Misioni diplomatik “Paqe dhe Prosperitet” dhe partnerët e tij ndërkombëtarë amerikanë dekoron një emër të madh në radhët e drejtësisë shqiptare
I vlerësuar me titujt “Misionar i Paqes Botërore”, “Ambasador Nderi”, si dhe me Medaljen e Artë “Urdhëri i Misionarit të Paqes Mahatma Gandi”, Baftjar Rusi qëndron stoik në vitalitetin e dibranit, njeriut me vlera të larta morale të integruar në jetën moderne, të një njeriu që shpreh pa droje pozicionin e tij të pandarë nga historia jonë e përbashkët e një tranzicioni social – psikologjik ende të pambyllur
Nga: Halil Rama
Në fund të viteve 1980, kur sapo ishte diplomuar për gjuhë-letërsi, erdhi që nga Saranda mësues në gjimnazin e Bulqizës, publicisti dhe prozatori Shefki Hysa. Këtu, të parët që do ta mbështesnin mësuesin jabanxhi, qenë vëllezërit nga Homeshi, Demir e Baftjar Rusi, njëri shef i Shtëpisë së Ushtarakëve Bulqizë dhe tjetri sekretar i Komitetit të Rinisë të rrethit Dibër. Dy vëllezërit, që kishin bërë emër edhe si gazetarë e poetë, mbështetjen për Shefkiun e patën të pakushtëzuar e të pakursyer edhe për faktin se, me reportazhet e tij në gazetat “Zëri i Popullit” dhe “Zëri i Rinisë”, sarandioti i miqësuar shumë shpejt me bulqizakët, po pasqyronte më së miri jetën dhe problematikat e qytetit minator të Bulqizës. Dhe, kjo miqësi e pandarë, midis tyre do të farkëtohej në vite e dekada, kur të tre, Shefkiu, Demiri dhe Baftjari bënë emër edhe në metropolin shqiptar, jo vetëm si poetë, publicistë e prozatorë, por edhe në profesionet e tyre të mirëfillta.
I vendosa këto radhë si hyrje për të mbërritur te ngjarja kulmore e miqësisë së tyre. Misioni Diplomatik “Paqe dhe Prosperitet” dhe partnerët e tij ndërkombëtarë amerikanë – një institucion prestigjioz ndërkombtar ky me president Shefki Hysën, nderoi avokatin e mirënjohur Baftjar Rusi me titujt “Misionar i Paqes Boterore”, “Ambasador Nderi”, si dhe me Medaljen e Artë “Urdheri i Misionarit të Paqes Mahatma Gandi”.
Një karrierë e shkëlqyer
Në ceremoninë e oganizuar nga “Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet” dhe partnerët e tij ndërkombëtarë, ku merrte pjesë dhe Dr. Madhu Krishan, të shtunën më 11 maj 2024, personaliteti i drejtësisë shqiptare, Dr. Baftjar Rusi u vlerësua me motivacionin: “Për angazhimin e madh dhe kontributin e çmuar në fushën e Jurispudencës, Arsimit, Qytetërimit, Politikës, Administratës Publike, Paqes, Prosperitetit dhe Njerëzimit, për frymëzimin e bashkëjetesës shoqërore dhe paqes ndërkomunitare”.
Ky vlerësim është plotësisht i motivuar për Baftjar Rusin si avokat i suksesshëm; si doktor i shkencave në jurispudencë; si autor i librave dhe artikujve kërkimor në fushën e drejtësisë, të shëndetit të jetës, shëndetit mendor dhe shkencave juridike; si pedagog mësimdhënës; si avokat përfaqësues në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut; si avokat në Gjykatën e Strasburgut dhe Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë; si personalitet i nderuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare; si Misionar i Paqes Botërore; si aktivist i njohur i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut; si filantrop dhe Ambasador Nderi i DMPP; si promovues i Misioneve të Ardhshme që sjellin paqen dhe prosperitetin për mbarë njerëzimin etj.
Këto merita të Baftjar Rusit marrin vlerën dhe dimensionin e duhur, ku në një event të rëndësishëm si ky evidentohen edhe nga personalitete të njohura të jurisprudencës, si nga dy kryetarët e Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu e Bashkim Dedja, nga kryetarja e bashkisë Bulqizë Festime Mjeshtri, apo dhe nga prof. dr. Sulejman Abazi Nesha.
Bashkim Dedja, një ndër përfaqësuesit dinjitozë të elitës dibrane në metropolin shqiptar e më gjerë, që i ka ngjitur me meritë shkallët e karrierës deri në krye të institucionit më të lartë të drejtësisë shqiptare, vlerëson se për z. Baftjar Rusi, nuk do mjaftonin artikuj, emisione televizive për të nxjerrë në pah të gjithë vlerat e tij shumëdimensionale.
