Qeveria duhet t’i kthejë sytë nga Dibra e Skënderbeut, jo për ta mbuluar me ujë, por për ta “mbuluar” me investime


Nga prof. asoc. dr. ing. Vesel Hoxha

Prej shumë dekadash Skavica është bërë “gogoli i dibranëve” nga të gjithë krahët e politikës, sa herë ato kanë ardhur në pushtet, të majta apo të djathta. Parlamenti dhe qeveria, nga tribuna të shpresës, janë kthyer në sytë e popullit në arena zëniesh, sharjesh e fyerjesh në maksimumin e mundshëm, duke na qeverisur me platforma politike dhe ekonomike të paqëndrueshme, pa u fokusuar në investimet prodhuese. Mungon një sistem pagash i studiuar dhe i mirëshkallëzuar, bazuar në merita dhe në produktin e punës. Akoma nuk kemi të miratuar një ligj për minimumin jetik, dhe kjo është me shumë rëndësi. Nuk e kuptoj mosdakordësinë për një parlament me numër të vogël deputetësh të zgjedhur direkt nga populli, pra deputet për popullin jo deputet për partinë. Një vend i vogël si ne, mundet me përballuar një qeveri të vogël me pak ministri dhe nëpunës. Kemi nevojë për një ndarje territoriale afatgjate me rreth 30 bashki, me organika të studiuara në varësi të problematikave, popullsisë dhe shtrirjes hapsinore (nga 26 rrethe në kohën e monizmit). Na duhet një administrate gjithashtu e vogël dhe e aftë, operative e pa struktura të tepërta, që të mos pengojë zhvillimin ekonomik të vendit, me shpërdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë, të këtij populli të shumëvuajtur e të vjedhur.

***
Në shekullin e XXI, kur shkenca ka ofruar alternativa të tjera e të reja për prodhimin e energjisë, nuk kemi arsye që të mbulojmë (mbysim) me ujë tokën bujqësore dhe të zhdukim trojet e banuara në mjëvjeçarë.

Është momenti i duhur për anullimin e këtij projekti ogurzi me shumë pasoja negative e komplekse, duke qetësuar një herë e mirë popullatën vendase dibrane dhe opinionin e gjerë që të mos largohet nga ajo trevë nga frika e Gogolit Skavica, duke i kërkuar publikisht qeverisë Shqiptare që jo vetëm të anullojë punimet për ndërtimin e hidrocentralit, por të ndërroj kursin 180 gradë, duke i kthyer sytë nga Dibra e Skënderbeut jo për ta mbuluar me ujë, por për ta “mbuluar” me investime për zhvillimin e saj, duke e parë atë si themel i shtetformimit, si vendbanim i Kastriotëve dhe vendlindje e të madhit Skënderbe.

Shumë është shkruar për “të ashtuquajturën Skavicë” dhe shumë do të shkruhet sa duket edhe në vitet në vijim, pasi ndërtimi i saj përbën një problem madhor kyç e jetik për Dibrën, problem që lidhet me egzistencën ose jo të saj. Nga ana tjetër, zhvillimi i këtij projekti shikohet si fitimprurëse për firmat ndërtuese e shfrytëzuese ndonëse, që në emërtimin e këtij hidrocentrali është gabuar, dhe emri Skavicë ka marrë dhenë.
Vendi ku kohët e fundit janë kryer punimet e studimet për digën, nuk është pjesë e territorit të fshatit Skavicë, pra e bashkisë Kukës, por është pjesë e fshatit Qafë Draj, Njësia administrative e Reçit, dhe e ka emërtimin Suka e Trocit apo Shullani i Trocit. Kjo nënkupton se leja për të kryer punimet duhet të jetë lëshuar nga bashkia Dibër. Përshtjellimi që ka krijuar emri Skavicë lë të kuptohet se HC-i do të ndërtohet në territorin e bashkisë së Kukësit dhe jo në territorin e bashkisë Dibër.
Gjerë më tani, punimet e studimet për digën po realizohen në territorin e Dibrës dhe përmbytja do të ndodh tërësisht në territorin e saj. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.
