Mësimi më i madh nga Nënë Tereza: Të kemi më shumë respekt për njëri-tjetrin


Bloomsbury boton edicion të ri të librit për Nënë Terezën në përvjetorin e ditëlindjes së Gëzim Alpion

Nënë Tereza ishte një shpirt i trazuar, që arriti ta kthejë në diçka pozitive përvojat e hidhura që përjetoi në Shkup, veçanërisht në 1919, kur babai i saj u helmua nga qarqe ultra-nacionaliste sllave, ka shumë të ngjarë si rezultat i aktivitetit të tij patriotik, dhe kur pas pak muajsh përjetoi shuarjen pothuajse të plotë të familjes së dajës së saj, si rezultat i Gripit Spanjoll të viteve 1918-20. Po qe se i kushtohet më shumë rëndësi kësaj periudhe kaq të rëndësishme në jetën e saj, ne do të kemi një ide më të qartë se sa vendimtare janë përvojat e viteve të para në formimin e figurave të njohura dhe kuptojmë më mirë se çfarë i motivon ata.

Monografia “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj” (Mother Teresa: The Saint and Her Nation) i Dr. Gëzim Alpion, Profesor i Asociuar i Sociologjisë në Universitetin e Birminghami është vlerësuar në Amerikë me ‘Çmimin e Ekselencës në Botime’ për vitin 2023 në kategorinë e ‘biografisë’ nga Shoqata e Botuesve Katolikë, Association of Catholic Publishers (ACP).
Libri ofron një portret të detajuar të misionares shqiptare dhe përqendrohet në rrethanat familjare të Nënë Terezës, kontekstin e saj etnik, kulturor dhe shpirtëror, traumat, sprovat dhe arritjet e saj si individ dhe misionare publike, si dhe besimin e saj të ndërlikuar.
Botuar nga Bloomsbury Academic, libri është vlerësuar gjerësisht nga ekspertë të fushave të ndryshme. Menjëherë pas botimit, revista ndërkombëtare katolike The Tablet në Londër i dedikoi librit kopertinën e numrit të gushtit 2020. Ndërsa në 2022, revista LIFE në Nju Jork botoi një shkrim të posaçëm për këtë vepër dhe studimet e tjera të Alpion për Nënë Terezën.
Pas botimit të librit, Dr. Alpion u ftua të flasë për librin në disa vende, ndërsa në SHBA ai zhvilloi ligjërata vitin që kaloi në Universitetet e Harvardit dhe Georgetoën. Muajin e fundit Alpion udhëtoi në Singapor, Chennai e Nju Delhi ku mbajti disa leksione të hapura mbi temat: “Nënë Tereza dhe Multidisiplinariteti: Një qasje gjeopolitike ndaj një personaliteti kompleks”; “Nënë Tereza dhe çështja e vlerave në shkencat shoqërore” dhe “Nënë Tereza: Shenjtore e Indisë dhe Shenjtore për Botën”.
I specializuar në disa aspekte të sociologjisë si feja, nacionalizmi, fama, mediat dhe autorësia, Alpion është përqendruar në figurën e Nënë Terezës për më shumë se 20 vjet. Ai është vlerësuar nga kritika botërore si “një ndër njohësit më inteligjentë dhe më të mprehtë të kulturës shqiptare”, si “studiuesi më autoritar në gjuhën angleze i Shën Nënë Terezës” dhe si “themeluesi i Studimeve për Nënë Terezën”.
Në vitin 2019, Kryeministri i Shqipërisë i akordoi Dr. Alpion çmimin “Ambasador i Kombit”.
Në vitin 2021, Dr. Alpion u nderua nga Presidenti i Shqipërisë me ‘Medaljen Nënë Tereza’ në shenjë mirënjohje për “kontributin e tij të çmuar akademik në studimin e plotë të jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezës, si dhe promovimin e saj si përfaqësuese e vlerave të kombit shqiptar”. Në vitin 2022 i akordohet në Angli titulli Anëtar i Lartë i Akademisë së Arsimit Universitar (Senior Feloë of Higher Education Academy). Në 2023 monografia e tij ‘Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj’ nderohet në Amerikë me çmimin e Ekselencës nga Shoqata e Botuesve Katolike (ACP). Ndërsa në prill 2024, Alpion u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Studimi i ri i Prof. Alpion për ‘natën e errët të shpirtit’, që ai argumenton se Nënë Tereza e vuajti nga fëmijëria deri sa ndërroi jetë, do të botohet këtë muaj në Amerikë në revistën shkencore ‘Critical Research on Religion’ (SAGE).

