Prof. dr. Ahmet Kamberi ishte një njeri i madh, i madh në madhështi
Nga Nazmi Koçi
E prita me trishtim të thellë ndarjen nga jeta të Prof. dr. Ahmet Kamberit, për të cilin sot mund të them thjeshtë që ishte njeriu i “M-ve” të mëdha.
Ishte i madh e shumë i veçantë në profesion e në shkencë ku me gjithë përpjekjet që mund të bëjë çdokush tjetër që ka zgjedhur këtë fushë në misionin e ruajtjes së jetës e përmirësimit të cilësisë së saj, është vështirë të rrokë nivele të tilla. Ishte i madh në vullnetin qytetar të realizimit të çdo detyre që iu ngarkua, të cilat i merrte me përgjegjësi të madhe e i kryente me përkushtim të pa konkurueshëm nga çdo kush e po ashtu me një fisnikëri shembullore.
Ishte i madh e i pa arritshëm në virtytet e qënies njerëzore e të shërbyesit në dobi të shoqërisë, shembull i rrallë humanizmi, pastërtie e dëlirësie njerëzore, një personalitet pa asnjë njollë e ves, me një thjeshtësi të habitshme, ku thjeshtësia dhe madhështia ishin bashkë, ishin dy dhe një, por ai fshihte çdo tendencë për tu shfaqur dhe mbeti modest,i urtë e i thjeshtë, i ditur por i pa shfaqur, me plot kuptimin e fjalës NJERI.
Në çdo pamje që ta vëzhgosh portretin dhe personalitetin e tij nuk gjendet asnjë hije a njollë e dyshimtë, në çdo anë që ta analizojnë atë ishte e pa mundur të mos e përdorje atë “M”e madhe, mbi të gjitha për fjalën NJERI që e mishëroi në të gjitha përmasat e saj. Ai nuk ishte një model, ishte një shkollë.
Kjo më bën sot të them ca gjëra që i ndjeva e i preka nga afër për një periudhë më se 50 vjeçare si një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, por që nuk ia thashë ndonjë herë, pse ai nuk pëlqente biseda e vlerësime të tilla.
Do të paraqes disa grimca nga jeta jonë e përbashkët, në frontin e përbashkët ku shërbyem dhe ku ai ishte gjithmonë shembull i mirë për tu ndjekur e në mjaft raste drejtuesi im direkt.
Me Dr. Ahmetin pata rastin të njihesha për herë të parë në vitin 1969, kur u emërova mjek në qytetin e Peshkopisë. Korrekt e i pa përtuar ishte vërtetë i pa lodhur dhe që punonte me një këmbëngulje të habitshme që të ngjallte dashuri e respekt dhe dëshirën për ta ndjekur si një model, më miri i mundshëm.
Në atë kohë kur ai megjithëse bëri të pamundurën, ishte një pacient i ri që bëri një ndërlikim të rëndë dhe humbi jetën. Doktorin punëtor e të pa epur e pashë atë ditë me sy të skuqur. Kjo është mjekësia më tha, mund të përpiqesh shumë por jo të fitosh gjithmonë. Ky pacient më dhimbset shumë dhe do të mbetet në kujtesën time, por dhe shkenca i ka mundësitë e kufizuara, ndoshta në të ardhmen mjeku do të jetë më i armatosur në luftën kundër sëmundjeve. Mjeku është një faktor i rëndësishëm, por në këtë ushtrim është edhe organizmi i njeriut dhe varet se si ai reagon në situata të veçanta. Ishte një leksion pasuniversitar për mua. Ky rast dhe shumë të tjerë të punës së përditshme ishin shembuj të çmuar nga ku një mjek i ri mund të mësonte. Bashkë me të atëherë punonin edhe personalitete të tjerë të rëndësishëm të mjekësisë dibrane e asaj shqiptare si Medi Cani, Mark Mirashi, Ahmet Alliu, Lahim Puca, Azis Ndregjoni e plot të tjerë, por Dr. Ahmeti dëgjohej me respekt e vlerësohej pa diskutim nga të gjithë.