Tashmë ky emër është shndërruar realisht në një “Gogol të Madh” pse jo dhe në një friksim të madh, prej më se gjashtë dekadash. Duke qenë një kundërshtar i digave të mëdha, para shumë viteve (nga dëshpërimi dhe zemrimi se mund të ndërtohej hidrocentrali në fjalë sipas parashikimeve qeveritare), iu kundërpërgjigja në shtypin e kohës këtyre varianteve me diga të tilla.
Qeveritarët parashikonin ndërtimin e hidrocentralit në fjalë, në njerin nga tre variantet e më poshtme të paraqitura në kuota absolute për pasqyrën e ujit të liqenit të ardhshëm: 445m, 465m dhe 485m.
Si kundërpeshë ndaj këtyre varianteve ogurzeza për Dibrën e dibranët, pata propozuar fillimisht, në një artikull të botuar në shtypin e kohës, tri diga të vogla, ku më vonë fiksova vetëm dy prej tyre, duke u bazuar edhe në konsultime me specialistë të fushës dhe me studimet e firmave të ndryshme vendase e të huaja, që kërkonin të ndërtojnë vepra hidroenergjetike në këtë lum.
Digën e parë e pata propozuar dy km poshtë digës së “të ashtuquajtur Skavicë”, në vendin e quajtur Përroi i Tushes – përballë fshatit Tejdrine (bashkia Kukës), me një lartësi dige 60 m. Niveli maksimal i pasqyrës së liqenit do të ishte rreth 5 m vertikalisht mbi pikëtakimin e përroit të Veleshicës me Lumin Drini i Zi. Do shkaktonte përmbytje minimale kryesisht në zonat Zall Reç e Draj Reç të Njësisë administrative të Reçit, si dhe dëme të vogla në periferi të fshatit Lugje dhe afër qendrës së Njësisë administrative të Zall Dardhës.

Vendi ku kohët e fundit janë kryer punimet e studimet për digën, nuk është pjesë e territorit të fshatit Skavicë, pra e bashkisë Kukës, por është pjesë e fshatit Qafë Draj, Njësia administrative e Reçit, dhe e ka emërtimin Suka e Trocit apo Shullani i Trocit. Kjo nënkupton se leja për të kryer punimet duhet të jetë lëshuar nga bashkia Dibër. Përshtjellimi që ka krijuar emri Skavicë lë të kuptohet se HC-i do të ndërtohet në territorin e bashkisë së Kukësit dhe jo në territorin e bashkisë Dibër.

Po ashtu pata propozuar edhe digën e dytë po në lumin Drini i Zi, aty ku fillon ngushtimi i grykës së lumit në fjalë, mbi Urën automobilistike që lidh fshatin Katund i Ri me pjesën matanë lumit, diku në afërsi të fshatit Selane. Kjo propozohej të ndërtohej me një lartësi dige 30 – 35m. Niveli i liqenit nëse do ndërtohej, ashtu si dhe ai i digës së Tejdrinës, shkaktonte dëme të vogla, në rrethinat e fshatit Gradec të Njësisë administrative Maqellarë.
Megjithatë, pata theksuar në artikull, edhe pse dëmet do të ishin minimale në raport me dëmët katastrofike që do të shkaktonin digat e larta që propozonte qeveria e asaj kohe (të cilat do të zhduknin Dibrën duke e mbuluar me ujë mbi 80 % të “hambarit të saj”), këto variante nuk duhej të miratoheshin as të zbatoheshin, pa u kryer më parë studimet përkatëse komplekse shkencore etj. Po ashtu nënvizoja dakordësinë me popullatën e zonave që do të përmbyteshin, duke e mbyllur shkrimin: llogaritë për ndërtimin e dy HC-ve në fjalë duhet të bëhen me “hanxhinë”, jo pa e pyetur atë, pra jo pa u marrun vesh me të zotët e tokës.
