Ajo lindi në një familje të madhe me 5 fëmijë, me prindër që bënë gjithçka që këta fëmijë të edukohen dhe arsimohen, pavarësisht çdo pengese të atëhershme. Kjo familje u fali aq shumë dashuri fëmijëve të saj, saqë bija e kësaj familjeje e shpërndau pa kursim në breza të tërë. Ajo tashmë është në pension dhe pas 38 vjetëve në arsim akoma ruan mirësinë, artin e fjalës dhe dashurinë e pakursyer për këdo që ka pranë.
Zysh Vjollca, siç e thërrasim me plot respekt të gjithë, u rrit në qytetin e Bulqizës deri në moshën 14– vjeçare, ku mbaroi arsimin 8 – vjeçar, duke qenë një nga nxënëset më të mira të asaj kohe. Për tetë vjet ajo studioi në qytetin e Tiranës, ku përfundoi shkollën e mesme dhe atë të lartë. Në vitin 1978 u diplomua për gjuhë ruse dhe për gjuhë – letërsi shqipe. Në moshë fare tëre ajo u punësua si mësuese në shkollën “Demir Gashi” dhe pas ndarjes së shkollës, në shkollën “Selim Alliu”në qytetin e Peshkopisë, deri në vitin 2015 kur ajo mbushi moshën e pensionit. Në vitet e para ajo dha lëndën e gjuhës ruse dhe shqipe, më pas ajo kaloi plotësisht si mësuese e lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për 22 vjet mësuese Vjollca u mësoi studentëve italisht ku përgatiti intensivisht dhe me një pasion të gjithë studentët që iknin me studime në Itali. 38 vjet në arsim nuk janë pak. Shumë breza të edukuar nga dora e saj, disa prej tyre janë bërë kolegë me të.
Vjollca Kola ka punuar si mësuese në sistemin arsimor 8-vjeçar, 9-vjeçar dhe në atë të mesëm, duke kaluar në duar qindra nxënës, që sot janë njerëz të rëndësishëm në fushën e politikës, biznesit, mjekësisë e fusha të ndryshme të jetës. Me një dashuri nëne, ajo gëzon në mënyrë maksimale respektin e një qyteti të tërë. U dha mësim fëmijëve të ish – nxënësve të saj, duke ruajtur me fanatizëm seriozitetin e një arsimimi cilësor, me një komunikim perfekt dhe një marrëdhënie profesionisti që kurrë nuk iu zbeh nga vitet, që për të mbeten vetëm numra.
“Megjithëse puna e mësuesit është një punë e vështirë,atë e kam bërë me një dashuri e pasion të madh deri në ditën e fundit. I kam dashur shumë nxënësit e mi dhe mendoj që dhe ata më kanë dashur dhe respektuar. Me forcën e shpirtit jam munduar që t’i mësoj ata që njohuritë e dhëna prej meje tu mbeten përjetë. Rezultatet e arritura nga nxënësit e mi janë kënaqësia më e madhe si mësuese. Për këtë mund të flas shumë. Pjesa më e madhe e tyre janë bërë vetë prindër. Kam mësuar breza nga gjyshër, prindër e fëmijë”, – shprehet me plot nostalgji zysh Vjollca për ato vite të arta që ajo ka punuar.
Vjollca nuk kishte kurrë armiq, përkundrazi një staf i tërë e donin pranë vetes, për këshillat, fjalët dhe veprimet gjithmonë të matura. Gjithmonë modeste, e thjeshtë dhe një karakter të butë dhe të brishtë në pamje të parë, me një fytyrë tejet miqësore bëri që të admirohej nga shumë njerëz, të rinj e të vjetër. Teknika e saj e ndërtimit dhe ruajtjes së marrëdhënieve mbetet gjithmonë unike. Tashmë është në pension, por këto marrëdhënie kurrë nuk ndryshuan për asnjë lloj mënyre nga të gjithë ata që kishin arritur të fitonin zemrën e saj. Një zemër aq të madhe, saqë brenda saj qëndrojnë të heshtura qindra kujtime për nxënësit e saj.
