Të dy Dibrat bashkë për mbrojtjen e Luginës së Drinit


 

Në foto: Bashkim Mashkulli

“Dibranë, të kësaj e asaj ane të kufirit, dibranë që jeta u shpërndau sa në rrethinat e Tiranës dhe të Durrësit, aq edhe në emigracion ngujuar në të pesë kontinentet… thoni JO SKAVICËS, jo MBYTJES SË DIBRËS…
Është një ftesë që vjen nga Dibra e Madhe, plaga që nuk shuhet kurrë derisa ata një ditë të bashkohen…

Bashkim Mashkulli, drejtues i pushtetit lokal në Komunën e Dibrës së Madhe më shkruan:
Përshëndetje Abdurahim !
Me Muratin u morëm vesh që të formohet një Komision me disa anëtarë nga Dibra e Juaj që të merret me organizimin e mbrojtjes së Dibrës nga HEC i Skavicës.
Nga Dibra jonë ne ramë dakord që ta riaktivizojmë Komisionin që ishte në mbrojtën e Radikës me anëtarë:
1. Unë Bashkim Mashkulli nga pushteti lokal i dalë nga Këshilli i Komunës.
2. Dritan Lleshi si përfaqësues i Shoqatave jo qeveritare dhe klubeve sportive dhe kulturore.
3. Abdyl Koleci profesor në Universitetin e Tetovës dhe ekspert i dëmeve që sjellin liqenet artificiale.
Nëse arrini të formohet ndonjë ekip nga ana e Juaj ne jemi të gatshëm që ti bashkohemi ekipit të juaj.
Dibra edhe pse të ndarë me kufi pa dëshirën tonë, jemi bashkë.
Bashkim Mashkulli
16 janar 2021
* * *
Një ftesë vëllai, një thirrje për bashkim, një thirrje për ti thënë JO SKAVICËS. Jo hidrocentralit që tjetërson gjithçka, mbyt një krahinë të tërë të begatë e me një histori të lashtë e të re, me 18 nga 24 beteja të mëdha fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, fshinë nga faqja e dheut Dibrën duke e shndërruar atë në një shprehje gjeografike.
Nuk është hera e parë që Dibranët e Dibrës së Madhe na qëndrojnë pranë në çështjen sulmit politik djathtas e majtas për mbytjen e Dibrës.
Ashtu si ata të Dibrës së Vogël i qëndruan pranë në mbrojtjen e Radikës…
* * *
Argëtim Fida – kryetar i komunës së Dibrës në Maqedoni,më 14 shkurt 2010 më shkruante:
“Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Shpiles nuk panë asnjë gjë të mirë për këto 40 vjet pos humbjes të rreth 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane.
Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk do të ja dijë nëse këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën.”
* * *
Është koha e organizimit, e rezistencës si në epopetë e lavdishme historike. Ka ardhë koha që nëpër kulla të shpërthejë thirrja:
“Dibranë, të kësaj e asaj ane të kufirit, dibranë që jeta u shpërndau sa në rrethinat e Tiranës dhe të Durrësit, aq edhe në emigracion ngujuar në të pesë kontinentet… thoni JO SKAVICËS, jo MBYTJES SË DIBRËS…
Jemi përballë një krimi që nuk do të në na falë historia po qe se bëhemi bashkëpunëtorë.”
Është një ftesë që vjen nga Dibra e Madhe, plaga që nuk shuhet kurrë derisa ata një ditë të bashkohen…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 17 janar 2021