Në vend të fjalës falënderuese


“Gjithçka për mua qe suprizë. Nuk dija se në takimin tim do të merrte pjesë akademiku Shaban Sinani, për më tepër, nuk dija që ai do të fliste; as që ma merrte mendja që Agron Tufa do të dërgonte nga Zvicra një shkrim filozofik, por me fjalë të ngrohta e miqësore për mua dhe për krijimtarinë time; nuk dija që Miranda Goleci kishte përgatitur për mua librin e “Të tjerët për Xhafer Martinin”; nuk dija që piktori i talentuar Zaim Elezi do të bënte një portet timin, nuk dija që në takim do të këndonte Liri Rasha, nuk dija që vajza e Hasan Lekës, në mirënjohje për mua, do të më dhuronte një tufë me lule e të tjera. Prandaj u ndodha i befasuar dhe i suprizuar sa më pushtuan emocionet e fjalën s’e mbajta dot. Qe planifikuar ta bëja me gojë, tani po e bëj me shkrim….”

Edhe një herë u falënderoj të gjithëve, pa asnjë përjashtim; falënderoj ata që folën, por edhe ata që nuk folën, falënderoj ata që erdhën, por edhe ata që kishin dëshirë të vinin, por nuk mundën. Por unë dua të bëj edhe një falënderim të fundit. Nuk di si do ma merrni, por besoj se, si gjithmonë, do të mirëkuptohemi…
Dua të them se unë çfarë kam arritur, e kam arritur se kam pasur në krah Humën: Ajo më ka krijuar të gjitha kushtet dhe është sakrifikuar që unë të jem i lirë vetëm për të shkruar dhe studiuar.

Nuk do të kisha dashtë analizë më të plotë dhe më të saktë të personalitetit tim se sa ai që e bën Agron Tufa; nuk do ta kisha dashur vlerësim më të lartë se sa ai i bën krijimtarisë sime. Ai e shkruajti monografinë për mua dhe unë e lexova sa jam gjallë. Tani, nëse ndodh që dikush mbas shumë vjetësh merret me mua, e ka shumë të lehtë se Agron Tufa më ka siguruar një njohje të imët, në kufijtë maksimal të shprehjes, më ka pasqyruar botën e brendshme dhe shprehjen e jashtme me kaq vërtetësi, pasion dhe kulturë sa nuk mund të bëjë kurrë ndonjë tjetër sado i aftë dhe i talentuar të jetë.

Nga Xhafer Martini

Në takimin me mua si shkrimtar që u organizua nga Shoqata e Intelektualëve Dibranë, në sallën e Akademisë së Shkencave, me datë 30 tetor 2023, kishte edhe një pikë të programit që nuk u realizua, dhe pikërisht Fjala e Falënderuese e Shkrimtarit. Kjo ndodhi për faktin se unë në fund të takimit nuk u ndjeva dhe aq mirë fizikisht, ndoshta prej atyre emocioneve të jashtëzakonshme që provova nga fjalët e mrekullueshme që u thanë për mua.
Gjithçka për mua qe suprizë. Shaqir Skara që mbante lidhjet me mua, nuk më tregonte asgjë. Nuk dija se në takimin tim do të merrte pjesë akademiku Shaban Sinani, për më tepër, nuk dija që ai do të fliste; as që ma merrte mendja që Agron Tufa do të dërgonte nga Zvicra një shkrim filozofik, por me fjalë të ngrohta e miqësore për mua dhe për krijimtarinë time; nuk dija që Miranda Goleci kishte përgatitur për mua librin e “TË TJERËT PËR XHAFER MARTININ”; nuk dija që piktori i talentuar Zaim Elezi do të bënte një portet timin, nuk dija që në takim do të këndonte Liri Rasha, nuk dija që vajza e Hasan Lekës, në mirënjohje për mua, do të më dhuronte një tufë me lule e të tjera. Prandaj u ndodha i befasuar dhe i suprizuar sa më pushtuan emocionet e fjalën s’e mbajta dot. Por organizimi i shkëlqyer, fjalët e mbresëlënëse të të tjerëve, nuk u cënuan aspak nga mungesa e falënderimit tim. Por unë nuk mund të rrijë pa e bërë atë falënderim. Qe planifikuar ta bëja me gojë, tani po e bëj me shkrim, ashtu si e konceptova dhe ashtu si e mendova gjatë kohës që zhvillohej takimi:
Falënderimi i parë i takon Shoqatës së Intelektualëve Dibranë për këtë takim me mua si shkrimtar. Falënderoj zotin Shpëtim Cami për këtë organizim të shkëlqyer.
