100 vjet në luftë për liri dhe dinjitet kombëtar


As djegia e kullave, as burgjet e vitet e shumta të internimit që bënë burrat e Cakonëve nuk e mposhtën shpirtin liridashës dhe patriotik të tyre.

Sikundër fashizmi nuk mund tua falte shpirtin antifashist edhe komunizmi nuk mund tua falte shpirtin atdhetar dhe prozogist burrave e grave të nderuar të Derës së madhe Cakoni.

Jeta, që tashmë është futur në një epokë të re vlerësimi dhe praktikash, po na përball me humbjen e shumë njerëzve të dashur. Opinioni njerëzor, duke “harruar” ndonjëherë se Zoti që na ka falur jetën ka drejtën të na e marr, ngushëllohemi me shprehjen “e dhimbshme, por humbje e radhës”. Nëse Zoti bën të tijën, ne njerëzit e afërt duhet të bëjmë tonën. Ceremonitë tradicionale “na vënë në prove” për të bërë shërbimet më të mira.
Me gjithë trysninë e jashtëzakonshme që po ushtron minutë pas minute kërcënimi drithërues i COVID -19 në reduktimin e “dhunshëm” të njerëzve në ceremonitë e varrimit, përsëri njerëzit yshten nga tradita e mirënjohur e një solidariteti human. Të ndjerit “borxhli” i miqve, kolegëve e të afërmve dhe pjesëmarrja e shumë njerëzve padyshim e rrit moralin dhe e forcon durimin. Njëkohësisht nxit e ngulit në vetëdije detyrën për të përmendur emrin e mirë të prindit, familjes, fisit e gjithë species njerëzore si një krijesë që me shembullin që kanë lënë, i japin individit dhe shoqërisë kuptimin e jetës.
Para disa ditësh ndërroi jetë Ibrahim Cakoni nga Bazi, me banim në Fushë-Krujë në moshën 85 vjeçare. Ai i përballoi vështirësitë e jetës duke prerë e furnizuar me dru zjarri banorët e atij qyteti. I ndjeri ishte fëmija i tretë i prindërve Met Ali Cakoni dhe Lihe Cakoni (Shema-nga Karica), pas Aliut dhe Pashes. Miqtë e vjetër dhe të rinj krutanë e kurbinas që e rrethonin u përpoqën t’ja lehtësojnë përballimin e jetës në konsolidimin e familjes së tij. Për këtë djemtë u drejtuan mirënjohjen e pakufishme bashkqytetarëve në ditën e varrimit të babait të tyre të shtrenjtë.
Daja Ibrahim me bashkëshorten Deje lindën dhe rritën 3 djem,të cilët falë edukatës së rrënjosur nga prindërit për të ruajtur e trashëguar tiparet më të mira të një fisi patriot e human, krijuan një shoqëri qytetare dhe përballuan me dinjitet kufizimet e shpërfilljen politike. Djemtë punëtorë, të thjeshtë e të dashur krijuan familje dinjitoze me fëmijë të shkolluar, disa prej të cilëve emigrantë në Evropë dhe SHBA. Sot ata gëzojnë respektin e të afërmve dhe të shoqërisë. Krahas punës së përditshme, bëjnë përpjeke për të vënë në vend dinjitetin e gjyshërve dhe stërgjyshërve dhe kontributet për liri, demokraci prosperitet.
Nëpërmjet këtij punimi do të njihemi me kronologjinë e kontributit atdhetar rreth 100 vjeçar për lirinë dhe pavarësinë e atdheut të tri gjeneratave të Fisit Cakoni të Bazit në Mat në luftë me turqit, austro-hungarezët, fashistët italianë dhe nazistët gjermanë.
Historia e shkruar e Fisit Cakoni zë fill në fillim të shekullit XX.
Ky fis u konsolidua nga rrethanat historike të luftrave të shumta që zbarkuan në hapësirat e Shqipërisë Etnike. Administrata turke dhe lakmitë e fqinjëve mbollën në botën shqiptare përçarjen dhe varfërinë e banorëve edhe të Bajrakut të Rranxës. Mungesa e një administrate vendase shtroi para rrazjanëve nevojën e një organizimi fisnor e më pas krahinor si alternativë e vetme për mbijetesë dhe mbrojtjen e vendit, nderit, pronës dhe dinjitetit .
