Gëzim Alpion zgjidhet anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë


Më 22 prill 2024 u zhvillua mbledhja e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në këtë mbledhje të asamblesë, në sallën “Aleks Buda”, u pranuan anëtarët të rinj të Akademisë së Shkencave, mes të cilëve z. Gëzim Alpion, profesor i asociuar i Sociologjisë në Universitetin e Birmingamit në Mbretërinë e Bashkuar.
Një profil i shkurtër për Alpion u prezantua nga akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i ASHSH.
“Dy anëtarë të Asamblesë, akademikët Arben Merkoçi e Adem Bunguri, njohës të veprimtarisë së tij shkencore e universitare, janë rekomandues për kandidimin; përveç letrës së referencës nga imzot George Frendo, arkipeshkv i mëparshëm i Durrësit dhe Tiranës; si dhe vlerësimit zyrtar me shkrim nga profesor Nicola Gale, drejtor i Shkollës së Politikës Sociale dhe Shoqërisë në Universitetin e Birminghamit dhe Stephen Nash, CMG, ish-ambasador i Britanisë së Madhe në Gjeorgji, Shqipëri dhe Latvia, aktualisht, kryetar i Shoqatës Angli-Shqipëri”, tha mes të tjerash Gjinushi në prezantimin e kandidatit për Anëtar të Jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Gëzim Alpion ka mbrojtur doktoratën në filozofi, është profesor në Universitetin e Birminghamit; profesor i ftuar në disa universitete të Botës; autor i shtatë veprave monografike si autor i vetëm dhe i disa të tjerave si bashkautor; i njohur si biografi më i besueshëm për Nënë Terezën, vepër e përkthyer dhe botuar mbi 15 herë; autor i 17 artikujve shkencorë dhe kritikë të pranuar me konkurrim; shkruar libra artistikë dhe disa dhjetëra artikuj në shtyp e media. Veprat e tij janë të recensionuara në më shumë se 100 raste.
Mban tituj nderi e merite, mirënjohje dhe dekorata nga shteti shqiptar dhe nga vende të tjera.