Promovohet në Akademinë e Shkencave libri i prof. Nazmi Koçit “Stomatologjia në Shqipëri” – 2 vëllime.
Botimi i librit “Stomatologjia në Shqipëri – 2 vëllime” është sponsorizuar nga Klinika Evident, Brunilda e Ervin Koçi, si “dhuratë për stomatologjinë shqiptare, siç ka qenë e gjithë jeta ime dhe e pasardhësve të mi në shërbim të saj”.
PROF. FEJZI KERAJ: “Prof. Nazmi Koçi i ka bërë një portret të bukur stomatologjisë, hartoi një historik që i mungonte, pasuroi literaturën stomatologjike shqiptare… Puna e shkëlqyer e prof.Nazmiut do të mbetet në historinë stomatologjike si një realizim dinjitoz profesional. Këto dy vëllime, me mbi 1000 faqe, kanë sjellë portretin e plotë historik të stomatologjisë shqiptare. Përfaqëson një material të studiuar bibliografik me vlera të veçanta në literaturën shqiptare”.
PROF. ERDA QORRI: “Janë dy vëllime që përshkruajnë historinë e zhvillimit të stomatologjisë shqiptare ndër shekuj. Them ndër shekuj, sepse dr. Nazmiu ka hulumtuar çdo arkivë, shkresë, letër a dokument, i cili ka pasur të shkruar e të dokumentuar në të fillimet e zhvillimet e stomatologjisë shqiptare… Këto vëllime kanë renditur në mënyrë kronologjike fakte reale dhe jo thjesht kujtime profesionale, edhe pse në to do të gjeni të përmendur jo pak nga emrat, fotot apo aktet zyrtare të themelimit apo funksionimit të stomatologjisë në vendin tonë”.
Në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mblodhën më 21 nëntor 2023 kolegë, studentë, miq dhe të ftuar të prof. as. dr. Nazmi Koçi, i cili prezantoi librin voluminoz në 2 vëllime, “Stomatologjia në Shqipëri”.
Veprimtaria ishte e organizuar nga Komisioni i Shëndetësisë pranë Akademisë së Shkencave dhe botimet Mediaprint.
Prezantimin e librit e hapi prof. Fejzi Keraj, i cili ia dha fjalën e hapjes, akademik Gëzim Hoxhës. Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Shkencave Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave (ASH), Hoxha përshëndeti pjesëmarrësit, duke vënë theksin në bashkëpunimin që ASH i ka dhënë institucioneve dhe autoriteteve shkencore për prezantimet e librave dhe botimeve shkencore.
Akademik Shaban Sinani, njëherazi edhe njëri nga recenzentët e librit, nuk mund të ishte i pranishëm, ndaj fjalën e tij rreth librit “Stomatologjia në Shqipëri”, i cili është botuar në dy vëllime, ku i pari përfshin një historik të shërbimit stomatologjik nga lashtësia deri në vitet 1990, kohë kur ky shërbim i privatizua; ndërsa vëllimi i dytë përfshin periudhën nga vitet ‘90 deri në ditët e sotme, e lexoi akademik Adem Bunguri.
“Askush nuk mund të garantojë se duke qenë edhe dëshmitar, edhe shkrues i historisë, mund t’ia dalë të jetë i baraslarguar prej ngjarjeve. Një gjë është e qartë: vëllimi që i kushtohet në pjesën e katërt shërbimit stomatologjik të dekadave të fundme të shekullit XX në Shqipëri nuk ka të bëjë me ndonjë favorizim subjektiv, por me diferencat që ka bërë vetë historia. Kjo është periudhë e themelive” – citoi Bunguri pjesë nga fjala e Sinanit.
“Unë besoj – shkruan akademik Shaban Sinani, – se duke shkruar këtë libër Nazmi Koçi, profesor, mjek, njeri i shërbimit, ia ka arritur të realizojë atë që latinët e shprehnin me një idiomë të mirënjohur: Corona opus finis – t’i vësh veprës kurorë.” (Fjalën e plotë të Akademik Shaban Sinanit do ta lexoni në këtë numër)
PROF. FEJZI KERAJ: “STOMATOLOGJIA NË SHQIPËRI”, NJË PORTRET I BUKUR STOMATOLOGJISË.
“Sot për stomatologët është një ditë e shënuar se promovohet historia e stomatologjisë Shqiptare”, – tha në fillim të fjalës së tij prof. Fejzi Keraj, i cili në këtë takim ishte edhe moderatori. “Me një përkushtim disavjeçar, duke lënë pas dore shumë probleme personale, familjare dhe profesionale, kolegu ynë prof. Nazmi Koçi na ngriti lartë, na bëri me histori, që shumë fusha të tjera do ta kishin zili”, tha ai.