Para se të flasë për ata që u morën me këtë punë, dua t’u shpreh mirënjohjen gjithë pjesëmarrësit në këtë takim, duke filluar me ata që nuk njihesha e duke vazhduar me miqtë e dashamirët, me akademikët e me profesorët, me deputetët, me të gjithë ata intelektualë që më nderuan.
Falënderoj në mënyrë të veçantë ata që punuan që ky takim ta dalë sa më mirë.
Po e filloj me moderatore Elsa Bitri, e cila solli energji të reja dhe freski me mënyrën e paraqitjes që bëri. Por ajo ka shumë për të mësuar. Po ku do t’i marrë këto mësime? Shkollë e kurse, të paktën në vendin tonë, nuk ka për këtë profesion. Moderatorë dhe moderatore ka shumë, por prej tyre nuk ke çfarë mëson. Kur janë vajza dhe gra, duan të venë në dukje bukurinë e tyre, lukun, siç thonë; kur janë burra, duan të venë në dukje mençurinë e tyre. Ata që ftohen prej tyre për t’u dhënë mend shqiptarëve, grinden e shahen me fjalë rrugaçërore. Nuk merret vesh ku ndodhesh, në një përleshje bandash, apo në një televizion publik.
Por, për të mësuar gjithnjë gjendet një vend, një kohë dhe një mënyrë sjelljeje. Ky vend është në Dibër, në ato kuvendet dhe mexheliset e saj, kur fjala ishte e mençur, e urtë, plot domethënie, me ndjenjë respekti për tjetrin, bashkëbiseduesin. Kjo ndodhte se këto kuvende dhe mexhelise moderoheshin nga burra të shquar që dinin ta kalonin fjalën, mendimin, problemin nga njeri tek tjetri, por në mënyrë aq mjeshtërore sa të pranishmin nuk kuptonin se po mësoheshin dhe po drejtoheshin. Për të mos vdekur kjo mënyrë të foluri, unë kam shkruar romanin: “Kur vdiste kanuni” (2012) ku jam përpjekur t’i bëj një autopsi të plotë jetës së dibranëve të hershëm në shekullin e tetëmbëdhjetë, kur jeta ishte rregulluar në bazë të kanunit. Në roman ka shumë ngjarje interesante dhe komplekse, mbi të gjitha ka urtësi e mençuri, konkretizim të funksionimit të odave dhe të mexheliseve, ku rriheshin mendimet për probleme nga më të rëndësishme dhe ku aktivizohej aq bukur fjala e lirë, por e rrafshtë dhe e mençur, e organizuar dhe e drejtuar nga moderatorët popullorë. Por nuk është vetëm ky libër. Kanë shkruar edhe të tjerët, dikush më shumë e dikush më pak, për ato zhvillime pozitive në jetën e njeriut shqiptar. Në qoftë se Elsa, do të mësojë prej kësaj përvoje, do të bëhet moderatore ndryshe, pra një moderatore e shkëlqyer.
Akademiku shumë i merituar Shaban Sinani foli për profilin tim si intelektual dhe si shkrimtar. Përçoi përmes fjalës së tij dije e mençuri që vetëm ai mund t’i përçojë. Për shembull, unë nuk e dija se jam i njohur në shumë vende si kanunolog, qoftë edhe për referencë. Këtë e mësova nga akademiku që ka një fushëpamje gjithëpërfshirëse. Kam mësuar prej tij dhe prej librave të tij si të gjithë ata që i kanë lexuar. Librat e tij kanë peshë të madhe në kulturën tonë. Nga Shabani mësova edhe për Migjenin që e kam shkrimtarin tim të dashur. Kisha lexuar, natyrisht, të gjitha librat që janë shkruar për Migjenin, por shumë gjëra nga krijimtaria e tij mbeteshin të pasqaruara. Shaban Sinani e ndriçoi Migjenin, e futi në shtratin e vet Ballkanik, e vuri përkrah poetëve të tjerë të mëdhenj të asaj kohe si poetët sllovenë, kroatë, boshnjakë, malazesë, serbë, maqedonas dhe bullgarë. Migjeni ishte zëri shqiptar në këtë kor të mrekullueshëm dhe të veçantë të poetëve të këtij pellgu. Nuk mund të kuptohej dhe të shpjegohej Migjeni pa këtë shtrat Ballkanik. Kjo tregon se kulturat interferojnë me njëra-tjetrën, kulturat bashkojnë dhe afrojnë popujt. Shabani në një libër të tij i referohet edhe një vargu të famshëm të eposit tonë se “Unë Tanushën e kam pa, kur e kishim mirë me krali”, çka tregon se popujt ballkanas kanë shkuar dikur mirë. Shaban Sinani është nga ata intelektualë që ndezin zjarre për t’i ngrohur popujt duart e mardhura, kurse politikanët ndezin zjarre për t’i djegur popujt. Sa më shumë të kemi intelektualë si Shaban Sinani, aq më shumë do t’i afrohemi të mirës së përgjithshme.