Edhe për këto variante që publikova në shtypin e kohës, u përballa me kritika të ashpra e të shumta, sidomos nga disa specialistë e gazetarë shumë të njohur të trevës së Dibrës. Më duhet të theksoj se unë, vite më vonë, fillova të reflektoj dhe të ndërroj mendje duke përkrahur alternativat e reja të prodhimt të energjisë elektrike. Arritjet e shkencës dhe përllogaritjet shkencore ekonomike, duhet të prevalonin mbi interesat e çastit në zhvillimin e vendit, që nguten të programojnë qeveritë e rradhës të sapo ardhura në pushtet.
***
Pas përfundimit të rrugës së Arbërit deri në qytetin e Peshkopisë dhe asaj të Lurës deri tek lidhja me Varrezat e Arrasit, në pranverën e vitit 2025, siç është thënë e deklaruar në media nga ministria e linjës, qeveria duhet t’i kthej sytë nga Dibra.
Jo të ndërtojë hidrocentralin dhe të vazhdojë ti mbajë në ankth e frikë banorët me “Gogolin Skavica” në mënyrën më të padrejtë, duke ju mohuar ardhmërinë dhe liritë themelore të jetës, duke ju mbuluar me ujë vendlindjen dhe vendbanimet e tyre mijravjeçare.

Ajo duhet të bëjë të kundërtën, të jetë prezente me programe e projekte zhvillimore, të mirëstudiuara e të konsultuara me specialistët më të aftë në zonë dhe në vend, për krijimin e kushteve të mira për jetesë. Të paraprijë me investime prodhuese, me krijimin e kushteve të përshtatshme për një turizëm malor, kulturor e historik gjithëvjetor; me vepra të tjera infrastrukturore të nevojëshme e të domosdoshme; me investime urgjente në bujqësi për të cilat ka aq shumë nevojë ajo trevë e lënë pas dore, për fat të keq edhe në vitet e demokracisë (ish pararoja e frutikulturës, misrit, patates, blegtorisë etj., në gjithë vendin).

Ajo duhet të bëjë të kundërtën, të jetë prezente me programe e projekte zhvillimore, të mirëstudiuara e të konsultuara me specialistët më të aftë në zonë dhe në vend, për krijimin e kushteve të mira për jetesë. Të paraprijë me investime prodhuese, me krijimin e kushteve të përshtatshme për një turizëm malor, kulturor e historik gjithëvjetor; me vepra të tjera infrastrukturore të nevojëshme e të domosdoshme; me investime urgjente në bujqësi për të cilat ka aq shumë nevojë ajo trevë e lënë pas dore, për fat të keq edhe në vitet e demokracisë (ish pararoja e frutikulturës, misrit, patates, blegtorisë etj., në gjithë vendin).
Kështu mund të përmendim rikonstruksionin dhe asfaltimin e rrugës për në Zall Dardhë e Reç dhe, vazhdimin e saj deri në Gjurrë Reç, Arrëmollë, Pregjë e Krejë Lurë, për tu lidhur me rrugën e re Përlat – Lurë, një rrugë e cila pritet të përfundoj në fundin e vitit 2024 dhe që do ketë ndikim të jashtëzakonshëm në rigjallërimin e jetës në ato treva.
Po ashtu rikonstruksionin e asfaltimin e rrugës nga Muhurri për Selishtë e fshatrat për rreth saj si dhe, lidhjen me zonën e Lisit të Burrelit, një rrugë e hapur që në kohën e mbretit Zog.
Këto janë investime jo të kushtueshme sipas meje, nuk janë autostrada, as nuk kanë dimensionet e rrugës së Arbërit. Përgjithësisht ato janë rikonstruksione rruge me gjërësi nga 4 – 4.5 m, të cilat do të kenë impakt të madh në zhvillimin ekonomik të zonave rurale të Dibrës, duke gjallëruar edhe kërkimin dhe shfrytëzimin e pasurive minerale të kromit, mermereve etj. për të cilat i ka tërhequr vëmendjen kohët e fundit vendit tonë edhe Bashkimi Evropian.