Miq, shokë dhe kolegë të saj shprehën dashurinë dhe konsideratën më të madhe që kishin, me fjalët që thanë për të në gazetën tonë. Bisedat për të sillnin shpesh në kujtesë vitet që kanë qenë me të si kolege, si mësuese apo dhe si shoqe unike.
Ajo tashmë jeton në Tiranë bashkë me familjen. “Ditët e para të daljes në pension kanë qenë jashtëzakonisht të vështira. Vetja më dukej e gjitha bosh dhe më dukej sikur jeta ime përfundoi këtu. Shoqet dhe njerëzit e mi të afërt më kanë ndenjur pranë që të më hiqnin mërzinë dhe ma kanë bërë më të lehtë kalimin e kësaj situate. Më pas u bëra me një mbesë dhe kjo ishte gjëja më e mrekullueshme që mund të më ndodhte. Falënderoj çdo ditë Zotin që më bëri të ndihem gjyshja më e lumtur në botë. Ajo më mbush me jetë. Tani më duket sikur kam rilindur përsëri dhe pavarësisht moshës, unë nuk e ndiej fare atë”, – shprehet mësuese Vjollca.
Zysh Vjollca gjithmonë ka qenë një mbështetëse e fortë për të gjithë të rinjtë. Pavarësisht viteve mbi supe, ajo mbetet gjithmonë e re në shpirt. Në çdo çast ajo ka qenë promotore e nxitjes së dashurisë për arsimin dhe dijen, duke dhënë mesazhe të forta dhe duke qenë një model pothuajse perfekt për t’u ndjekur. Mesazhi i saj për të rinjtë është që duhet të punojnë shumë, të mësojnë dhe të investojnë energjitë e tyre në arsim, pasi kjo është e vetmja pasaportë e një pune dhe një suksesi në të ardhmen e tyre. “Dijet nuk përfundojnë me mbarimin e shkollës“, – përfundon ajo, duke na përgëzuar dhe falënderuar përzemërsisht për punën që bëjmë në promovimin e çdo vlere të harruar nga çdokush në rrethin e Dibrës. Ajo mbetet një nga njerëzit të cilët vijnë me të vërtetë rrallë.
2 komente
Komentet janë mbyllur.
Asgje nuk do ti shtoja ketij shkrimi. Zysh Vjollca, mesuesja ime kujdestare per 4 vite, ishte njeriu i qete e plit pasion per punen. Te gjithe i trajtonte njesoj dhe fliste me ne si mike, si shoqe, e vemendshme ne cdo moment. Vjollca eshte mesueja model qe do doja te kishin dhe femijet e mi. Respekte per kete Zonje qe mua me duket sa e afert aq edhe me personalitet
Me te vertete eshte nje mesuese por pamvaresisht pensionit vlerat e saja vazhdojne te shndrin te reflektojne dijen e diturine kudo dhe kedo qe ka mesuar kjo mesuese e shkelqyer . une kam nje repekt te madh per kete mesuesese , nuk e kam njohur me pare nga afer por me beri ajo ta njihja me veprimet e dashura karshi nxenesve te saja , pasi e kishte vajzen time nxenese . dhe i jepte gjuhen Shqipe por dhe kursin italisht , vajza punonte por ne syte e saja shihja gjithmone nje dashuri per ate mesuesese dhe per lendet qe i jepte mesuese Vjollca me vjen ndermend nje gjest shume i bukur qe kjo mesuese e beri per vajzen time , kur ne 2013 ne dhjetor me larguan nga puna ku une punoja dhe per kushtet qe kishim vendosa ta ndaloja vajzen nga kursi kuptohet per veshtiresite financiare , kur nje dite prej ditesh me mori ne telefon znj. Vjollca . dhe me tha : keiden do ma sjllesh ne kursin e italishtes patjeter nuk do ma ndalesh , keto fjale me bene qe une te ndjehesha mire por edhe vajza vazhdoje kursin e Italishtes deri sa mesuese Vjollca u largua, te tille mesues sot jane te pakte , me zemer kaq ta madhe sa ishte ajo Ajo ishte jo vetem mesuesese por edhe nje prind i dyte per nxenesit e saja , dhe une sot i uroj pleqeri te mbare dhe respekte nga familja KUCA Peshkopi