Agron Tufa fiton çmimin letrar “Vehxhi Buharaja” 2024


 

Poeti Agron Tufa u nderua me çmimin letrar “Vexhi Buharaja” 2024 në gjininë e poezisë. Ky ka qenë edicioni i pestë i këtij konkursi, i cili organizohet nga Bashkia e Beratit, në nderim të dijetarit, përkthyesit, studiuesit dhe poetit Vexhi Buharaja.
Njoftimi u shpall me 10 maj 2024 dhe autorit iu bë e ditur me një email.
Juria e këtij konkursi këtë vit ishte e përbërë nga Ymer Ciraku, Dok. Studiues i letërsisë; Olimbi Velaj, poete, përkthyese, gazetare, lektore; Aleksandër Çipa, publicist, gazetar dhe njëkohësisht edhe Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë; poeti dhe përkthyesi Primo Shllaku dhe Yzedin Hima, poet, studiues, eseist, doktor në studimet letrare.
Njoftimi për ndarjen e çmimeve ishte pak konfuz, nëse Tufa e kishte fituar çmimin me poezitë apo me esetë, por këtë dilemë e zgjidhi ai vetë përmes një postimi në Facebook.
“Më gëzoi ky çmim që mban emrin e poetit, përkthyesit, studiuesit tejet të veçantë e të panjollë në letrat shqipe – shkruante Agron Tufa në profilin e tij në FB. – Faleminderit Jurisë për vlerësimin dhe departamentit të kulturës së Bashkisë së Beratit, që po e kthejnë në traditë të përvitshme gjithkombëtare çmimin letrar “Vexhi Buharaja”! Informacionet rreth çmimit duket se janë përcjellë me konfuzitet, duke më përmendur si fitues jo në poezi, por në ese. Gjithsesi, emaili që më bënte me dije se jam fitues në poezi, me të cilën kisha konkuruar, nuk lë dyshim”.
Shtatë poezitë konkuruese po i botojmë për kënaqësinë e lexuesve tanë.

1. Bibliotekë ekzili

Bibliotekë ekzili, e një gjuhe që nuk e njoh.
Rafte të mbushna me libra të blemë lirë,
të falun, të qitun jashtë shtëpive.

U bana strehë në këto rafte, mes të cilëve tash,
netëve t’pagjuma, endem i përhumbun,
si një shaman në kërkim të shpirtnave;
u kall vështrimin pyetës shpinoreve, titujve,
me një dilemë të pezullt në mendje.
Po librat saorë ngjishen mbas njeni-tjetrit në rafte –
japin me kuptue: “nuk do të bahmi kurrë të tutë!”

Duhet kohë, them. Shmang vështrimin. Duhet kohë,
shestoj me vete, me folë, me u marrë vesh,
ashtu siç bajnë burrat me gratë e hueja,
të pashmangshme.
Më sëmbon sakaq ekzistenca
e braktisun e bibliotekës sime në Tiranë,
ndjesia ime, si e një anijeje të ankorueme
me spirancë në brigje të sigurta, të kuqërremta,
të veshuna me një vjeshtë të begatë dijesh
me fruta t’pamorta.

A s’asht njëmend kështu, o të ngjajshmit e mi?
Qiejt tanë janë biblioteka.

Do kisha dashtë me u shkimbë në prehnin
e Sofisë time qiellore në Tiranë, mbuluem
me vëllime të trasha klasike, enciklopedi,
fashikuj poezish e traktate, midis një kuvendimi
joshës, pambarim, tue u fikë kadalë
si kandili në përpëlitjen e mbrame.

Por tash më duhet me shpikë një vete tjetër,
një tjetër jetë, derikur ta zbus këtë grue të egër,
të panjohun e të ftohtë, që fati ma shtiu për short.