Për të gjitha këto, ne zhvilluam një intervistë ekskluzive për lexuesit e gazetës sonë.

Pyetje: Veprimtaria juaj shkencore vazhdon të vlerësohet në botë. Vitet e fundit keni marrë vlerësime edhe nga shteti shqiptar. Pas Çmimit të Ekselencës për Botimet që morët vitin e kaluar nga Shoqata e Botuesve Katolikë, për monografinë “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj”, ju u zgjodhët së fundmi edhe si anëtar i Jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo për ju dhe punën tuaj akademike?
G.Alpion: Puna shkencore kërkon dekada të vlerësohet në mënyrë objektive. Vlerësimi në vendin tënd është gjithmonë i veçantë. Pranimi në Akademinë Shkencave të Shqipërisë, jam shprehur edhe kur u njoftova për vendimin, për mua është nder, privilegj dhe përgjegjësi.

Pyetje: Nga recencat e botuara nga studiues të huaj, ju po sillni një lloj ‘biografie të munguar’ të Nënë Terezës. Çfarë ofron libri juaj rreth jetës së saj, që nuk është përmendur më përpara? Ose nuk ka qenë e njohur më përpara?
G.Alpion: Monografia ime e fundit Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj (Mother Teresa: The Saint and Her Nation), botuar nga Bloomsbury në 2020, si dhe libri im i parë akademik Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme? (Mother Teresa: Saint or Celebrity? – Routledge 2007) nuk janë ‘biografi’. Unë nuk jam biograf i Nënë Terezës.
Si sociolog, duke parë mangësitë e dukshme në biografitë e shumta që janë botuar për të, në studimet e mia i kushtoj rëndësi të veçantë momenteve më të rëndësishme në jetën e saj, veçanërisht viteve të hershme. Kjo, mendoj unë, është e domosdoshme për të kuptuar dhe analizuar objektivisht kompleksitetin e saj si njeri dhe misionare, që nuk janë të ndara nga njëra-tjetra.
Materiali i ri biografik që kam gjetur në 20 vitet e fundit më ka ndihmuar të kuptoj dhe shpjegoj se si u shndërruar ‘njerëzorja’ Gonxhe Agnes Bojaxhiu në ‘hyjnoren’ Nënë Tereza.

Pyetje: Cilat janë disa prej paraleleve që keni gjetur mes natyrës së besimit të Nënë Terezës dhe rrënjëve të saj shqiptare?
G.Alpion: Qëllimi im kryesor kur fillova hulumtimet në 2011 për këtë monografi nuk ishte fakti që të theksoj se Nënë Tereza është shqiptare. Këtë e ka bërë të qartë vetë Nënë Tereza kur mori çmimin Nobel për Paqen në 1979.
Ndërsa në librin e parë synova të analizoja, ndër të tjera, rolin e Nënë Terezës në konstruktimin e imazhit të saj publik, kryesisht nëpërmjet angazhimit të saj direkt me mediat, që në fillim të aktivitetit të saj si misionare e pavarur në vitin 1949, në librin e ri nxjerr në pah se si rrënjët etnike dhe tradita kulturore-shpirtërore sendërtuan botëkuptim e saj shpirtëror dhe humanizmin që ajo aplikoi me sukses në krye të urdhrit të saj Misionaret e Bamirësisë.
Në monografinë e dytë, Nënë Tereza ka edhe një funksion tjetër të rëndësishëm: nëpërmjet saj unë kam dëshifruar enigmën e mbijetesës së kristianizmit, veçanërisht të katolicizmit, në trojet shqiptare, kryesisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, që lidhen direkt me origjinën dhe familjen e Nënë Terezës, pavarësisht kushteve historike jo të përshtatshme që nga pushtimi romak, dyndjet barbare dhe sllave, pushtimi i stërzgjatur otoman dhe së fundmi, persekutimi komunist.

