Parmenda, roli i saj në jetën e njeriut


Ndryshimet dhe zhvillimin që solli kjo vegël, jo vetëm në bujqësi, por edhe në aspektin social

Nga Marjo Kaca

Bujqësia ose agrikultura është një praktikë, proces i vazhdueshëm, një rutinë e përditshme e njeriut që kujdeset për bimët dhe kafshët. Kjo fushë ka pasur, ka dhe do të vazhdojë të ketë një rëndësi të madhe dhe të veçantë në jetën e njeriut.
Njeriu, që nga i parë i quajtur Australoptiku (4 – 1 milion vite me parë) e deri në arritjen e tij në Homo Sapiensi (40000 – 35000 vite me parë) ka kaluar një sërë procesesh dhe zhvillimesh, të cilin e kanë ndihmuar të arrijë të bëhet gjallesë e arsyeshme.
Në mënyra të ndryshme njeriu vazhdimisht e ka shfrytëzuar natyrën për t’u ushqyer në epokën më të vjetër të historisë së njerëzimit në Paleolit (3 milionë – 12 mijë vjet më parë), kur njeriu ishte plotësisht primitiv, jetonte jashtë, ushqehej me çfarë të gjente, kryesisht fruta të egra, lëvore pemësh etj., ku këto i siguronte në mënyrë te drejtpërdrejtë nga natyra, pa bërë asnjë ndërhyrje të tij.
Zotërimi i plotë i natyrës nga njeriu u arrit vetëm me lindjen e bujqësisë. Para se bujqësia të lindtte, njeriu kishte mësuar të përgadisë armë të thjeshta prej guri, kocke, druri, dhe ushtronte gjuetinë dhe peshkimin. Gjatë epokës së Paleolotit, specifikisht në fund të paleolitit të hershëm (3milion – 100 mijë vite me parë) ka edhe një ftohje të kohës, që është edhe periudha e akullnajave dhe njeriu detyrohet të futet nëpër shpella, të shpikë zjarrin – i cili u dha një ndihmë të madhe në zhvillim, për t’u ngrohur dhe për dritë, por edhe për ushqim dhe mbrojtje. Të gjitha këto zotërime, por edhe shumë të tjera, njeriu i kishte arritur përpara lindjes së bujqësisë, por me lindjen e bujqësisë ai filloi të shfrytëzonte natyrën.
Në fillim të Neolitit (6 mijë – 3 mijë vite para erës sonë), njeriu filloi të kultivojë bimët, të zbusë kafshët, një veprimtari që njeriu u lidh shumë me të, për ta trashëguar deri në ditët e sotme. Në këtë periudhë kohore lindi edhe bujqësia, dhe studiuesit e quajnë periudha e Neolitit ( 6 – 3 mijë p.e.s). Ka mendime dhe studiues që lindjen e bujqësisë e çojnë edhe më herët, rreth 9 mijë vite p.e.s., por e rëndësishme është se, në neolit, bujqësia ishte e lindur dhe se njeriu tashmë kishte filluar të ndikojë mbi botën që e rrethonte.
Bujqësia pati fazat e zhvillimit të saj. Në fillim ishte bujqësi e lagësht që do të thotë se toka nuk punohej, por farat hidheshin në toka ku kishte ujë, pra toka si këneta dhe fara mbinte vet. Pas bujqësisë së lagësht, lind bujqësia e thatë. Tashmë njeriu fillon ta zotëroj dhe ta punojë akoma edhe më shumë tokën. Tokën e zhvishte nga barërat e padobishëm dhe shkurret, kështu lindi dhe shpyllëzimi, gërmohej, fara hidhej në tokën e punuar dhe mbulohej me dhè. Punimi i tokës ishte i thjeshtë dhe i zgripët. Ky punim bëhej me shat, që është edhe vegla e parë e përdorur nga njeriu. Shati fillimisht ishte prej druri në formë shkopi, kërrabe me pas shat prej guri me bishte druri. Kjo bujqësi ishte e quajtur bujqësia me shat. Lindja e bujqësisë i shtyn njerëzit të zgjerojnë territoret dhe tokat. Në aspektin social, bujqësia dhe blegtoria duan një organizim dhe forcë punëtore. Kështu, filloi të fuqizoheshin dhe të rriteshin grupet shoqërore, ku në neolit gjinitë rriten deri në 200 veta dhe si rrjedhojë duke krijuar edhe fshatra më vete.