1 nëntor 2020

2. Baladë për kthimin në shtëpi

Lëpihet qelqesh han’ e zbehtë.
Ç’po mih një kthetër në sepet.
Këtu, pa kthye tash sa vjet
në shpi të nanës mbetun shkretë,
kush paska hy? Kush do të jetë,
që mih kjo kthetër në sepet?

E hapa portën në mesnatë,
pa pipëtirë asnjë kanatë
me drojen se mos zgjoj ndokand
dhe mbajtja vesh heshtjen e randë,
nësa mësoj me terrin sytë
veç me pak dritë në superdritë.

Marrtaz shqova paksa muret,
mandej u shfaqen gjith’ konturet
që syri im i veshi vetë
me plus-minus identitet
gjer u lëshova në divan:
erëmon përreth diç si temjan…

I mbylla sytë ma pa ma mirë
ç’më fshihnin motet bamun fir,
prejsè e ambla ime amë
doli pa kthim prej këtij pragu –
kur një gërrvimë e një rropamë
ia dhanë së larti nga çardaku.

Brofa vrik e mbajta vesh.
“Ç’të jetë?” – hamenda. Ban vaki
kësaj mesnate që të ndesh
të tjerë bujtës në shtëpi?
Marr shkallët ngjis e befas step:
rrëmon një kthetër në sepet…

Përnën çardak, në kat të dytë,
në odën e së amblës amë,
qenë qitë speti pirg stolitë
dhe kthetra mihte me rropamë,
sikur andej shkepte mëlçitë –
krejt rropullitë e s’ndjerës nanë.

Shituar mbeta mu në prag
me morsë ndërdyshje i mbërthyer –
mes frik’ e mllefi zemërak
pashë gjithçka me sy të shqyer,
si fekste pirg’ i verdhë në cep
dhe mihte kthetra në sepet…

Me vite larg kësaj shtëpie
qëkur iu kthye qiellit nana,
si t’i besoj kësaj shajnie?
Mos t’i za besë çka ndriçon hana?
Dhe ndjej se as nuk iki dot
mbuluar prorë me turp e ndoht.

Do t’ketë qenë vrull prej pantere
mbi prenë e pyjeve mesvere
kërcimi im me thonjtë në fyt…
Dhe çjerrje, klithma gjer tek yjtë…
gjer kur një krismë përposh buçiti –
gjëmim i mbytun dinamiti.

Pashë jetën të më hiqej osh…
I errët gjaku që përposh
rrodhi dhe veshi stolitë.
Tash nga tavani s’ua shqis sytë
tek ikin hapat nëpër shkallë…
Mbeç as i vdekun, as i gjallë.
16-17 prill 2020
3. Në cilën anë?

Tan natën e lume rrafshulta shfryu borë…
Agsholi i kjaruem me qiej kristalinë
na gjeti buzë lumit. Prej aty,
me sy t’paarmatosun,
nuk qe zor me dallue
matanë lumit
legjionet e kampit anmik,
t’rreshtuem n’centurione.

O ti, fli e qiellit,
rrafshultë e përborun –
na e beko gjakun e derdhun me sakica
për Patrie!

Me shêjin për sulm,
lumi ka me rrjedhë
dhe, anëpëranë,
bora ka me u ndezë prush,
e gatshme për penelin e piktorit.

Por në bunacën para ploje
dëgjohen shfletimet e blloqeve,
kërcitja e shpalosjes së hartave,
cijatja metalike e burmave
të kamerave, fotoaparateve,
provat e lidhjes direkte në mikrofon
me studiot televizive
dhe, mbi të gjitha, shtrëngimi nervoz
i rripave të pajimeve, çantave,
ngjeshjet dhe zhveshjet e shpatave prej milli,
me sy të fiksuem për qiell.

Vonohet shêji i msymjes.
Kush ka me sulmue i pari?
Dy fajkonj përleshen në qiellin
mbi lumë, midis dy ushtrive:
sytë e dy palëve janë mbërthye mbi ta
dhe fikthet në grykat tona tashma –
janë pistonë të çmendun ankthi:

Në cilën anë
ka me ra shyt përdhé
fajkoi i vdekun?