Shembull për këtë do të bëhej “kryekaçaku dhe kryeshënjestari shqipatr në luftë kundër turkut”Marka Kuli,të cilit rreth vitit 1896 vendasit i dhanë tokë e truall në Fushën e Shtogjut-Bushkash 1)
Ndër krerët e Rranxës që u vunë në krye të luftës dhe rezistencës kundër turkut për lirinë e Atdheut ishte Mustë Tahiri (Cakoni). 2)
Në vitin 1906 nga ana e administratës turke përsëri ndërmerret një ekspeditë për vendosjen e qetësisë dhe nënshtrimin e kryengritësve, por tashmë krerët e Bazit e Karicës kishin krijuar përvojë në përballjen dhe zmbrapsjen e armikut. Krosi i Ali Gjekës (Cakoni) dhe Halil Gjekë Cakoni me shokë zmbrasën ekspeditën e pushtuesit turk nga Rranxa,
Përkrah Ramadan Zaskocit dërgohet fjalë që forcat turke të mos kalonin në asnjë mënyrë në Mat e në Dibër. Mustë Tahiri dhe Kolë Gjini u bënë frymëzim për të gjithë malësorët e tjerë edhe të krahinave përreth. 3)
Më 2 dhjetor 1912 te lisi i Shëlbumit në fushën e Shtogjut Ali Musta me djemtë e tij Cubin, Metën dhe Muratin së bashku me patriotë e atdhetarë të tjerë të Bajrakut, me matjanë e mirditorë marrin pjesë në manifestimin e ngritjes së Flamurit Kombëtar. 4)
Më13 gusht 1911 u krijua Çeta patriotike e Bazit me kryetar Dodë Bardhok Daçin, ku si formacion luftarak rolin kryesor komandues e ka luajtur Krosi i Ali Gjekës.
Met Ali Cakoni ishte ndër krerët e kësaj Çete. Çeta do të kishte aktivitet të ndjeshëm edhe gjatë pushtimit austro-hungarez 5).
Më 1917 në kodrat e Shullanit të Vilës kundër austriakëve plagoset rëndëCub Ali Musta.
I ati, Ali Mustë Cakoni në luftë me austrohungarezët kapet rob dhe syrgjynoset në Kotorr të Malit të Zi. Pushtuesit ia dogjën kullat Mustë Tahirit dhe Sulë Vokrrit, por të tjerë luftëtarë matjanë do t’ua merrnin hakun duke ua djegur garnizonin në Trangë të Selitës.
Nga 1928-a edhe Rranxa filloi të ndjej forcën e shtetit të asaj periudhe.
U krijua një komunitet që u bënë ithtarë të Mbretnisë dhe të A. Zogut.
Metë Ali Cakonit iu besua detyra e mbledhjes së Taksave. Ai me zgjuarsinë dhe drejtësinë e tij e bindi popullin e Rranxës për këtë qëllim…. Shumë shpejt në saje të një trajtimi bindës u ndalua gjakmarrja, u rrit shumë interesi i shtimit e zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë dhe pyjeve, vënies së tokave nën ujë etj. 6)
”Met Ali Cakoni, portret i hollë i mençurisë popullore, personazh i skalitur në “Kanunin e Skënderbeut”, një ndër organizatorët e Kuvendit Legalist në Shupalin e Tiranës, i burgosur dhe i internuar nga Italia fashiste, i burgosur edhe nga diktatura komuniste si “ Armik i klasës”.
Pikërisht në vjeshtën e vitit 1944 ai u vu në krye të më se 50 burrave rrazjanë për formimin e “Shtabit legalist” në Shupal të Tiranës. Kjo çetë për tre muaj rresht mbajti anën e të gjithë oficerëve zogistë me në krye Abaz Kupin7).
Që në vitin 1914 me princ Vidin, shkruan në kujtimet e veta z. Hysen Selmani, zë fill hyrja në histori e fisit Cakoni.
Autori trajton bisedimet e Preng Bib Dodës me Ahmet Zogun në familjen e Algjekajve në Baz më 22,23 dhe 24 prill 2014. Me vendosjen e Mbretnisë shtëpia e Algjekajve (Cakoni) dhe veçanërisht Krosi që atëherë kishte gradën e Togerit nërezerve, ishte e afërt me Mbretin.