Kur në Peshkopi organizoheshin aksione e ndërtohej me kontribut vullnetar një kompleks banesash në Kamen, ne ishim bashkë aty. Bënim punë të rënda fizike dhe mbanim gurë e tulla nëpër një rampë me dy dërrasa që ti ngjisnim ato me tezgë në katin e dytë. I kërkoja të ecte para, pasi më dukej se pesha rëndonte më shumë prapa kur ngjiteshim lart, por nuk e pashë të ankohej asnjë herë edhe kur kishte qenë mjek roje e nuk kishte pushuar mjaftueshëm.
Në spitalin e rrethit, nëpër zona, në ekipe që organizoheshin, mund të them se ai ishte i kudo ndodhur. Po ti paraqisje ndonjë rast, pa hezituar do të thoshte: Ku është i sëmuri, hajt ta shohim.
Dr. Ahmeti u bë shpejt i njohur e i respektuar në Dibër e përtej kufijve të saj dhe ra në sy të autoriteteve si një mjek i zoti e punëtor shumë serioz.
Kjo ishte koha që ai u përzgjodh dhe u mor në Tiranë në detyra të rëndësishme. Kur u emërua Ministër i Shëndetësisë, patëm rastin të punonim disa vjet bashkë, pasi atëherë unë bëja detyrën e Shefit të shëndetësisë në Dibër. Ishte korrekt e me kërkesa të qarta. Edhe pse bashkë shkonim mirë dhe ishim si të thuash të një ane, kjo nuk e pengonte të kërkonte llogari për detyrën si gjithë të tjerëve. Por edhe ndihma e asistenca e tij në vështirësitë që ne hasnim ishin bujare e shumë të kualifikuara. Eprori dhe miku ishin dy dhe një, detyra e para, shoqëria vinte pas saj. Me siguri ishte propozimi i tij që në atë kohë unë u zgjodha në Kolegjiumin e Ministrisë së shëndetësisë, ku bënin pjesë figurat më të spikatura të mjekësisë shqiptare në Tiranë dhe 3 apo 4 të tjerë vinin nga rrethet. Unë e ndjenja respektin dhe besimin e tij e përpiqesha ta justifikoja në punë. I jam mirënjohës edhe sot.
Në një nga ato mbledhje të Kolegjiumit të Ministrisë u diskutua detyra e projektimit për ndërtimin e maternitetit të ri të Tiranës (ai sot mban emrin “Koço Gliozheni). Detyra parashikonte ndërtimin me hapësira të bollshme dhe banja në çdo dhomë për pacientet. Orientimi nga lart ishte dhënë që të bëheshin kërkesa të matura pasi ishim në kohë kursimesh. Në këtë frymë dikush gjatë diskutimeve shprehu mendimin se ishin kërkuar shumë banjo dhe ato mund të reduktoheshin ca. Dr. Ahmet Kamberi që drejtonte mbledhjen bëri aty një pyetje: Më thoni, gratë shqiptare janë si të gjitha gratë e Evropës apo jo? Pa e zgjatur, theksoi: Qeveria le ta ndërtojë kur të ketë fonde, por materniteti do të ndërtohet sipas standardeve të Evropës, nuk do të shkurtohet asgjë nga kërkesat që kemi paraqitur. Në atë kohë një deklaratë e tillë ishte si të mateshe me luanin dhe të mbroheshe me thikën e kuzhinës. Por ai e kishte atë kurajë dhe e bëri. Le ta dinë personeli i sotëm dhe gratë që shtrohen aty se janë në ato kushte me që i mbrojti një drejtues me horizont dhe me trimëri.
