Në kuadër të anëtarësimit në BE, Shqipëria disponon mjaft mekanizma financimi për të zhvilluar kapacitetet e saj në fushën e energjisë së rinovueshme, në mënyrë që ky tranzicion energjetik të mos ketë kaq pasoja negative. Autoritetet kombëtare dhe lokale duhet të marrin informacion nga BE në lidhje me mundësitë e financimit, në mënyrë që të vënë në jetë projekte alternativ
Nga Roland MARKU *
Ndërsa bota kërkon zgjidhje për të ulur emetimet e gazrave me efekt serë dhe për t’ju përgjigjur kërkesës në rritje për energji, projektet hidroenergjetike shihen gjithnjë e më shumë si një alternativë premtuese. Sidoqoftë, këto projekte nuk janë pa kundërshtime kur preken në mënyrë të drejtpërdrejt interesat e komuniteteve lokale, siç është rasti me projektin e HEC-it të Skavicës në Shqipëri. I planifikuar në lumin Drin, në zonën e Dibrës, ky projekt sjell shumë pikëpyetje në lidhje me, së pari, mungesën e transparencës në proceset e vendimmarrjes dhe së dyti, ndikimin e tij socio-ekonomik dhe mjedisor.
Analizë mbi efektet sociale, ekonomike dhe mjedisore
Skavica është promovuar shpesh nga autoritetet publike si projekti me përfitime shumë të larta në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe në krijimin e vendeve të punës. Megjithatë, ky investim i mundshëm lidhet gjithashtu me efekte mjaft negative si në aspektin mjedisor ashtu edhe në atë social. Këtu përfshihen: humbja e tokave bujqësore dhe zonave pyjore, prishja e ekosistemeve ujore, kërcënimi i specieve në rrezik dhe më e rëndësishmja, pasojat sociale që kanë të bëjnë kryesisht me eksodin rural dhe humbjen e formave tradicionale të jetesës. Kjo e fundit nënkupton fshirjen përfundimtare të trashëgimisë kulturore dhe historike, thënë ndryshe, gjurmët e të shkuarës do të jenë të zhdukura përgjithmonë për komunitet e prekura.
Në terma shifrash, sipas Majlinda Hoxhës, anëtare e shoqatës GARD (Grupi i Aktivistëve të Dibrës), “ndërtimi i këtij HEC-i do të çonte në përmbytjen e rreth 35 fshatrave, në të cilët gjenden përafërsisht 5 mijë shtëpi”.
Këto komunitete, të shpërngulur me forcë, do të linin pas banesat e tyre, tokat mjaft pjellore dhe burimet e tjera të jetesës, duke pasur një ndikim socio-ekonomik të jashtëzakonshëm. Ky tranzicion do të shkaktonte trauma dhe çrregullime të marrëdhënieve shoqërore, të cilat janë ndërtuar prej shumë dekadash.
Këto çështje u trajtuan me emocione të forta gjatë një proteste të mbajtur më 20 mars 2024 në fshatin Laçes. Shpëtim Buci, banor i fshatit Fushë-Alie, thekson se realizimi i HEC-it të Skavicës, nënkupton humbjen e identitet duke u shprehur kështu: «Nëse detyrohem të shpërngulem, nuk jam më dibran. Nuk jam shqiptar nëse më përzë nga këtu. Vendlindja më bën dibran, më bën shqiptar». Ndërsa Halil Zhuka, avokat dhe anëtar i shoqatës GARD, parashikon zhdukjen përfundimtare të zonës së ulët të Dibrës: «33 fshatra të kësaj zone mbulohen me ujë dhe mbi 33 të tjerë bëhen të pa aksesueshëm, duke u detyruar të largohen, përmbytet 1/3 e tokës prodhuese dhe në këtë mënyrë shpopullohet rreth 40% e Dibrës. Kjo do të thotë zhdukje e traditës, kulturës, historisë dhe varreve të të parëve». Nga ana tjetër, Bujar Karoshi, aktivist dhe botues, mendon se vënia në jetë e këtij projekti është një strategji e paramenduar: «Që prej 10 vjetësh nuk bëhen fare investime në bujqësi, që lidhet me ndërprerjen e burimeve ujore për vaditjen e tokave, mungesën e tregun bujqësor dhe investimeve në infrastrukturë për punimin e tokës. Qëllimi është largimi gradual në mënyrë që të ngelen sa më pak njerëz, dhe ato më të pamundurit, të cilët do ta kishin të vështirë të parandalonin këtë projekt».
