“Sfida” Xhafer Martini dhe (pa)urtia dibrane


Kanuni i Dibrës gjeti njeriun e duhur, në kohën e duhur. Qe një dhuratë nga Lartë. Çdo të ishte bërë sot me atë kanun, po të mos ishte bërë kjo punë nga Xhafer Martini? Ai e mbërriti të jetojë me brezin e fundit që kishte aplikuar dhe njohur Kanunin e Maleve të Dibrës. Nuk i la pleqtë dhe të urtët e fshatit të ikin nga kjo botë duke marrë në varr edhe Kanunin. Do ta kishte mbuluar dheu përgjithmonë. Për politikën e Partisë dhe shtetit ideologjik shqiptar, kanuni do të ishte varrosur përgjithmonë, ashtu siç u varros çdo trashëgimi pozitive e traditës. Puna që bëri Prof. Xhaferi ishte një veprimtari e shenjtë, misionare, kombëtare, e paçmueshme. Dhe vepra që doli nga duart e tij është një vepër misionare, e shenjtë, atdhetare, e paçmueshme. Ç’mund të themi përveçse: “Rroftë djali i Dibrës!”. Të tillë lindin rrallë.

Xhaferi me veprën e tij e ngritit lart, shumë lart Dibrën: Këtë filozofi të popullit të vet ai e materializoi në veprën e vet dhe në formën më të mirë. Duke bashkëjetuar me filozofinë popullore, me mendimin filozofik e juridik të popullit, që nuk i len asgjë mangut filozofisë së kultivuar, prof. Xhaferi e ngren lart edhe popullin e vet; e ngren atë në shkallën e aristokracisë së qytetëruar evropiane.

Nga Bajram XHAFA*

Jam shumë i gëzuar që sot marr pjesë në këtë veprimtari që i kushtohet shkrimtarit dhe kulturologut të mirënjohur dibran profesor Xhafer Martinit Ajo bëhet për të vlerësuar dhe nderuar punën e gjithë jetës së tij të shumanëshme si shkrimtar, studiues dhe hulumtues, krijues, mbledhës dhe konservues vlerash njerëzore të historisë e të kulturës, të mendimit juridik e filozofik të traditës dibrane e shqiptare, gjë e cila, mesa di unë, nuk është çmuar sa duhet deri më sot. Me këtë veprimtari, më duket sikur u çliruam nga një peng a kompleks faji për “borxhin” e pashlyer. Urime e përgëzime për organizatorët, Lidhjen e Intelektualëve Dibranë dhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë .
Kur mbaroi Pedagogjiken e Peshkopisë më 1960, ashtu siç pritej, Xhaferi u caktua mësues në fshat. Përveç punës si një mësues i kualifikuar, ai u muar edhe me krijimtari artistike dhe hulumtime nëpër fshatrat e zonës, si punë e dytë. Pas pesë vjetësh, ai fitoi një bursë studimi në Universitet për gjuhë-letërsi. vetëm me meritat e punës e të talentit të vet, pa i hyrë në “borxh” ndokujt. E kapërceu edhe peshën e rëndë të biografisë që vinte nga emri i fshatit: Fushë Alijen e kishin bërë fushë lemerije.
Nuk di se çfarë angazhimesh të tjera ka marrë e çfarë barrësh ka mbajtur, por objektivat e tij ishin sa të larta, aq edhe realiste e të mundshme.. Një bisedë e rastësishme e me ogur me prof. Çabejn, i vlejti si ato këshillat providenciale që tregohen në përrallat për rrungun e fatit. Ato fjalë pa vrug ideologjik të Çabejt i çmoi si ylli i sabahut. Shkoi përsëri në fshat ku mblodhi ajkën e mendimit juridik e filozofik të dibranëve, kur shumëkush nga kolegët e tij zbrazte lodhjen përmbi filxhanin e kafes dhe gotën e raisë. “Ora et labora!” – lutu dhe puno, ishte motoja e tij (marrë nga frazeologjia kishtare)..
