Një ditë ndryshe në shkollën nëntëvjeçare “Hasan Leka” Shumbat
Nga Shaqir Skarra
Dhjetë vjet ma parë erdhëm tek shkolla nëntëvjeçare “Hasan Leka” në Shumbat, erdhëm një grup ish-nxënësish të kësaj shkolle, kuadro e intelektualë të fushave të ndryshme, anëtarë të kryesisë së shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë”. Erdhëm se atëherë me një vendim të Këshillit të Komunës Sllovë nga data 29 maj i vitit 2013 e në vazhdim kjo shkollë mban emrin e ish drejtorit të parë të kësaj shkolle, birit të fshatit Shumbat Hasan Leka, si dhe po me vendim të Këshillit Komunës Hasan Leka shpallej “Qyetar Nderi“ i komunës (pas vdekjes).
Shkolla e Shumbatit nuk kishte emër atëherë, nuk i hoqëm emër dhe i vendosëm një emër tjetër. Kishte një histori gati 70 vjeçare në fushën e arsimit shqip, por që Shumbati, si një fshat i madh dhe mjaft arsimdashës, që në fakt kishte bërë një revolucion në fushën e arsimit ku të gjitha këto arritje me meritë ia dedikon Hasan Lekës. Ai ishte dhe mbeti zanafilla, abetarja, etaloni, përmendorja e arsimit në Shumbat, ai që nxiti djemtë dhe vajzat, ai që punoi shtëpi më shtëpi për ti arsimuar fëmijët e Shumbatit, ai që nuk përtoi kurrë por me vullnet dhe këmbëngulje punoi shumë që në Shumbat të sillte sa më shumë të drejta studimi, ishte dhe mbeti pikërisht djali i Shumbatit, universitari i parë i tij, Hasan Leka.
Dhe ne nuk e lamë me kaq, nuk mjaftoi thjeshtë emri që i vendosëm shkollës, por përkundrazi u lidhëm edhe më shumë tashmë me shkollën nëntëvjeçare “Hasan Leka” Nëpërmjet shkollës, ne ish nxënësit e saj, djem dhe vajza të Shumbatit sikur na thërriste edhe më shumë zëri i vendlindjes, dhe vazhduam të vijmë shpesh në fshat, të vinin tek shkolla, të ishim të pranishëm në aktivitete të ndryshme…
Pas dhjetë vjetësh
Sot u kthyem përsëri në Shumbat, tek shkolla jonë, tek shkolla nëntëvjeçare “Hasan Leka”. Data shënon 21 shtator 2023. Dielli i ka hedhur rrezet e argjendta në horizont. Cicërimat e zogjve bashkohen me zërat gazmorë të nxënësve që kanë mbushur plot për plot oborrin e shkollës. Ka festë tek shkolla, ka festë në Shumbat ndaj të gjithë janë mbledhur këtu sa nëpër shtëpi nuk paska mbetur askush.
Nga Tirana vargu i makinave i gjatë, aq i gjatë sa duket rreshti që nga diga e liqenit e deri tek oborri i shkollës.
Kanë ardhur anëtarët e kryesisë së shoqatës Lidhja Intelektualëve Dibranë: Latif Miha nënkryetar, Musa Riçku nënkryetar, Liri Rasha, Defrim Methasani, Shaqir Skarra, Jahe Delia, Fariz Cibaku, Osman Xhili antar të kryesisë. Kanë ardhur ish nxënës të kësaj shkolle Prof. Selami Xhepa, avokat Neshat Fana, Ajet Mandri, Besim Mandri, Agim Mandri, Nuhi Murati, Sabri Skarra, Defrim Mandri, Ajet Skarra, Petrit Rama, Ramazan Kaza, Selman Skarra. Kanë ardhur nga bashkia Dibër, kryetari i sapo zgjedhur Rahim Spahiu, prefekti i Qarkut të Dibrës Nexhbedin Shehu, kryetarja e Qarkut Alma Selami.
Kishte ardhur nga Tirana i moshuari Halil Robi, një ish kuadër i lartë për shumë vite në Sllovë, ku prania e tij në një veprimtari të tillë la mjaft mbresa të mira tek të pranishmit.
Të gjithë kanë ardhur, askush nuk e bojkotoi këtë festë të bukur të Shumbatit, këtë datë historike, por kanë ardhur se me propozim të shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” Këshilli bashkiak Dibër i ka akorduar titullin më të lartë Hasan Lekës: “Qyetar Nderi i Dibrës” (pas vdekjes).
Kaq shumë njerëz kjo shkollë nuk i ka patur kurrë. Kishin ardhur edhe nga fshatra të tjerë, Venishti, Dipjaka e Sllatina. Kishte ardhur edhe shkolla “Ajet Ndreu”Sllovë.