“E vlerësoj shumë, në radhë të parë si një prind e familjar i mirë e i përkushtuar; si një shok e mik i rrallë e me vlera të padiskutueshme; si një profesionist drejtësie i përgatitur e këmbëngulës i pashoq në arritjen e rezultatit; si një bamirës e filantrop, që rrallë e gjen në realitetin shqiptar, si një studiues e akademik në ngritjen e nivelit të tij profesional e intelektual dhe në përçimin e dijeve e njohurive të tij te të tjerët, si një bashkëpunëtor e bashkëbisedues i palodhur me një durim deri në ekstrem, që i bën nder dhe krenari vendlindes së tij, Dibrës, Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen e kujtdo që i ndodhet pranë”, shprehet z. Dedja.
NJË EMËR I MADH NË RADHËT E DREJTËSISË
Prof. dr. Sulejman Abazi Nesha – Doctor Honosis Causa për Sigurinë dhe Paqen, Profesor Nderi i ABP dhe UBP, Neë York, që mban Medaljen e Artë “Gjenerali Paqes Ajzenhauer”, në fillim të fjalës së tij u shprehu mirënjohje guvernatorit, dr. Shefki Hysa dhe dr. Madhu Krishan për zgjedhjen më të mirë për të akorduar këtë titull kaq të lartë ndërkombëtar, duke e dhënë për herë të parë në Shqipëri, pikërisht njeriut të merituar, dibranit dhe shqiptarit të mirë, dr. Baftjar Rusi. Sepse personaliteti i tij është një vlerë e shtuar e Misionit Diplomatik për Paqe e Zhvillim, e Korpusit të Madh të Njerëzve të Paqes në Botë, e atyre njerëzve që jetën e tyre ia kanë përkushtuar Drejtësisë, Lirisë, Paqes dhe Humanizmit njerëzor. Ai e konsideroi Baftjar Rusin një emër të madh në radhët e drejtësisë shqiptare, në fushën e Avokatisë.
Në një radhitje dhe rendje plotë merita e modesti, e cila na kujton se kemi shumë për të bërë dhe për të promovuar me merita të plota personalitete të veçantë të jetës shqiptare, prof. Sulejman Abazi Nesha nënvizoi vendosmërinë intelektuale që e ka shoqëruar personalitetin e Baftjarit nga mosha e re e deri më sot. Ai vjen në realitetin e kohës, duke pasur mbi supet e tij peshën e viteve të punës dhe të profesionit të vështirë.
“Përtej të zakonshmes, Doktori i Shkencave të Jurispudencës shqiptare, tashmë si një jurist-avokat me kulturë të ndërthurur evropiane, kaloi në rrugën e vështirë të aktivitetit shoqëror dhe politik në qarkun e Dibrës, të arsimimit dhe kualifikimit në Universitetin e Tiranës, dhe më tej si mësimdhënës, për t’u vendosur përfundimisht në Tiranë, pa shkëputur asnjëherë lidhjet me vëndlindjen. Nga viti 1995 e deri më sot, vazhdon të ushtrojë profesionin e Avokatit të dëgjuar dhe respektuar në Shqipëri. Autor i botimit “Mbi të Drejtën”, ai ka treguar se është një studiues dhe mik i shtrenjtë për librin, duke rritur cilësinë e tij profesionale përmes mbrojtjes së qindra çështjeve për vepra penale e civile deri në gjykatat Ndrërkombëtare në Hagë dhe Strasburg. Një rrugëtimin sfidant, përmes shumë vështirësive, për të arritur majat, ku përveç seriozitetit, drejtësisë dhe ashpërsisë së profesionit, ai ka gjetur rrugën e reflektimit të dashurisë njerëzore, larg urrejtjes, i mbështetur në optimizmin karakteristik të njerëzve të fortë, që jeta u ka mësuar të bëhen pjesë e të mirës dhe të distancohen nga ligësia, hipokrizia, duke formuar gradualisht një anë të tjerë të karakterit dhe personalitetit të tij, shpirtin human dhe paqësor”, – tha ndër të tjera prof. Sulejman Abazi Nesha.
MISHËRUES DHE PËRÇUES I VLERAVE MË TË MIRA NJERËZORE DHE INTELEKTUALE
Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet dhe partnerët e tij ndërkombëtarë kanë të drejtë në këtë vlerësim për njeriu atdhetar, që e do shumë atdheun e tij, Dibrën dhe Shqipërinë, që shfaqet me tabanin popullor, duke reflektuar fisnikërinë e origjinës prindërore, të njeriut modern dhe të civilizuar, juristin dhe avokatin e vendosur për të mbrojtur dhe për të dhënë drejtësi njerëzve të shantazhuar nga strukturat konjukturale të drejtësisë.
