Haki Duka, një vlerë e pamohueshme e sportit dibran!


Java olimpike - Peshkopi 2007. Takimet finale të shkollave të mesme. 19 maj 2007.

E ndërsa vitet ecin, të duket ndonjëherë sikur njerëzit harrohen. Por në fakt, veprat që lanë pas disa prej më të shquarve, bënë atë që jo vetëm të mos fshihen nga kujtesa, por të mbeten në altarin e historisë në fushat përkatëse. Njëri prej tyre është edhe Haki Duka, ish drejtuesi për shumë vite në sport, metodist, mësues e protagonist. Pak ditë më parë në dorë kisha edhe librin e tij, një libër i botuar në fakt një dekadë më parë, por që është një botim që sjell gjithë historinë deri në vitin ’90, një botim që bën fjalë për të dhënat në shumë sporte, mbi të gjitha, është një testament për gjithçka ndodhi në sportin e Klubit Korabi për dekada të tëra. Aty gjejnë veten ata që jetojnë, por edhe yjet e sportit që na mungojnë. Flitet për skuadra, por edhe për individë, për kampionë, mjeshtra, për trajnerë e specialistë…
Por të lemë pas librin dhe të flasim për Hakiun njeri, Hakiun pasionant, drejtues, metodist, Hakiun e përkushtuar që arriti të mundësonte edhe 75-vjetorin e Klubit Korabi në vitin 2005, një ceremoni madhështore, ku edhe u nderuan shumë prej korifejve të sportit dibran në vite. Por cila është historia e tij në sport dhe nga nisi kontributi? Ai në vitin 1972, vinte i mbushur me shumë energji nga auditoret dhe fushat e të vetmit universitet sportiv në vend askohohe, IKF “Vojo Kushi” Tiranë.
E nisi si inspektor i Edukimit fizik dhe sporteve, por falë cilësisë që ofroi dhe përkushtimit maksimal, shumë shpejt arriti të ishte drejtues i komitetit të fizkulturës e sporteve, siç quhej në ato vite.
Ky mision, pra i drejtuesit, zë fill në vitin 1975 dhe vijoi deri në vitin 1988. Mbaj mend që asokohe sapo kisha nisur punën si mësues i Edukimit fizik dhe kujtoj edhe spektaklet që ideonte e organizonte në çdo fundvit me 10-të sportistët më të mirë të Klubit Korabi, apo takimet mes shkollave dhe fshatrave e zonave, mes kooperativave e ndërmarrjeve, ku dilnin shumë elementë të mirë për ekipet profesioniste.
Pas vitit ‘80 deri në ‘90-të, Klubi Korabi u bë lokomotivë e fuqishme e rritjes së numrit të ekipeve në kategorinë e parë. Volejbolli i femrave, mundja, atletika, alpinizmi, qitja, shahu, skitë, radioamatorizmi, basketbolli i të rinjve, por edhe futbolli, pavarësisht se nuk u ngjit dot në kategorinë e parë, ishin promotorë të një ndryshimi cilësor, duke afirmuar vlerat më të spikatura dhe dinjitoze të një treve sportdashëse, si Dibra.
Pas viteve ‘90-të, sërish Haki Duka e gjeti vendin e tij, duke qenë metodist në drejtorinë arsimore, por në dhjetor të vitit 2002, ai sërish bëhet drejtues i Klubit Korabi për disa vite.
Në vitin 2015, falë nismës së tij, Klubi sportiv Korabi festoi jubileun e 75-të të tij, duke promovuar me këtë rast edhe librin që bënte fjalë për historinë e sportit deri në vitin 1990. Ai e bëri me shumë pasion atë jubile, duke dashur të linte pas tullën e fundit, të një muri të madh që ngriti për më shumë se 35 vjet në shërbim të sportit dhe vlerave të tij në Dibër.
Por kontributi i tij, për shumë vite ishte evident edhe në rritjen cilësore të mësimit në orën e Edukimit fizik, sepse ai për shumë vite mbuloi sektorin e kësaj lënde në seksionin e arsimit e më pas drejtorinë arsimore në rrethin e Dibrës. Sëmundja e rëndë e ndau nga jeta në një moshë relativisht të re, kur ai mund dhe duhej të jepte akoma. Bashkëshortja e tij, ish mësuese dhe drejtuese e arsimit në Dibër, Kije Duka, mbetet dëshmitare dhe bashkëpunëtore e gjithë këtyre viteve, të njeriut, mësuesit dhe drejtuesit model.

FLASIN PER HAKI DUKëN:

