Përfundon tuneli kryesor i rrugës së Arbrit, por qarkullimi nis në mars 2025


Balluku: “Ky tunel do të hapet për përdorim të automjeteve në mars 2025, me të gjitha kushtet e sigurisë rrugore, me të gjithë pjesën tjetër të përfunduar, pra edhe tunelin e emergjencës të përfunduar me detaje, ashtu siç është përfunduar ky tunel”.

Balluku: “Rruga e Arbrit ka qenë në qendër të një debati të madh publik. E kam përsëritur disa herë dhe do ta përsëris edhe sot: kontrata e rrugës së Arbrit është e lidhur me “çelsa në dorë”, pra me të gjitha punimet e përfshira. Për këtë arsye, shteti shqiptar nuk ka shtuar asnjë qindarkë gjatë kohës së punimeve të këtij tuneli apo të gjithë rrugës së Arbrit”.

Belinda Balluku, zv. kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, kreu më datë 31 dhjetor një vizitë në tunelin e Murrizit, ku njoftoi përfundimin e punimeve në tubin kryesor, atë që do të jetë për lëvizjen e makinave, por hapja e tij do të bëhet në mars 2025, atëherë kur të mbarojnë edhe punimet në tunelin e emergjencës.

“Kemi vendosur që këtë inspektim ta bënim në ditën e fundit të vitit, për të treguar se tashmë Tuneli i Murrizit është plotësisht i ndërtuar”, thotë Balluku, në një video të publikuar në mesditë (31.12.2024)  në faqen zyrtare të Facebook të Kryeministrit Rama. 

“Në tuneli qendror gjithçka është e përfunduar, gjithçka është në vendin e vet, madje edhe detajet elektromekanike. Janë kryer testet ndriçimit dhe gjithë sinjalistikës së vendosur në tunel”, deklaron zv. kryeministrja. 

Gjatë vizitës në tunel, Balluku bëri një panorame të shkurtër të ecurisë së punimeve, duke mos i fshehur emocionet.

“Ky është një moment emocionues, duke pasur parasysh të gjithë kalvarin e gjatë të punimeve, problemeve dhe ndalesave disa herë që kemi pasur në këtë vepër infrastrukturore” – tha ajo. 

“Tuneli i Murrizit është një tub i hekurt, i cili është i armatuar në 360 gradë, pra jo vetëm në kupolë, por edhe në dysheme, për të krijuar një qëndrueshmëri, pasi burimet ujore të kësaj zonë janë shumë të mëdha”.

Ashtu si edhe herët e kaluara, Balluku vë në dukje arsyet e vonës në përfundimin e këtij tunelit, ku sipas saj, formacionet gjeologjike argjilore dhe prania e madhe e ujit, kanë krijuar vështirësi në ecjen përpara të punimeve, madje disa herë edhe duke e kthyer punën pas.

“Me zgjedhjet e reja teknike që iu dhamë, dhe me pjesën inxhinierike më të avancuar që u përdor këtu, ne ia arritëm dhe i dolëm që në fund të vitit 2024, tuneli i Murrizit të jetë krejtësisht i përfunduar”, deklaroi Balluku. 

“Tubi kryesor, me një gjatësi 3800 metra, është përjetuar në çdo metër të gërmimit të tij, qoftë nga kontraktori, qoftë nga institucioni që ndjek avancimin e punimeve, tha Gentian GJYLI, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili shoqëronte zv. kryeministren Balluku në këtë inspektim, së bashku me drejtues të kompanisë ndërtuese. Sot tubi kryesor është totalisht i përfunduar, është i gjithi i përforcuar, i gjithi i betonuar dhe i asfaltuar”.

Balluku dhe drejtori i ARRSH theksuan edhe arsyen se pse nuk u hap para vitit të Ri, ashtu siç edhe pritej.

“Çështja është se Tuneli i Murrizit është një tunel kompleks, dhe duke qenë i tillë, duhet të përfundojë në të gjithë detajet e tij. Në tunelin e emergjencës është akoma duke u punuar. Tuneli i Murrizit do të hapet vetëm në momentin kur punimet do të mbyllen plotësisht”, tha Balluku.

“Për arsye sigurie, për ta vënë në funksionim, duhet që edhe tuneli i emergjencës të jetë totalisht i përfunduar. Kështu që duhet të presime dhe disa ditë”, tha Gjyli.

Gjatë këtij inspektimi, znj. Balluku foli edhe për financimin e kësaj rrugë, duke theksuar se nuk ka asnjë kosto shtesë për ndërtimin e rrugës, nga ajo që është miratuar në fillim. Sipas saj, “është e njëjta paketë financiare, siç është parashikuar edhe në fillim të lidhjes së kontratës”.

“Kjo vepër ka qenë në qendër të një debati të madh publik. E kam përsëritur disa herë dhe do ta përsëris edhe sot: kontrata e rrugës së Arbrit është e lidhur me “çelsa në dorë”, pra me të gjitha punimet e përfshira. Për këtë arsye, shteti shqiptar nuk ka shtuar asnjë qindarkë gjatë kohës së punimeve të këtij tuneli apo të gjithë rrugës së Arbrit”, theksoi Balluku.

Më pas, zv. Kryeministrja dhe, njëherazi, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë,  e vuri theksin të kapacitetet që kanë tashmë kompanitë dhe inxhinierët shqiptarë për të ndërtuar vepra të mëdha infrastrukturore në vend.

“Është abuzuar shumë me veprën e rrugës së Arbrit, pavarësisht se është një nga veprat më të rëndësishme të infrastrukturës shqiptare, e cila lidh jugun me veriun, zonën e Matit dhe të Dibrës me kryeqytetin. Megjithatë, rëndësi ka që punët flasin vetë dhe fjalët i merr era. Ky tunel është krenaria e infrastrukturës shqiptare. Ky tunel ka treguar që kompanitë shqiptare, tashmë, kanë të gjithë kapacitetin njerëzor, teknologjinë e duhur për të zgjidhur edhe sfida teknike shumë të avancuara, siç ishte ky rast”. 

Sipas Ballukut, “punimet në këtë vepër janë kthyer në një shkollë për të gjithë inxhinierët, për kompaninë ndërtuese, për ARRSH që ka kryer mbikëqyrjen, dhe padyshim, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë.”

Të gjithë këto ditë kanë pritur që tuneli të hapej për qarkullim, por me sa duket kjo nuk do të ndodhë as këtë dimër. Afati për përfundimin e kësaj vepra, i cili është shtyrë disa herë, tashmë është marsi i vitit 2025.

“Mund të themi me gojën plot, kushtet kontraktuale këtë herë do të respektohen. Ky tunel do të hapet për përdorim të automjeteve në mars 2025, me të gjitha kushtet e sigurisë rrugore, me të gjithë pjesën tjetër të përfunduar, pra edhe tunelin e emergjencës të përfunduar me detaje, ashtu siç është përfunduar ky tunel”, deklaroi zv. kryeministrja Belinda Balluku.