Pyetje: Çfarë nxit, sipas mendimit tuaj, jeta e Nënë Terezës te shqiptarët e sotëm? Çfarë duhet të marrim në konsideratë si komb, si mësime prej Nënë Terezës?
G.Alpion: Në përgjithësi ne, shqiptarët, nuk e njohim si dhe sa duhet jetën e Nënë Terezës, veçanërisht 18 vitet që ajo kaloi në Shkup që, për mendimin tim, ishin vendimtare në formimin e saj, si dhe rolin tyre në aktivitetin e saj bamirës. Kjo si rezultat i dobësive të theksuar që kemi ne në studimin e figurave të shquara kombëtare, ku vëmendja përqendrohet jo në fëmijëri dhe rini.
Në rastin e Nënë Terezës, ne jemi ndikuar edhe nga literatura, kryesisht hagiografike (dedikuar shenjtorëve), kushtuar asaj ku rëndësia e rrënjëve etno-shpirtëror vazhdon të anashkalohet edhe sot. Nënë Tereza ishte një shpirt i trazuar, që arriti ta kthejë në diçka pozitive përvojat e hidhura që përjetoi në Shkup, veçanërisht në 1919, kur babai i saj u helmua nga qarqe ultra-nacionaliste sllave, ka shumë të ngjarë si rezultat i aktivitetit të tij patriotik, dhe kur pas pak muajsh përjetoi shuarjen pothuajse të plotë të familjes së dajës së saj, si rezultat i Gripit Spanjoll të viteve 1918-20. Po qe se i kushtohet më shumë rëndësi kësaj periudhe kaq të rëndësishme në jetën e saj, ne do të kemi një ide më të qartë se sa vendimtare janë përvojat e viteve të para në formimin e figurave të njohura dhe kuptojmë më mirë se çfarë i motivon ata.
Në kohën tonë, mësimi më i madh nga Nënë Tereza është të kemi më shumë respekt për njëri-tjetrin dhe veçanërisht për ata që shteti dhe shoqëria i ka lënë pas dore apo i trajton me përbuzje. Për Nënë Terezën, dinjiteti njerëzor ishte i shenjtë. Në këtë drejtim, më shumë se kushdo tjetër, Nënë Terezën duhet ta kuptojnë politikanët dhe pushtetarët që, ndërsa mburren vend e pa vend me këtë ikonë globale humanizmi dhe spiritualiteti, sillen si harbutër me njerëzit e thjeshtë për të cilët i zë ‘meraku‘ vetëm gjatë zgjedhjeve, për t’ju marrë votat me hir ose pahir, veçanërisht në Shqipëri, ku Nënë Tereza akoma nuk ka ‘mbërritur’, megjithëse e vizitoi vendin për herë të parë në 1989.

Pyetje: Nga buron natyra e diskriminimit të shqiptarëve, në kontekstin e diskriminimit të përmendur në libër të vetë Nënë Terezës, në fillimet e aktivitetit të saj fetar?
G.Alpion: Shkurtimisht mund të them se motrat që drejtonin urdhërin e Loretos në Kalkutë nuk mund ta honepsin që një murgeshë, nga një komb për të cilin nuk dinin asgjë, t’ju mësonte se çfarë duhet të bënin ata në Indi për t’i shërbyer Krishtit dhe të varfërve, veçanërisht në një moment kyç në historinë moderne të Indisë, ku pas shpalljes së pavarësisë nga Britania e Madhe, misionarët nuk ishin shumë të dëshiruar dhe pati edhe thirrje nga nacionalistet hinduiste me influencë që të përziheshin ose t’u kufizoheshin aktivitetet.
Megjithatë, murgeshat irlandeze të Loretos nuk duhen gjykuar shumë ashpër, pasi kishin një arsim të cunguar, që nuk përfshinte njohuri për kombin tonë të eklipsuar nga obskurantizmi otoman, më shumë se çdo komb tjetër nën kontrollin e Portës së Lartë, me një traditë kristiane apostolike, pra më të hershme se çdo komb tjetër evropian, përfshirë irlandezët.

Pyetje: Nuk duket sikur keni shkruar thjesht një biografi rreth Nënë Terezës. Por ofroni detaje të jetës së saj, në kontekstin e kombësisë së saj. Çfarë mësojnë të huajt që do të lexojnë librin rreth Nënë Terezës dhe Shqiptarëve?
G.Alpion: Ndër objektivat kryesore në këtë libër mund të përmend dy. Së pari, kam theksuar se personalitete si Nënë Tereza nuk janë ‘rastësira’. Ata sintetizojnë një traditë të lashtë dhe mund të kuptohen më mirë po qe se studiohet në kontekstin e rrënjëve, origjinës, familjes, krahinës, etnicitetit dhe kombit të tyre.
Së dyti, qëllimi im ishte të argumentoj se civilizimi modern perëndimor nuk është vetëm me themele greko-romake, por iliro-greko-romake.

