Autorë dibranë në panairin e librit


Botime të reja nga Agron Tufa, Artan Gj. Hasani, Shaban Sinani, Flutura Açka, Xhafer Martini, Ahmet Prençi, Bujar Kapexhiu, Alban Tufa, Haki Stërmilli, Xhelal Ndreu, etj.

Panairi i 26-të i librit është hapur sot në Tiranë në ish-Pallatin e Kongreseve. Në këtë panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Në këtë panair ka një prani të shtuar të librave nga autorë të njohur dibranë.
Në stendën e botimeve Onufri mund të gjeni botimet e poetit dhe shkrimtarit Agron Tufa, mes të cilëve edhe romani më i ri i paraqitur në këtë panair, “Arratia e fundit e Baltazar Ketës”, një roman-baladë, një roman-mit, me heronj plot ëndrra të bukura e të sëmura, që rravgojnë drejt së pamundurës, midis një realiteti dhe sfondi shoqëror depresiv.
Romani ngërthen një rrëfim dinamik në rrafshin e së tashmes, që është i determinuar nga e shkuara dhe e ardhmja. Shtjella e pasioneve njerëzore me misterin e vazhdueshëm, deri në fjalën e fundit, përplas dy prirje të kundërta: njëri, sipas një vektori fizik, synon idealin e lumturisë tokësore dhe tjetri, një vektor i qartë metafizik, synon lartësitë, dehjen dhe ngazëllimin qiellor, – shkruhet në faqen zyrtare te Botimeve Onufri, si prezantim për romanin e Tufës.
Ahmet Prençi vjen në këtë panair me librin e ri “Brenga e prokurorit”, të cilin e gjeni të stenda e botimeve Mediaprint. Po e njëjta shtëpi botuesë sjell si ribotim për herë të tretë romanin “Anja”, i cili është pritur shumë mirë nga lexuesi.
Në të njëjtën stendë gjeni edhe botimin më të ri të prof. Nazmi Koçi, “Stomatologjia në Shqipëri”, një botim voluminoz në dy vëllime, që sjell historikun e shërbimit stomatologjik që nga lashtësia në ditët tona.
Artisti shumëdimensional Bujar Kapexhiu vjen në këtë panair me një stendë të vetën, ku ka prezantuar disa nga botimet e tij të viteve të fundit, mes të cilëve spikat botimi i ri “Të ndaluara”, një vëllim me grafika ilustruese për botime në kohën e komunizmit, të cilët janë hequr nga qarkullimi dhe janë dërguar për asgjesim.
Botimet e autorës Flutura Açka mund ti gjeni këtë vit në stendën e botimeve Skanderbeg Books & Pema në hyrje të Panairit. Aty prezantohet vëllimi me poezi “Tulipanët e vonuar” si dhe botimet e tjera “Ku je”, “Biri”, “Kryqi i harresës”, “Kukullat nuk kanë atdhe” etj.
Në stendën e botimeve Naimi janë të gjithë botimet e akademik Shaban Sinani, mes të cilëve spikat një seri studimesh në antropologjinë kulturore: Antropologji e indentitetit, Antropologji etnojuridike, Antropologji e religjionit etj.
Shaban Sinani vjen në këtë botim edhe me një novelë “Në kohën e të marrëve”, e cila është një histori që tregon të kaluarën duke qeshur, që të bën të mendohesh për marrëzitë e kohëve tona.

Botimet M&B : Dibra në panair
Stenda e botimeve M&B është e pasur këtë vit me botime, kryesisht të autorëve dibranë.
Kjo shtëpi botuese ka sjellë këtë vit për herë të parë librin “Dibra në prak të historisë” të Haki Stërmillit, i pabotuar më parë. Libri ka qarkulluar i shaptilografuar ndër studiues, shumica e të cilëve e kanë keqpërdorur ose e kanë manipuluar. Këtë radhe vjen i përgatitur për botim nga Miranda Goleci dhe i redaktuar nga Hysen Uka dhe Zabit Lleshi.
Po nga Haki Stërmilli, Botimet M&B sjellin romanin e njohur “Sikur t’isha djalë”, shoqëruar me një parathënie nga Agron Tufa.
“Ky roman është një nga romanet më të lexuar, në mos më i lexuari, në hapësirë shqiptare, nëse i referohemi një sociologjie të leximit”, shkruan në parathënien e librit Agron Tufa.
Nuk e di nëse gjendet një vepër tjetër e letërsisë shqipe që të ketë njohur ribotime kaq të shpeshta. Nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm se fatin e jetëgjatësisë së një vepre e përcaktojnë diskurset e reja, shpërndërrimi dhe shpërngulja e diskursit nga një kohë dhe epokë e caktuar, në një kohë dhe epokë tjetër. Ne vetëm mund të shtojmë dyshimet tona të bazuara në një element social, i cili shpesh na trondit e na dëshpëron: shoqëria jonë duket se që nga koha e Dijes së Stërmillit e deri më sot ka ndryshuar dukshëm vetëm formën e saj, dukjen pra, pa arritur të ndryshojë marrëdhëniet thelbësore kundrejt gruas, marrëdhënie të cilat janë përcaktuese për qytetërimin dhe emancipimin e njëmendët bashkëkohor”.
Një botim tjetër historik në këtë stendë është edhe libri “100 vjet nga Lufta e Dibrës”, një përmbledhje referimesh mbajtur në konferencën shkencore të organizuar nga Akademia e Shkencave në dhjetor 2021.
Poeti Artan Gjyzel Hasani është i pranishëm në këtë panair me shtatë libra nga botimet M&B, përfshirë edhe librin “Fata Morgana”, botuar në prag të panairit.
Poeti Hasani do të jetë i pranishëm në këtë panair libri edhe fizikisht. Të shtunën, më 18 nënor 2023, ora 18:00, do të prezantohet librat e tij në sallën ovale në mjediset e panairit, ndërsa për nënshkrime librash do të jetë gjatë ditëve të panairit në stendën e botimeve M&B.
Një botim interesant është edhe ribotimi i librit të Xhelal Ndreut “S’ka qetësi në Lisivalle”, një përmbledhje me tregime tregime etnofolklorike nga lugina e Drinit, prozë, poezi dhe përkthime.
“Çdo vend ka bukuritë e veta, që i ka dhurue natyra, por mue më duket se peisazhet e panoramat e bukura e mahnitëse që ka Dibra s’i ka asnji vend tjetër”, shkruan Xhelal Ndreu.
Në këtë stende ka edhe libra nga autorë te tjerë të njohur dibranë si Ramiz Gjini, Munir Shehu, Xhafer Martini, Naim Berisha, Avni Ndreu, Sait Borishi, Sadik Lala, Hajri Shehu, Vesel Hoxha, Shaqir Skarra, Sakip Cami, Hajredin Toca, Shpëtim Cami, Hamdi Skeja e shumë të tjerë.