Xhelil Cibaku, Mjeshtër i Merituar i Sportit: Haki Duka jepte shpirtin dhe talentin e tij në mësimdhënie
Ishte një organizator dhe punëtor shumë i madh. Mbi 15 vite ka drejtuar sportin në Dibër, duke ardhur nga një eksperiencë e gjatë si atlet dhe mësues i Edukimit fizik. Ai shquhej për organizmin e sporteve në Dibër, duke i ndarë ato në dy plane, në sporte popullore zonale dhe në sporte zyrtare. Një prioritet të madh iu dha spartakiadave, duke nisur nga shkollat 8-vjeçare e të mesme, por edhe veprimtarive masive, si kroset, ngjitjet alpinistike, aktivitetet mes ndërmarrjeve, aktivitetin e mundjes tradicionale në Gollobordë dhe jo vetëm, si dhe shtrirjen e sportit në zona, si atletikë, mundje në fshatrat Ostren dhe Sohodoll, pa harruar Bulqizën, në alpinizëm etj. Kujtoj këtu ekskursionet që bënte në pikat turistike apo majë malesh, duke imponuar te fëmijët dhe të rinjtë edhe njohjen me vendin e tyre. Një gjë interesante kanë qenë lojërat popullore që organizonte çdo vit. Ndërkaq duhet vlerësuar mbështetja maksimale që i dha atletikës, një sport që arriti të sjellë edhe medalje ballkanike me trajnerin pasionant Rexhep Zebin. Po kështu, përmend edhe rezultatet cilësore në sporte të tjera si në mundje, ku çdo vit Korabi kishte sportistë në kombëtare. Por dua ta vendos theksin në volejboll, ku për herë të parë vajzat dibrane përfaqësuan edhe ekipin kombëtar me trajnerin e paharruar Bashkim Lala, në shah, alpinizëm, atletikë, qitje, etj. Ai pati një bashkëpunim model me mësuesit e Edukimit fizik nëpër shkolla dhe me stafet e trajnerëve në të gjitha nivelet, duke i mbështetur në punën e tyre. Mbaj mend që në spartakiadat kombëtare Dibra falë rezultateve cilësore merrte flamurin e spartakiadës, si rreth i kategorisë së dytë.

Musa Riçku, Zv. Kryetar i LID: organizator dhe punëtor shumë i madh
Me Haki Dukën njihem shumë herët, që kur kam qenë nxënës, aq sa mbaj mend akoma orët e fizkulturës në shkollën e mesme në Peshkopi, ku ai jepte shpirtin dhe talentin e tij në mësimdhënie. Më pas unë fillova mësues në Gurë-Lurë dhe aty ai më ndihmonte me bazë materiale dhe mënyrën metodike të orës së mësimit. Por ky bashkëpunim dhe respekt i ndërsjelltë, vijoi edhe vite më pas, pavarësisht viteve të largimit tim në Tiranë.
Në kohën kur ai ishte drejtues i Klubit Korabi, bëri një festë madhështore me rastin e 75-vjetorit të Klubit Korabi dhe unë isha një nga biznesmenët bashkëfinancues, krahas Met Bitrit dhe Rakip Sulit, për këtë aktivitet. Pasi mbaroi me sukses e gjithë veprimtaria, nuk më harrohet të përmend faktin që ai më nisi drejt Tiranës të gjitha shumat e paguara dhe shpenzimet me fatura përkatëse, duke treguar jo vetëm ndershmërinë që e karakterizonte, por edhe njeriun korrekt dhe mirënjohës. Gjithashtu, nuk kish harruar të dërgonte fotot, dvd dhe një mirënjohje, që mua m’u duk se më shtoi shumë vite jete. Pra, ky ishte Hakiu, njeriu i mirë, punëtor, iniciator dhe konkret.

Rexhep Zebi: Ish trajner i atletikës, Kanada: Haki Duka la gjurmë historie në sportin dibran
Ndjej dhimbje për mungesën e një njeriu që sportin dibran e ngriti në kulme të tij. Kujtoj gjithë ato vite punë titanike, ku atletikën dibrane nga niveli zero e dërguam në majat e sportit shqiptar, por edhe në Ballkan dhe Europë. Unë e vlerësoj padyshim Hakiun, sepse la gjurmë historie në sportin dibran. Mbi të gjitha vlerësoj bashkëpunimin dhe mbështetjen që i dha sportit ku unë isha trajner. Ai më tërhoqi nga Luznia ku isha mësues dhe ngriti klasat sportive që ishin baza e atletikës. Aty zbuluam talentet dhe vijuam të punojmë deri në vitin 1993 kaq shumë, saqë atletët e Korabit përbënin boshtin e ekipit kombëtar, si Meleq Selmani, Meliha Seferi, Arta Agolli, Qemiran Spahiu, etj. Ajo ishte koha e artë e sportit në Dibër dhe Haki Duka ka meritë të pamohueshme në këtë aspekt.

2 komente

  1. Eh Haki Duka ishte i pazevendesueshem ai ishte daja i mamit tim Respekt pa kufi per kete njeri Nazmie Enver Kaci

  2. Haki Duken e kam pasur mesues te edukimit fizik ne shkollen 8-vjecare “Nexhat Agolli” Muhurr. S’me shqitet nga mendja ai trup i bukur atleti, ajo natyre e qeshur mesuesi. Mesues Hakiu ishte krejt i vecante. Ai te rrembente me fjalen, sjelljen dhe imazhin tejet sportiv te tij. Duke qene i shkelqyer ne te gjitha llojet e sporteve, si: atletike, gjimnastike, voleiboll, basketboll, futboll, e tjere, mesues Hakiu qe per ne, nxenesit dhe gjithe rinine muhurrake te asaj kohe, aq atraktiv sa nuk i gjej fjalet ta pershkruaj. Me vone, kur punova per disa vite ne qytetin e Peshkopise si drejtues i kultures ne shtepine e ushtarakeve te divizionit “Korabi”, m’u dha rasti qe mesues Hakiun ta takoja shpesh, te rrija me te, te pinim kafe e te sillnim ndermend kujtimet e kendshme te se shkuares. Tashme, permes bisedave te ndryshme miqesore me te, kisha zbuluar me thelle boten e tij, cilesite dhe virtytet me te mira qe duhet te karakterizojne nje njeri te ndershem, nje intelektual te vertete, nje kuader te perkushtuar. Nga shkrimet e mesiperme mesova me dhimbje ndarjen e Tij nga jeta. U ndieva keq dhe duke sjelle ne mend gjithe cfare thashe me lart, s’i permbajta dot lotet …!

Komentet janë mbyllur.