LIMJANI
Më ka marrë malli …
Një mall tipik si prej ushtari.
Dhe ai që ma zgjon ndjenjën,
Limjani është i pari.
Nuk dua asgjë … asgjë …
Në këtë mall të trishtë njerëzor ,
Po dua ashtu si Nazim Hikmet
“Të shkoj n’ vendlindje veç një orë.”
Veç atje më shuhet malli
Në të voglin fshat tipik,
Ku formojnë një botë intime;
Këngët,muzgjet,vajzat, shtëpitë …
Atje ke qejf të bredhësh vetëm
Kur të gjithë në gjumë kanë rënë,
Të shohësh yjet se si ndrijnë
Dhe vargje të shkruash nën hënë.…