Alegoria nga Dibra


Alegoria e Dibrës

Mevlud Buci

Alegori, anekdota,shprehje popullore

Botimet M&B

ISBN: 978-9928-172-34-1

Faqe: 268, Çmimi: 1500 lekë

Një pasanik që kishte shumë bagëti merr plakun e zgjuar Ramadan Cani nga Dardha dhe shkojnë te Murat Kaloshi.Murati, për të respektuar pasanikun, i liron kryet e vendit, ndërsa Ramadani ulet në fund të odës. Murati nis kuvendin me pasanikun, mirëpo ky, ngaqë nuk dinte muhabet tjetër, foli vetëm për punë bagëtishë. Murati mërzitet tepër, prandaj, për të ndërruar bisedë, i drejtohet Ramadanit:  

– Fol, o Ramadan, edhe ti njëherë!

–Nuk kam ç’me folë, – tha Ramadani, – se ka hy fati në tru të gomarit.

🙛🙙

Agai i nëntë maleve të Dibrës, Salë Demiri shkon në një dasëm ku nuk e njihte njeri. Meqë ishte i veshur keq, askush nuk i liron vendin dhe e vënë më ngrënë në sofër të fundit. Të nesërmen  Sala shkon e vesh dollamën e kuqe dhe kthehet përsëri në dasëm. Sa hynë brenda, menjëherë i lirojnë kryet e vendit dhe e vënë në sofër të parë. Kur fillojnë me ngrënë bukë, Sala ngre cepin e dollamës dhe, si e vu mbi sofër, thotë: “Ha dollamë e pi dollamë, se jam ai që kam qenë mbramë “.

🙛🙙

Zenel Doda nga Reçi shkon te një bashkëfshatar dhe i thotë:

– A do më ndihmosh nesër me prashit arën?

– Nuk mundem se kam shumë punë,– ia ktheu fshatari.

– Po vitin tjetër, a do të më ndihmosh?

– Patjetër, do të ndihmoj,– ia ktheu fshatari.

Vitin tjetër Zeneli i shkon përsëri fshatarit dhe i kujton premtimin që kishte dhënë një vit më përpara. Fshatari, i zënë ngushtë, nuk e zgjati fare llafin, por menjëherë merr shatin dhe niset në drejtim të arës së Zenelit.

🙛🙙

Osman Nezhën nga Gur–Lura, e pyetën njëherë dibranët:

– Përse paria e Dibrës pas vitit 1920 nuk mund t’u bënte ballë fuqive serbe?

– Parisë së Dibrës i ka ngjarë si puna e atij gjarpërit me dy kokë, që u dogj në zjarr; njëra kokë tërhiqej në një anë, ndërsa koka tjeter tërhiqej në anën tjetër, – ua ktheu Osmani.

🙛🙙

Në një kuvend burrash ku ishin dibranë e lumjanë bisedohej se kush ka luftuar më shumë për atdhe, Dibra apo Luma. Pas një debati të gjatë, e lanë ta ndante plaku i zgjuar Mane Kacani. Manja, si u mendua, tha:

–Dibra e Luma janë si rana e horosani, që, kur bëhen bashkë, s’ka ç’u bën mbreti as krajli.

🙛🙙

Në një kuvend burrash në Mat, një matjan, për ta ngacmuar Brahim Kacin nga Lura, i thotë:

– Si shpjegohet që Lura herë shkon me Mirditën e herë shkon me Dibrën?

– Lura është si puna e atij kaut të mirë, që ia kanë nevojën të dy palët, ngaqë lëron në të dy krahët, – ia ktheu Brahimi.

🙛🙙

Ashtu siç është një pijanec i dhënë pas rakisë, Selim Sula kishte qejf kafen. Edhe kur udhëtonte, Selimi mbante me vete kutinë e kafes, xhevzen dhe filxhanin. Ndalej në anë të rrugës, ndizte zjarrin, bënte kafen sade, e pinte, mblidhte takëmet dhe ngrihej e vazhdonte rrugën.

Atje ku shkonte mik, në qoftë se kafje i dukej e hollë, nxirrte kutinë nga xhepi dhe i shtonte filxhanit edhe një lugë kafe nga e vetja. Këtë e kishin mësuar të gjithë në Dibër e nuk ia merrnin për keq.

Njëri priti Selimin në shtëpi dhe për t’i plotësuar dëshirën qejfliut të kafes, i bëri kafe aq të trashë, sa ngjante sikur të ishte kos. Selimi, sa ngriti filxhanin, u mundua të thithë, por më kot. Atëherë iu drejtua të zotit të shtëpisë:

– Or mik, faleminderit, por kafja pihet, mik, nuk hahet!

🙛🙙

Xhaferi e futi djalin e madh në thes, e vuri në shpinë dhe përfundimisht vendosi ta mbyste në Dri. Sa u afrua pranë urës prej kah do ta hidhte, takoi një luznak që po vinte në Peshkopi.