Prof. Keraj nuk i kurseu lavderimet për librin dhe punën e prof. Nazmi Koçit.
“Me dy librat e tij “Stomatologjia në Shqipëri”, prof.Nazmiu ka ndikuar, jo vetëm në stomatologji, por dhe në historinë e Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Ai meriton një vend të veçantë në historinë shqiptare, si historianët e tjerë që kanë kontribuar në fusha të ndryshme”, vlerësoi prof. Keraj.
Keraj, duke u bazuar mbi atë çfarë përfshijnë dy vëllimet e librit, vlerësoi kohën që i është dashur autorit të librit të mblidhte materialet, duke trokitur në dyert institucionesh dhe arkivash, duke mbledhur “pjesëza të historikut stomatologjik”.
“Vetëm prof.Nazmi Koçi mund ta realizonte një historik të tillë, duke harruar interesat vetjake e familjare, për të na dhuruar një punim dinjitoz me shumë vlera”.
Prof. Keraj vlerëson se “ky historik duhet të jetë pjesë e programit të studimit në të gjithë fakultetet e stomatologjisë, pasi libri tejkalon punimin e një disertacioni”.
“Kolegu i ka bërë një portret të bukur stomatologjisë, hartoi një historik që i mungonte, pasuroi literaturën stomatologjike shqiptare. Për gjithë këtë kontribut të autorit, po marr përsipër dhe në emër të shumë kolegëve, me përvojë të gjatë në profesion, ta falenderojmë dhe ta vlerësojmë punën e shkëlqyer të prof.Nazmiut, e cila do të mbetet në historinë stomatologjike si një realizim dinjitoz profesional.Këto dy vëllime, me mbi 1000 faqe, kanë sjellë portretin e plotë historik të stomatologjisë shqiptare. Përfaqëson një material të studiuar bibliografik me vlera të veçanta në literaturën shqiptare”, mbylli fjalën e tij prof. Fejzi Keraj.
PROF. ERDA QORRI: DY VËLLIME QË PËRSHKRUAJNË HISTORINË E ZHVILLIMIT TË STOMATOLOGJISË SHQIPTARE
Në emër të Komisionit të Shëndetësisë pranë ASH, e mbajti referimin prof. Erda Qorri.
“Kam kënaqësinë të jem sot këtu, me ju në prezantimin e dy vëllimeve “Stomatologjia në Shqipëri”, shkruar nga prof. asoc. dr. Nazmi Koçi. Sikurse thoshte dhe Heminguej: “Nuk ka shok më besnik se një libër”, por sot janë dy! Janë dy libra të shkruar me kujdes, pasion, sinqeritet dhe me merak nga një profesionist, i cili që në moshë djaloshare ushqente një dashuri për profesionin e stomatologut. Dashurinë e tij për profesionin e ndjen sa herë që të jepet mundësia të ulesh e të flasësh me të. Është një tregimtar, i cili të le në memorie historitë, ngjarjet e ndodhitë profesionale, pasi zotëron artin e komunikimit, ndërthurur me pasionin dhe dashurinë për stomatologjinë, të cilat do të keni mundësinë t’i gjeni të renditura në faqet e këtyre librave, – tha në fillim të fjalës së saj, prof. Erda Qorri.
“Janë dy vëllime që përshkruajnë historinë e zhvillimit të stomatologjisë shqiptare ndër shekuj. Them ndër shekuj, sepse dr. Nazmiu ka hulumtuar çdo arkivë, shkresë, letër a dokument, i cili ka pasur të shkruar e të dokumentuar në të fillimet e zhvillimet e stomatologjisë shqiptare… Këto vëllime kanë renditur në mënyrë kronologjike fakte reale dhe jo thjesht kujtime profesionale, edhe pse në to do të gjeni të përmendur jo pak nga emrat, fotot apo aktet zyrtare të themelimit apo funksionimit të stomatologjisë në vendin tonë”, nënvizoi prof. Erda Qorri.
Duke vazhduar me recensën e saj, profesoresha e Albanian University nënvizoi faktin se “dr. Nazmiu sjell një libër, i cili do t’i shërbejë çdo stomatologu të njohë rrugëtimin e profesionit të zgjedhur, një aset i cili mund të përdoret nga pedagogët në auditoret e universiteteve për të prezantuar sadopak nga zanafillat e lashta që ka ky profesion në vendin tonë, ashtu sikurse dhe vendet e tjera të botës, pjesë e të cilës kemi qenë dhe jemi dhe ne”.
