Janë shkelur të drejtat për informim, urdhërohen autoritetet të riparojnë shkeljet e konstatuara


Vendimi i Gjykatës Kushtewtuese:

1. Konstatimin e shkeljes së të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës, në procedurat e miratimit të ligjit nr. 38/2021.
2. Urdhërimin e autoriteteve publike për të riparuar shkeljen e konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit nr. 38/2021.
3. Detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit.

  • Gjykata urdhëron autoritetet publike për të riparuar shkeljen e konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit nr. 38/2021 si dhe detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, në zbatim të Konventës së Aarhusit.
  • Byroja Konventës së Bernës u kërkoi autoriteteve shqiptare të sigurojnë masat paraprake dhe të mos zhvillojnë projekte, të cilat mund të ndikojnë negativisht në habitatet dhe speciet në territorin e Shqipërisë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shpalli më 30 janar 2024 vendimin e shkurtuar mbi padinë e disa organizatave që kundërshtojnë ligjin nr. 8/2021, datë 23.03.2021, i cili i jep kompanisë “Bechtel International” ndërtimin e HEC Skavica – në dy faza.
Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi çështjen më 12 dhjetor 2023 dhe 10 janar 2024. Ajo mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 6 (Sh) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues shoqatat “Për mbrojtjen e pronave dhe mjedisit të pellgut të Drinit të Zi” dhe “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” si dhe Komitetin Shqiptar i Helsinkit, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.

Avokati Dorian Matlija duke mbrojtur padinë në Gjykatën Kushtetuese. Foto nga Web.

Gjithashtu, paditësit kishin kërkuar edhe shfuqizimin e vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”.
Në njoftimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese thuhet se:
“Gjykata Kushtetuese, e mbledhur më 30.01.2024, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, vlerësoi se:
Gjykata ka juridiksion për të shqyrtuar pajtueshmërinë me Kushtetutën të ligjit nr. 38/2021 dhe nuk ka juridiksion për vendimin nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave, pasi ky vendim nuk përbën akt me karakter normativ.
Duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, Gjykata vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore.
Në lidhje me themelin, Gjykata vlerësoi se ligji nr. 38/2021 ka të bëjë dhe sjell ndikim, ndër të tjera, edhe në çështjet e mjedisit. Gjatë procesit gjyqësor nuk u provua se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, para miratimit të ligjit, të kenë zbatuar të drejtën e informimit për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës. Po kështu, këto subjekte nuk kanë kryer procese konsultative me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive që në fazën e hershme të hartimit të projektligjit, ku të gjitha alternativat të ishin të hapura dhe komuniteti i zonës (me statusin e publikut të ndikuar) të mund të merrte pjesë sipas detyrimeve të Konventës së Aarhus-it.
Për sa më lart, Gjykata vlerësoi se, duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, njëzëri,
Vendosi:
1) Konstatimin e shkeljes së të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës, në procedurat e miratimit të ligjit nr. 38/2021.
2) Urdhërimin e autoriteteve publike për të riparuar shkeljen e konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit nr. 38/2021.
3) Detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit.
Vendimi përfundimtar I arsyetuar I gjykatës u shpall më 29 shkurt 2024, vendim të cilin gazeta do ta botojë të plotë.

Bechtel International nuk paraqitet në gjykatë

Në gjykimin e kësaj çështje ishin të pranishme edhe përfaqësues nga palët e interesuara: Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe KESH. Ndërsa përfaqësuesit e kompanisë Bechtel International nuk ishin të pranishëm, megjithëse sipas kryetares së gjykatës, “ishin vënë në dijeni më datë 5 tetor 2023 dhe nuk kanë paraqitur shkaqe për mungesën dhe as parashtrime”.
Komitetit Shqiptar i Helsinkit dhe shoqatave “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi” përfaqësoheshin në këtë seancë nga avokatët Erida Skëndaj, Julian Mërtiri, Vladimir Meçi dhe Dorian Matlija, ndërsa shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” përfaqësohej nga avokatët Baftjar Rusi dhe Jordan Daci.
Dy nga paditësit i kishin paraqitur gjykatës edhe një kërkesë për një opinion “Amicus curiae” nga Fondacioni EuroNatur, CEE Bankwatch Network dhe RiverWatch, por që gjykata, me shumicë votash, në fund të kësaj seance, vendosi të mos e marrë parasysh.
Avokatët e të dyja palëve, përmes parashtrimeve të tyre dhe përmes pyetjeve dhe përgjigjeve, argumentuan se ligji 38/2021, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me kompaninë “Bechtel International Inc”, për projektimin dhe ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës” është i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar, ndaj kërkojnë anulimin e tij, dhe rrjedhimisht, edhe vendimet e Këshillit të Ministrave që bazohen mbi këtë ligj.
Përfaqësuesit e institucioneve paraqiten një mbrojtje të mangët gjatë seancës, duke u bazuar më shumë mbi vendimet politike që qeveria ka marrë në lidhje me këtë çështje, si dhe duke u fshehur pas synimeve që ka shprehur qeveria mbi strategjitë energjetike në vend.

