujët e ndotur drejt nevojtoreve të shkollës. Odës sonë do t’i vinte radha e fundit dhe këtë duhej ta bënim ne vet. Na e mbyllën derën që uji i pastër të mos vinte në dhomën tonë. Në këtë kohë (dhjetor 1956), troket dera dhe hapet ngadalë. Kush ishte?- do të thoni ju. Ishte Ramiz Alia, atëherë ministër i arsimit, shoqëruar nga drejtori i shkollës Astrit Hoxha dhe nga shefi i arsimit të rrethit, Selim Alliu. Ramiz Alia ishte një burrë i gjatë, i ri, simpatik, veshur me një pallto të gjatë të zezë. Në dorë mbante një çantë të zezë. Kishte vënë kollare të kuqe dhe këmishën e kishte borë të bardhë. Kur pa dhomën tonë, iu mrrolën sytë sikur t’ia kishte veshur dikush me një shuplakë të fortë, rrudhi ballin dhe u thartua në fytyrë. Tiparet iu shformësuan.
– Ku jemi këtu, ku jemi këtu?- pyeti me zë të ulët, por të egër.
Po dukej mirë se ku ishim, në një dhomë konvikti mbushur me baltë dhe muta. Unë, edhe pse drejtori i shkollës dhe shefi i arsimit ishin shkaktarë të mjerimit tonë, për t’i lehtësuar disi nga përgjegjësia, thashë:
– Shoku Ramiz, ne jemi nxënës të jashtëm, nuk jemi konviktorë.
– Si kafshët, si kafshët, si kafshët, – tha ai tri herë dhe pastaj shtoi: – Kështu nuk jetojnë as kafshët.
Shoqëruesve të tij u ra gjaku në fund të këmbëve dhe nuk e deshën veten për të gjallë.
Ramiz Alia nuk qëndroi as gjysmë minuti por bëri nga dera për të qenë sa më larg asaj skëterre. Kur ne, fakirat, mbetëm vetëm si gjela të lagur majë gardhit, thamë:
– Më në fund do të na japin një dhomë në katin e dytë.
Por dhomë në katin e dytë nuk na dhanë as atë vit dhe as vitin tjetër.”
***
Nuk është një tablo realiste dhe aq: është një tmerr, ndonëse pa gjak dhe pa kufoma. Ajo më e bukura dhe më e çuditshmja qëndron në faktin se Fehmiu e gjen shkaktarin e vërtetë të këtij (Ramiza Alia), që u bë dhe kryetar shteti dhe që mbeti si “sulltani i fundit” i diktaturës Hoxhiste. Në atë dhomë brenda një minuti pati një shfaqeje dhe ballafaqim epokal. Fehmi Kaloshi e pru atje Ramiz Alinë që ai ta shikonte me sytë e vet tmerrin që kishte krijuar partia e tij dhe i t’i thoshte ashtu si piktori u tha gjermanëve: “Kjo është vepra juaj, jo imja”. Varet çfarë zgjedhe nga realiteti për ta pasqyruar në vepër. Zgjedhja siguron suksesin. Jo çdo gjë që shikojmë dhe përjetojmë bën për librin. Çdo libër është një përzgjedhje, një seleksionim, një filtrim.
Tablo emocionuese ka plot në këtë libër. Fehmi Kaloshi, mbasi përjashtohet nga arsimi, ku pati punuar me përkushtim dhe dijeni, shkon të nxjerrë bukën e gojës në tmerrin e tmerreve, në minierën e Spaçit, ku sëmuret dhe e sjellin gati të vdekur në spital.