Pikat kryesore të debateve rreth këtij projekti
Debatet rreth Skavicës kanë shfaqur gjithmonë tensione mes objektivave të zhvillimit ekonomik dhe nevojave për ruajtjen e mjedisit dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve lokale. Ndërsa qeveria shqiptare dhe mbështetësit e projektit prezantojnë përfitimet e mundshme ekonomike dhe energjetike, kundërshtarë, të nxitur edhe nga GARD, theksojnë rreziqet për mjedisin dhe komunitetet lokale, si dhe mungesën e transparencës në proceset vendimmarrëse.
Kontestimet kanë çuar në veprime ligjore dhe shqyrtime juridike të projektit, duke nxjerrë në pah të metat në procesin e vendimmarrjes dhe duke vënë kështu në pikëpyetje legjitimitetin e marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë ndërkombëtare Bechtel1. Shqetësimet kanë të bëjnë me mungesën e konsultimeve publike dhe mos pjesëmarrjen e të interesuarve lokalë në vendimmarrje, duke theksuar nevojën për një qeverisje më transparente dhe gjithëpërfshirëse në planifikimin dhe zbatimin e këtij projekti.
Procesi vendimmarrës dhe implikimet politike
Financimi dhe realizimi i projektit të Skavicës nga ndërkombëtarët sjell pikëpyetje për sovranitetin dhe pavarësinë vendimmarrëse të Shqipërisë në fushën e zhvillimit energjetik. Ndërsa disa e shohin partneritetin me kompaninë Bechtel, si një mundësi për të modernizuar infrastrukturën energjetike të vendit dhe për të stimuluar rritjen ekonomike, të tjerë frikësohen se kjo do të sjellë një varësi të tepërt ndaj interesave të huaj dhe do të komprometojë sovranitetin kombëtar.
Sipas të dhënave të disponueshme, kostoja totale e projektit llogaritet të jetë mbi një miliard euro, duke e bërë një nga investimet më të mëdha në sektorin energjetik të Shqipërisë. Megjithatë, financimi nuk është ende i siguruar, duke ngritur dyshime për qëndrueshmërinë ekonomike të projektit në terma afatgjatë dhe për shpërndarjen e përfitimeve dhe kostove mes palëve të interesuara.
Vlerësimi i rreziqeve dhe alternativave
Një vlerësim i thellë i rreziqeve mjedisore, sociale dhe ekonomike lidhur me Skavicën është i domosdoshëm për të marrë vendime më të qarta për të ardhmen e këtij projekti. Kjo përfshin një analizë të alternativave përsa i përket energjisë së qëndrueshme, si për shembull, energjia diellore dhe ajo e erës, rinovimi i hidrocentraleve ekzistuese, të cilat mund të ofrojnë zgjidhje më të qëndrueshme për t’ju përgjigjur nevojave energjetike të vendit pa dëmtuar biodiversitetin dhe mënyrën e jetesës së komuniteteve lokale. Në këtë kontekst, drejtori i EuroNatur2, Gabriel Schwaderer mendon se një vend si Shqipëria që aspiron të bëhet vend anëtar i BE (Bashkimit Europian), nuk mund të implementojë projekte që janë në kundërshtim me rregullat e BE ose siç quhen «acquis communautaire». Sipas tij: «Anëtarërimi në BE nuk është i mundur nëse një shtet nuk aplikon kriteret europiane. Kapitulli i Mjedisit, Kapitulli 27, është një ndër më të vështirët për t’u përmbushur nga vendet kandidate. Dhe ajo çfarë shohim me Shqipërinë në rastin e Skavicës lidhet me një sërë shkeljesh të ligjeve kombëtare, por edhe të ligjeve të BE-së, siç po ndodhë edhe me aeroportin e Vlorës duke injoruar sinjalet e BE. Dhe nëse një vend kandidat për në BE, injoron haptazi rekomandimet e një traktati ndërkombëtar, atëherë kjo është një përgjigje edhe për politikëbërësit në BE dhe jam i bindur se duke mos pranuar rregullat e BE, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë do të zgjatej».