Pyetje: Libri duket se po merr vlerësime, siç është vlerësimi nga Shoqata e botuesve katolikë, në kategorinë Biografi. Si ndiheni për këto vlerësime?
G.Alpion: Për çdo autor, është kënaqësi kur një libër vlerësohet nga kritika, aq më tepër kur bëhet fjalë për një vepër studimore. Bloomsbury dhe unë e pritëm me kënaqësi çmimin që ju akordua librit në Amerikë.
Bloomsbury ka bërë punë të shkëlqyer për ta promovuar librin, gjë që shihet edhe nga fakti që deri tani është botuar tre herë: në 2020, 2022 dhe së fundi me 10 tetor 2023, që përkon edhe me përvjetorin e ditëlindjes time.
Botimi i ri është i destinuar veçanërisht për Azinë. Pas akordimit të çmimit të ekselencës në Amerikë dhe njoftimit të Bloomsburit për botimin e tretë, më erdhën ftesa nga disa universitete në Singapor, Manila dhe tre shtete në Indi për të folur për librin. Për arsye kohe dhe nga angazhime të tjera, këtë radhë në turneun e leksioneve në Azi pata mundësi të përfshij ligjërata në Universitetin Shtetëror të Singaporit (NUS), Institutin Indian të Teknologjisë Madras (IITM) në Chennai dhe Kolegjin Jezusi dhe Maria (Universiteti i Delhit). Leksionet u pritën me interes nga studiues dhe mediat. Në Singapor, tre akademikë nga Parisi, Singapori dhe Manila, moderatori dhe dy diskutantët, bënë një analizë të konkluzioneve të botimeve të mia akademike për Nënë Terezën në dy dekadat e fundit.
Siç u shpreha për gazetën indiane ‘The Telegraph’, gjatë vizitës së fundit në Indi, vura re se Nënë Tereza vazhdon të ketë përkrahës edhe kritikët e saj, por tani akademikët dhe personat fetarë nuk hezitojnë si më parë të shprehin më lirshëm dhe hapur mendimet e tyre. ‘Vlerësimet’ dhe ‘kritikat’ për Nënë Terezën këtë radhë, ndryshe nga çfarë vura re gjatë vizitave që bëra në Indi në Kalkuta, Shantaniketa dhe Neë Delhi në vitin 2005 dhe 2013, dëgjoheshin me durim dhe respekt nga të pranishmit, edhe kur nuk ishin dakord me diskutantët.

Pyetje: Çfarë mësojnë Shqiptarët prej librit tuaj që nuk e dinë, ose mendoni se keqinterpretohet më shpesh?
G.Alpion: Megjithëse për Nënë Terezën kam botuar rregullisht studime në revista shkencore dhe tre libra që nga viti 2003, për të cilat mediat në Shqipëri, Kosovë dhe troje të tjera shqiptare dhe mediat e diasporës kanë shkruar gjerësisht, veçanërisht për t’i bërë jehonë reagimeve pozitive nga kritika dhe mediat botërore, vepra ime studimore 20-vjeçare për Nënë Terezën njihet pak nga akademikët shqiptarë dhe lexuesi i gjerë. Kjo pasi veprat e mia janë botuar në gjuhën angleze dhe një monografi është botuar në Romë nga Salerno Editrice në italisht në 2008. Kur librat të botohen në shqip edhe angazhimi i lexuesve dhe studiuesve mendoj se do të rritet.
Kohët e fundit është shtuar numri i bashkatdhetarëve që më shkruajnë se i kanë lexuar librat e mi. Për librin e fundit janë botuar edhe disa recenca serioze. Mund të veçoj 3 recenca nga dr.Ridvan Peshkopia, i cili ka zbërthyer në mënyrë origjinale disa nga mesazhet që përçoj në këtë vepër. Recencat e dr. Peshkopisë janë botuar në revista prestigjioze akademike në Perëndim. Po kështu, edhe z. Arben Çokaj ka botuar një recencë të detajuar, ku theksin e ve në temat kryesore të librit të fundit.

Pyetje: Po në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kur do ta prezantoni librin?
G.Alpion: Ftesa e parë nga Shqipëria për të folur për librin e ri erdhi nga Universiteti i Shkodrës dhe vizita u realizua në vitin 2021. Kam marrë ftesa nga disa Universitete në Kosovë dhe Universiteti Nënë Tereza në Shkup. Së shpejti, besoj, do të flas për librin në Tiranë dhe në disa universitete në Ballkan.
Intervistoi: Bujar Karoshi