Halil Xhekë Cakoni pas mbarimit të shkollës ushtarake shërben në Oborrin Mbretëror e më pas në Gardë. 7 Prilli e gjen me gradën e kapitenit, kur gjatë luftës shërbente në Kosovë. Gjatë pushtimit gjerman bashkohet me Legalitetin. Kushëriri i tij Kurt Cakoni në gusht 1944 u bashkohet partizanëve dhe vritet në përpjekje me forcat gjermane në Borizane të Krujës.
Abaz Cakoni (Bardh) mbaron shkollën e aspirantëve në vitet e para të Mbretërisë dhe shërben në Tiranë, Qafthanë e Qafmurrë. Pas 7 prillit i bashkohet Batalionit “Hakmarrja”. Gjatë pushtimit gjerman bashkohet me Legalitetin dhe i plagosur dorëzohet te partizanët. Ndërsa 10 oficerë dënohen me pushkatim, Abazi i shpëton pushkatimit nga ish ordinanca e tij që ishte bërë funksionar i lartë i gjykatës në Peshkopi. E internojnë dhe lirohet nga internimi, por vdes nga tuberkulozi në vitin 1951.
Shpirti atdhetar i matjanëve të Rrazës e kuptoi se Ahmet Zogu mund të ishte shpëtimtari i vërtetë i integritetit të vendit dhe i krijimit të shtetit modern shqiptar. Fashizmi s’mund t’ua falte djemve të Rraxës këtë shpirt prozogist ndaj në dhjetor të vitit 1942 Krosi i Ali Gjekës, Met Aliu, … u mbyllën në një burg fashist bashkë me Heroin e Popullit Manush Alimani. 8) Halil Mehmet Cakoni (1914-1979-kushëri i parë i Cubit dhe Metës) ishte ndër intelektualët e parë të Bajrakut të Rranxës. – E gjeje gjithnjë me një libër në dorë. Akademisti, komandanti i kompanisë IV të batalionit “Dajti” nga viti 1941 deri në vjeshtën e 43-it ishte në frontin e Luftës së Dytë Botrore në mbrojtje të lirisë së vendit e flamurit kombëtar, para të cilit ishte betuar. Pas kapitullimit të Italisë bashkëpunon me Legalitetin. Sapo përcolli Abaz Kupin drejt Italisë në vjeshtën e vitit 1943 do të ndahej me ushtarët e tij me fjalët: “Tri ditë që po vijnë janë të komunistëve. Punës tonë, të ne oficerëve nuk i dihet. Me ndonjërin ndoshta do t’i qëllojë të takohemi. Por si shokë, jo si komandanti me ushtarin”. Filloi punë llogaritar në ndërmarrjen pyjore e më pas si llogaritar i parë i Kombinatit të Drurit në Elbasan, ku edhe doli në pension.
Cub Ali Cakoni (1895-1969), patriot e i mençur, luftëtar i zoti, i zgjedhur si plak fisi. Ai drejtonte gjyqet popullore me ndershmëri dhe asnjëherë nuk kundërshtohej për vendimet që merrte. Bujaria e tij ishte shumë më e madhe se “Sheshi i Shpardhes”. Sa më shumë miq i vinin, aq më shumë këndonte kur bënte gati pesëdhjetëshet e rakisë-cermë për t’ju falë me fjalët shumë të dashura: „shumë jetë bashkë e mirë se u ka pru zoti“.
Qëkur Bardhok Biba kishte bujtur në shtëpinë e Cub Aliut, kryeplakut me influencë në zonën e Bazit, ia kishte kërkuar Stafën ta kishte me vete. Stafa njihet si aktivist i shquar i rinisë në Mirditë. Pas vrasjes së Bardhok Bibës, inkuadrohet në radhët e Ushtrisë. Kapiteni i Parë Stafë Cakoni (1929-1997) e mbylli jetën si një ushtarak i rangut të lartë me dinjitet dhe karizëm të rrallë.
Tana, bashkëshortja e Cubit ishte bijë e familjes së nderuar karicjane Hysaj (Barlaçaj). Vëllau i saj Hysë Dikë Hysa i rënë në frontin e luftës në betejën e Kakarriqit të Shkodrës kundër hordhive malazeze e serbe është përjetësuar në këngë nga populli. Vëllau tjetër i Tanës Rama, u burgos nga fashistët italianë në Shkodër e në Gjirokastër.