Në një rast erdhi me familjen në Peshkopi dhe së bashku me Abdulla Hoxhën (në atë kohë Drejtor i Farmacive në Dibër), vendosëm ta dërgojmë një të dielë në Kastriot. I pëlqente shumë natyra dhe fshati, ishte stina e qershive. U ulëm në një lëndinë fantastike ku po sodisnim natyrën dhe qershitë e pjekura që krijonin një peizazh të mahnitshëm. Djemtë e tij,si fëmijë të vegjël nxituan të kapin ndonjë kokërr qershie, por ai reagoi prerë: shikoni, por mos i prekni. Në se ju doni qershi, ato do ti blejmë në dyqan. Bashkë me Abdullain porositëm dikë, i dhamë paratë dhe blemë nja 3 apo 4 kg qershi dhe ja dhamë shoferit që ti fuste në bagazhin e makinës. Kur po iknim në drejtim të Bulqizës ai e mësoi këtë dhe i bëri namin shoferit. Me këto veprime ti nuk mund të jesh bashkëpunëtori im, i tha. Shoferi i tij (Luani) ishte një djalë i kulturuar e i sjellshëm sa nuk kishte shoq dhe ne na erdhi vërtetë keq për të. U ndodhëm ngushtë dhe i kërkuam ndihmë Shpresës, të shoqes. I thamë na ndihmo se këtë e kemi bërë ne e shoferi nuk ka faj. Ajo me maturi na u përgjigj: kësaj here do të them se i kam paguar unë, por ju mos e bëni më, ju e njihni Ahmetin dhe dini se ai kështu është.
Bashkë ishim në një aksion kombëtar që u organizua për problemet e higjienës në Dibër. Dreka na zuri në Dovolan dhe Ahmeti (Ministri) këmbëngulte që të blinim diçka në dyqanin e fshatit, i cili sa mbaj mend, për të ngrënë kishte vetëm biskota. Me vështirësi e bindëm që të shkonim te një miku im që nuk kishte lidhje me detyrat që ne kryenim dhe se ndryshe kjo do të ishte fyerje për mikpritësin dhe fshatin plot tradita ku ne ndodheshim.
Në fillim të viteve 1990-të atë e shpallën për deputet të Kuvendit popullor në zonën e Grykës së madhe ku bënte pjesë edhe Okshtuni. Kërkoi ta shoqëronim dhe ne e bëmë me kënaqësi, unë edhe Abdulla Hoxha. Kaluam disa ditë atyre zonave dhe u takuam në çdo fshat me popullin, udhëtuam në këmbë dhe pushuam ku na zinte nata. Pashë një njeri të dimensioneve të pa arritshme. Erudit, i thjeshtë e i përmbajtur, që i kuptonte më së miri njerëzit dhe hallet e tyre. Nga do që kaluam, akujt thyheshin menjëherë, ai miqësohej shumë shpejt dhe merrte pjesë në diskutimin dhe zgjidhjen e problemeve, kur ishte e mundur pa humbur kohë. Thjeshtësia e tij më la pa mend, një babaxhan tipik i Grykës së Madhe, njohës i politikës dhe i traditës së vendit. Ai përshtatej në kushtet që ishin ato fshatra dhe këtë e bënte pa rënë në sy e pa lënduar askënd.
Nga të parët e mi kisha dëgjuar se “burrin e mirë e njeh kurbeti, ndërsa e gruan e mirë e njeh djepi”. Në atë “kurbetin” tonë që zgjati rreth një javë pashë një njeri model që përshtatej në të gjitha situatat dhe ishte i barabartë me të gjithë.