“Mbasi shkova i shëruar në fshat, kuptova se jeta për ne Kaloshët ishte rënduar më shumë. Na ndiqnin dhe na survejonin. Por, edhe ne nuk i duronim më këta komunistë që ishin bërë si bisha. Vendosëm të largohemi nga fshati, po ku të shkonim? Nuk na mbeti rrugë tjetër veçse të bëheshim druvarë. Dëgjuam se në ndërmarrjen pyjore në Skuraj, në Milot, kërkoheshin punëtorë. Atje puna ishte shumë e vështirë dhe nuk i dilte njeri për zot. Duhej të punonim 16 orë në ditë, duhej t’i ngjiteshim malit përpjetë , rrugë pa rrugë, në pikën e vapës, por edhe në borë e në shi, të prisnim lisat shekullorë me sopatë, t’i shkurtonim sa duhej, pastaj t’i ngarkonim nëpër kuaj dhe t’i zbrisnim poshtë në zhur të Pllajut ku vinin makinat dhe i merrnin. Bënim dru për zjarr dhe degë voze për prodhimin e letrës. Në këtë punë nuk isha vetëm. U organizuam si Kaloshë dhe vendosëm të instaloheshim në male, ku na dukej sikur merrnim frymë lirisht dhe jo si në fshatin tonë me komunistët në qafë. Në atë ndërmarrje erdhën edhe vëllezërit e mi: Emini dhe Shaqiri; kushërinjtë, Mediu, Lazami, Mersimi, Saliu dhe Besimi. Kishin ardhur dhe të pakënaqur dhe të përndjekur të tjerë, si Isuf Miha nga Qafë Murra. Kishin ardhur aty edhe miqtë tanë nga Mati: Nazmi Tafë Kadiu, Allamanët, Valterët e të tjerë. Formonim pothuaj një brigadë, shkonim shumë mirë me njeri-tjetrin. Ne, Kaloshët, ishim vëllezër dhe kushërinj, matjanët i kishim miq. Mbi të gjitha na bashkonte urrejtja që kishin kundër komunizmit. Kishim fituar lirinë për të folur se i besonim njeri-tjetrit. Kur ia hap zemrën dikujt, dhe ai ta hap ty, sikur ndihesh më mirë. Ne morëm me vete edhe fëmijët; djemtë e rritur na ndihmonin për të prerë drurë dhe për t’i zbritur poshtë në xhade, kurse më të vegjlit ruanin bagëtinë në mal, se, siç do ta shikojmë më poshtë, nga Sina u shpërngulëm “Me mace dhe me mi”, si thuhet. Nga fëmijët e mi kisha me vete Melihanë dhe Bekimin, më vonë erdhi dhe gruaja ime, zonja Merjeme. Emini kishte Agronin, Naimin dhe Veliun, tre djem të mrekullueshëm. Shaqiri kishte dy djemtë: Tomorrin dhe Munirin. Më kryesorja ishte Hidja- nëna ime,- që në të vërtetë ishte nëna e të gjithëve, që, ashtu si në shtëpi, merrej edhe këtu me organizimin e jetës dhe ia doli aq mirë sa thoshe se kishim vite që jetonim në malet e Milotit dhe të Pllajut. Kjo ishte një jetë çobani dhe jetë druvari, tepër e vështirë, por njëqind herë më e mirë se ajo që bënim në fshat ku sytë prej ujqërve të komunistëve nuk na ndaheshim as ditë, as natë. Gjatë muajit të dimrit punonim në zonën e Milotit, ku klima ishte më e butë, gjashtë muajt e tjerë punonim në Mbasdejë. Kishim ndërtuar stane, siç veprohet në male, për verimin e bagëtive. Në këto stane flinim, hanim dhe përgatisnim bulmetin. Ushqimi ynë kryesor në këto kushte ishin produktet e qumështit: kosi, gjiza, dhallë, gjalpi. Zienim edhe fasule. Bagëtia ishte tufa laramane me dhi, dele dhe lopë.
Dimrit, ndërsa ne burrat vazhdonim punën në male, gratë dhe fëmijët ktheheshin në fshat për të ardhur sërish në pranverë. Kjo mënyrë jetese qe më e bukura, por nuk zgjati më shumë se pesë vjetë. Ishte më e bukura se jetonim bashkë, përveç familjes tënde të vogël, kishte edhe një familje të madhe, me njerëz që i doje dhe të donin, besnikë dhe të ndershëm. Por organizata bazë e partisë e fshatit kujtoi që ne Kaloshët dhe miqtë tanë, kishim zbuluar një minierë floriri dhe vazhdonim shfrytëzimin e saj sa një ditë do të bëheshim pasanikët e botës. Filluan letrat nga organizata bazë për në qeverinë e vendit, por edhe në atë qendrore. Përmbajtja e letrave ishte kjo: Kaloshët që duhet të jetonin në fshat, nën syrin vigjilent të popullit dhe të komunistëve, kanë ngritur një jetë të re jashtë e larg fshatit, ku po pasurohen se