“Revolucioni Flamingo” mbushi rrugët me rini dhe shpresë


Në foto: Mijëra qytetarë të Tiranës duke marshuar në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, nga sheshi "Skënderbej" në drejtim të Kryeministrisë. Ky marrshim qytetar që ka nisur që në fillim të qershorit është shndërruar një një demonstratë të përnatshme, në atë që është cilësuar nga protestuesit dhe media botërore si "Revolucioni Flamingo". Foto: E. Bitri.

Në bulevard po takohen njerëz që ndoshta nuk do të ishin takuar kurrë ndryshe: vajza e djem; fëmijë, të rinj e të moshuar; besimtarë e jobesimtarë; të majtë e të djathtë. Të gjithë të ndryshëm, por të lidhur nga e njëjta dëshirë për një jetë më të drejtë.

Nga Dr. Elsa Bitri *

Ka mësime që nuk i kërkon. Të vijnë në çastet më të papritura. Mua më erdhi sot në një dhomë spitali, nga një infermier, dy gota plastike dhe një ilaç.

Ishte vakti i ilaçeve për babin, të cilin po e shoqëroja prej ditësh. Infermieri punonte me një përkushtim që të jepte menjëherë ndjesinë e besimit. Në një gotë me ujë hodhi dy pluhura të tretshëm: njëri më i çelët, tjetri më i errët. Sapo prekën ujin, u kokrrizuan dhe për pak çaste qëndruan veçmas, secili me formën dhe ngjyrën e vet.

Pastaj ai filloi t’i kalonte nga njëra gotë në tjetrën, me durim.

“Ta përziejmë me ndonjë përzierës?” i sugjerova.

“Jo,” më tha, pa i ndarë sytë nga gotat. “Kështu lidhet më mirë.”

Teksa vështroja, nuk munda të mos mendoja për ironinë e situatës. Po shihja se si përgatitej një ilaç me aq kujdes në një spital privat, ndërsa vetëm pak ditë më parë ishim të detyruar të largoheshim nga një spital publik, pasi analizat dhe ekzaminimet bazë na u shtynë, sepse aparaturat, “fatkeqësisht”, ishin “prishur”…

Por koha në spitale rrjedh ndryshe. Çdo orë vonesë nuk matet me minuta, por me ankth. Aty u përballëm edhe një herë me atë që shumë shqiptarë e dinë mirë: sa i brishtë bëhet dinjiteti i njeriut kur shëndeti fillon të varet nga xhepi dhe jo nga nevoja.

Ndoshta infermieri e vuri re dëshirën time për t’u përfshirë, ndaj ma la mua të vazhdoja procesin, ndërsa ai nisi t’i mjekonte plagën babit.

Kalim pas kalimi, masa po ndryshonte para syve të mi. Grimcat afroheshin, lidheshin, bëheshin pjesë e diçkaje më të madhe. Veçmas, asnjëra prej tyre nuk mund ta krijonte atë që po formonin bashkë. Pluhuri po tretej ngadalë, duke ngjyrosur ujin.

Ndërsa molekulat vallëzonin teksa derdheshin nga njëra gotë në tjetrën, mendja më shkoi te rrugët e Tiranës, ku prej ditësh kisha dalë edhe vetë mes mijëra “flamingove”. Edhe ajo lëvizje kishte nisur si grimca të shpërndara: njerëz me histori, bindje, plagë dhe halle të ndryshme, që po bashkoheshin rreth së njëjtës lodhje të thellë.

Në bulevard po takohen njerëz që ndoshta nuk do të ishin takuar kurrë ndryshe: vajza e djem; fëmijë, të rinj e të moshuar; besimtarë e jobesimtarë; të majtë e të djathtë. Të gjithë të ndryshëm, por të lidhur nga e njëjta dëshirë për një jetë më të drejtë.

Një flamingo e vetme duket e brishtë. Por flamingot rrallë fluturojnë vetëm. Kur ngrihen së bashku, krijojnë një pamje që nuk mund të shpërfillet. Jo nga forca fizike, por nga bukuria dhe harmonia e bashkimit. Dhe në rrugët e qytetit, flamingot po shtohen çdo ditë.