* * *
Fashizmi nuk mund tua falte shpirtin antifashist të tyre. Komunizmi nuk mund tua falte shpirtin atdhetar dhe prozogist burrave e grave të nderuar të familjes së madhe Cakoni. Miqësia e tyre shtrihej që nga Elbasani e deri në Shkodër. Autoriteti i Derës së Cakonëve përbënte gjithnjë rrezik të papërballueshëm për falsifikatorët e historisë dhe shkelësit e interesave kombëtare, vrasësit e tradhtarët e idealeve patriotike të Shqipërisë Etnike.
Në vitet e komunizmit në Baz, Partia Komuniste gjithmonë nxirrte dyzina me “armiq të klasës“. Të kufizuar, të anatemuar e përgojuar nga një shpurë njerëzish të dobët që zbatonin me fanatizëm një politikë poshtërimi e deformimi të gjithçkaje të vërtetë që lidhej me historinë e familjes Cakoni dhe jo vetëm në Bajrakun e Rranxës.
Kësaj liste nuk i shpëtuan Metë dhe Murat Aliu me të dy bashkëshortet, të cilat ishin bija familjesh nacionaliste në Mat. Për atdhedashurinë dhe patriotizmin e tyre patën si “dhuratë” burg dhe internim të egër. Metë Aliu dhe Murat Aliu u shpallën “armiq të popullit” dhe për çdo gjë të “keqe” që ndodhte në fshat, të parët që i përplasnin burgjeve, ishin pikërisht ata. Nga një persekutim në tjetrin. Fëmijtë e tyre u privuan nga çdo mundësi shkollimi dhe jete aktive sociale.
Profesioni “i zgjedhuri tyre” u mbeti prerja e druve të zjarrit.
Mustë Murat Cakoni, (1928-2011) e kreu internatin shkëlqyeshëm. Ai bashkë me moshatarë të tjerë iu bashkua LANÇ. Por me gjithë prirjet e tij intelektuale, komunistët nuk mund t’i besonin tjetër përveçse të punonte në pyjet e Qafshtamës. Intelekti, libri dhe shoqëria e tij me njerëzit e kulturës e kishin bërë protagonist të mirënjohur në emisionet radiofonike për të kumtuar për historinë dhe traditat e matjanëve në vitet e pluralizmit.
Musta ishtë zëdhënësi i parë në Mat i frymës së demokratizimit të vendit, pas mjerimit dhe dhunës që shkaktoi diktatura pas Luftës së Dytë Botërore. Menjëherë pas formimit në Tiranë më 11 Dhjetor 1990 të Partisë Demokratike, ai kontakton z. Arben Imami dhe merr prej Tij orientimet për afrimin e elementëve në krijimin e Degës së PD në Burrel. Por mentaliteti provincial dhe politizimi i tejskajshëm njerëzve me të cilët u takua në Burrel qe një befasi dhe zhgënjim për Mustën.
* * *
A mund të ishin solidarë në drejtimin e punëve për ndërtimin e shtetit të ri pas Luftës djemtë e “armiqve të popullit” që tre breza kishin luftuar me armë në dorë për lirinë e vendit? Aliu, djali i madh i Metës, një burrë i urtë dhe punëtor i palodhur, prind shembullor e i respektuar nga bashkëfshatarët e tij, mbronte me çdo sakrificë autoritetin e një dere të nderuar, së bashku me Zojën, bashkëshorten e tij.
Djemtë e Murat Ali Cakonit ishin edhe nipat e Isuf Hoxhës, ish Sekretar në Prefekturat Kukës dhe Gjirokastër në vitet ’30 të shek. XX, në kohën e Mbretit Ahmeti Zogu.
Si mund të shkolloheshin djemtë e nipat e Met Ali Cakonit kur ky ishte skalitur në kanunin e Skënderbeut nga Dom Frano Ilia, apo mik i ngushtë i Abaz Kupit dhe kundërshtari hapur e i drejtpërdrejtë i veprimeve e qëllimeve të komunizmit në Bajrakun e Rranxës, në Mat e Mirditë?
Cakonët vazhdonin që të ishin po kaq patriotë të mëdhenj edhe kur Shqipëria kishte halle të tjera si zhdukja e analfabetizmit dhe nevoja për emancipimin shoqëror.