paguhen me rrogë shteti. Lutemi qeverisë dhe partisë që këta njerëz urgjentisht të kthehen në fshat, të punojnë në kooperativë, sepse ndërmarrjet shtetërore i kemi për njerëz nevojtarë, por që nuk janë nga radhët e tyre. U shkruan shumë letra, shumica e tyre shkoi kot, pa ndonjë përgjigje dhe pa ndonjë reagim në dëm të Kaloshëve. Por njëra nga letrat i ra në dorë Mehmet Shehut , i cili urdhëroi të zbatohej kërkesa e organizatës – bazë të partisë në fshat dhe Kaloshët të ktheheshin menjëherë. Shkurt, na detyruan të ktheheshim. Ndërmarrja ku punonim do të na kishte larguar me kohë, se edhe asaj i shkonin letra, por na donte dhe na respektonte se e dinte se nuk do të kishte më punëtorë të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar ndaj punës si ne. Më në fund, me shumë keqardhje, siç u shpreh drejtori, duhet të largoheshim…”
Kaloshët i futën përsëri në darën e kooperativës. Organizata – bazë u tregua shumë mizore ndaj tyre. U jepnin punët më të vështira dhe i survejonin ditë- natë. Kaloshët u larguan përsëri prej fshatit, kësaj here vetëm burrat. I ndihmoi fati. Ngjarja qe kjo: organizata bazë e partisë, kishte dërguar një komunist për të kryer stazhin e partisë në frontin më të vështirë, në minierën e Bulqizës. Ky komunist u vra në minierë, siç vriteshin shumë të tjerë, por mbaheshin të fshehur. Nuk doli askush nga organizata e fshatit të Sinës që të zinte vendin e komunistit të vdekur që të ripërtrihej makabriteti heroik i komunistëve: një bije, mijëra ngrihen. Nuk po ngrihej askush për të shkuar drejt vdekjes. Atëherë organizata – bazë u dha leje burrave të Kaloshëve të shkonin dhe të punonin në Bulqizë. “Shkofshi e mos ardhshi”, ishte “urimi” i saj. Nga miniera u larguan vetëm kur ndërroi sistemi.
Respekti për Shaqir Kaloshin është shtuar kohët e fundit, për arsyen që do ta tregoj më poshtë. Ka dy –tri vjet që jam njohur me Zyber Ndreun, të birin e Beshir Sufës, dhe nipin e Isuf Xhelilit. Zyberi është 95 vjeç, megjithatë mbahet i fortë dhe përveçse është rënduar pak nga të dëgjuarit, pothuaj të gjitha lidhjet me jetën i ka ruajtur. Ka kaluar si shumë Ndre të tjerë, periudhën më të mirë të moshës, në internim, në Shtyllas të Fierit. Tregon shumë për atë periudhë. Unë i bëj shumë pyetje, njëra prej të cilave ishte kjo: a u vinin njerëzit e afërt për t’u parë? Kjo pyetje sikur e lëndoi Zyberin. Këtë e pashë në mimikën e tij, që, për çudi, e ka mjaft shprehëse. Pyetja ime nuk ishte pa vend sepse të internuarit në atë kohë shikoheshin si të sëmurë nga kolera ose një sëmundje tjetër shumë ngjitëse. Kur shkuam për herë të parë në Gradishtë, (viti 1966),si fakultet Filologjie për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë – Fier, e para fjalë që na thanë ata që drejtonin sektorin tonë, ishte paralajmërimi që na bënë pak a shumë në këtë mënyrë: këtu, afër vendit ku ju do të punoni, jetojnë të internuarit politikë. Të keni kujdes që t’u qëndronin sa më larg atyre njerëzve. Unë e dija se në Gradishtë ishin të internuar një pjesë e Kaloshëve, në Shtyllas një pjesë e Ndreve, sepse kështu, pak këtu e pak aty, i kishin shpërndarë nëpër kampe të ndryshme përqendrimi që të mos i kishin të gjithë bashkë.
Po le të shkojmë tek pyetja që i bëra Zyberit. Ai u prish në fytyrë dhe ata sytë që edhe sot i kanë mbetur të kaltër, të patrubulluar, nga ajo pyetje u hirnosën. Tha:
– Na kanë ardhur për të mirë dhe për të keq vetëm miqtë e mi, Uket në Pollozhan ku kisha marrë gruan. Na ka ardhur vetëm një nip prej dhjetrave që kishim. Ky ishte Shaqir Kaloshi. Vetëm ai na bëri për dajallarë, kur të tjerët nuk e dinin ku jetonim e si jetonim. Shaqir Kaloshi ishte njeri heroik dhe besnik.
Janar 2024.
* Hidja – këtu është fjala për drurin e hides që lëshon një aromë të këndshme.