Më 30 tetor 2023 në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u mbajt një sesion jubilar për krijimtarinë e Xhafer Martinit.
Më datë 30 tetor 2023, në kuadrin e Muajit të Letërsisë dhe Arteve, në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u mbajt një sesion jubilar për krijimtarinë e Xhafer Martinit.
Veprimtaria u organizua nga Lidhja e Intelektualëve Dibranë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Në këtë veprimtari, përveç anëtarëve të shoqatës, ishin të pranishëm edhe deputetët e Dibrës, Xhelal Mziu dhe Lavdrim Krrashi, si dhe akademikë dhe personalitete.
Takimi u moderua nga Elsa Bitri, nënkryetare e Shoqatës LID dhe punonjëse në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.
“Është nder dhe një privilegj për mua që të moderoj këtë veprimtari mbi krijimtarinë e Xhaferit Martinit”, tha ajo në fillim të takimit në sallan “Aleks Buda” të mbushur plot miq dhe lexues të Xhafer Martinit.
Në fillim, përshëndeti kryetari i LID, prof. asoc.dr. Shpëtim Cami, i cili bëri një panoramë të shkurtër të veprimtarive të shoqatës dhe veçmas, mbi organizimin e kësaj veprimtarie.
Më pas, sekretarit shkencor i Akademisë së Shkencave, akademik Shaban Sinanin, mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të Akademisë, si dhe mbajti referimin me titull “Për Xhafer Martinin dhe veprën e tij krijuese e shkencore”.
“Xhafer Martini është një prej të paktëve shkrimtarë që vinte nga një kohë tjetër dhe sfidoi epokën e lirisë, përkundër shumicës së tyre, që u mbeti liria në dorë e nuk dinin ç’të bënin me të. Në të kundërtën, Xhafer Martini, me çfarë ka krijuar e botuar gjatë tri dekadave të fundme, është dëshmia e gjallë se çfarë roli ka disiplina e çfarë roli liria në art e dije”, tha akademik Sinani mes të tjerash në fjalën e tij.
Duke iu referuar botimeve të Xhafer Martinit, ai shënjoi një lidhje të fortë mes krijimtarisë dhe vendlindjes.
“Xhafer Martini është i rrallë sa i takon lidhjes me vendlindjen, dashurisë për Dibrën dhe ndjenjës së autopërgjegjësisë për t’i përuruar vlerat dhe visaret e saj në të gjitha format e mundshme: prej jetëshkrimeve monografike deri tek historikët e institucioneve”.
Në fund të fjalës, akademik Sinani tha se “emri dhe vepra e Xhafer Martinit, sidomos kërkimet e studimet e tij, por edhe burimet jo pak, me kohë kanë shtegtuar e janë bërë pjesë e bibliotekave albanologjike në botë. Ai është prej më se dy dekadash një pikë reference për studiuesit e huaj”.
Në referimin e prof. Vesel Hoxhës, e cila u lexua nga Zabit Lleshi, u vu theksi te diapazoni krijues si poet, prozator, tregimtar, novelist, romancier, kritik letrar, mbledhës dhe studiues i kulturës popullore, publicist dhe analist politik. “Por, – veçohej në referimin e Hoxhës, – Xhafer Martini si studiues është i rrallë në vendin tonë, sidomos në studimet shteruese për Alegorinë dhe Kanunin” (Fjalën e plotë do ta lexoni në numrat e ardhshëm).
Takimi pati shumë surpriza për të pranishmit, edhe për autorin, njëra prej të cilave ishte fjala e dërguar prej larg e shkrimtarit dhe poetit Agron Tufa. Referimi i tij, “Xhafer Martini – Portret shkrimtari sipas përvojës sime” e lexoi për pjesëmarrësit botuesi Bujar Karoshi.
Tufa theksoi lidhjen e tij me shkrimtarin Martini si një lidhje mes nxënësit dhe mësuesit. “Pa këtë lidhje, kushedi sa krijues do ta kishin braktisur pasionin e shkrimtarisë”, u theksua në fjalën e Tufës.
Duke u marrë me jetën e tij përmes vuajtjeve në komunizëm, Tufa ngre lart rolin dhe përpjekjet e Xhaferit për ta mbrojtur dhe për ti dhënë të drejtën e studimit. Në referimin e tij, Agron Tufa i referohet disa rasteve, ku Xhafer Martini rrezikonte karrierën e vet për ta mbrojtur’.
