Fotografia e parë që mbushi ekranin e kompjuterit ishte fotografia e Nazmi Koçit tek mjekonte një ushtar në klinikën e tij në Shupenzë, që e kishte pajisur me dashurinë e një njeriu të punës e sakrificës.
Nga Abdurahim Ashiku
E ndjej veten të gëzuar që sot jam mes jush. Mes jush pas 27 vjet larg, në troje të huaja, larg, shumë larg, atje ku “çilen e mëshilen malet”… Janë 27 vjet malli e dashurie, mungese të vendeve ku u rrita dhe punova, mungese të njerëzve me të cilët jetova. Janë 27 vjet të humbura. Është një ndjenjë që mërgimtarin kur kthehet në vendlindje, të kapërthen dhe të zë në grykë… Nuk e lëshon… E kupton vetëm ai që e ka jetuar, dhe e jeton.
Nuk kam ndejë duarkryq. Punova kopshtet e grekëve, në vend të kopshteve të atdheut tim. Nuk e lash penën të ndryshket. Përcolla në katër vëllime, një mrekulli: Mësuesit vullnetar të gjuhës shqipe në Greqi… RILINDËS TË KOHËS SONË i quajti Dritëro Agolli. Dibrën e kisha në shtëpi, nga mëngjesi në mëngjes. Më mbajti gjallë, në jetë të vërtetë…
Erdha sot nga Athina t’ju dëshmoj pak fjalë e shumë ndjenja e respekt për sebepin e këtij tubimi, Nazmi Koçin, doktor, profesor, studiues, befasia e të cilit më ka hyrë në gjak e është bërë pjesë e qarkullimit të madh e të vogël…
Pata fatin që të jem i pari lexues i një ENCIKLOPEDIE STOMATOLOGJIKE me autor Nazmi Koçin.
Mbase e vetmja e kësaj shkence në botë.
E lexova në germë, në fjalë, në fjali, faqe pas faqeje, në mbi të tetëqindat e saj.
Është me të vërtetë një ENCIKLOPEDI, shkruar rrjedhshëm, me një gjuhë të pastër shqipe, e kuptueshme për çdo lexues.
Kur ia përcolla në adresën e tij elektronike, pas falënderimit, më kërkoi të shkruaj parathënien.
U zura ngushtë. Nuk kisha kulturën mjekësore që të gjeja gurët e përshtatshëm që të zinin vend në atë qoshe kulle ku Nazmiu i kishte vënë aq sa mes tyre nuk futej as brisku.
Bëra kompromis me veten dhe i përcolla bisedën që kishim bërë bashkë, bisedë me titull: NUK E KISHA NJOHUR NAZMI KOÇIN E SHKENCËS.
E filloja…
Nuk e kisha njohur Nazmi Koçin
Kisha njohur… Një fëmijë dhjetë vjeç, me një çantë bezeje varur krahaqafë, në një udhëtim pesë orë në këmbë për të ndezë në shpirt një dritë, dritën e dijes.
Kaq ishte rruga këmbësore ngjitu e zbrit nga Prodani në Ostren.
Udhëtim në këmbë; në shi, në dëborë, në vapë, udhëtim si në legjenda.
Në këmbë do të udhëtonte Nazmi Koçi fëmijë, i ri, burrë, prind…një jetë të tërë.
Vazhdon të ecë në këmbë… Udhëtim në rrugë pa rrugë, rrafsh e me gropa…
Me Nazmi Koçin kam një kujtim të bukur, kujtim që më duket si një mrekulli hyjnore.
Kur ika një ditë korriku 1996 për ti shpëtuar kosës që kisha mbi qafë jo vetëm unë por tërë familja ime, rastësisht, në një qese të madhe kisha marrë me vete një grumbull negativash fotografikë. Për vite të tërë i përcillja me bezdi sa në njërin dollap të shtëpisë në tjetrin. Në një moment thashë ti hedh në plehra. Nuk e di pse në atë çast nuk i hodha, por mendjen atje e kisha.
Tek pinim kafe me Nazmiun në Tiranë ia thashë dilemën time. Më tha: mos i hidh. Dhe nxori nga xhepi 150 euro dhe më tha “blej një skaner dhe zbardhi. Do të jetosh një mrekulli të jetës tënde”
Filmat ishin të periudhës të viteve 1964 – 1996…
Dhe ndodhi ajo që edhe sot pyes veten e nuk marr përgjigje; ishte një mrekulli apo një rastësi domethënëse?
Fotografia e parë që mbushi ekranin e kompjuterit ishte fotografia e Nazmi Koçit. Një fotografi tek mjekonte një ushtar në klinikën e tij në Shupenzë, atë klinikë që e kishte ndërtuar dhe pajisur me dashurinë e një njeriu të punës e sakrificës.
Ishte e para fotografi në dhjetëmijë që zbardha ditë pas dite, fotografi që mbushin arkivin tim. Malli dhe dashuria ime për Dibrën…
I kam negativët, në dilemën “T’i hedh apo t’i mbaj”
Ishte ky një detaj i përkushtimit shkencor të Nazmi Koçit që e bëri Atë të krijojë një ENCIKLOPEDI profesionale që askujt nuk i ka rënë në mend ta bëjë në profesionin e vet.
Nazmi Koçi kishte udhëtuar “jo pesë orë në këmbë”, por një jetë në këmbë.