Prof. Erda Qorri e vuri theksin shkurtimisht te elementët thelbësore të librit, sipas pjesëve të ndara prej autorit. Ajo vë në dukje në pjesën e parë të librit “ndihmën ndaj problemeve dentare që datojnë që në parahistori dhe Shqipëria, si pjesë e pandarë nga ajo e vendeve të tjera, na përcillet nga autori me historikun e vet, nëpërmjet zbulimeve interesante të mjekut studiues prof. dr. Flamur Tartari në bashkëpunim me arkeologun Fatos Tartari. Në fakt, të dhënat e gjetura sillnin profilin e një mjekeje ilire në shekullin e II-I p.e.s., dhe libri e historia e tregojnë se sa e vështirë ka qenë përfshirja e femrave në stomatologji”.
Prof. E.Qorri vlerëson se prof. Nazmi Koçi “vazhdon të mbajë gjallë dëshirën për të lexuar, duke përpirë çdo informacion të shkruar në libër, duke filluar nga dentisti i parë shqiptar, shkodrani Hasan Kaduku, i cili ushtronte këtë profesion që nga viti 1896 dhe dentistja e parë Theodita Naçi në Tiranë”.
“Zakonisht thuhet se niveli i zhvillimit të shoqërisë përcaktohet prej kujdesit shëndetësor apo kulturës së shëndetit oral, dhe të dhënat e sjella nga autori na bëjnë të shohim realitetin e asaj periudhe, e cila me sa duket, bazuar në raporte e botime artikujsh të dentistëve nëpër gazeta paraqesin ekspertiza dhe thirrje për ngritjen e vëmendjes në këtë aspekt, duke sjellë kështu fakte reale të situatës, ashtu siç ajo ka qenë”, citojmë prof. Erda Qorrin.
Në recensën e saj, prof. Qorri vuri në dukje se në këtë libër janë të vlefshme edhe informacionet që sjell autori për “decentralizimin e shërbimit dentar, periudhën e shtetëzimit të stomatologjisë, si shërbim me status ligjor, ku merr kuptim theksimi i faktit të kalimit prej subjektivitetit profesional në subjektivitet ligjor, me marrjen e përgjegjësisë nga shteti”.
“Dr. Nazmiu na paraqet në libër një panoramë të gjerë të dekadave që i ka njohur vetë, falë faktit se ai ka punuar jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe, duke qenë vetë pjesë e historisë, ose duke e njohur historinë e këtij shërbimi përmes profesorëve të tij, kolegëve me të cilët ka folur gjatë, kujtimet dhe mendimet e të cilëve përbëjnë një bazë të pasur materiale në këtë libër”.
Erda Qorri vuri në dukje edhe informacionet që përcillen në botim në pjesën e katërt të librit, që ka të bëjë me historikun që nga hapja e degës së Stomatologjisë pranë Fakultetit të Mjekësisë në vitin 1959 dhe diplomimin e studentëve të parë në vitin 1964.
Në vëmendjen e recenës së Qorrit ishte edhe shërbimi dentar pas viteve 1990, ku sistemi i stomatologjisë shqiptare kalon në shërbim privat.
“Të mos harrojmë, ky ishte ishte një moment sakrificash të mëdha, përfshi këtu dhe ato ekonomike, por pasioni dhe dashuria për profesionin bëri që profesionistët të rrisnin nivelin e shërbimeve dentare në mënyrë graduale, por të sigurt”.
Në fund të recencës së saj në emër të Komisionit të Shëndetësisë së ASH, prof. Erda Qorri nuk i kurseu fjalët e mira për autorin e librit, prof.as.dr. Nazmi Koçi”.
“Ju ja dolët më së miri në misionin tuaj, “qëmtuat” me durim çdo të dhënë të mundshme që patët në dispozicion, radhitët faktet në një “varg” kronologjik, ashtu si ju ditët më mirë, u mbështetët në këtë rrugëtim nga njerëz të dashur si familja apo miq të mirë që ju rrethuan. Ju jo vetëm u përpoqët, por ia keni dalë të vendosni një “gur në murin e ngrehinës sonë të përbashkët”. Ju keni lënë një trashëgimi për brezat e ardhshëm të stomatologjisë në Shqipëri dhe jo vetëm, ju na lini dhe një detyrë, një përgjegjësi, që këtë rrugëtim nga ju të filluar të ketë një vazhdimësi! Ju na treguat si ishte dhe me sa sakrifica shkenca e stomatologjisë u zhvillua në vendin tonë për të ardhur deri këtu”, theksoi Qorri.