“Pas rënies së diktaturës i jam kthyer shpesh këtyre episodeve, – shkruhet në letrën e Agron Tufës – përpjekjes së Xhafer Martinit për të më shpëtuar nga mallkimi i varrosjes sime vicioze në provincë. Pavarësisht si rrodhën ngjarjet më vonë, pavarësisht kapërcimit të pengesave madhore, për të cilin unë nuk kam asnjë meritë, më habiste e më mbushte me një borxh fisnik mirënjohjeje përpjekja, thuajse e suksesshme, që kishte bërë vetëdijshëm i vetmi shkrimtar i trevës sonë, Xhafer Martini. Askush nuk qe shtyrë të shkojë aq larg për të më mbrojtur”.
“Të gjithë shkruajnë, por shkrimtar është Xhaferi.”, titullohej referimi i mbajtut nga dr. Fejzullah Gjabrin.
Një material mbi bibliografinë e veprave të Xhafer Martinit ishte përgatitur nga Miranda Goleci.
“Sot është dita dhe ora e autorit; e një autori teksti dhe emri i të cilit promovon dhe shtëpinë botuese dhe jo e kundërta. Dhe unë, nxënësja e profesorit, më erdhi dita të redaktoj e botoj librat e profesorit, pra, të shtoj emrin tim krahas emrit të tij. Kjo është jeta dhe kjo i ka ndodhur edhe të tjerëve madje edhe vetë Xhafer Martinit…”, tha botuesja e librit, Miranda Goleci. Ajo bëri një paralelizëm, të treguar prej Xhaferit, mes tij dhe mësuesit të njohur, Maliq Bitri, mbi nxënësit e tyre Shaban Sinani, tashmë sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave.
“Xhafer Martini është një studiues i mirëfilltë, një shkencëtar në kuptimin e plotë të termit. Brezat e tanishëm, por edhe të ardhshëm do t’i jenë falënderues për punën e palodhur që ka bërë ndër vite, me mbledhjen dhe kodifikimin e “Kanunit të Dibrës” dhe jo vetëm. Ai është një shkollë më vete. Për mua është kënaqësi bashkëbisedimit me të. Duke e dëgjuar, ti mençurohesh, emancipohesh, bëhesh më shumë njeri. Çdo fjalë e nxjerrë prej tij është e thënë bukur, çdo histori e treguar prej tij të mban të ngërthyer në tregim, çdo personazh i treguar latohet me aq bukuri, ashtu siç ka skalitur personazhet e të gjithë librave. Xhafer Martini është një figurë shumëdimensionale, një tregimtar i mrekullueshëm, një prozator i fuqishëm, shkrimtar, një enciklopedi e vlerave kulturore dhe njerëzore të Dibrës dhe më gjerë”, tha botuesja Goleci.
Miranda Goleci, së bashku me piktorin Zaim Elezi, zbuluan edhe librin e botuar posaçërish me këtë rast, “Të tjerët për Xhafer Martinin”. Ilustrimi i kopertinës ishte përgatitur nga Zaim Elezi, dhe iu bë dhuratë autorit në këtë veprimtari.
Për Xhafer Martinin ishte surprizë edhe vlerësimi që mori nga Federata e Paqes Universale Shqipëri, e cila përmes sekretarit të saj, z. Gani Roshi, e vlerësoi me Certifikatën “Ambasador i Paqes”.
Gjithashtu, kryetari I LID, prof. asoc. dr. Shpëtim Cami i dha edhe një Certifikatë Mirënjohjeje në emër të shoqatës. Ndërsa dy biznesmenët, Latif Miha dhe Musa Riçku, nënkryetarë të LID, i dhuruan autorit një çek simbolik.
Këngëtarja Liri Rashë përshëndeti të pranishmit me një nga këngët e saj.
Në hollin e Akademisë ishte vendosur edhe një ekspozitë me të gjithë krijimtarinë e Xhafer Martinit, ndërsa të ftuarit shfrytëzuan çastet e koktejit për biseda të lira dhe foto me njëri-tjetrin.
Xhafer Martini pati shumë emocione gjatë kësaj mbrëmje, ndaj nuk mundi ta mbante fjalën e tij përshëndetëse. Ai e ka sjellë me shkrim atë, dhe ne do ta botojmë këtë numër, ndërsa në numrat e gazetës në vazhdim, do të botojmë edhe referimet e tjera të sjella posaçërisht për këtë veprimtari. / Korresp.Rr.A.