Jo më kotë shprehja “rruga sjellë zhvillim” tashmë është një aksiomë. Këto investime do frenojnë pikësëpari largimin e të rinjëve nga vendlindja dhe boshatisjen e fshatit, një dukuri negative që mund të shdërrohet në tragjedi po nuk u morën me kohë masat e duhura në investime. Dhe kjo nuk është pak, por një hap vendimtar e me rëndësi, drejt përparimit e prosperitetit të zonës.
Nga ana e qeverisë shqiptare është shpallur me bujë e krenari se ndërtimi i hirocentralit në fjalë do të sjellë “një sërë të mirash për Shqipërinë dhe për Dibrën”, pasi ta mbulojë atë me ujë. Ajo vazhdon të mos jetë transparente me popullatën e zonave që do të përmbyten, krahinë ku ka rrënjët, ka lindur dhe është rritur edhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Unë nuk dua të bëj historianin, dhe as nuk marrë përsipër gjëra që nuk i di, por shenjat për këtë hero që i kalon kufijtë e kombit tonë, nuk duken në terren ose e thënë ndryshe pothuajse mungojnë nga qeveria qendrore. Ato pak përmendore të ngritura në disa vende të spikatura, janë shënuar në terren falë kontributit të shoqatave të ndryshme atdhetare, individëve apo disa drejtuesve të qarkut dhe bashkisë, po jo nga qeveria qendrore apo ministritë e linjës.
Nuk e kuptojmë indiferentizmin rreth vendlindjes së heroit tonë kombëtar!
Këtë dua ta them me aq zë të lartë, sa të dëgjohet nga Çidhna e deri në sheshin Skënderbej në Tiranë.
Kur ishte ministre kulture znj. Mirela Kumbaro, çdo dy ditë e shikonim në televizion të krenohej për restaurimet që bëheshin në disa zona në Libohovë, në Gjirokastër apo gjetkë. Dhe bënte mirë. Nuk di a ka dhënë ndonjë fond asokohe edhe për restaurimet në Dibër, por dimë se nuk ka dhënë asgjë sa lidhet me historinë e Dibrës…
I vetmi investim për tu shënuar në këto afro 80 vite, ishte Muzeu i Kastriotëve në Sinë, por edhe ky i realizuar në kohën e monizmit! Mendoj se jemi të vonuar për të bërë më shumë në këtë drejtim, duke filluar me kompozimin e një kompleksi historik në zonën në fjalë me qendër në Arras (Kompleksi historik i Arrasit, shiko grafikët dhe fotot që shoqërojnë shkrimin), me që rruga e ndërtuar e favorizon një gjë të tillë. Propozimi i z. A. Ashiku vite më parë, një gazetar i mirënjohur në Dibër e më gjërë, duhet vlerësuar e mbështetur, për të ngritur një shtatore të Skënderbeut mbi kal, iden si në qendër të Tiranës, në majën e Thekanushit me naltësi 517m mbi nivelin e detit. Nga kjo kodër e rrumbullakosur e strategjike duket pothuajse gjithë Dibra, dhe shtatorja do ketë përballë si fshatin Kastriot ashtu dhe fshatin Sinë, dy vendbanimet e familjes së madhe të Kastriotit. Nga Varrezat e Arrasit e deri tek monumenti i shtatores nuk është më shumë se 400 m rrugë për tu rikonstruktuar dhe asfaltuar, me gjërësi rreth 4m dhe me sistem shkallor ngjitje, aty ku ndalon rruga e makinës e deri tek monumenti i ardhshëm i heroit legjendar në majën e kodrës në fjalë, i cili duhet të shikohet edhe nga sateliti. Rrugës nga Peshkopia për në fshatin Arras, në mesin e saj në të djathtë, në fshatin Kastriot është ngritur një përmendore kushtuar familjes së Kastriotëvë, në nderim të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në vijim, pa kaluar urën mbi Lumin Drini i Zi, në rrëzë të Kodrës së Honeve, në fshatin Laçes, ngjitur me rrugën (afër xhamisë së fshatit), përballë me Majën e Thekanushit ku propozohet vendosja e shtatores së heroit tonë kombëtar, është ngritur një tjetër kompleks – një përmendore e madhe në përkujtim të Betejës së Torviollit (i ideuar nga piktori dhe ekonomisti i njohur Huzri Hoxha) dhe luftrave për liri e pavarësi (shiko grafikun ilustrues).