Komandanti akademist Halil Mehmet Cakoni, i shquar në vitet e luftës NÇL, tërhiqet nga ai front kur njohu drejtpërdrejt qëllimin hileqar e vëllavrasës të komunistëve. Ky erudit mbi rrënojat e shtëpisë së Cubë Bardhok Daçit në Baz hapi shkollën e parë shqipe menjëherë pas luftës. Ndërsa shtëpia e patriotit Cub Aliu në Rreth Baz në vitet e para të çlirimit u bë streha e ngrohtë për mësuesit e fshatit: Haxhi Dan Zhila nga Lezha, Bilal Stana nga Rremulli dhe Rustem Cara nga Laçi i Matit.
As djegia e kullave, as burgjet e vitet e shumta të internimit që bënë burrat e Cakonëve nuk e mposhtën shpirtin liridashës dhe patriotik të tyre.
Varrimin e patriotit Met Ali Cakoni në Baz në vitin 1974 do ta bënin vetëm anëtarët e familjes dhe disa miq të tij nga Kruja. Familjet Llubani, Merlika etj, kishin sjellë me vete ushqimet edhe enët për përgatitjen e vërcallit. Kryespiunë të sigurimit të shtetit si Mëhill Stojani me shokë ruanin në krye të rrugëve për të mos lejuar të merrnin pjesë në funeralin e “armikut të popullit” nipat e mbesat, bashkëfshatarët e miqtë simpatizantë në zonë. Një akt pervers i shëmtimit të një tradite humane, që bie ndesh me çdo kod njerëzor e që njerëzit e gjakut tonë nuk mund ta harrojnë, sigurisht jo si hakmarrje.

* * *
Ndoshta të gjitha gjeneratat u mbeten borxh brezave paraardhës, por brezi ynë i çerekshekullit të XX e pas mendoj se duhet të kujdeset për të vënë në vend kontributet sublime të përbaltura padrejtësisht nga sistemi monist.
Këta protagonistë të nderuar kanë dëshmuar se e kanë patur të shenjtë mbrojtjen e Atdheut, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Kanë sakrifikuar për të lënë gjurmë në histori dhe për t’a patur më të lehtë rrugëtimin jetësor nipërit dhe stërnipërit e tyre.
Po e mbyll këtë shkrim të vonuar (nuk e di se nga ç’arsye) me një shprehje të Met Aliut, thënë që në vitet ’50 të shek. të kaluar se “Komunistët do t’i zejë nata udhës, por unë nuk do të jemë”.
Një e vërtetë profetike kjo e këtij patrioti të mençur.
Autori Jakov Milaj në librin Raca Shqiptare thekson se: “thesari më i çmuar i një shteti nuk përbëhet prej pasurisë dhe prej mundësive të zhvillimit ekonomik, por prej njerëzve që ai shtet mban në gji, prej shpirtit që u jep gjallëri këtyre njerëzve, prej gjakut që qarkullon nëpër venat e tyre”.9)
Teksa vështrojmë fotot e këtij fisi patriotësh dallohet një gërshetim interesant në simbolikat e tyre në veshje. Tri gjenerata nivelesh arsimimi e veprimi nëpër dekada të ndryshme, që kanë konverguar në një qëllim madhor, në një princip burrëror e fisnik, në atë të luftës për Liri e dinjitet kombëtar.

Literatura:
1. Cakoni Sulejman. “Mati në vitet e pushtimit italian e gjerman” bot. Nacional, 2016
Elezi M. “Në gjurmë të historisë së Matit” Geer.2005
Ll. Gjini: “Tungjat jeta Rranx’ e Dritës”- monografi….
4. Këputa F. Mati në shekullin XX, bot Tiranë 2000
5. Nga biseda gojore të zhvilluara me bashkohës dhe pasardhës të familjarëve.
6. Dr. Jakov Milaj: Raca shqiptare,(studim antropologjik e historic) bot. lV: Eugen- Tirane 2005,
7. Tira N. – “Në strofkat e fundit të armikut”.
Referenca:
1) M. Elezi fq. 87, cituar nga prof. Aleks Buda.
2) Po aty fq. 89.
3) Ll. Gjini: “Tungjat jeta Rranx’ e Dritës”, monografi.
4) M. Elezi fq. 130
5) M. Elezi fq. 131
6) Elezi M. “Në gjurmë të historisë së Matit”, Geer, 2005, fq. 136:
6) Elezi M. “Në gjurmë të historisë së Matit” Geer, 2005, fq. 136:
7) Autori Llesh Gjini “Tungjatjeta Rranz’ e Drites”
8) Cakoni Sulejman. “Mati në vitet e pushtimit italian e gjerman” bot. Nacional, 2016, fq. 17