Kishte udhëtuar maleve të Dibrës, qyteteve të Italisë, mërgimtar që bashkoi llaçin e mjeshtërve ndërtues të Gollobordas me amalgamën e profesionit, punëtor i palodhur për bukën e ditës dhe ngritjen në profesionit e tij….
Nuk e njihja atë anë të jetës profesionale të Nazmi Koçit, dashurinë e jashtëzakonshme për dhëmbëtarinë, stomatologjinë, dashurinë për njerëzit në përmasat e jetës së tij të vrullshme.
E njoha në librin e tij: ZHVILLIMI I STOMATOLOGJISË NË SHQIPËRI…
E njoha si djalë SHQIPËRIE që vazhdon të udhëtojë me vrap, vrap që e gjen në çdo faqe, në çdo dokument, në çdo portret shkencëtarësh e kolegësh që bënë histori në një profesion…
Një punë voluminoze, zëri i të cilës më vjen nëpërmjet një bibliografie me 498 autorë, nëpërmjet dokumenteve arkivore ku gjeti dyert e mbyllura në Arkivin e Shtetit derisa një herë nuk ishte përmbajtur dhe u kishte përplasë:
“Ju duhet të më ndihmoni, pasi do të kalojë shumë kohë sa të gjendet një budalla tjetër si unë që të lërë klinikën dhe paratë atje dhe të vijë të rrëmojë mbi këto dokumente, një pjesë e të cilëve janë në prag të asgjësimit fizik dhe do të bëhen në të ardhmen të pa përdorshme”.
Lexuesi i thjeshtë, brezi im, me siguri do të gjej vetveten, qytetin e tij të vogël që në fëmijërinë e tij as emrin nuk ia kishte dëgjuar profesionit të stomatologut…
Unë fletëve të librit gjeta diçka nga fëmijëria ime, Zyberin, nallbanin që mbathte kuaj e mushka. Zyberi i Brezhdanit kishte edhe një darë të vjetër, shkulte dhëmbët e bashkëfshatarëve të mi…
Do të shohë si u hapën shkollat, kur dolën dentistët e parë, do ti lexojë edhe emrat dhe shohë fotografitë e tyre përcjellë me nderim e respekt nga autori.
Do të shohë se si shërbimi stomatologjik, hap pas hapi, mbushi qytetet duke u ngjitur edhe në qendrat e fshatrave të bashkuar thellë maleve të Shqipërisë.
Autori rrëfenjën modeste për shërbimin stomatologjik nga “Lashtësia në ditët tona” e ktheu me punë të palodhur, me kërkime të thella shkencore, në një ENCIKLOPEDI…
Gjuha e pastër e bën atë të këndshëm në lexim për të gjithë.
Dokumentet dhe konkluzionet shkencore e bëjnë librin “ZHVILLIMI I STOMATOLOGJISË NË SHQIPËRI” një libër klase, banke për studentët e mjekësisë, një libër klinike për mjekët stomatologë anë e mbarë vendit.
Dhe më gjerë…
Në fund shënimet e mija modeste për këtë Maratonomak të stomatologjisë shqiptare po i mbyll me një merak të tij…
“Dhe tani më thoni, unë që isha bashkudhëtar për një kohë të gjatë në këtë rrugëtim të saj, a nuk kam të drejtë ta ftoj për një kafe këtë zonjë të rëndë, pse jo t’i bëj dhe një portret, apo një historik modest asaj? Sigurisht që po, edhe pse kjo është një detyrë e vështirë për mua.
Më në fund do të kisha një kërkesë për lexuesit e këtij materiali.
Më parë lexojeni atë.
Nëse keni të dhëna të tjera që i konsideroni të rëndësishme për historikun e shërbimit tonë, mund t’i dërgoni në adresën që do të gjeni në fund të librit, me dëshirën e mirë që në një punim të mëvonshëm ato të jetësohen në përmbajtjen e tij pasi kjo nuk është vepër e një individi, por e një shërbimi të tërë dhe siç e ngritëm atë së bashku, po ashtu duhet ta pasqyrojmë realisht së bashku për t’u lënë një material të shkruar e serioz brezave që vijnë në të ardhmen.
Në këto shkrime jam përpjekur të jem maksimalisht i sinqertë dhe objektiv, pasi unë do të preferoja që më mirë të më kritikojnë si i paditur se sa si i padrejtë e i pasinqertë. Koha është gjyqtari më i mirë për ata që kritikojnë dhe për ata që kritikohen.”
Dhe me një zotim…
“Në paçim jetë e shëndet më duhet të bëj edhe një volum tjetër për vitet e demokracisë. Nuk desha që t’i përziej rreshtat, më mirë veçan…”
Dhe e mbajti fjalën. Sot kemi përpara dy vëllime të një pune që e ngrenë atë në nivelin e enciklopedistëve të mëdhenj të vendit tonë. Pse jo, edhe më gjerë.
Nazmi Koçi vazhdon udhëtimin e tij, udhëtim “pesë orë në këmbë”, simbolikë e jetës së tij… Rrugë e krijimtari të mbarë miku im, miku i të gjithëve!
Dhe në fund një vërejtje shoqërore: NAZMI ! TI JE NJË TREGIMTAR I MREKULLUESHËM… Do të desha që rrëfenjat e tua plotë jetë e art, një pjesë e vogël e të cilave janë në arkivin tim, t’i shikoja në një botim luksi. Do të isha i lumtur të jem lexuesi i parë i tyre.
Athinë – Tiranë, 21 nëntor 2023