Janar, 2022
4. Ose jeta asht e shkurtë,
ose zgjimi asht i vonë…

Ose jeta asht e shkurtë, ose zgjimi asht i vonë;
ose pengu i jetës në koma vjen e vret ma shumë –
zgjimi në mesmoshë… keqardhja që sëmbon…
E kam një brinjë prej uji që natës rrjedh në gjumë –

Brinja ime prej lumi çan tejpërtej mes territ,
ngarkue me andrra të randa që rrjedha i mbyt në det:
ç’fat, të dlirësh natën kurmin nga barra e misterit
dhe brinja tjetër e kaltër të digjet në zjarr të lehtë…!

Kësaj jete i ngjitesh në majë, veç me pak gjana, në kambë,
ashtu si alpinisti: një çantë, litar dhe kthetra dëbore…
Shkarkojeni vedin – këtë anije tonazhi të randë
dhe flakini andrrat e mëdha në rrjedhën pluskore –

pa grimë keqardhje! Nuk përmbushen kurrë!
Lumi i frymë i brinjës i merr të tana me vete,
si trenët e mëdhenj të krimbun e të kalbun,
kur shembet me rropamë një urë.

Kjo jetë don pesha të lehta dhe lyp shëndet atletik;
utopitë janë krrusma ndër hekatomba flijimi.
Që ndën vedi mos t’ju gorromisin andrrat e mëdha –
ruejeni njenën brinjë prej lumi, si valvul shkarkimi.

2023

5. Atdhe m’u banë idetë…

Atdhe m’u banë idetë që i ngrof ambël në klloçkë
me kurmin e mërdhimë, në folenë ma të naltë
të kavakut dimënor, të zhveshun, pilirak –
si një klithmë me penel mes trishtimit fusharak.

Idetë m’u banë Atdhe, i dehun me vetmi
në folenë ma të naltë, ku nuk ngjitet asnjeri,
ku i kaltri gjak venoz mezi shtyhet pikë-pikë,
ku dhe klloçka e pangrofun në fole, ka rrezik

mos me çelë zogj të gjallë. Për një stinë. Për një vit.
Për një jetë që përpëlitet me Atdheun-kockë në fyt.

2024

6. Në do diç me këndue…

Në do diç me këndue, kënaqu veç me motivin,
por mos shpreso që kënga jote t’ketë dhe fjalë…
Ka me na ardhë shurdhimi përdore me dimnin,
Me na kredhë në guvën tonë dalëkadalë…

Kështu, yllit të bjerrun zen e i ftofet magma,
gjer akullli t’ia ketë ngri zemrën e zjarrtë…
Kështu shtresë mbas shtrese, ndën kafkull, dhe fjala
vdes mes përpëlitjesh në vnerin e artë.

Na mbetet me ngrofë një ngushëllim të mbramë,
kangë tjetër me provue me kordat e mpime.
Muza zbret vërtik e ngulet si kamë
në zemrat e fjalëve, mes çerdhes së ngrime.

2024

7. Farë e ambël e pashpresueme shprese…

Farë e ambël e pashpresueme shprese!
Imcake, e padukë, ti pulson në tamtha –
zjarr përfytyrimesh mbi Mollën e Adamit,
që gjallë se kapërdika shukun e dëshpërimit.
Unë të ndjej farëz shprese, por s’të shquej,
as kur sytë e mi i zmadhoj me burma:
mes oqeanit qiellor – je fije pupulake reje,
apo farë sinapi diku, përreth meje?
T’kisha qenë kolibër sqepmprehtë,
me t’sqepue, me t’mbajtë ndën gjuhë,
e t’u jepsha forcë dragoi flatrave të mia,
sa me një vrull të dehun t’i shkapërceja
të tana degëzimet e Stiksit…!
8.5. 2022