Nga Okshtuni duke takuar njerëzit kaluam nëpër Ternovë, në Smollik dhe u futëm në zonën e Zerqanit. Një natë na mori me detyrim në shtëpinë e Mehmet Hysenit ku kishte të motrën, megjithëse unë e Abdullai deshëm të largoheshim pasi i kishim shtëpitë afër. Pashë një dimension tjetër njerëzor të tij, ku ne ishim miq e ai i radhitur me mikpritësit, shkëlqente edhe në këtë pozicion. Ajo natë qe e mrekullueshme ku mikpritja e të zotit të shtëpisë dhe bisedat që u zhvilluan aty ishin subjekte për të shkruar libra. Ishte periudha e fillimit të ndryshimeve të mëdha dhe ne ishim kureshtar të dinim për rrugën tonë si shoqëri në të ardhmen, ndërsa ai fliste me qartësi e besim sikur kishte jetuar atje dhe vinte të na sqaronte edhe ne. Besimin për të ardhmen e kishte të pa lëkundur.
Të nesërmen kishim takimin e fundit në Zerqan. Unë isha kureshtar se çfarë do të trajtonte ai atje, kur subjekti tjetër kishte shpallur si kandidat të vetin gjithashtu një djalë nga Zerqani, mjek mjaft i njohur në Tiranë, kardiokirurgun e talentuar Veli Zogun. Në Zerqanin me tradita kishte një pjesëmarrje mjaft të gjerë të popullatës, pasi kishte edhe nga fshatrat e tjera të zonës dhe interesi qe mjaft i madh. Ai mbajti një fjalim brilant aty. Foli me detaje për kandidatin tjetër, Dr. Veliun, për figurën dhe personalitetin e tij, a thua se kishte vajtur për të bërë fushatë për të. Ata ishin miq dhe ai do të thoshte të gjithë të vërtetën e tij në atë takim. Në fund tha: Ndërsa mua më njihni të gjithë, pasi jam bir i kësaj zone. Ne përfaqësojmë dy subjekte të ndryshme, por jemi njësoj produkt i kësaj zone. Cilindo që të votoni ju nuk do të jeni të humbur, ndryshojnë subjektet por jo kandidatët. Subjektin duhet ta zgjidhni ju.Të gjithë u befasuan. Edhe ata që mendonin ndryshe i dëgjoje duke thënë: Epo Dr. Ahmeti është vërtet njeri i madh. Më vonë u mësua se edhe Dr. Veli Zogu kishte bërë të njëjtën gjë, standardi i mirëkuptimit midis dy kandidateve kishte mbetur si më parë.
Ai u zgjodh në atë legjislaturë Deputet i Kuvendit Popullor dhe e kreu më së miri atë detyrë. Aty spikatën cilësitë e tij të veçanta si qartësia politike, pastërtia shpirtërore dhe dinjiteti i përfaqësuesit të popullit.
Kur doli në pension dikush tentoi të hidhte circa balte mbi të. Me të kishte ndodhur ai fenomeni kur dikujt i bie një monedhë floriri nga xhepi dhe atë e mbulon pluhuri. Mbi të kalojnë këmbësorë e qerre, mund të urinojnë edhe qentë se ata vetëm të lehin e të dhjesin dinë. Por kur koha hapet e pluhuri shpërndahet, floriri në baltë shkëlqen përsëri se nuk është tunxh, por është flori. Ai u mbrojt siç dinë të mbrohen të diturit dhe trimat. Shkroi shumë artikuj publicistikë dhe dy libra të mrekullueshëm, ku është zor për njeriun e drejtë të lëvizë edhe një fjalë të vetme.
Ndërsa në shkencë ai hartoi 5 protokolle shkencore mjekimi,është autor e bashkautor i mbi 100 artikujve të botuara në revista shkencore kombëtare e ndërkombëtare, i 54 referimeve në konferenca shkencore brenda e jashtë vendit,i tekstit universitar mbi kardiologjinë, i projektligjeve dhe shumë dokumenteve të fushës së shëndetësisë etj.