NAZMI KOÇI: NJË LIBËR DHURATË PËR STOMATOLOGJINË SHQIPTARE
Autori i librit, prof. Nazmi Koçi, në fund mbajti një fjalë falënderimi, të cilën e nisi nga nëna dhe babai i tij.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem sot midis jush, në një moment gëzimi për stomatologjinë shqiptare dhe për mua, si një nga ushtruesit e saj, por do të kisha dashur që sot në këtë sallë plot të kisha edhe disa të tjerë: Nënën time, nga dera e Hoxhë Muglicës, që dinte shkrim e këndim; Babain tim, që më mësoi të ec dhe më mësoi alfabetin e na shkolloi gjashtë fëmijëve; mësuesen time kujdestare të shkollës së mesme, që më mësoi të shkruaj bukur fjalën shqipe dhe ishte prind i dytë për mua”, tha Nazmi Koçi në fillim të përshëndetjes së tij.
Më pas, Nazmi Koçi i nisi falënderimet me lexuesit e parë: Abdurahim Ashiku, akademik Shaban Sinani, profesorët Fejzi Keraj e Pandeli Gole etj. Ai falënderoi të gjithë institucionet që mundësuan sigurimin e dokumentacionit, kolegët në Tiranë e në rrethe për bashkëpunimin, personelin e qendrës shëndetësore dhe popullin e Shupenzës ku punoi 16 vjet, kolegët dhe personelin shëndetësor të rrethit të Dibrës; Fakultetin e Mjekësisë ku ka dhënë mësim më shumë se 20 vjet; Institucionet e Arsimit të Lartë Privat, ku ka punuar e drejtuar; Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin stomatologjik të Tiranës dhe ASHR, Ministrinë e Arsimit dhe ASCAL etj.
“Nëse kam harruar ndonjë – më falni, por i përmenda të gjithë këto sepse këta bënë autorin dhe unë bëra një libër”, tha profesor Nazmi Koçi.
Një falënderim i veçantë shkoi për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë; Komisionin e Shëndetësisë, të cilët morën përsipër organizimin e kësaj ceremonie promovimi; ç’ka është vlerësim i punës sime dhe i Stomatologjisë Shqiptare.
Gjithashtu, autori falënderoi edhe “Ilir Dobin, drejtorin e përgjithshëm i kompanisë “Algrafika” si dhe drejtorin e shitjeve, z. Enrik Koçi, për ndihmën e dhënë për sigurimin e letrës së nevojshme për botimin e librit si dhe kujdesin e tyre për të gjetur një bashkëpunëtor tjetër të kujdesshëm dhe serioz në këtë proces, shtëpinë botuese “Mediaprint” dhe znj. Anila Bisha; e cila u kujdes që libri të botohej me shpejtësi dhe me cilësinë e duhur”.
“Përpara se të shkonim të botimi, dua të falënderoj miqtë e mi, Miranda Goleci dhe Bujar Karoshi, me të cilët kemi kaluar një periudhë të gjatë pune: korrigjime, redaktime, faqosje deri te realizimi final i materialit për botim”, tha autori i librit prof. Nazmi Koçi.
Në fund, autori i librit, falënderoi fëmijët e tij, Brunilda – njëherazi edhe redaktorja rigoroze e dy librave, dhe Ervinin (bashkëpunëtor); bashkëshortët e tyre, Fatosi dhe Eva, të cilët i kanë qëndruar hap pas hapi në këtë proces, për të shkruar një libër të denjë për shërbimin e stomatologjisë shqiptare; kolektivin e klinikës “Evident” për gjithë ndihmën e dhënë, si dhe bashkëshorten e tij, Vjollcën, për sakrificat gjatë gjithë jetës, në mënyrë që doktor Nazmiu t’i përkushtohej sa më shumë këtij profesioni.
Në promovimin e librit folën edhe botuesja e Mediaprint, znj. Anila Bisha, e cila e vlerësoi librin si një nga botimet më të arrira në këtë fushë, duke ftuar lexuesin ta bëjë pjesë të bibliotekave të tyre.
Më pas përshëndetën edhe Pavli Kongo, Abdurahim Ashiku, Nikolla Bushi, Ramazan Buci, të cilët vlerësuan punën e Nazmi Koçit, jo vetëm librin, por sollën edhe detaje nga bashkëpunimi me të.
Botimi i librit “Stomatologjia në Shqipëri – 2 vëllime” është sponsorizuar nga Klinika Evident, Brunilda e Ervin Koçi, si “dhuratë për stomatologjinë shqiptare, siç ka qenë e gjithë jeta ime dhe e pasardhësve të mi në shërbim të saj”.
Përgatiti: BUJAR KAROSHI