Shtohen si kundërpërgjigje ndaj një sistemi që i ka lodhur, i ka zhgënjyer dhe i ka detyruar ta kërkojnë diku tjetër atë që u takonte në atdheun e tyre.

Por ky sistem nuk na erdhi nga jashtë. Lindi dhe u rrit mes nesh, me heshtjet tona, me dorëzimet tona, me kompromiset e vogla që, të grumbulluara, na sollën deri këtu. Ata që na zhgënjyen janë shqiptarë, pjesë e së njëjtës shoqëri që i rriti, i duroi dhe shpesh i zgjodhi.

Prandaj kjo lëvizje nuk është vetëm kundër një emri, një qeverisjeje apo një klase politike. Është edhe një përballje me veten: me pjesën që heshti, që u pajtua, që tha “kështu është këtu” apo “nuk bëhet Shqipëria me shqiptarët”.

Në atë lumë njerëzish ka shumë zemërim, natyrisht. Dhe zemërimi kolektiv është më e pakta që mund të ndodhë kur dinjiteti i një shoqërie cenohet përditë: në shkollë, në spital, në shërbimet publike, në shtëpi, në sofrën e bukës… Ky zemërim i grumbulluar, që tashmë është kthyer në vetëdije, në qëndresë dhe në kërkesë për llogari, ishte i nevojshëm, sepse pa të padrejtësia dhe korrupsioni po normalizoheshin.

Por nga ky zemërim paqësor ka lindur edhe shpresa te rinia, si dhe dëshira që kjo shoqëri të mos e pranojë më të keqen si fat të pashmangshëm.

Sigurisht, si në çdo transformim, edhe në këtë lëvizje ka provokime, manipulime, interesa dhe përçarje. Por bashkimi i vërtetë as nuk imponohet, as nuk shpërbëhet lehtë. Ai lind dhe rritet kur njerëzit fillojnë t’i besojnë njëri-tjetrit dhe kuptojnë se i bashkon më shumë nga sa i ndan.

Ashtu si ilaçi në atë gotë, edhe shoqëritë nuk shërohen duke mohuar njëri-tjetrin. Por ndryshe nga tretja, shoqëritë nuk kanë nevojë të njëtrajtësohen për t’u lidhur. Ato përmirësohen kur njerëzit ruajnë zërin e tyre, por e vendosin në një ritëm më të madh.

Jo duke humbur veten për t’u bashkuar, por duke u bashkuar pikërisht për të qenë vetvetja. Në harmoni, në kohezion.

Ndërsa isha ende e zhytur në këto mendime, infermieri ma mori gotën nga dora.

“E ke qarë,” më tha me buzëqeshje.

Ia dha ilaçin babit dhe e siguroi që tani do të bëhej më mirë. 

Babi e piu ilaçin ngadalë, me atë bindjen e brishtë që kanë të sëmurët kur duan të besojnë se diçka do t’i lehtësojë. Pastaj na buzëqeshi me sy, sikur të thoshte se për atë çast mjaftonte kaq.

Dhe mjaftoi.

Pas shumë kohësh, në sytë e tij pashë një njeri të lodhur nga dhimbja t’i dorëzohej një qetësie të vogël, jo vetëm prej ilaçit, por edhe prej besimit te njeriu që ia dha.

Ndoshta kjo është ajo që i mungon më shumë Shqipërisë sot.

Jo njerëzit e mirë. Jo vlerat. Këto i kemi.

Na mungon besimi: te njëri-tjetri, te profesionisti që di punën e vet, te institucioni që duhet t’i shërbejë qytetarit, te bindja se kjo shoqëri mund të ngrihet përsëri për veten e vet.

Dhe ndërsa babi nisi të dremiste i qetë, mendova se edhe shoqëritë shërohen pak a shumë në të njëjtën mënyrë: jo kur dikush i përzien me forcë, por kur njerëzit mësojnë të afrohen me njëri-tjetrin, ditë pas dite, kalim pas kalimi, derisa të zbehen ndarjet, por jo vetvetja.

…njësoj si flamingot që mbushin rrugët e qytetit dhe zemrat e njerëzve me shpresë, me rini, me ardhmëri. 

* Autorja është doktore shkencash bibliotekonomi, Ky shkrim është ekskluzivisht për gazetën Rruga e Arbërit. Ndalohet ribotimi i tij pa lejen e redaksisë.