Duke bërë krahasimin e dhjetë viteve ma parë, dukej qartë se nuk ishte ajo shkollë që gjetëm. Jo, kishte ndryshuar e gjitha. Fasada e lyer bukur e në sfond një pikturë vaji e heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Oborri i pastër e rreth e qark gjelbërim i plotë me lule të ndryshme por mbjellë me plot gusto e shije. Pemë të ndryshme si blirë, rrape, plepa, mollë, arrë, mana, qershi, kumbull zbukuronin rreth e qark shkollën, një hapësirë kjo mjaft e madhe që në fakt edhe shkollat në metropolin shqiptar do ta kishin zili. Vërtet në shkollë ishte ngritur një bllok i tërë me drurë frutor dhe pemë zbukurimi, një mini-fermë sikur 60 vite ma parë kur drejtor në këtë shkollë ishte Hasan Leka e pemëtorja e saj ishte model në të gjitha shkollat e Dibrës.
Kudo kur hidhje sytë shkolla nga jashtë shkëlqente, një model ku vërtet aty merr dije e kulturë, përgatit fëmijët për jetën, të ardhmen, perspektivën.
Mysafirët nga Tirana i shoqëroi drejtori i shkollës Mario Fejza të vizitonin klasat e kabinetet brenda shkollës.
Në korridor, në një kënd të veçantë na pret një bust i Hasan Lekës i cili sikur na uron mirë se ardhjen në shkollën e tij. Në stendën kryesore këtu nxënësit njihen me jetën dhe veprën e tij dhe po të pyesësh nxënësit të gjithë të përgjigjen me hollësi për rrugëtimin e gjatë në fushën e mësimdhënies së Hasan Lekës.
Korridoret mbushur me stendat e letrarit të ri, biologut, fizikanit, kimistit, gjeografit, historianit. Çdo kabinet i pajisur më së miri. Na bëri përshtypje kabineti i gjeografisë ku një sasi e madhe hartash, jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Europës, Azisë apo dhe botës vareshin në mur.
Në kat të dytë të shkollës vërtet u befasuam të gjithë. Një klasë e madhe, më e madhe se të tjerat, ndoshta ka qenë planifikuar për sallë të kabinetit pedagogjik por që ishte kthyer në bibliotekë. Një bibliotekë e pasur, me mjaft tituj librash të ndryshëm jashtë shkollor por për moshën e nxënësve të një shkolle nëntëvjeçare. Një bibliotekë që kalonte përmasat e një biblioteke në gjimnazet e Tiranës sot. Raftet mbushur plot, stivosur librat në rregull e të gjitha të inventarizuara. Salla me tavolina e karrige e përgatitur enkas si sallë leximi, jo vetëm për nxënësit por edhe për mësuesit.
Në oborrin e shkollës festa vazhdon
Në ditë feste nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Tinguj të muzikës së bukur popullore i kishin shpërthyer muret rrethues të shkollës dhe dëgjoheshin deri tek shtëpia e fundit e fshatit. Në rrugë, shoferët makinat ndalonin dhe hidhnin vështrimin nga shkolla.
Shkolla këtë mëngjes shtatori ishte zbukuruar si për festë, kudo rregull e pastërti. Prisnin të vinin edhe ish nxënësit plangprishës pas gjashtëdhjetë vitesh, një kohë tepër e gjatë kjo por edhe një mesazh i bukur për brezat e rinj se malli për vendlindjen rri gjithmonë ndezur në zemrat e secilit.
Shkolla ato vite kur mësonim ne nuk ndodhej këtu ku është sot, ishte poshtë digës së liqenit, një ndërtesë e vjetër, totalisht e amortizuar por nga ajo godinë e vjetër doli një elitë intelektuale dhe krijuese nga Shumbati ku mund të përmendim Hasan Leka, Shuaip Skarra, Jasim Mandri, Xhevat Fana, Xhavit Sulejmani, Besim Fejza, Rruzhdi Skarra, Gjuri Puci, Selami Xhepa, Hajri Mandri, Naim Mandri, Tofik Skera, Violeta Robi, Leme Visha etj.
Moderatorja e këtij aktiviteti, Megi Iskurti, një gazetare e afirmuar në metropolin shqiptar, ngjitet në podium dhe pasi bën një pasqyrë të shkurtër dhe mjaft të bukur mbi shkollën, emrin e Hasan Lekës por edhe fshatit Shumbat, fton të ngjitet lart, të zotin e shtëpisë, drejtorin e shkollës Mario Fejza të përshëndet dhe t’ju urojë të ftuarve “Mirë se ardhjen”.