Nga Arrasi e deri tek Muzeu i Kastriotëve në Sinë mund të rikonstruktohet dhe asfaltohet rruga për rreth dy km gjatësi dhe gjërësi 3-4m me asfalt, për ta bërë lehtësisht të vizitueshme në çdo kohë për turistët vendas dhe të huaj (këtu dua të rikujtoj se ka një vendim të qeverisë Rama të vitit 2018 për ta asfaltuar rrugën nga Arrasi deri tek Muzeu në fjalë në Sinë të Poshtme, por akoma nuk është bërë realitet).
Një lapidar tjetër mendoj se duhet vendosur aty ku fillon ndarja e rrugës automobilistike Arras Lurë me Rrugën e Rinisë Peshkopi – Kukës, në përkujtim të Fillimit të Kryengritjes së Përgjithëshme në datat 26 dhe 27 mars, të vitit 1912, nën udhëheqjen e atdhetarëve të mirënjohur Selman Alia dhe Elez Isufi, kundër garnizonit të Perandorisë Osmane, i stacionuar në Çukë të Lushës në fshatin Arras, në afërsi të fshatit Kodër Leshe,
Po në këtë zonë, mund të rikonstruktohet një rrugë makine apo këmbësore rreth 200 m për tu vizituar ndërtesa ku ka patur selinë Qeveria e Arrasit në vitin 1920 (në Kullën e atdhetarit Riza Vesel Lusha, e cila ka nevojë që të rindërtohet e të kthehet në një muzeum për zhvillimet e kohës.
Para ca kohësh, më tërhoqi vëmendjen një koment në rrjetet sociale i ish ministrit të brendshëm gjeneralit Sandër Lleshi, në lidhje me restaurimin e Kullave në Shqipëri.
Kuptohet, jo për të gjithë ndërtesat por për ato kulla tre katëshe të ndërtuara me gur e gëlqere me vlera të mëdha kulturore dhe historike. Këtu mund të përmendim Kullat Muhurrit, Selishtës, Luznisë, Sinës, Çidhnës, Kandrit etj. të cilat mund të restaurohen në kuadër të një projekti kompleks që mund të propozohet për të gjithë monumentet kryesore të natyrës dhe përmendorët.
Një kullë e tillë me tre kate ka qenë edhe Kulla e Riza Vesel Lushës e cila u bë selia e Qeverise së Arrasit, ku u përgatit, u organizua dhe u drejtua lufta kundër pushtuesve Serb, duke i dëbuar ata matanë kufirit të vendosur nga fuqitë e mëdha të kohës.
Në mesin e rrugës Arras-Çidhën, tashmë në pritje të përfundimit brenda pranverës së vitit 2025, mund të vizitohet përmendorja e Masakrës së Çidhnës në Kepin e Xhitetit, dhe më tej, po ngjitur me këtë rrugë mund të vizitohet Varri i Jovanit, që mund të jetë edhe Varri i Gjon Kastriotit, i vendosur në oborrin e një kishe (ku sot duken vetëm gërmadha), që mendohet se është shumë e vjetër, nisur nga disa mendime paraprake që ka shprehur arkeologu i mirënjohur prof. dr. Skënder Muça, gjatë një ekspedite të shkurtër që realizoi në atë krahinë.
Po nga Arrasi, nëpërmjet një rruge këmbësore rreth 500m larg, mund të shkohet matanë lumit Drini i Zi, në afërsi të Urës së vjetër të Lushës, për të vizituar përmendoren në vendin e quajtur Ferra e Pashës, ku bëheshin besë-lidhjet për bashkimin e dibranëve në luftrat për liri, nën flamurin kombëtar pa yll (guxim i tepruar për kohën), i ngritur me nisiativën e z. Mustafa Tola në kohën e monizmit që në vitin 1987, por që ka nevojë për rikonstruksion.