Nuk e mendoja gjithashtu që shkrimtari i talentuar Agron Tufa do të sillte një mesazh aq të ngrohtë dhe aq të fuqishëm prej atij vendi të largët. Depërtimi i tij i thellë në shpirtin e njeriut, analiza frojdiane, mënyra e shprehjes cvajgiane, përfytyrimet kafkiane, autoriteti sartian, metamorfoza dostojevskiane, mirësia dikensiane, janë grumbulluara të gjitha tek ky autor dhe janë bërë pasuri e shprehjes së tij. Metaforat dhe simbolet, asociacionet dhe shoqërimet e ideve, janë një gjë e zakonshme në shkrimet e tij, por në shkrimin për mua, ato janë në gradën më të lartë. Nuk do të kisha dashtë analizë më të plotë dhe më të saktë të personalitetit tim se sa ai që e bën Agron Tufa; nuk do ta kisha dashur vlerësim më të lartë se sa ai i bën krijimtarisë sime. Ai e shkruajti monografinë për mua dhe unë e lexova sa jam gjallë. Tani, nëse ndodh që dikush mbas shumë vjetësh merret me mua, e ka shumë të lehtë se Agron Tufa më ka siguruar një njohje të imët, në kufijtë maksimal të shprehjes, më ka pasqyruar botën e brendshme dhe shprehjen e jashtme me kaq vërtetësi, pasion dhe kulturë sa nuk mund të bëjë kurrë ndonjë tjetër sado i aftë dhe i talentuar të jetë. Të faleminderit Agron! Më ka marrë malli personalisht, na ka marrë malli të gjithëve. Flas për atë pjesë të kombit që të don. Nuk është thjesht një mall i zakonshëm njerëzor, por një mall që buron nga dalëzotësia që na jepje, nga mbrojtja që na bëje, se, edhe kur ndiheshim të rrezikuar, edhe kur ndiheshin të pashpresë, mendonim se kishim Agronin. Tani të kemi larg dhe malli është përtej njerëzores. Është një mall atdhetar, nëse shprehmi me figurë. Po figurat nuk dalin gjithnjë të goditura. Ka disa vargje të famshëm De Rada:
“Meqë, bir, ke për t’u nisur,
larg mërguar vafsh si ylli
që dritën udhës nuk e humb”!
Kudo që të jesh, Agron, ndritsh si ylli sipas konceptit Deradian.
Unë vetë konstatova, por edhe të tjerët ma thanë se kjo veprimtari ka qenë e ideuar dhe e realizuar në praktikë nga çifti Miranda dhe Bujar Karoshi, natyrisht edhe me ndihmën e të tjerëve. Bujari dhe Miranda kanë mbi njëzet vjet që po bëjnë shumë për kulturën dibrane në veçanti, por edhe për kulturën kombëtare. Se kultura, kur është e tillë si ka emrin, është e të gjithëve, bëhet pjesë e kulturës botërore. Botimet e tyre janë të kontrolluara në kuptimin e cilësisë. Nuk mund të botosh tek Bujari e Miranda vepra që nuk e plotësojnë kriterin e cilësisë. Paranë e duan se për atë punojnë, por jo në dëm të artit dhe të kulturës. Dallojnë fort mirë librin nga jolibri. Janë shtëpi botuese me korrektor, me redaktor. Këto dy punë i bën Miranda fort mirë si rrallë kush tjetër. Këtë e dëshmon edhe libri “Të tjerët për Xhafer Martinin” ku janë botuar fjala e akademik Shaban Sinanit, mesazhi filozofik i Agron Tufës, analiza konstruktive e prof. të asoc. dr. Vesel Hoxhës, shkrimi i dr. Fejzulla Gjabrit, analiza e romanit dhe tregimeve të mia nga shkrimtari Ramiz Gjini, fjala plot peshë dhe domethënie e Bujar Karoshit, dhe plot shkrime të tjera që e bëjnë këtë libër një monografi të plotë e shkencore për mua. Libri është sponsorizua nga shtëpia botuese M&B, siç janë sponsorizua koketejli dhe një bonus për shkrimtarin nga Latif Miha dhe Musa Rriçku.