Kryetari i bashkisë, zoti Rahim Spahiu, përveç datës përkujtimore, përshëndeti nxënësit edhe për fillimin e vitit të ri shkollor, dhe premtoi se vëmendja e bashkisë do të jetë e vazhdueshme në fushën e arsimit, në të gjitha shkollat e Dibrës. Këngëtar të njohur si Liri Rasha, Perlat Sheqeri, Mentor Topuzi, Dritan Jashari, Defrim Mandri, por edhe vetë nxënësit e shkollës i dhanë një tjetër larmi festës.
Përshëndeti edhe prefekti i Qarkut Nexhbedin Shehu. Në emër të shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë përshëndeti Fariz Cibaku, kryetar i degës Dibër. Në emër të ish nxënësve të kësaj shkolle foli Profesor Selami Xhepa, i cili, si President i Universitetit Europian të Tiranës, se për nxënësit ekselent që dalin nga kjo shkollë, do të planifikojmë edhe bursa studimi. Në fund, Elona, vajza ma e vogël e Hasanit, sivjet për këtë ditë feste dhe si fillim i vitit të ri arsimor kishte menduar krejt ndryshe. Kishte sjellë për çdo nxënës nga një çantë të re librash me të gjitha mjetet shkollore të kompletuara, si lapsa, ngjyra, bojëra, mjete të tjera shkollore sipas klasave, porosi enkas për nxënësit e shkollës nëntëvjeçare “Hasan Leka, në Kinën e largët.
Elona
Ndihma dhe kontributi për mirëmbajtjen e shkollës është i të gjithëve, i bashkisë, i vetë drejtorisë së shkollës, por që të arrihej në këtë model që u bë sivjet shkolla nëntëvjeçare “Hasan Leka” në Shumbat, merita e madhe i takon vajzës së vogël të Hasanit, Elona Leka (Turdiu).
Ajo dhe vetëm ajo me nismën, ndihmën dhe kontributin e madh arriti në pak kohë të bëjë një ndryshim rrënjësor të shkollës së Shumbatit.
Elona nuk u mërzit kurrë, duke e shtrirë dorën të kërkojë qoftë një libër, një dritare, një pemë, një vazo, një lule, e të gjitha këto për shkollën. Jo vetëm kaq por edhe puna e madhe këmbëngulëse, duke u qëndruar vetë punëve mbi krye, arriti atë që dëshironte dhe ëndërronte. Sot Elona, në këtë dhjetë vjetor të emrit që mbart shkolla ka të drejtë me plot meritë të krenohet, të krenohet se ka bërë vërtet shumë që emrin e babait që mban shkolla ta lartësojë edhe më shumë.
“Elona, – siç thotë me shaka drejtori i shkollës – është bërë si e shtëpisë në shkollën tonë, është bërë pjesë e pa ndarë e kolektivit tonë dhe sa herë që vjen duar plot, si mali me borë ngarkuar. Edhe vetë nxënësit janë mësuar tashmë me Elonën, e presin dhe e respektojnë sikur ta kenë mësuese në shkollë. E sa herë që vjen ajo do sjellë pako e dhurata të ndryshme për nxënësit”.
Festa vazhdon
Nuk mjaftoi vetëm me aktivitetin tek shkolla. Pjesa e dytë vazhdoi në qytetin e Peshkopisë ku në një nga sallat e hotel “Veri” për të pranishmit do të shfaqej një dokumentar, përgatitur nga Defrim Methasani, për jetën dhe veprën e Hasan Lekës. Në sallë kishte mbi njëqind veta, ku Elona së bashku me bashkëshortin e saj, mjekun Artur Turdiu, për të pranishmit shtruan një drekë, dhe nuk ishin pak, por mbi njëqind veta.
Pas dokumentarit këngët e bukura popullore dhe vallet vazhduan deri vonë, megjithatë aktivitetit po i vinte fundit, askush nuk kishte dëshirë të largohej, as vetë nxënësit. Të gjithë shprehnin dëshirën e ndonjë fotografie së bashku. Pas shkrepjeve të fundit të fotove, shtrëngimit të duarve u ndanë të gjithë. Vargu i gjatë i makinave nisi udhëtimin drejt Tiranës.
Poezia që pati shkruar Naim Plaku për Hasan Lekën, dukej sikur jehonte brenda kabinës së makinës:
“Në letra e shkrime, flet e vërteta,/ “Në rrjedhë të jetës”/ Shkëlqen talenti, si diell mbi shkrepa,/ i Hasan Lekës. / Ti erdhe dhe ike, sikur pranvera, / Sjell dallëndyshet. / Ndaj do të mbetesh, ti për ngahera, / Lule që s’vyshket. / Ja, sot ka ardhur, tek shkolla e dashur / Emri i tij. / Ai do të mbetet, për herë mësues, / Për çdo fëmijë….”.