Pa folur për monumentet e natyrës në lumin e Setës si Gryka e Setës, Burimin, Shpellën dhe Ujëvarën e Sopanikës, Burimin e Resnës, etj. Me mjaftë interes e shikoj propozimin e vendasve për ndërtimin e një teleferiku nga Çidhna e Poshtme (Shtegu i Nuses në hyrje të Gjalicave), për në Qafë Kala (vendi ku ndodhet Kalaja e fshehtë e Skënderbeut).
Ndërtimi e sistemini i një rruge të shkurtër këmbësore nga fshati Çidhën në fshatin Gur Lurë, dhe më tej ndërtim i një teleferiku deri tek qendra e 14 Liqeneve akullnajorë të Masivit Ultrabazik të Lurës (7 janë në këngët popullore).
Kështu ai vend historik dhe stategjik do të rilind dhe, do të kthehet në një atraksion turistik gjithëvjetor të pa parë në vendin tonë, falë favorizimeve të relievit madhështor e klimës, bukurive të rralla natyrore e peisazheve tejet të veçanta mahnitëse, monumenteve të shumta natyrore e Parkut Kombëtar Lurë-Dejë, që premtojnë mundësi shumë të mëdha për zhvillimin e turizmit malor, historik e kulturor. Nga 12 shtigje turistike që ka gjithë bashkia e Dibrës, 3 të tilla kalojnë në rajonin Arras-Lurë, sipas një harte të publikuar për këtë bashki nga USAID (2018).
***
Në një artikull të profesor Sazan Gurit botuar në gazetën Telegraf, midis njëzet arsyeve pse Skavica nuk do të ndërtohet, përmenden dhe arsyet gjeologjike që kundërshtojnë ndërtimin e kësaj vepre. Në një interviste dhënë nga ana ime për televizionin gjerman DV-le para disa muajsh, midis të tjerave, kam theksuar disa arsye pse nuk duhet ndërtuar diga gjigande e Skavicës.
Mund të lidhen fort brigjet e gëlqerorëve të Trias -Jurës gjatë ndërtimit të saj, por anët e tjera të digës në vazhdimësinë dyanësore të saj janë tejet të pa sigurta, pa u futur në hollësira profesionale. Prania e disa tektonikave ndërformacionale, bazuar në njohjen që kemi për ndërtimin gjeologjik të zonës së digës, dukurive karstike, rrudhosjeve të formacioneve mesozoike e paleozoike, prania e disa rrëshqitjeve të shpateve etj, jo vetëm që nuk flasin në favor të ndërtimit të HC-it të ashtuquajtur Skavica, por përkundrazi, paralajmërojnë dukuri natyrore me pasoja katastrofike, për të mos thënë apokaliptike, me rrezik kombëtar e ndërkombëtar. Është momenti i duhur për anullimin e këtij projekti ogurzi me shumë pasoja negative e komplekse, duke qetësuar një herë e mirë popullatën vendase dibrane dhe opinionin e gjerë që të mos largohet nga ajo trevë nga frika e Gogolit Skavica, duke i kërkuar publikisht qeverisë Shqiptare që jo vetëm të anullojë punimet për ndërtimin e hidrocentralit, por të ndërroj kursin 1800 shkallë, duke i kthyer sytë nga Dibra e Skënderbeut jo për ta mbuluar me ujë, por për ta “mbuluar me investime” për zhvillimin e saj, duke e parë atë si themel i shtetformimit, si vendbanim i Kastriotëve dhe vendlindje e të madhit Skënderbe.
Unë parashtrova disa mendime tejet të përgjithshme e modeste në lidhje me sa trajtuam më sipër, por vendimtare do të jenë veprimet konkrete të bashkisë së Dibrës, e cila në bashkëpunim me qeverinë qëndrore, fondin shqiptar të zhvillimit dhe organizma të tjera apo fondacione të ndryshme, duhet të paraprijnë e të përgatisin projekte të shumta zhvillimore që ajo i gjykon të nevojëshme e të dobishme për zhvillin e Dibrës dhe përmirësimin e jetës së banorëve të saj, duke stimuluar investimet prodhuese dhe punësimin.