“Brenga e prokurorit” vlerësohet si “Proza më e mirë” në panairin “Kamza Lexon”


Ahmet Prençi është sot një nga autorët shqiptarë më të lexuar të momentit.

Romani i Ahmet Prençit vlerësohet “Për sfidën ndaj natyrës “absolute” të drejtësisë, linjat e paqarta midis fajit dhe pafajësisë, si dhe rrëfimit linear përmes përshkrimit të dilemave të thella morale, “telasheve” etike dhe ndjenjës së zhbërjes së vet-vetes, për të sjellë peizazhin bashkë-kohor të individit mes të vërtetës dhe kompleksitetit të ligjit”.

Ahmet Prençi pas befasisë që solli me romanin e parë “Anja”, i cili u botua tri herë brenda një kohe të shkurtër, erdhi sërish me një roman në ri, “Brenga e prokurorit” në tetor 2023, duke konfirmuar se suksesi i “Anjës” nuk ishte i rastësishëm. Tashmë Ahmet Prençi mund të thuhet pa frikë se është një nga autorët shqiptarë më të lexuar të momentit.
Gjatë Panairit të Librit në Tiranë në nëntor 2023, stenda e Mediaprint – botuesi I librit – ishte një nga më të vizituarat, edhe për shkak të romanit “Brenga e prokurorit”.
“Një ngjarje e pazakontë që zhytet thellë në skutat e një sistemi drejtësie sa të kalbur njëherësh edhe në përpjekje për të pastruar vetveten. Ndodhi të fshehura në skuta errësire që kur dalin në dritë, tronditin. Personazhe të vendosur në një mjedis social dhe në marrëdhënie që ngjajnë sa reale aq edhe imagjinare. Një prokuror që mishëron idealet gati gati utopike dhe forcën për të bërë drejtësi. Karaktere personazhesh, ndodhi, të papritura që e mbajnë lexuesin deri në faqen e fundit me kureshtjen se, cili do të jetë vendimi i Martin Gurit.”
Ky është shënimi i botuesit për librin, i cili shumë shpejt tërhoqi vëmendjen e lexuesit dhe kritikës letrare në vend.
Këtë sukses të romanit e dëshmuan edhe disa çmime që mori libri gjatë kësaj kohe.
Romani “Brenga e Prokurorit” mori çmimin PEN më 24 maj 2024, gjatë një veprimtarie të përbashkët të Pen Albania dhe Pen Kosova, të cilët janë pjesë e PEN International, një organizatë që bashkon shkrimtarë dhe poetë nga gjithë bota.
Në Panairin e Librit “Kamza Lexon”, i cili u zhvillua më 13-15 maj në Kamëz, romani “Brenga e prokurorit” i autorit Prençi vlerësua si “Proza më e Mirë”, me motivacionin – “Për sfidën ndaj natyrës “absolute” të drejtësisë, linjat e paqarta midis fajit dhe pafajësisë, si dhe rrëfimit linear përmes përshkrimit të dilemave të thella morale, “telasheve” etike dhe ndjenjës së zhbërjes së vetvetes, për të sjellë peizazhin bashkëkohor të individit mes të vërtetës dhe kompleksitetit të ligjit”.
Znj.Erenestina Gjergji Halili, kryetare e jurisë, një lexuese dhe njohëse e mirë e krijimtarisë së z.Prençi, tha në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, se “ çmimi i jurisë ishte mëse i merituar dhe se jo vetëm kjo vepër, por dhe pjesa tjetër e krijimtarisë së Ahmet Prencit është mjaft e arrirë dhe meriton vëmendjen e lexuesit”.
Romani mori vëmendje edhe në konkursin letrar “At Zef Pllumi”-2024, që organizohet nga Bashkia e Lezhës. Në këtë konkurs Ahmet Prençi u vlerësua me Çmimin e Nderit me motivacionin “Për kontributin e dhënë në krijimtarinë letrare, lëvrues i prozës me tematikë të spikatur”.
“Çmimi i Nderit i dhënë në Lezhë për këtë roman,është një simbolikë shumë e çmuar për mua”, thotë autori Prençi në një falenderim në profilin e tij në Facebook.
“Përulësisht mirënjohës jurisë së kryesuar nga studiuesi dhe shkrimtari Behar Gjoka dhe antarët, poeti i dashur për mua dhe gazetari Marash Mirashi dhe publicisti e tregimtari Agim Xhafka. Faleminderit Lezha e besëlidhjes, historisë, kulturës, turizmit dhe vlerave”.
Në konkursin letrar “At Zef Pllumi” morën pjesë mbi 28 shkrimtarë, mes të cilëve emra të njohur si Preç Zogaj, Bashkim Shehu, Shaban Murati, Pashk Përvathi, Thanas Medi,Namik Dokle, Frano Kulli e shumë të tjerë.
Që kur “Brenga e Prokurorit” ka dalë nga botimi, kritika letrarë në vend i ka kushtuar një vëmendje të madhe, dhe për lexuesit tanë ne do të sjellim një pjesë prej tyre të shkurtuar, ndërsa kritikën e shkrimtarit dhe diplomatit Arben Çejku po e sjellim të plotë. / Korresp. RrA.