Nuk e di nëse Profesor Xhaferi lutet apo jo, (me veprën e tij studimore do ta kishte merituar plotësisht prej kohësh këtë titull akademik), por, që punon, shihet nga rezultati. Dhe punon fort e me ngulm, me sistem, stil e metodë, pa u ndalë, gjithë jetën. “Facta loquùntur” – faktet flasin. I përmbahet maksimës tjetër me burim fetar, puna është “ibadet” (barazohet me lutjen, farzin-faljen e detyrueshme). Vetë protagonisti ynë nuk lëvdohet.
Edhe tani që sapo i ka kaluar të tetëdhjetat, ai nuk i ndahet punës, nuk prânë. Don të jetojë, të jetojë si njeri, si luftëtar, si artist, si krijues, me dëshira, me aspirata, me vullnet, me krijimtari; don të vrasë vdekjen. Dhe e vret atë bukur mirë, si ma i miri. Lakmi për ta pasur.
* * *
Sot Profesori ka në aktivin e tij të punës një kolanë të tërë librash, letrare e shkencore sugjestionuese: “Kanuni i Dibrës – trashëgimi etnojuridike” Tiranë, M&B 2016, (botim i tretë- 478 faqe; botim i dytë 2007-640 faqe); “Gjakmarrja” (1999), “Pajtimi në traditën popullore” (2001), “Perlat e Dibrës (Studim)” (1999), “Metaforat e Dibrës”, “Kanun” Tiranë, 2013, “Shekspiri dhe Kanuni” studim, “Enja”, 2015 etj. prodhime të mirëfillta shkencore të shkrimtarit dhe studiuesit tonë, dibranit Xhafer Martini.
Tre herë radhazi e ka botuar dhe përpunuar “Kanunin e Dibrës”. Eshtë njohës i shkëlqyer i të Drejtës Dokësore shqiptare. “Kanuni i Maleve të Dibrës” i Xhafer Martinit, shkruan shkrimtari dhe kulturologu i shquar dibran Agron Tufa në Parathënien e librit, ka të përbashkëta dhe dallime me “Kanunin e Lekë Dukagjinit” dhe “Kanunin e Skënderbeut”: 1. Mospërfshirjen e institucioneve fetare (kishës dhe xhamisë), duke mos privilegjuar e favorizuar në sanksionet kanunore as klerin. 2. Kanuni i Dibrës spikat për një elasticitet më human e vetpërmbajtje më të thellë në shumë çështje “të nxehta” si “Gjakmarrja”, “Hakmarrja”, “Gjaku”, “Xhipi” etj. 3. Kanuni i Maleve të Dibrës” është dëshmia monumentale e asaj “Atllantida” civilizimi të kredhur në memorien e dibranit.
Në Hyrje të veprës, vetë autori çmon vështirësinë për “mbledhjen dhe kodifikimin e kanunit, për origjinalitetin dhe pasurinë e madhe të Kanunit të Dibrës, i cili ndryshonte shumë në dukuritë më themelore nga Kanuni i Lekë Dukagjinit e Kanuni i Skënderbeut”. Aty autori analizon me thellësi, saktësi e përgjegjësi të lartë shkencore 14 raste të këtyre dallimeve.
Mbledhja e Kanunit është një gjë e mundimshme, shkruan ai. Po aq i vështirë është edhe hartimi i neneve. Një punë të mundimshme prej skllavi. Vetëm një vullnet i fortë, një energji dhe entuziazëm rinor, një dashuri e madhe e një përkushtim vetmohues për njerëzit e vendin e tij – Dibrën dhe për tematikën që trajton, kanë bërë të mundur realizimin e saj. Ne sot kemi në dorë një vepër të kompletuar edhe shkencërisht edhe artistikisht. Ashtu si “Gremina ndjell greminën” – “Abyssus abyssum vokat!” (latine) edhe “Maja sjell majën”. Pikërisht majën ka arritur me mbledhjen, kodifikimin, studimin e Kanunit të Dibrës.
