Esat Ruka si etnomuzikolog, artist, është i lidhur ngushtë me tabanin popullor, me tokën amë. Këto lidhje të autorit me tokën dhe kulturën tonë popullore, i japin pa dyshim veprës së tij dimensionin e trazuar të kohës.
Esat Ruka është munduar me mjaft kujdes, t’ju jap vëmendjen e kujdesshme të gjithëve, ndaj duke lexuar këtë libër nga fjala në fjalë, nga faqja në faqe do të kujtojmë e rikujtojmë gjithmonë emrat e mëdhenj studiuesish, themeluesish të folklorit dhe etnomuzikologjisë shqiptare, veprimtarë mjaft të zellshëm e punëtorë të pa lodhur të kulturës tonë kombëtare, drejtues kulture, amatorë e profesionist nga jugu në veri, veprimtarë mjaft të zellshëm, që kanë lënë ndër vite vërtet një emër të ndritur. Ato vërtet fituan admirimin, nderin, respektin dhe duartrokitjet e zjarrta të spektatorëve të shumtë, por nuk duhet harruar netët pa gjumë e intensiteti i punës së madhe për të dalë sa më dinjitoz në skenë.
Nga Shaqir Skarra
Vite ma parë, artistin, këngëtarin, muzikologun, studiuesin Esat Ruka e kisha njohur thjeshtë si këngëtar, ku kënga e Isa Boletinit, një këngë epike, u bë himn në ato vite dhe ishte e pranishme kudo në odat tona.
Pas viteve dymijë e njoha nga afër, e njoha kudo në aktivitete të mëdha artistike e kulturore, në veprimtari të ndryshme, në sesione e studime folklori, në biseda të lira me miq e shokë, në promovime librash e koncerte recitale të këngëtarëve të njohur të muzikës popullore.
Në periudhën kur Esati drejtonte QKVF, e njoha më mirë nga afër, bisedonim më shpesh për probleme nga më të ndryshme në fushën e muzikës dhe folklorit. E mori QKVF të shkatërruar, të boshatisur dhe shumë shpejt e ktheu në identitet. Esati ishte kërkues ndaj vetes dhe vartësve, ndaj realizoj atë që kishin shkatërruar paraardhësit e tij.
Para pak kohësh, një mëngjes më fton për një kafe, ku bashkë me të ishte edhe mjeku dibran Dritan Koruni, të cilët të dy së bashku, të njohur më herët, pasi valltari virtuoz, i ndjeri Shaban Xhajku, ishte daja i Dritanit dhe shoku i ngushtë i Esatit. Biseda kryesore ishte rreth librit, pasi Dritani, pas dashurisë që ka për profesionin e mjekut, dashuria për librin është shumë e madhe.
Esati sapo kishte botuar një libër të ri, me një titull mjaft ngacmues: “Dukuri, fenomene kulturore, profile krijuese”, një libër mbi 330 faqe dhe me një kopertinë dhe art grafik krejt ndryshe sa ishim mësuar të shikonim në stendat e librarive të shumta të kryeqytetit.
Unë me librin në dorë, dhuratë nga Esati, nuk qëndrova gjatë në tavolinë me to. Sapo arrita në shtëpi, fillova ta shfletoj librin nga e para. Libri ndahet në gjashtë pjesë: portrete artistësh, këngëtarësh, muzikologësh, intervista, refleksione, opinione e analiza. Aty gjendeshin të gjitha çfarë duhej të dinim për artin, kulturën dhe muzikën. Kishte gjuhësi, se autori jo vetëm artist, jo vetëm muzikolog, por ishte edhe gjuhëtar. Kishte shkruar vërtet bukur, me një gjuhë të pastër, me fjalë të rralla e shprehje frazeologjike, me urtësi popullore dhe thënie nga shkrimtarë dhe filozofë të mëdhenj të botës.
Libri “Dukuri, fenomene kulturore, profile krijuese” i Esat Rukës shoqërohet me një parathënie nga akademik Gjovalin Shkurtaj, ku bëhet një analizë e mirëfilltë shkencore dhe gjuhësore librit
Esat Ruka, pas një rrugëtimi të gjatë profesional në fushën e etnomuzikës shqiptare, arriti të na jap me sukses një enciklopedi të plotë të kulturës, etnosit, folklorit tonë, na sjell dukuri e personazhe të njohura ndër vite që vërtet e kanë skalitur emrin e tyre në kujtesën tonë kombëtare.