Në mijëvjeçarin IV p.e.s. njeriu arrin të shpik rrotën, një shpikje shumë me vlerë dhe madhështore, që vinte në ndihmë në shumë aspekte si në transport, tërheqje dhe për përgatitje të enëve prej qeramike edhe për shumë procese të tjera me vlerë. Bujqësia arrin të marrë rrugën e drejtë të zhvillimit të madh, kur njeriu arrin të shpikë dhe të përdorë parmendën.
Me shpikjen dhe përdorimin e parmendës, bujqësia, kjo degë e rëndësishme ekonomike, kthehet nga bujqësi me shat në bujqësi me parmendë. Parmenda ishte një vegël e rëndë për t’u përdorur. Ajo, në fillim tërhiqej nga njerëzit dhe, po ashtu, nga mbrapa parmenda drejtohej po nga njeriu. Ky proces pune ishte i i vështirë dhe si rrjedhojë kishte nevojë për forcën e burrit. Në këtë mënyrë, roli i burrit filloj të rritet në familje. Përpara përdorimit të parmendës kemi të bëjmë me familje martriarkale, ku në martesë me çifte, burri shkonte në shtëpinë e gruas dhe lejohej tradhtia bashkëshortore. Pas përdorimit të parmendës dhe pak më vonë zbutet edhe kali, një kafshë e fuqishme, që zëvendësoi burrin në tërheqjen e parmendës.
Shpikja dhe përdorimi i parmendës bëri një zhvillim te madh bujqësor dhe si rrjedhojë, u bë edhe një zhvillim i madh ekonomik. Ky zhvillim ndikoi në shumë aspekte të tjera jetësore si: përmirësimi i jetesës, rritja e vullnetit për të punuar dhe për të zgjeruar tokat bujqësore dhe kullotat; përhapjen e kulturave të ndryshëm bujqësore në vende të tjera dhe në formimin e kulturave të reja; në rritjen e shëndetit të njeriut dhe, përveç këtyre, ndërroi një sistem social nga familje matriarkale në atë patriarkale.
Veglat për punimin e tokës janë të shumta dhe të kategorive të ndryshme, janë vegla që vihen në lëvizje me fuqinë e njeriut, që quhen vegla dore dhe janë veglat që vihen në funksion nga tërheqja e kafshëve dhe quhen vegla për kafshe pune. Të dy kategoritë e veglave janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren në mënyrë të vazhdueshme edhe sot. Veglat që vihen në lëvizje me fuqinë e njeriut janë me të vjetra në përdorim se veglat që vihen në lëvizje nëpërmjet tërheqjes së kafshëve. Parmenda, kjo vegël e rëndësishme revolucionare, bën pjesë në kategorinë e veglave që vihen në lëvizje nga tërheqja e kafshëve.
Parmenda është përdorur shumë nga Ilirët dhe kjo shihet nga zhvillimi i bujqësisë në fiset Ilire. Përdorimin e parmendës nga Ilirët e dëshmojnë edhe burimet arkeologjike. Në shumë vende si në Mirditë, Elbasan, Kolojnë, Butrint etj., janë gjetur copa dhe plore hekuri, që dëshmojnë përdorimin e parmendës. Dëshmitë e tjera që tregojnë përdorimin e parmendës i përkasin shek. III p.e.s.. Përdorimi i parmendës nga ilirët, të paktën që në shek. III p.e.s, tregon se bujqësia ilire tashmë në këto shekuj kishte kaluar një bujqësi me larim të mirëfilltë të tokës.