Anatol Fransi thoshte: “Njohuritë që marrim, që të tregohen, duhet të hahen me shije”. Ato japin informacion nëpërmjet një stili, i cili nuk lë pas dore asnjë nga mjetet letrare që mbajnë pezull vemendjen e lexuesit. Duke bashkuar kështu kureshtjen e shkencës me joshjen e artit, ato tejkalojnë shpesh herë popullaritetin e veprave të letërsisë artistike. Xhafer Martini i zotëronte të dyja këto dhunti: edhe formimin shkencor edhe prirjen letrare. Kanuni i Dibrës gjeti njeriun e duhur, në kohën e duhur. Qe një dhuratë nga Lartë. Çdo të ishte bërë sot me atë kanun, po të mos ishte bërë kjo punë nga Xhafer Martini? Ai e mbërriti të jetojë me brezin e fundit që kishte aplikuar dhe njohur Kanunin e Maleve të Dibrës. Nuk i la pleqtë dhe të urtët e fshatit të ikin nga kjo botë duke marrë në varr edhe Kanunin. Do ta kishte mbuluar dheu përgjithmonë. Për politikën e Partisë dhe shtetit ideologjik shqiptar, kanuni do të ishte varrosur përgjitmonë, ashtu siç u varros çdo trashëgimi pozitive e traditës, Puna që bëri Prof. Xhaferi ishte një veprimtari e shenjtë, misionare, kombëtare, e paçmueshme. Dhe vepra që doli nga duart e tij është një vepër misionare, e shenjtë, atdhetare, e paçmueshme. Ç’mund të themi përveçse: “Rroftë djali i Dibrës!”. Të tillë lindin rrallë.
Kanuni duhet të shoqërohet me praktikat kanunore, ato që në terminologjinë juridike quhen kazuse (shembuj të zgjidhjes së çështjeve në konflikt), gjë që kanunet e tjera nuk e kanë. Edhe e historinë lindjes dhe zgjidhjes së konfliktit si ta tregon njëri nuk ta tregon tjetri. Vetë mbledhja nga pleqtë e historisë së ngatërresave, gjykimit të tyre, kërkon një durim kali a maceje, një radhë variantesh për ta shkruar. Pastaj stili, gjuha: standarde apo dialektore, dibranishtje a mikrokrahinore, mali a fushe etj. Kazuset dhe ndodhitë jetësore janë modele skicash e tregimesh të shkurtëra, janë esse të vërteta që nuk ngopesh kurrë sa herë që t’i lexosh. Provoni vetë t’ia tregoni ndokujt pasi ta keni lexuar nëse do mund ta thoni pa e deformuar. Sa mund dhe kualifikim i lartë kërkohet për t’i prurë në gjendjen ekzistuese të fiksuar në Kanun. Unë nuk mund të them se sa përqind zë puna “mundi i popullit” dhe “mundi i mbledhësit, kodifikuesit, sistemuesit të Kanunit në gjendjen që është sot. Në fund të Hyrje-s, autori shkruan me të drejtë dhe me shumë fisnikëri: “Kanuni nuk është libri im, por i popullit. Unë jam mbledhësi dhe kodifikuesi i tij i mundimshëm. Nëqoftëse Kanuni pritet mirë, merita është e popullit. Po nuk ndodhi kështu, dështimi është imi”. Mendoj se kjo “deklaratë” duhet marrë me kushtëzim “Pronësia” e Kanunit vërtetë është e popullit i cili nga ana e tij është anonim. Mbledhësi, kodifikuesi, bashkë me kazuset, praktikat juridike e rastet jetësore etj. duhet pranuar se janë “në bashkpronësi” me autorin.
Stilus virum arguit – Lapsi (shkrimi) e bën burrin (= njeriun) të njohur. Boja e shkrimit e dijetarëve krahasohet me gjakun e shehidëve, boja e dijetarëve vjen më e rëndë” thotë Hasan Basriu, dijetar islam i shekullit X.
