Emin Jashari, mësuesi i Maqellarës


Emin Jashari është ndër mësuesit më të vjetër të Maqellarës. Për rreth 40 vite mundi dhe djersa e tij u derdhën për një kauzë të madhe, atë të edukimit të brezit të ri që pa dyshim ka dhënë rezultatet e veta. Së bashku me Shaban Asllanin, Petrit Miftarin, Sulbie Poturin, Lirie Kërkutin, Tule Liçajn, Qani Tafçiun, Xhevrie Brahajn, Tefta Shehun, Liljana Skukën (Neziri), Ilmi Kallçishtën, Sere Skarrën, Ylvije Strazemiri, Drita Xholi e qindra mësues të tjerë arritën që shkollat e Maqellarës të jenë shembull i një përvoje të përparuar në rrethin e Dibrës. Nga duart e tyre kanë dalë kuadro si Rakip Dançe, Musa Rama, Adnand Gjoli, Basri Neziri, Xhevat Dani, Qemal Skuka, Bilbil Qoku etj. që kontribuan në shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, arsimit e kulturës.
Nga dy mësues me arsim pedagogjik, që kishte Maqellara në vitin 1952, sot ka 15 kopshte me 401 fëmijë të cilët i mësojnë 15 edukatore, katër shkolla 9vjeçare me 1524 nxënës dhe 114 mësues, një shkollë të mesme me 387 nxënës me 24 mësues. Shumica e personeli pedagogjik që punojnë në Maqellarë janë me arsim të lartë dhe arsim përkatës pedagogjik, pjese dërmuese femra dhe në moshë të re.
Emini, i biri i Shahin Jasharit nga Kovashica e Maqellarës lindi më 24 Qershor 1929. Familja e Jasharëve është e njohur në Dibër për veprimtari patriotike e atdhetare brez pas brezi.
Ajo u shqua për luftën kundër turqve, austriakëve, serbëve, mbrojtjen e Revolucionit demokratik borgjez 1924; Ndihmesë të veçantë dha gjatë luftës Nacional-çlirimtare që nga pjesëmarrja aktive e deri transportin e vlerave monetare nga familja Lleshi për Çetën e Pezës si njerëz të besës e trimërinë e treguar në aksionet e çetës e batalionit partizan të Dibrës. Shtëpia e tyre në Kovashicë ishte një bazë e e rëndësishme e Luftës, ishin edhe dajat e Halit e Aqif Lleshit.
Shkollën fillore Emini e kreu në Kovashicë (ajo u hap në 1936). Mësuesit e tij ishin Barjam Nura nga Kosova, Ylli Seva nga Gjirokastra, Abas Xhafa (nga Kovashica e Shupenzës), Adem Shehu nga Vlesha e Sllovës.
Pas një ndërprerje si pasojë e luftës filloi shkollën unike (7 vjeçare) në Peshkopi me bursë shteti më 1945 për të vazhduar pa ndërprerje shkollën Pedagogjike duke e mbaruar atë më 1952. Ai pati fatin të jetë pjesë e maturës së parë të Pedagogjikes.
Më entuziazëm e vrull filloi punën si mësues në 7 vjeçaren e Maqellarës (ajo u hap më 1947); shpejt u bë edhe Drejtor i saj deri më 1954. Me 12 prill 1954 shkoi si Drejtor shkolle në Selishtë (shkollë verore), më 1956 Drejtor shkolle në Muhurr (6 muaj), në shtator u rikthye në Maqellarë, pas 1 viti drejtor shkollë në Sllovë, gusht 1957 deri me 1 shtator 1958. Më 1960 mbaroi Institutin Ped. Aleksandër Xhuvani në degën gjuhë-letërsi;
Pas mbarimit të institutit u emërua në Komitetin Ekzekutiv të rrethit si inspektor arsimi, pas 1 viti dha mësim 5 vjet në shkollën 12 vjeçare Demir Gashi, Peshkopi; 14 vjet brodhi shkollave të Dibrës, punoi me ndërgjegje e përkushtim në zonat e thella e larg familjes.
Së bashku me mësuesit e tjerë në shkollat e zonat ku punoi, dhanë një ndihmesë të madhe për zhdukjen e analfabetizmit, zgjerimin e arsimit 7 vjeçar, përmirësimin e mënyrës së jetesës në zonat e thella, gjallërimin e jetës kulturore në fshatrat e tjerë.
Me pasion ai aktivizoi tek shkollat nxënësit e të rinjtë në veprimtari sportive. Kishte prirje e kishte prirje e rezistencë në vrapimet e gjata qysh kur ishte në Pedagogjike.
Më 20 mars 1951 kish zënë vendin e parë në krosin pranveror në qarkun e Dibrës. (Gazeta “Sporti Pop.” 6 prill 1951).
Më 2 shkurt 1966 filloi punë në Maqellarë deri më 1988 kur doli në pension. Në shkollë e jashtë saj ai ka patur marrëdhënie të mira me nxënësit, prindërit e kolegët. I rregullt, korrekt, sistematik, i disiplinuar Emin Jashari ishte ndër mësuesit e dashur e të respektuar në Maqellarë. Ndihmoi mjaft mësuesit e rinj nëpërmjet përvojës që kishte fituar, por edhe të asaj përvoje në shkallë rrethi që e njihte dhe përpiqej ta përgjithësonte në shkollë e jashtë saj. Gjeneratat që kaluan nëpër duart e Eminit ruajnë kujtimet më të mira për jetën shkollore; ata janë mirënjohës për këshillat, porositë dhe mësimet e tij për tu bërë të aftë për veten, familjen dhe shoqërinë.
Si veprimtar shoqëror punoi pa u lodhur me njerëzit, kategoritë e të gjitha moshave, ai ishte njeri i muhabetit, i aksionit, i unitetit, i matur, aktiv e krijues, shumë i apasionuar pas gjuetisë.
Pas daljes në pension, si shumë dibranë Emini erdhi në Tiranë. Familja dhe fëmijët e tij janë një shembull i mirë i bashkëjetesës në lagje, qytet, kudo ku punojnë e jetojnë.
Pas pak ditësh ai mbush 88 vjeç, si mësues veteran në përvjetorin e shkollave të Maqellarës, i urojmë jetë të gjatë e të lumtur!

Nje koment

  1. Krenari pa fund per dajën tonë të mrekullueshëm,jetë të gjatë, qofsh i lumtur mes fëmijëve,nipërve e mbesave

Komentet janë mbyllur.