Drini i Zi që zhyt e mbyt… dhe Shushica që than tokë e djeg xhanë


 

Në një tubim partiak në Athinë, drejtuesi i një partie që aspiron se “Shqipëria bëhet” foli për Lumin e Vlorës me pasion… I thashë ngre zërin për Skavicën përndryshe hap vend për 35 mijë familje që do të mbërrijnë pas katastrofës dibrane siç mbërrijnë kur u dëbuan me dhunë barbare nga serbi në vitin 1913-1922.

Nga Abdurahim Ashiku

Në Shqipëri ka rënë kolera e ndërtimeve e shkatërrimeve.
Nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim.
Po nuk u bënë bashkë shqiptarët…
Edhe për Shushicën,
Edhe për Valbonën,
Edhe për Drinin,
Edhe për Dibrën,
Edhe për bregdetin,
Edhe për hidrocentralet në rrjedhën e një “çezme”
Edhe për tokën…
“Murtaja” do të trokasë në çdo shtëpi…
Në çdo individ…

Një miku im i mërgimit: universitar në letërsi, mësues në shkollën e mesme në Shqipëri, poet, shkrimtar, publicist, dhulos në Greqi, (si dhe unë), lindur në një fshat të Lumit të Vlorës, në muzeun e të cilit shkruhet se “Tërbaçi e ka origjinën nga fshati Tërbaç i Dibrës”, më ishte qepur fort me komente në shkrimet e mia të shumta (dhe me një libër) për mbytjen e Dibrës.
Si një refren kënge të gjithë komentet e tij në thelb ishin një:
“Le të mbytet Dibra që të marrë dritë Shqipëria”.
Unë e pyesja:
“Çfarë do të thuash ti sikur në Brataj të Lumit të Vlorës të ngrihet një digë e lartë dhe uji të mbysë gjithë luginën (edhe Tërbaçin tënd) e pasqyra e liqenit të ketë breg kulmor Kuçin?”
Nuk përgjigjej.
Edhe unë nuk do t’i përgjigjesha…
Shuarja nga robi (jo nga Zoti) i vendit të lindjes, vendit ku ecur zbathur, të janë mbushur këmbët me gjemba, ke mësuar germat e para të gjuhës së nënës, vendi që një ditë e le për të mësuar dhe çdo kthim të zgjon kujtime të bukura, të dhemb kur dikush donë të ta marrë, të ta mbysë, fytin të ta thajë…
Por ja që Edi Rama “nip në Vuno” – (titull i një shkrimi tim) – nuk ka plan ta mbysë luginën e bukur të Lumit të Vlorës, luginë që e kam jetuar në verën e vitit 1962, fshat më fshat, në studim të tokave acide të Shqipërisë, e që ruaj kujtime të bukura.
Edi Rama e ka mendjen, jo ta mbysë, por ta thajë:
“Jeto tokë çarë e buzë tharë…Unë do ta marr ujin për “dajat” e mi në Vuno paçka se do të ndezë etjen e dhive dhe deleve, të pulave e lopëve, ta thajë e bëjë “kashtë e koqe”, misrin, grurin, pemët, perimet…”
Unë Dibrën e kam mbrojt dhe do ta mbroj deri sa të jem gjallë edhe pse nuk më mbytet asnjë pëllëmbë truall i paraardhësve të mi.
Edhe pse eshtrat e të parëve të mi nuk do t’i lëvizë kush nga trojet e veta.
Për mua është krimi më i madh që i bëhet një treve të lashtë, që zhyt e mbyt përgjithmonë vlera të tilla që do ta bënin krenar çdo komb të botës, vlera që janë të lidhura me Gjergjin e Gjon Dibranit – Skënderbeun.
Vlera të pa llogaritshme të lidhura me ekonominë, bujqësie, blegtorinë, kulturën, artin, të kaluarën e largët, të tashmen…
Kjo, për mos me folë për 65 kilometra katrorë tokë nga më pjelloret e vendit e mërgimin si “Çifutët në shkretëtirë” të dhjetëra mijëra banorëve…
E patën provuar egërsisht dibranët dhunën shkombëtarizuese serbe në vjeshtën e vitit 1913 kur kaluan Drinin futur fëmijët dy nga dy në koshat e kalit (sipas një interviste) e u vendosën në trojet bujare të Tiranasve.
E provuan kur, siç më shkruante Argëtim Fida, kryetar i komunës së Dibrës në Maqedoni… “… nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës dhe hidrocentralit të Shpiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet pas humbjes të rreth të 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane.
Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk do të ja dijë nëse këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencë.”
Nuk dua që Lumi i Vlorës të thahet…
Nuk dua që në çdo “çezmë” të vihen tuba e të ngrihet një hidrocentral duke tharë toka e çarë buzë njerëzore për një pikë uji në zhegun e vapës.
Nuk dua që natyra e bukur e Shqipërisë, që nga bregdeti në majën e Korabit të shkatërrohet.
Bollë e shkatërruam vendin, boll i premë dhe shkulëm pyjet, pemët, bregdetin, fushat, malet…
Në një tubim partiak në Athinë, drejtuesi i një partie që aspiron se “Shqipëria bëhet” foli për Lumin e Vlorës me pasion…
Ishte nga jugu ekstrem i Shqipërisë…
I thashë ngre zërin për Skavicën përndryshe hap vend për 35 mijë familje që do të mbërrijnë pas katastrofës dibrane siç mbërrijnë kur u dëbuan me dhunë barbare nga serbi në vitin 1913-1922.
Nuk i ngjiti fjala në vesh…
Më shkoi mendja tek një mesele e njohur…
“Thonë që dikur në vend ra një murtajë që po shuante masivisht jetë njerëzish…
Njerëzit thanë:
Ishalla nuk bie në vendin tim…
Ra duke marrë jetë njerëzore.
Ishalla nuk bie në fshatin tim- vazhduan
Ra në fshatin e tyre…
Ishalla nuk bie në familjen time – tha
Ra në familje…
Ishalla nuk më bie mua…”
Në Shqipëri ka rënë kolera e ndërtimeve e shkatërrimeve.
Nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim.
Po nuk u bënë bashkë shqiptarët…
Edhe për Shushicën,
Edhe për Valbonën,
Edhe për Drinin,
Edhe për Dibrën,
Edhe për bregdetin,
Edhe për hidrocentralet në rrjedhën e një “çezme”
Edhe për tokën…
“Murtaja” do të trokasë në çdo shtëpi…
Në çdo individ…

Shkruar më 29 shkurt 2024