Ka shumë vjet që Bujari boton gazetën “Rruga e Arbërit”, me sponsorizim të Musa Rriçkut. Gazeta është serioze, autoritare dhe ka ngritur shumë probleme të mprehta me karakter rajonal (për Dibrën), por edhe të karakterit kombëtar. Gazeta dhe Shoqata, si shembull, nuk e ndërtojnë dot “Rrugën e Arbërit”, por ato kanë ndikuar shumë që kjo rrugë të ndërtohet. Me gjithë ndërhyrjet e shumë specialistëve për të respektuar projektin fillestar, ky projekt ka pësuar vazhdimisht ndryshime; sot nuk është ajo rrugë që do të dëshironim të ishte. Por mbase nuk do të ishte fare pa ato organizime dhe botime që ka bërë gazeta “Rruga e Arbërit” dhe Shoqata e Intelektualëve Dibranë.
Më impresionoi dhe më la pa mend jo vetëm skicë-portreti im nga piktori Elezi, por edhe fjala e tij e ngrohtë , miqësore dhe pikante për mua. Zëri i bukur i Liri Rashës i dha nota të reja dhe e elektrizoi atmosferën e takimit. Të gjitha qenë të bukura dhe me vend dhe unë ndjehem shumë i respektuar dhe i nderuar.
Edhe një herë u falënderoj të gjithëve, pa asnjë përjashtim; falënderoj ata që folën, por edhe ata që nuk folën, falënderoj ata që erdhën, por edhe ata që kishin dëshirë të vinin, por nuk mundën. Por unë dua të bëj edhe një falënderim të fundit. Nuk di si do ma merrni, por besoj se, si gjithmonë, do të mirëkuptohemi.
Burrat e suksesshëm kanë pasur në krah gra të mrekullueshme: Marksi një tip shumë i vështirë kishte në krah Zhenin e mrekullueshme që u sakrifikua për të; Linkolini – Merin, Kenedi – Zhaklinën, Bushi i Parë – Barbarën, Klintoni – Hillarin, Gorbaçovi – Larisën, Ahmet Zogu – Geraldinën. Nuk besoj të ketë njeri që të mendojë se unë dua ta krahasoj veten me këta burra të mëdhenj, por, për analogji historike, dua të them se unë çfarë kam arritur, e kam arritur se kam pasur në krah Humën: Ajo më ka krijuar të gjitha kushtet dhe është sakrifikuar që unë të jem i lirë vetëm për të shkruar dhe studiuar. Ishte nuse dhjetëditësh kur më lejoi të shkoja në shkollë të lartë. Qëndroi pa mua pesë vjet në kushte të vështira familjare në fshat, në një punë shumë rraskapitëse sepse, si mami, përgjigjej për lindjet në shtatëmbëdhjetë fshatra, malorë e kodrinorë, mjaft larg njeri-tjetrit. Partia e Punës kështu vepronte: disa i mbyste me punë, kurse disa i linte të livadhisnin dhe të tundnin zinxhirin. Kur unë mbarova shkollën dhe na dhanë një furrik në Peshkopi, kishim tre fëmijë. Ta fillosh jetën me tre fëmijë me ato rroga të vogla që kishim, ishte një gjë shumë e vështirë. Ajo nuk m’ia ka shkruar librat, por ka krijuar të gjitha kushtet që ato libra t’i shkruaja unë. Prandaj një falënderim i fundit i takon asaj. Burrat, sidomos malësorët, nuk i lavdërojnë gratë, por ne të dy tani jemi në një moshë ku na lejohet edhe një gjë e tillë…