Është pak të thuhet se ai kishte vullnet të hekurt dhe lexonte e studionte çdo ditë deri në fund të jetës së tij. Mësoi dy gjuhë të huaja, anglisht dhe frëngjisht, në nivel gati të përsosur dhe vetëm për disa muaj secilën. Këto i shërbyen kur e dërguan për specializim në Suedi dhe në Paris, prej nga u kthye i kompletuar në të gjitha disiplinat e specialitetit të tij. Dy gjuhë të huaja në atë nivel ishte si të kishe bërë dy fakultete te gjuhët e huaja. Kur ishte Ministër dhe përkthyese kishim një vajzë që kishte mbaruar studimet e larta tek gjuhët e huaja, konstatonim shpesh që ai i bënte vërejtje për gjuhën ku ajo ishte diplomuar. Ajo skuqej dhe i jepte të drejtë.
Kur ishte Ministër i Shëndetësisë u thirr në Organizatën botërore të shëndetësisë dhe iu propozua pozicioni i Drejtuesit të OBSH për Evropën. U përzgjodh si kandidaturë e përshtatshme ku kishte edhe përfaqësues të vendeve të mëdha, ishte edhe përfaqësuesi i Egjyptit. Asambleja votoi Dr. Ahmet Kamberin. Ishte përfaqësues i një vendi të vogël, por një kandidat i denjë për atë vend dhe që zotëronte në nivel të barabartë gjuhët anglisht e frëngjisht që përdoreshin në OBSH.
Në një nga seancat e Asamblesë pas mbledhjes, kishte dalë me disa punonjës të tjerë që e shoqëronin dhe po hanin drekë në një vet shërbim në këmbë. Shoferi i tij, si për të ngarë muhabetin i kishte thënë: Jemi shtet i varfër pasi nuk ka kuptim që në mbledhje të jesh drejtuesi kryesor dhe pastaj të mos ulesh në drekë me kolegët e tu, portë shkosh në vetëshërbim. Pa humbur kohë kishte marrë përgjigjen: “Dëgjo djalë, kur populli është i varfër, Ministri duhet të hajë bukë në këmbë”. Ky ishte morali dhe filozofia e tij në punë dhe në jetë. Këtë manifestoi në çdo detyrë, brenda e jashtë vendit, në spital, në popull e në parlament.
Për shkak të njohjes që ka zgjatur mbi 50 vjet dhe të detyrave që kemi kryer në një front, mund të sillja me dhjetëra e qindra shembuj të tillë, për një portret njerëzor e intelektual të pa përsëritshëm si Dr. Ahmet Kamberi.
Kur ai u sëmur e menaxhoi me kujdes mjekësor e dinjitet njerëzor këtë situatë. U takuam direkt dhe kemi folur disa herë në telefon. Ishte i qartë për situatën shëndetësore e perspektivën dhe e priste me qetësi e dinjitet. Këtë ma pat deklaruar edhe mua në një bisedë gjatë gushtit të këtij viti. Edhe me organizimin e fundit të jetës së tij u mor vetë, parashikoi çuditërisht saktë çdo gjë, madje edhe ditën e fundit. Kur dikush erdhi për kafe gjatë ditës së lamtumirës dhe pyeti për fjalën që duhej mbajt në varrim, mbesa i tha: Po, fjala është gati, gjyshi e ka përgatitur vetë edhe atë dhe dikush do ta lexojë.
Për nga mënyra si e jetoi jetën e tij, mesazhet dhe standardin e lartë njerëzor që la pas, ngjitjet nga baza në lartësi që asnjë mjek tjetër shqiptar nuk ka arritur ti provojë, mënyra si e menaxhoi jetën dhe sëmundjen, madje edhe fundin e jetës, ai ishte padyshim një kombinim i rrallë midis njerëzores dhe hyjnores, ndoshta i të dyjave së bashku.
U varros me një ceremoni të thjeshtë por madhështore, me një përpikëri të rrallë, siç qe e gjithë jeta e tij. Në Sharrë të Tiranës ku prehet u bë një mal me kurora lulesh sa nuk ishte parë ndonjëherë. Sidoqoftë mali me kurora nuk mund ta rrokë malin e madh të lavdisë që la pas.
Tirane, 5 tetor 2023