Familja e madhe e Gëzim Markes


Familja e madhe e Gëzim Markes ka në përdorim gati 100 dynym tokë, të cilën e mbjell me kultura të ndryshme bujqësore. E mbushur me pleh organik, me ujëra të bollshëm për vaditje dhe shërbime intensive njerëzore, rezultatet e marra janë vërtet mbresëlënëse.

Nga Osman Xhili

Gëzim Markja është një nga filizat e shëndoshë të fisit të Salë Markes, aq të përmendur në historinë e Dibrës. Stërgjyshi i tyre pati gjashtë çifligje, atë të Bomovës, Prilepit dhe Reshanit. Pjesëtarët e këtij fisi u shtuan dhe u shumuan, por përsëri përpiqen t’i njohin rrënjët e hershme dhe t’i ruajnë deri diku dhe lidhjet mes tyre. Kulla e Salë Markes në Zogje, dhe sot e kësaj dite, qëndron si monument madhështor, si dëshmitar i një historie të lavdishme.

Të parët e Gëzimit jetuan për shumë kohë në çifligun e Bomovës në Dibër të Madhe. Mungesa e ujit e bënte disi të vështirë jetesën aty, ndaj menduan të zhvendosen në Reshan, ku uji ishte i bollshëm e terreni mjaft i përshtatshëm. Gjashtë vëllezërit ndërtuan një ekonomi të fuqishme për tu patur zili. Blloqe të bukura me mollë, 500 kokë të imta, dhjetëra kokë gjedh, 200 koshere me bletë ishin disa tregues, që shumëkush do ti lakmonte ti kishte. Kush qe ai njeri që kaloi aty pranë dhe nuk e njohu nga afër bujarinë e kësaj familje? Kush qe ai udhëtar që nuk piu një kafe, nuk hëngri një drekë, apo një pjatë me mjaltë nga këto njerëz bujarë?
Aty hëngrën bukë i huaji dhe vendasi, partizani e nacionalisti, por për ironi të fatit, kulla dhe çifligu u dogjën, të paktën tre herë. U dogjën dhe u persekutuan dhe nga regjimi komunist, ku dhjetëra partizanë ishte ulur në sofrën bujare të këtyre njerëzve, si në shtëpinë e tyre.
U duk se çifligu i Reshanit u shkretua, për të mos u ngjallur më kurrë. Disa u larguan e vetëm Gëzimi, djali i Jasharit mbeti aty, si një pemë e brishtë, që erërat e fuqishme e hedhin sa nga njëra anë në tjetrën. Ai nuk kishte shumë miq e shokë, nuk kishte zanat e shkollë, por kishte ndershmërinë dhe përkushtimin për familjen. Aty rriti katër fëmijët e tij, tre djemtë dhe vajzën, Merjemen.
Më i vogli i djemve quhet Jashar, në emër të gjyshit, si për të trguar se kjo familje është e shëndoshë e vitale, për ti rezistuar kohës dhe shekujve. Fëmijët u bënë krahë të fuqishëm, u bënë burra dhe krijuan familjet e tyre. Nga një shtëpi e vogël dhe e vetmuar, sot aty po krijohet një lagje e re, sikur po ringjallet çifligu i dikurshëm.