Përfundim
Rasti i projektit të HEC-it të Skavicës në Dibër, Shqipëri, nxjerr në pah sfidat dhe dilemat e lidhura me zhvillimin e projekteve hidroenergjetike në një kontekst të tranzicionit global drejt energjisë së rinovueshme. Ndërsa këto projekte shpesh paraqiten si zgjidhje për t’u përgjigjur ndaj nevojave energjetike në rritje duke luftuar kundër ndryshimeve klimatike, ato gjithashtu sjellin pikëpyetje të rëndësishme për impaktet mjedisore, drejtësinë sociale dhe qeverisjen demokratike. Është e rëndësishme të theksohet se ekzistojnë alternativa të qëndrueshme për prodhimin e energjisë së rinovueshme, që nuk kanë pasojat aq të dëmshme për mjedisin dhe për komunitetet.
Në kuadër të anëtarësimit në BE, Shqipëria disponon mjaft mekanizma financimi për të zhvilluar kapacitetet e saj në fushën e energjisë së rinovueshme, në mënyrë që ky tranzicion energjetik të mos ketë kaq pasoja negative. Autoritetet kombëtare dhe lokale duhet të marrin informacion nga BE në lidhje me mundësitë e financimit, në mënyrë që të vënë në jetë projekte alternative. Është e rëndësishme të përdoret një qasje e ekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse, që merr parasysh interesat dhe shqetësimet e ndryshme të palëve të interesuara, ndërsa eksploron zgjidhje alternative për të garantuar një zhvillim energjetik të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë.
***
- Bechtel Corporation është një kompani ndërtimi dhe inxhinierie me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është një nga kompanitë më të mëdha në botë në fushën e inxhinierisë, ndërtimit dhe menaxhimit të projektit. Bechtel është e specializuar në projektet e mëdha infrastrukturore, duke përfshirë autostrada, tunele, rafineri nafte, projekte hidroenergjetike dhe shumë më tepër. Kompania ka qenë e përfshirë në projekte të rëndësishme në të gjithë botën dhe ka një histori të gjatë dhe të respektuar në fushën e inxhinierisë dhe ndërtimit.
- EuroNatur është një organizatë jo-qeveritare (ONG) me seli në Gjermani, e cila është e përkushtuar për mbrojtjen e natyrës në Evropë. E themeluar në vitin 1987, EuroNatur punon për mbrojtjen e peizazheve natyrore, ruajtjen e biodiversitetit dhe promovimin e një bashkëjetese të qëndrueshme midis njeriut dhe natyrës në të gjithë Evropën.
* Roland Marku është doktorant në gjeografi, ekonomist dhe specialist i politikave publike në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Shqipëri. Pas studimeve në ekonomi në Universitetin Europian të Tiranës dhe punës si ekonomist për një periudhë të shkurtër në Shqipëri, Roland Marku u specializua në çështjet e zhvillimit rural duke ndjekur masterin 2 “Menaxhimi i Bujqësisë dhe Territoreve” në Institutin Agronomik Mesdhetar në Montpellier. Në vitet 2016-2017, ai kreu një master kërkimor mbi analizën statistikore dhe hartografike të zhvillimit të sektorit të kafshës në Shqipëri që nga viti 1990.
Aktualisht është doktorant-kërkues në Gjeografi dhe Menaxhim Hapësinor në Universitetin Paul Valéry të Montpellier III, ku vazhdon analizën në sektorin bujqësisë në Shqipëri duke u interesuar veçanërisht për ndërtimin dhe adaptimin e instrumenteve të politikave publike në kuadër të anëtarësimit në BE, dhe për evolucionet e dinamikave territoriale – veçanërisht në rajone pastorale.