Autori kishte marrë përsipër të realizonte vërtet më të vështirën, ku nga faqja në faqe gjejmë portrete artistësh e krijuesish, analiza e opinione, refleksione e studime.
Autori i këtij libri ka qëndruar me këmbë në tokë dhe në hullinë e tij, pikërisht në art, kulturë, folklor.
Të realizosh një libër me më shumë se tridhjetë e tre portrete krijuesish, studiuesish, këngëtarësh, muzikologësh, rapsodësh, nuk është aspak e lehtë.
Portreti është një ndër gjinitë më të vështira, sidomos kur flasim e shkruajmë për portrete artistësh dhe krijuesish, se në pak faqe, je i detyruar të plotësosh komplet karrierën artistike të tij, por shpreh bindjen se Esat Ruka ia ka dalë më së miri, ia ka dalë se i ka njohur të gjithë nga afër, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me secilin prej tyre, dhe profesioni i tij i ka dhënë mundësi të gërmojë me kujdes e ta heq atë pluhurin e kohës që mund të ketë rënë mbi secilin artist.
Esat Ruka ka arritur të prek gjatë rrugëtimit të tij profesional, disa prej tipareve njerëzore e botëkuptimore, veçanësive krijuese e ndikimit në shoqëri, pa pretenduar në shterimin përmasor të kontributit të secilit prej tyre.
Përzgjedhja e tyre nga hapësira gjithëshqiptare, nuk lidhet vetëm me bashkëpunimin institucional. Mbi gjithçka, ka qenë shtysa e formimit të brendshëm të vetë autorit, pa të cilën nuk do të ndihej i plotë, dhe as i qetë.
Esati e nis librin me portretin e muzikologut të njohur shqiptar, me etnologun, studiuesin dhe njeriun që i dha jetë kulturës shqiptare brenda dhe jashtë kufijve shqiptar, Ramadan Sokoli.
Studimi që na jep autori në librin e tij, mbi veprimtarinë hulumtuese të Ramadan Sokolit, ia shton edhe më shumë vlerat këtij libri. Kanë shkruar shumë për jetën dhe veprën, veprimtarinë hulumtuese e shkencore të Ramadan Sokolit, pasi ai në vetvete është një institucion më vete për problemet etnomuzikologjike, por Esat Ruka, duke e njohur nga afër, duke patur kontakte të shpeshta me të, falë punës e profesionit të tij si muzikolog, na e paraqet Ramadan Sokolin vërtet një personalitet të pa tjetërsueshëm në kulturën shqiptare. Esati, përpiqet të na jap përmasat e këtij vigani, duke u ndalur veçanërisht në synimin e përhershëm të tij, që dëshmojnë shtresimin tonë kulturor, të cilin vetëm me punë dhe angazhim të këtillë si Ramadan Sokoli, mund ta qartësojë, argumentojë atë në identitetin tonë.
Në mënyrë kronologjike, në studimin që ka bërë autori na jepet veprimtaria e shumanshme e Ramadan Sokolit, për ngritjen dhe afirmimin e kulturës tonë, dhe kontributi i pa diskutueshëm i tij si nismëtar i gjurmëve dhe studimeve folklorike dhe etnomuzikologjike. Sipas vetë autorit, etnomuzikologu Ramadan Sokoli depërton qartë në mjegullat e kohës, duke ndriçuar kështu edhe në skutat më të errëta.
Me plot të drejtë autori nuk e mbaron studimin për figurën e madhe të Ramadan Sokolit, e le një derë të hapur, duke pretenduar kështu se do ti mjaftojë koha të ndalet më gjatë tek kjo figurë e madhe e etnokulturës shqiptare. Dhe ne le të presim, ia vlen të ndalesh më gjatë, të tregosh dhe detajet më të vogla se Ramadan Sokoli para se të ishte shkencëtar, muzikolog, në radhë të parë ishte dhe mbeti njeri, dhe Esati, falë kontakteve të gjata e të vazhdueshme, besojmë se ka ende për të na treguar për një figurë madhore siç është Ramadan Sokoli.
Gjeografia e Esat Rukës, nëpërmjet librit të tij është e madhe se vetë lista me miq, shokë, koleg, artistë, etnokulturolog, folklorist, rapsodë, lahutarë është mjaft e madhe. Ajo shtrihet nga jugu në veri, nga Kosova e në Çamëri, kudo ku flitet, shkruhet e këndohet shqip.
