“Unë besoj se duke shkruar këtë libër Nazmi Koçi, profesor, mjek, njeri i shërbimit, ia ka arritur të realizojë atë që latinët e shprehnin me një idiomë të mirënjohur: Corona opus finis – t’i vësh veprës kurorë”.
Askush nuk mund të garantojë se duke qenë edhe dëshmitar, edhe shkrues i historisë, mund t’ia dalë të jetë i baraslarguar prej ngjarjeve. Një gjë është e qartë: vëllimi që i kushtohet në pjesën e katërt shërbimit stomatologjik të dekadave të fundme të shekullit XX në Shqipëri nuk ka të bëjë me ndonjë favorizim subjektiv, por me diferencat që ka bërë vetë historia. Kjo është periudhë e themelive.
Nga Shaban Sinani, Akademik
Librin e Nazmi Koçit, mjek dibran me një përvojë që ka kaluar me se gjysmë shekulli, e mora për ta lexuar nxitur prej respektit që rrethonte figurën e tij në një periudhë të shkurtër që kalova në Dibër si nxënës në shkollën e mesme pedagogjike. Atëherë ai ishte doktori i sëmundjeve të gojës dhe të dhëmbëve, që duhej t’u bënte derman të gjithëve, por që gjithnjë e më shumë i përmendej emri me lëvdim, krahas me emrin e Rrahim Gjikës, Basri Nezirit, Sheza Balliut, Qemal Çadrit. Në Dibër ka pasur një nderim të shenjtë për doktorët, nuk e di nëse ruhet ende. Sot Nazmi Koçi është profesor, është doktor për herë të dytë (me doktoratë të mbrojtur), është edhe autor i një libri, të titulluar Stomatologjia në Shqipëri (nga lashtësia deri në ditët tona), të cilin fillimisht e përftova në mendje si një libër përvoje. Por, shumë shpejt, ende pa kaluar në fletët e para, mora njoftimin se botimi i këtij libri ishte miratuar nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve Stomatologë më 2018. Mirë ka bërë Nazmi Koçi me këtë paralajmërim, që na bën të jemi të vetëdijshëm se s’kemi të bëjmë me një rikapitullim dijesh e eksperiencash, që shumë bjerraditës ia japin vetes si një luks të merituar.
Stomatologjia në Shqipëri (nga lashtësia deri në ditët tona) është strukturuar sipas një mënyre bashkëkohore, duke ndërthurur metodologjikisht parimin e periudhizimit (kronologjisë) dhe parimin tematologjik. Thënë më shkurt, sistematik e tematik njëherësh, shenjë tjetër paralajmëruese se në vijim do të kemi rastin të takohemi me njeriun e dijes dhe jo thjesht të kujtimeve profesionale, të cilat, sado të bukura të jenë, kanë për shoqërim atë pyetjen djallëzore të thënies së të vërtetës.
Dibranët nuk e kanë së brendshmi të shprehen me thjeshtësi. Ndoshta jo vetëm dibranët, mundet gjithë shqiptarët, ballkanasit, njerëzimi. Sidomos ata që kryejnë punë intelektuale. Sepse puna intelektuale është më egoiste se çdo punë tjetër. Është provuar se autorësi kolektive nuk ka. Madje, ndoshta, as në folklor. Mirëpo ja ku vjen Nazmi Koçi, mjek me emër, me një karrierë formimi e riformimi shumë të denjë, që e ka parë botën nga lart dhe nga themelet, dhe na bën një paralajmërim të dytë fisnik: Nuk e di në i solla ndonjë gjë të re stomatologjisë, por unë i fala asaj çdo gjë të shtrenjtë që kisha, i fala jetën dhe pasardhësit e mi.
Unë nuk kam njohuri në mjekësi, shpeshherë më është dashur t’i them vetes ndal. Shumë vite më parë, duke shfletuar një tekst të psikologjisë mjekësore (kështu quhej atëherë psikanaliza apo psikiatria, s’jam i sigurt), m’u mbush mendja me tmerr se i kisha të gjitha simptomat e një të sëmuri. Dhe e lashë tekstin e mikut tim bashkëstudent mënjanë me betimin për të mos e hapur më. Por kjo nuk më pengon të shpreh disa mendime jashtë urdhrit për librin e Nazmi Koçit. Zakonisht libra të tillë quhen libra jete. Mirëpo ky përkufizim sikur e shtije në pranga veprën e Nazmiut tonë. Sepse, përveçse libër jete, në kuptimin libër misioni, vepra që ka përgatitur Nazmi Koçi është dhe një libër shërbimi dhe për më tepër një tekst universitar. Ndoshta sot për sot historia e stomatologjisë nuk zhvillohet si lëndë më vete në formimin universitar, por, sidoqoftë, cilido që do të dëshironte të kalonte në një formim të specializuar në shkallën master e më tej do ta kishte një portë dinjitoze për t’u vetëshërbyer me dije.