Klasifikimin shkencor të parmendës e ka bërë Rrok Zajmi. Ai e klasifikon në tri kategori ose tipe si: parmenda me lidhje, parmenda me lidhje trekëndëshe dhe parmenda me lidhje katërkëndëshe. Zhvillimi dhe format e ndryshme të parmendës në territorin tonë kanë ardhë si rezultat i përshtatjes së tokës në zonën ku është përdor parmenda. Kategoritë e ndryshme të tokës e kanë detyruar bujkun që t’i përshtatë edhe parmendën, si për shembull në tokat e forta dhe me shumë rrënjë bimësh është deshtë të bëjë një parmendë rezistuese dhe të fuqishme, si në lidhje ashtu edhe në vet veglën që është vazhdimisht në kontakte me tokën, përdhesi. Parmendën e kemi në dy lloje: me veshëza dhe me llapar. Parmenda Veshëza përdoret në toka të forta dhe në toka me shumë lagështirë dhe, për shpërndarjen e dheut të çarë nga plori, përdoret një dru në formën e gërmës V. Parmenda e dytë, me llapar, përdoret në toka të lehta dhe të shkrifta dhe për shpërndarjen e dheut shërben një pjesë druri që ngjason me kurrizin e një peshku, ku kjo pjesë e parmendës quhet llapar.
Në parmendën me veshëza dallohen tri lloj variantesh: parmenda e malit, parmenda e Shkodrës dhe ajo e Korçës. Parmenda e malit është përdorur kryesish në Çamëri e deri në rrjedhën e majte të lumit Mat dhe është përdor masivisht edhe në zonën e Dibrës. Vetë nga emri, Parmenda e Malit nënkupton se është përdor në zona malore, ku toka është e fortë dhe është përdor në toka me sipërfaqe të vogla, si një tipi i fuqishëm dhe i mirëmanovrueshëm parmende.
Varianti i dytë, parmenda e Shkodrës, përfshinte veriun e lumit Mat dhe fise të tjera shqiptare që jetonin në Mal të Zi. Tipi i tretë, Parmenda e Korçës është përdor në një territor më të ngushtë se dy të tjerat. Ajo është përdor në luginat e Devollit dhe në Korçë.
Tipi i parmendës me llapar, dhe duke u nisur pikërisht nga forma e llaparit dhe pjesëve të tjera të parmendës, dallohen tre tipe të tjera: tipit që është përdor në luginën e Shalës, tipi në Nikaj – Mërtur e në Bajram Curr, varianti i përdorur në Fushë të Kosovës e në Dukagjin dhe ai i fshatrave të Kaçanikut dhe Podrimës.
Të gjithë tipat e parmendave të shpjeguara me sipër, si numër pjesësh kanë pasë gjashtë, me përjashtim të parmendës të përdorur në Korçë dhe Devoll, që kishte pesë, pasi i mungonte shpatëza, por rolin e saj e luante doreza. Tipet tjera kishin gjashtë si: doreza, përdhesi, shtiza, shpatëza, veshëzat dhe plori.
Parmenda ishte prej druri. Të gjithë pjesët ishin druri, përveç plorit që ishte nga metali. Druri me i përdorur ishte lisi, akacia, rrapi e të tjerë dru që ishin të fortë e të qëndrueshëm. Kjo vegël krijohej nga vet bujku për nevojë të punës dhe nuk është se kishte një treg apo specialist të krijimit dhe tregtimit të parmendës. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore u fillua të bëheshin parmenda edhe nga metali. Kjo bëhej për rezistencë të parmendës më gjatë, për punim të tokës më mirë dhe ishte më e thjeshtë për të bërë një parmendë prej metali se sa prej druri. Këtu lindi dhe tregtia e parmendës, pasi parmendat nga metali i bënin kovaçët, që ishin mjeshtërit e punimit të metalit, që kryesisht ishin në Korçë. Ashtu si edhe në antikitet, ku parmenda përdorej nga burri, po ashtu edhe në vazhdim filloi kjo traditë, me përjashtim kur burri mund të kishte ndërruar jetë apo ishte në emigrim, atëherë përdorej nga gratë, por rezultati i punës nuk ishte i njëjtë, pasi parmenda kërkon forcë të madhe për përdorim dhe rezistencë ndaj lodhjes.
