Në romanin “Brenga e prokurorit”, ashtu si te romani “Anja”, duket se pika më e fortë e autorit është krijimi i karaktereve, metamorfizimi i tyre nga të qënurit real në një të vërtetë fiktive. Prokurori Martin Guri, grotesku Zambak Boja e sidomos vrasësi Marjan Boja – ky i fundit një karakter që nuk shqitet nga vëmendja e lexuesit, një ndër karakteret më të mirëgdhendur në veprat e botuara – krijojnë atmosferën e Sicilisë së romaneve të Leonardo Shasha-s. Vepra ka dy realitete: ky i përditshmërisë tonë dhe, ai i fqinjit adriatikas, që nuk duken shumë fort të largët, sidomos si realitete romaneske. – Rudolf Marku – Shkrimtar
Romani është dëshmi e epokës sonë në mjedisin social politik; ai vjen me mjeshtërinë e stilit, gjuhës dhe kompozimit. E veçanta më e madhe është se shkrimtari ka krijuar personazhin: Martin Guri që ndodhet në qendër te romanit, me dilemat dhe karakterin, të kujton personazhin e Franc Kafkës te “Procesi”, Jozef. K. – Entela Kasi – shkrimtare, poete
Ahmet Prençi në kētë roman skanon jetën e nëndheshme të tranzicionit shqiptar. Krimi, mafia, kulisat, miqësia, familja, dashuria, profesioni dhe brengat e një të shkuare, e cila rikthehet të trondisë të tashmen, janë elementë specifikë të kätij romani të shkruar me mjeshtëri dhe përgjegjësi. Romani shërben pěr të kuptuar ingranazhet e pushtetit dhe mafias, por dhe vetes në raport me tjetrin, me jetën, me të papriturat dhe fatin. – Liridon Mulaj -shkrimtar
Romani “Brenga e prokurorit” vjen në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, kur kemi nevojë më shumë se kurrë për prokurorë si Martin Guri, i gedhendur me mjeshtëri artistike. Personazhe të tilla janë sot në provën e shekullit, si heronj të heshtur. Jam i sigurt që ky roman do të ketë ndikimin e tij të madh tek shoqëria jonë e sidomos tek njerëzit e drejtësisë. – Arben Çejku – diplomat, shkrimtar
Një roman brilant i kësaj dekade, ku lexuesi përjeton emocionalisht rrëqethjen shqiptare. Prokurori Martin Guri, i skalitur mrekullisht nga autori, shndërrohet në një flakadan shprese. Ai ndeshet dhe nuk mposhtet. Lëkundet, por nuk bie dhe nuk dorëzohet Autori ka një unazë misterioze, që bashkëlidh mjeshtërisht dy romanet “Anja” dhe “Brenga e prokurorit” në përjetime shokuese. Përmes turbulencash letrare, ky roman lexohet me një frymë. – Shefqet Meko- gazetar, shkrimtar
“Një libër që vetëm në lexim mund të hyhet në botën e tij, një roman realist dhe aventuresk, por vlera e tij lidhet me strukturën e kompozimit, e sidomos me narrativën, me atë gjetje autoriale, të vonesës narrative, të ngjizur si meditim i personazhit qendror dhe digresione me kohën tjetër, me ngjarje të tjera, me fatet e protagonistëve të pranishëm në faqet e romanit. “Brenga e Prokurorit” është pasqyra ku shohim kohën që po jetojmë, shohim veten ku jemi kredhur në kënetën e krimit, e shpëtimi, sipas mëtimit të autorit, mbi te gjitha, do të vijë nga drejtësia, e cila ka nevojë për prokuror dhe gjyqtar të guximshëm dhe po kaq njerëzor. – Behar Gjoka, studiues