Xhaferi me veprën e tij e ngritit lart, shumë lart Dibrën: Këtë filozofi të popullit të vet ai e materializoi në veprën e vet dhe në formën më të mirë. Duke bashkëjetuar me filozofinë popullore, me mendimin filozofik e juridik të popullit, që nuk i len asgjë mangut filozofisë së kultivuar, prof. Xhaferi e ngren lart edhe popullin e vet; e ngren atë në shkallën e aristokracisë së qytetëruar evropiane. Aristokracia = fisnikëria (aristokratllëku) qëndron në radhë të parë në mënyrën e të menduarit; në mendimin filozofik e juridik, në ligjet e formuluara, në kanune, në këngë, valle e histori, në kulturë, në zgjidhjet e aplikuara, në jetën e ndërtuar aty ku jeton. Aty është edhe Seneka edhe Dekarti, edhë Spinoza, edhe Sartri etj. Në këtë kuptim, vetë Xhaferi është një aristokrat i vërtetë. Kanuni është një monument urtësie juridike, filozofike e kulture në të cilin profesori ynë fisnik është “bashkautor”, “bashkëpronar”.
Peshkopia në fillim të shek. XX nuk ishte veçse një fshat mbështetur në një brinjë, por prof. Xhaferi e përshkroi si një kasaba të vërtetë tek libri “Pedagogjikja & Personalitete”. Një kërshlla (kazermë) ka pas në fund të shek XIX. Qytetaria e Sheh Besimit dhe e familjeve te tjera qytetare të Peshkopisë përshkruhen ashtu siç thotë Mehmet Akif në “Safahat”: “Ç’popull i lartë qemë, ajme, ti erdhe e na mjerove”. Qytetaria dhe pastërtia shembullore dibrane, për të cilën në Shkodër flasin me emocion dhe superlativa, Xhaferi i përjetësoi një një vepër studimore dhe artistike njëkohësisht.
Prof. Xhaferi! Kur ishe në Pedagogjike si nxënës dhe student, ishe i pashëm, serioz e krenar. U bëre burrë i përformuar, mjeshtër në zanatin tënd, bëre vepra mbushur plot me dije, kulturë dhe kompetencë dhe, tashmë,… plak i hijshëm, i urtë e me mustak, si shqiptarët e motit, si burrat e vaktit. Me atë kapital krijimtarie që ngrite dhe gëzon sot, vënë me mundin zotësinë tënde, ç’mund t’i kërkosh më tepër Zotit? Vërtet Partia dhe Pushteti të la gjithë jetën në 8-vjeçare me rrogën e mësuesit duke bërë edhe punën e shkrimtarit e të shkencëtarit, si e punë e dytë, e tretë, e…, pa shpërblim para së cilës, puna “e shpërblyer” është krejt, krejt minore por, fundja ky ishte risku yt: baj venë e pi ujë.
Dy mendime të urta që mendoj se do t’i shkonin rastit të jetës suaj. Njëri i shkrimtarit amerikan Mark Tëein kur thotë se “është më mirë t’i meritoni nderet dhe të mos i gëzoni ato, se sa t’i gëzoni dhe të mos i meritoni”. Mendimi tjetër: “Kjo botë është vend për të punuar. Pagesa e kësaj pune bëhet në ahiret” ka thënë Immam Rrabani. A nuk punuat edhe ju i shtyrë nga ky vokacion? Allahu qoftë i kënaqur me punën tuaj!
Tiranë, 30 tetor 2023

Shënim. Fjalën time nuk arrita ta këndoj në veprimtarinë solemne për shkak se nuk ishte planifikuar dhe të ndonjë keqkuptimi. E po, thashë me vete, le t’i mungojë profesor Xhaferit edhe kjo bjerrje aksidentale të fatësisë, me kusht që të mos i shtohet pjesës së qëllimshme a virtuale të pafatësisë së organizuar.