Për fushën time të ekspertizës, pjesa e parë e librit, që i kushtohet parahistorisë së mjekësisë stomatologjike, që zgjatet në gati dymijë vjet, prej kulturës së Komanit e më herët, dhe vjen më këndej edhe në kohën e xherahëve, në periudhën otomane, përfaqëson një studim më vete, që u mundëson antropologëve të nxjerrin të dhëna e të bëjnë krahasime për dallimin midis shërimit, si kompetencë e lartë hyjnore, dhe trajtimit, si shërbim mjekësh profesionistë. Jam i bindur se do të ketë studiues të shkencave vertikale, siç quhen dijet albanologjike në tërësi, që do ta kenë të nevojshme të këshillohen me këtë pjesë të librit, jo vetëm për të dhënat, por në mënyrë të veçantë për atë pjesë të informacionit që syri i arkeologut apo i historianit s’e sheh direkt.
Vite më parë kam pasur mundësi të njihem me librat e Teki Selenicës dhe të Haxhi Shkozës, që përbëjnë paraqitjet më të statistikuara të zhvillimeve të përgjithshme shoqërore dhe ekonomike në Shqipëri në gjysmën e parë të shekullit XX. Ndoshta kam qenë i pavëmendshëm ose jo aq i interesuar, por s’e kisha vërejtur që shërbimi stomatologjik ishte ndarë prej atij të mjekësisë së përgjithshme në fillim të shekullit XX dhe qysh në vitet 1930 kishte ekzistuar edhe një federatë dentistësh. Zakonisht thuhet se niveli i zhvillimit të shoqërisë përcaktohet prej kujdesit për dhëmbët apo kulturës së gojës. Të dhënat që na sjell autori Nazmi Koçi na bëjnë ta shohim me një mënyrë tjetër të vlerësuari atë periudhë, e cila, me sa duket, vetëm në këtë mënyrë, parë prej ekspertizash profesionale, mund të shfaqet siç mund të ketë qenë.
Në pjesën e tretë të librit, që synon të rindërtojë historinë e fillimeve të stomatologjisë si shërbim me status ligjor, megjithëse kufijtë e periudhizimit janë marrë prej historiografisë politike-shtetërore, merr kuptim theksimi i faktit të kalimit prej subjektivitetit profesional në subjektivitetin ligjor, me marrjen e përgjegjësisë nga shteti dhe me krijimin e disa kushteve që mundësojnë kalimin prej disiplinave në nëndisiplina.
Dhe ja ku vjen koha që studiuesi Nazmi Koçi të hyjë në oqeanin e vet, të navigojë lirisht nëpër dekadat që ai i ka njohur ose drejtpërsëdrejti, ose përmes profesorëve të tij (më vonë edhe përmes studentëve të tij). Kjo është koha kur pavijoni dhe katedra bashkohen e ndahen, klinikat dhe fakultetet janë dy dhe një, shërbimi dhe studimi kushtëzohen, del në pah qartësisht që kujdesi për shëndetin shprehet edhe në shkallën infra. Dhe në fakt kujdesi për shëndetin është edhe shprehje kujdesi për jetën. Nuk e di a mund të thuhet nëse shërbimi stomatologjik ka ndikuar që jetëgjatësia e njeriut gjatë asaj periudhe gati u dyfishua. Po ashtu, nuk më duken me rëndësi bindjet qytetare të autorit. Me rëndësi është që këto bindje nuk e kanë ndikuar as për nënçmim, as për mbiçmim në vlerësimin e periudhës që i është kushtuar. Sido që, edhe po të ishte përfshirë emocionalisht në këtë pjesë të librit, do të ishte krejt e mirëkuptueshme, sepse ai është gjithsesi brenda. Askush nuk mund të garantojë (këtu edhe shkruesi i këtyre radhëve është vetvetiu i përfshirë) se duke qenë edhe dëshmitar, edhe shkrues i historisë, mund t’ia dalë të jetë i baraslarguar prej ngjarjeve. Një gjë është e qartë: vëllimi që i kushtohet në pjesën e katërt shërbimit stomatologjik të dekadave të fundme të shekullit XX në Shqipëri nuk ka të bëjë me ndonjë favorizim subjektiv, por me diferencat që ka bërë vetë historia. Kjo është periudhë e themelive. Ashtu siç ishte kohë themelish për kardiokirurgjinë, për shërbimet e diferencuara simetrikisht me anatominë e trupit njerëzor dhe të brendësisë së tij.
Unë besoj se duke shkruar këtë libër Nazmi Koçi, profesor, mjek, njeri i shërbimit, ia ka arritur të realizojë atë që latinët e shprehnin me një idiomë të mirënjohur: Corona opus finis – t’i vësh veprës kurorë.