Rahimi, djali i dytë i Gëzimit

Rahimi, pasi punoi disa vite në kurbet, mendoi se do të ishte më mirë të krijonte folenë e re, aty në vendlindje. E ndanë me kujdes atë pronë që kishin mes vëllezërve, por jo dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin, apo ndihmesën për vëllain, sa herë që ajo ishte e nevojshme. Edhe pse janë në fillimet e rritjes së tyre, rezultatet janë vërtet befasuese. Ata mbollën, si familje, rreth dy hektarë me misër, duke marrë 140 kuintal prodhim dhe 13 kuintal fasule. Vetëm Rahimi prodhoi gjashtë kuintal fasule, duke siguruar 2400 euro në total.
Rahimi pati në pranverë një tufë modeste prej 25 delesh, të cilat dhanë gjithsej 33 qengja. Duke qenë se çmimi i të imtave këtë vit ishte mjaft i favorshëm, në pranverë ai i shiti secilin prej tyre me një mesatare prej 190 mijë lekësh, pra me një çmim total prej gjashtë mijë eurosh. Këtu nuk kemi llogaritur qumështin e dhenve gjatë pranverës dhe verës, duke e konvertuar atë me shpenzimet e bëra gjatë vitit për to. Rahimi ka tetë qingja nga gjashtë dhen, që gati po arrijnë fazën e këputjes nga nënat e tyre. Nëse dikujt i duken shifra të fryra këto tregues, unë e ftoj t’i verifikojë nga afër dhe të bindet plotësisht për realitetin.
Rahimi po hedh sytë dhe nga frutikultura. Ai ka mbjellë tre dynymë me arra të shartuara dhe që këtë vit ai ka marrë një prodhim modest. Vitet në vazhdim ky bllok i ri do të jetë një mbështetje e fuqishme e ekonomisë familjare.

Jashari me emrin e gjyshit

Jashari është më i vogli, i cili mbann emrin e gjyshit. Ai është po aq punëtor sa ç’ka qenë i pari. Jashari ka pasion të madh blegtorinë dhe së bashku, si familje e madhe, ata po bëjnë gati njëqind krerë. Jashari i ka gati dyfishuara rezultatet që kishte Rahimi, meqë tufa e tij është më e madhe. Ai e di cila kullotë është më e mirë dhe cila jo, kur duhet të dalin delet në kullotë e kur është më mirë të qëndrojnë brenda. Jo vetëm kaq, por kur dhentë kanë vështirësi në lindje, Jashari ndërhyn plot kompetencë e rezultat. Në rastet e sëmundjeve në dhen, sidomos gjatë verës, ai di ti kurojë e të shmangë pasojat negative të sëmundjes, shkurt, një mjeshtër i vërtetë. Njëherë kishte peshuar qengjin e sapolindur të një runxe, meqë i ishte dukur shumë i madh. Plot pesë kilogramë ishte pesha e tij, kur ata zakonisht nuk janë më shumë se 3,5 kilogram. Ata po zgjedhin çdo vit runxa të reja për ta shtuar tufën akoma më shumë. Mos ndoshta do ta çojnë në pesqind numrin e të imtave, sa ç’ka patur çifligu i tyre dikur?!
Familja e madhe e Gëzim Markes ka në përdorim gati 100 dynym tokë, të cilën e mbjell me kultura të ndryshme bujqësore. E mbushur me pleh organik, me ujëra të bollshëm për vaditje dhe shërbime intensive njerëzore, rezultatet e marra janë vërtet mbresëlënëse.
Bedriu ishte djali më i madh i Gëzimit dhe i familjes Markja të Reshanit. Themi ishte, pasi para pak kohësh humbi jetën tragjikisht tek vendi ku punonte për të mbajtur familjen. Ishte vetëm 35 vjeç, me një trup të gjatë e të fuqishëm. Shumë njerëz u mblodhën ditën e varrimit dhe pse koha ishte me shi e shtrëngata. Miq e shokë i falën xhenazen dhe i dhanë lamtumirën e fundit. Babai i tij, Gëzimi u mbajt fort dhe pse dhimbja ishte e madhe. Ai është besimtar i devotshëm dhe e di mirë se ne, të Allahut jemi dhe tek Ai do të shkojmë. Ai u mbajt fort edhe për një arsye tjetër. Gëzimi sapo ka mbushur 60 vjeç është bërë gjysh plot 13 herë. Zoti na mëson se pas çdo fatkeqësie zbret një mirësi. Nuk ishin mbushur akoma vetëm dy ditë nga vdekja e Bedriut, kur nusja e tij shtatzënë lindi një djalë. Nuk do të kishte emër më të mirë e më të bukur për ti vendosur, se sa emrin e babait të tij. Kështu e mbylli plagën e momentit familja Markja, për të vazhduar e shëndetshme në rrjedhat e kohës dhe historisë.