Protestë para kryeministrisë 2 ditë përpara gjyqit në Gjykatën Kushtetuese

Dhjetra qytetarë u mblodhën përpara Kryeministrisë, të dielën, datë 10 dhjetor 2023, në një protestë duke kundërshtuar vendimet e qeverisë shqiptare në planet e saj për të ndërtuar Hidrocentralin e Skavicës. Me thirrjet “Po Dibrës, Jo Skavicës”, “Mbroje lumin Drin” etj., protestuesit me pankarta në duar udhëtuan nga monumenti i Skënderbeut në qendër të Tiranës, deri te sheshi para kryeministrisë, duke bërë thirrje për të ndaluar ndërtimin e hidrocentralit.
Kjo protestë ishte dy ditë para se Gjykata Kushtetuese të vendosë në lidhje me ligjin special nr. 38/2021, me anë të të cilit i është dhënë e drejta shoqërisë “Bechtel International” të projektojë dhe të ndërtojë hidrocentralin e Skavicës.

Konventa e Bernës: Jemi të shqetësuar për planet për zhvillimin e hidrocentralit të Skavicës

Në prill të këtij viti, Byroja e Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës, shqyrtoi ankesën e ardhur nga disa organizata ku pretendohet shkatërrim i habitati për shkak të ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës (HEC Skavica) në lumi Dri.
Në vendimin e saj, Byroja e Konventës së Bernës theksonte se “Byroja është e shqetësuar për planet për zhvillimin e hidrocentralit të Skavicës (HEC) në lumin Drin i Zi, i cili mund të prekë një kandidat të mundshëm të rrjetit Emerald (Emerald Network site), ku përfshihen një sërë speciesh të shumta të mbrojtura nga rezolutat e Konventës, veçanërisht Rrëqebulli i Ballkanit, i rrezikuar në mënyrë kritike dhe korridoret e tij migratore”. Byroja vuri në dukje se projekti mund të prekë tre liqene të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor, dy prej të cilave janë objekt i dosjeve të tjera (Ohri dhe Shkodra).
Byroja rikujtoi se Shqipëria ka qenë një nga propozuesit kryesorë të listimit të Rrëqebullit te Ballkanit si një specie rreptësisht e mbrojtur. Por ky projekt dukshëm e kundërshton këtë nismë dhe punën e mirë në Programin e Rimëkëmbjes së Rrëqebullit të Ballkanit. Duket qe ky projekt të ketë ndikime të mundshme negative në këtë dhe specie të tjera… Duke marrë parasysh gjithçka, të dyja palëve u kërkua të paraqesin progresin në raportet e tyre për mbledhjen e Byrosë në vjeshtë 2024. Autoriteteve në veçanti iu kërkua që të raportojë mbi ndikimet e pritshme në biodiversitetin e projektit të HEC-it dhe për të ofruar rezultatet të gjetjeve të VNMS dhe Gjykatës Kushtetuese, si dhe çdo përditësim tjetër përkatës. Ndërkohë, Byroja u kërkoi autoriteteve shqiptare të sigurojnë masat paraprake dhe të mos zhvillojnë projekte, të cilat mund të ndikojnë negativisht në habitatet dhe speciet në territorin e Shqipërisë dhe të Konventës së Bernës në tërësi.
Ankesa në Konventën e Bërnës ishte bërë nga disa organizata të huaja: Earth Laë Center – SHBA & Earth Thrive – Britani e Madhe, në emër të disa organizatave nga Shqipëria, si Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës (OSD), Grupi i Aktivistëve Ruralë Dibra -GARD), Shoqata North Green dhe GLV Integrimi.

Përgatiti: Bujar Karoshi