Esat Ruka shkruan edhe për Mathieu Aref, studiuesin, historianin, profesorin e universitetit të Sorbonës, që zgjidhi përfundimisht enigmën pellazgjike. Mathieu Aref nuk gjeti mbështetje tek studiuesit, arkeologët, akademikët e gjuhëtarët tanë, por ama të vërtetën historike e tha me kompetencë në librin e tij “Shqipëria, odiseja e pa besueshme e një populli para helen”. Dhe pikërisht autori Esat Ruka nuk mund të qëndronte në heshtje përballë të vërtetës historike mijëra vjeçare që na solli ne, shqiptarëve, Mathieu Aref.
Duke qëndruar gjithmonë në fushën e tij, autori do të shkruaj për poetët Lefter Çipa, Gjok Beci e Naim Plaku, për folkloristin dhe muzikologun e njohur Munir Shehu, për arkeologun Dilaver Kurti dhe artistin Haziz Ndreu, për Dervish Shaqa e Ndue Shyti, Imer Neli e Mark Gjoka, për Frok Haxhia e Viktor Paloka, për Liri Rasha e Sedat Kuqi, Safete Toska e Rexhep Çeliku, Xhevat Fana e Riza Hoxha, Maksim Kulla e Ilmi Kolgjegja, Xhelal Çerpja e Dashnor Xerxa.
Shumë artistë të njohur, poet, studiues, këngëtar, instrumentistë, lahutarë, valltar, janë pjesë e studimit të tij në këtë libër duke u marrë gjerësisht për të gjithë këto personalitete të artit, kulturës dhe folklorit shqiptar.
Portreti, edhe pse një gjini e vështirë, Esati ka ditur të depërtojë bukur në jetën e veprën e secilit, ka skalitur dhe derdhur fjalët e shpirtit se vetë autori është pjesë e jetës së secilit artist, ka punuar me secilin, ka bashkëbiseduar, bashkëpunuar dhe takuar nga afër secilin. Esat Ruka ka çfarë tregon për të gjithë artistët, rapsodët, këngëtarët, muzikologët, lahutarët, instrumentistët, sepse njëherë në jetë i ka takuar të gjithë, i ka njohur nga afër, i ka parë dhe ndjekur në skenat brenda dhe jashtë vendit, pasi profesioni i tij ia ka dhënë këtë mundësi.
Portretet janë njëra pjesë e librit, por autori nuk qëndron vetëm brenda kornizave të portretit, por del dhe jashtë tij. Në libër kemi analiza për artin dhe kulturën, recenca për botime të ndryshme të kësaj fushe, kumtesa shkencore, opinione e intervista.
Autori, me të drejtë, shqetësohet sot për muzikën tonë popullore, e cila po kalon përmes një krize identiteti. Sipas tij, në këtë zbrazësi emocionale dhe për përfitime komerciale, filluan të qarkullojnë këngë jashtë tabanit tonë popullor.
Esat Ruka si etnomuzikolog, artist, është i lidhur ngushtë me tabanin popullor, me tokën amë. Këto lidhje të autorit me tokën dhe kulturën tonë popullore, i japin pa dyshim veprës së tij dimensionin e trazuar të kohës.
Ky libër është, pa dyshim, një libër për të gjitha shoqërinë dhe kurrsesi vetëm për artistët, këngëtarët, valltarët, instrumentistët, muzikologët.
Edhe pse pena e autorit merret gjatë me figura të njohura të artit dhe kulturës, libri u shërben të gjithëve. Esat Ruka është munduar me mjaft kujdes, t’ju jap vëmendjen e kujdesshme të gjithëve, e ndaj duke lexuar këtë libër nga fjala në fjalë, nga faqja në faqe do të kujtojmë e rikujtojmë gjithmonë emrat e mëdhenj studiuesish, themeluesish të folklorit dhe etnomuzikologjisë shqiptare, veprimtarë mjaft të zellshëm e punëtorë të pa lodhur të kulturës tonë kombëtare, drejtues kulture, amatorë e profesionist nga jugu në veri, veprimtarë mjaft të zellshëm, që kanë lënë ndër vite vërtet një emër të ndritur. Ato vërtet fituan admirimin, nderin, respektin dhe duartrokitjet e zjarrta të spektatorëve të shumtë, por nuk duhet harruar netët pa gjumë e intensiteti i punës së madhe për të dalë sa më dinjitoz në skenë.