Kjo vegël tërhiqej nga qetë dhe kuajt, që në shumicën e rasteve ishin çift. Tek mund ta tërhiqte vetëm kali, kurse qetë vazhdimisht duhej të ishin çift. Qetë, po ashtu edhe kuajt, që mbarështoheshin për punimin e tokës, trajtoheshin mirë, ushqeheshin mirë gjatë gjithë vitit, që në periudhën e punimit të tokës të ishin të fuqishëm për të tërhequr parmendën dhe për të lëruar tokën. Më vonë filloi të përdorej plugu, që ishte i gjithi nga metali dhe, ashtu si parmenda, tërhiqet nga qetë ose kuajt dhe mbahet nga një njeri. Plugu është më i rëndë, dhe ndryshe nga parmenda që dheun e çan dhe e ndanë në mënyrë simetrike në të dyja anët, plugu e çanë tokën më thellë se parmenda me anë të thikave që ngulen në tokë dhe dheun e hedh nga krahu i djathtë, me anë të pjesës së tij që vjen direkt pas thikës e quajtur korit, që është pjesë metalike e kthyer në formë të lugët. Në një farë mënyre, plugu bëri zëvendësimin e parmendës, duke e bërë parmendën më pak të përdorshme.
Parmenda, si një vegël me shumë rëndësi në bujqësi që nga antikiteti e deri sot, duke qenë që njeriu e përdorte shumë dhe po ashtu, parmenda i jepte shumë rezultat si vegël pune në prodhueshmëri, duke u kthyer për shumë bujq si hambar i familjes. Një punim i mirë i tokës do të japë më shumë bollëk për bujqit, që i kishin kushtuar jetën tokës dhe bujqësisë dhe që parmenda ishte krahu i djathtë i tyre. Duke qenë se njeriu e përdorte aq shumë parmendën, në një farë mënyre ai u familjarizua dhe u bë mik me ketë vegël. Kjo afërsi e madhe njeri–parmendë, bëri që njerëzit t’i thurnin edhe legjenda, përralla, të fillojnë të besojnë në të, t’i krijojnë mite, duke i rritur kështu vlerën e parmendës.
Krijimi i këtyre legjendave, miteve etj., janë të hershme që fillojnë që në periudhën e Neolitit e deri në mesjetën e hershme. Këto legjenda e mite pagane nuk janë krijuar më vonë, por janë transmetuar nga brezi në brez dhe kanë arritur deri në ditët e sotme. Kjo tregon për rëndësinë që kjo vegël ka pasur për njeriun dhe se bujqësia ka qenë dega kryesore e ekonomisë.
Një element i besimit pagan, që ka të bëjë me parmendën është edhe koha se kur duhet prerë druri që do bëhet parmenda, me qëllim që të shkojë mbarë e mirë parmenda gjatë punimit. Bujku drurin e parmendës e priste vazhdimisht në vjeshtën e dytë, por edhe në ketë kohë, sërish duhej kujdes, pasi hëna duhet të ishte “e re”, që do të thotë të kishte filluar duke u mbushur, pra duke u plotësuar për të dalë e plotë.
Parmenda, në shumë zona, kishte arritur të bëhej e shenjtë. Nuk lejohej të mallkohej. Po mallkove parmendën, arat që do të punoheshin me të nuk do të jepnin aspak prodhim. Në kohën kur parmenda prishej, drurin nuk e digjnin, por e linin të kalbëzohej vet. Kur punohej me parmendë, duhej të ishe shumë i pastër dhe nuk duhej të pështyje duart. Bujku duhej të lahej dhe të vishte një këmishë të bardhë. Shumë vende parmendën e kanë trajtuar edhe si një element shërues. Janë bërë shumë magji me parmendën. Kur një nuse nuk lindte fëmijë, atëherë asaj i duhet të zbërthejë parmendën. Për këtë vegël janë bërë edhe flijime nga më të ndryshmet, si jug ashtu edhe në veri.
Parmenda, me karakteristikat e shumta të saj dhe me ndikimin në shumë aspekte, që nga antikiteti e deri më sot, është bërë një element i rëndësishëm shpirtëror dhe pune në jetën e njeriut. Ajo u ngulit në identitetin e çdo personi që e përdori, duke u lidhur përjetësisht me të. Parmenda është një element bazë i identitetit të Shqipërisë, që tregon lashtësinë e përdorimit dhe të zhvillimit të bujqësisë. Kjo vegël unike u skalit përjetësisht në historinë e zhvillimit bujqësor të qyteteve antike, në mesjetë e duke ardhur deri në ditët tona, si një flori që nuk prishet kurrë.