Drejtësia në thellësi të shpirtit të tij njerëzor dhe human reflekton siguri, paqe dhe mbështetje, kundër komplekseve dhe paragjykimeve të jetës tonë të traumatizuar nga pasojat e kohës. Është kjo drejtësi e thellë brenda shpirtit të Avokatit, që kërkon në vijimësi zgjimin dhe rizgjimin e energjive pozitive për të përcjellë në opinion një mesazh shprese dhe rilindje të vërtetë morale e shpirtërore. Të gjithë e ndjejmë se kemi shumë nevojë për këtë. Brenda një portreti të thjeshtë në pamje, por shumë vital në vullnetin e tij të imponimit, komunikimit, të njohjes dhe të sjelljes, të vendimmarrjes mbi drejtësinë, shpaloset figura humane e paqësore e Dr. Baftjar Rusit. Luftëtari kundër së keqes, që po vazhdon të dhunojë dhe trishtojë jetën tonë, kundër padijes dhe korrupsionit, kundër pangopësisë dhe politikës memece, kur është fjala për drejtësinë e munguar, ky realiteti i dhimbshëm është objekt i qëndrimit të palëkundur të avokatit të nderuar, kundër klaneve, ndërhyrjeve, presioneve për shkak të konfliktit të interesave, për ta bërë atë pjesë të drejtësisë së munguar dhe të padrejtësisë.
“Nëse do të jesh në bisedë me Baftjarin, do të kuptosh menjëherë se në mendimet e tij dallon vlerësimi për jetën e njeriut të dominuar përherë nga barbaria, kaosi, dhuna, por dhe mirësia dhe dashuria. Gjithmonë kundër së keqes do të gjendjen hapësira për t’i dhënë formë shpresës”, thonë shokët, miqtë dhe kolegët e tij.
“Kur flet me të, – thotë prof. dr. Sulejman Abazi Nesha, të krijohen imazhe të qarta mbi atë që ai mendon për traditat, realitetin e sotëm dhe pasojat e një ndryshimi të vonuar. Ai të jep përshtypjen e një interlekutori të pandalshëm midis vlerave të jetës në një pafundësi ngjarjesh si një vajtje – ardhje që të mban afër dhe të lidhur me realitetin që përjetojmë.
Ai mbetet si gjithmonë fisnik dhe i freskët në mendime, siç mund ta keni njohur në ditën e parë të miqësisë me të. Ai qëndron stoik në vitalitetin e dibranit, njeriut me vlera të larta morale të integruar në jetën moderne, të një njeriu që shpreh pa droje pozicionin e tij të pandarë nga historia jonë e përbashkët e një tranzicioni social – psikologjik ende të pambyllur.
Ky është personaliteti i njeriut që duam, që aq shumë e dëshirojmë në majat e drejtimit të piramidës së shtetit dhe të shoqërisë. Larg kompleksitetit të jetës, Baftjar Rusi shpalos ndjenjat e larta të humanizmit dhe të mirësisë njerëzore, duke mos harruar kurrë se i mjafton të ndihet qetë në vetëdijen e tij, kur përfshihet me kurajo në realizimin e gjërave të vogla, por me dashuri të madhe. Kjo është tipikja e personalitetit të Shenjtërisë së saj, Nënë Terezës Shqiptare. Këtë ka marrë përsipër të bëjë krenaria e Dibrës, miku dhe shoku ynë i mrekullueshëm, dr. Baftjar Rusi.
Ai ka marrë shumë lëvdata dhe dekorime gjatë jetës dhe karrierës së tij, nga institucione dhe organizata e organizma kombëtarë dhe ndërkombëtarë, por titujt “Misionar i Paqes Botërore”, “Ambasador Nderi”, si dhe Medalja e Artë “Urdhëri i Misionarit të Paqes Mahatma Gandi” e vendosin në hierarkinë e personaliteteve më me vlerë të kombit shqiptar. Personalitete të njohura të avokatisë, si Baftjar Rusi, kanë lajtmotiv dhënien sa më shumë lumturi të tjerëve. Ai ka qenë gjithmonë dhe është një prijës i së mirës shoqërore, i së mirës së përbashkët, një talent në fushën e jurisprudencës. Bafjtar Rusi është modeli i njeriut fisnik, autoritar, të çiltër, të dashur, bashkëveprues dhe të gjindshëm në çdo vështirësi. Si mishërues i urtësisë dhe mençurisë dibrane, ai kudo dhe kurdoherë përçon vlerat më të spikatura njerëzore dhe intelektuale.