– Njatjeta, o Xhafer! – e përshëndeti luznaku, – qenke lodhur shumë… Po ç’ke ngarkuar n’at thes, bre burrë?

– Lëre, lëre – ia ktheu tjetri shumë i zemëruar, – se jam nisur për të mbytur djalin në Dri.

– Mos bre burrë – ia ktheu luznaku me habi, – a ke luajtur mendsh?!

– Po, po, do ta mbys dembelin – i tha Xhaferi me vendosmëri.

– Bjerma mua në shtëpi, pashë Zotin se me arra do ta ushqej e në Dri djalin mos e mbyt, se do të të shajë gjithë Dibra.

– Babë, – doli një zë nga thesi, – pyete këtë xhaxhin, arrat a të qëruara i ka?

Luznaku, mbeti si i shastisur, kurse Xhaferi i tha:

– A e dëgjove, or mik, se dhe arrat i don të qëruara? Ky është djali im!

– Mos u mërzit, o Xhafer! Këtë e paske haram, por Zoti do të të bëjë hallall të voglin.

– Çfarë?! Çfarë?! – ia ktheu në moment Xhaferi. Ky i don të qëruara, kurse ai i don vetëm të shtypura.

– Atëherë, meqë qenka puna kështu, o Xhafer, dëgjo një këshillë – i tha luznaku: – Merre djalin për dore e çoje në shtëpi e merre gruan për dore e bini n’Dri.

🙛🙙

Vite më parë, në qytetin e Peshkopisë endeshin rrugëve Ali Dypjaka e Sherif Abazi nga Shumbati i Dibrës. 

Ata të dy, nga varfëria kishin braktisur fshatin dhe jetonin me lëmoshë në qytetin e vogël. Jo vetëm nga ekonomia, por supozohej se edhe mendërisht nuk ishin në rregull. Edhe kjo ishte një arsye që ata u larguan nga fshati ku kishin lindur. Qytetarët hanin me ta, por edhe i ndihmonin.

Pas ca kohësh, nga mënyra e keqe e jetesës, Sherifi u sëmur dhe, në momentin më të vështirë të jetës së tij, trokiti në fshatin ku kishte lindur. Fshatarët e ndihmuan pa kursim, por nga sëmundja e rëndë, Sherifi ndërroi jetë.

Ditën që vdiq Sherifi, për rastësi, Aliu ndodhej në Dypjakë, ku kishte shkuar si gjithmonë, për t’u çmallur me fshatin e vet.

Aliu, ditën që kishte vdekur Sherifi, ishte zgjuar dhe rrinte si i shastisur në mesin e fshatit. Kaloi andej një fshatar për në punë dhe, pasi përshëndeti Aliun, si për ta ngacmuar, i tha:

– A din gjë, or Ali, ç’ka ndodhur sot?

– Jo, – i tha Aliu.

– Si jo? – i tha fshatari. – Sot varroset në Shumbat Sherif Abazi.

– Si more paska vdekë Sherif Abazi! – klithi Ali Dypjaka. M’qenka ba borxh me ra e me pi një kafe n’Shumbat, eu bre!

Aliu zuri vend. I çuan cigaren e kafen pa vonesë dhe konaku priste me padurim ngushëllimin e Aliut.

– Na paska lënë Sherifi, o burra! – foli ai.

– Na la, o Ali, na la – u përgjigjën pjesa më e madhe e konakut.

– E po pra, or burra, asht t’u m’ardh shumë keq, se sot hyn n’dhè burri ma i mirë i këtij katundi.

🙛🙙

– E n’çfarë partie bën pjesë ti, o Zabit? – e pyetën fshatarët e tij Zabitin, pas tranzicionit, në një dasmë.

– Për nder, – tha Zabiti – kam mbet pa parti.

– Si ore, paske mbetur pa parti, që janë me aq bollëk? – i tha njëri nga të pranishmit.

– E dini si e ka pësuar Zabiti, o burra, – tha hoxha i katundit që ishte ulur në krye të vendit. Njëherë moti njëri kishte vendosur me e prish zabelin e me e ba tokë buke.

Një ditë para, në mbrëmje, i zoti e thirri hoxhën, shkuan në zabel dhe, me një dua, u bëri thirrje gjallesave të ikin që të mos digjeshin, sepse do t’i vinin zjarrin zabelit. Nesër, në mëngjes, i vunë zjarrin zabelit. Mbasi u dogj zabeli, u nisën për ta punuar tokën, për ta kthyer në arë. Zabelit akoma i dilte tym, kurse në majën e një lisi, fishkëllente një gjarpër që rrezikohej nga flaka. Punëtorët u habitën kur e panë, kur i zoti i zabelit, i tha:

– Po ç’pate, more gjarpër, që paske mbet këtu? Ne të lajmëruam që të largohesh.

– Po, po, – tha gjarpri, – por unë, siç e shikoni, kam dy kokë. Njëra më thoshte shko tërma e tjetra shko tëposhtë. Unë nuk dija çfarë të bëja dhe mbeta këtu në vend.

🙛🙙

Një bari kishte rënë në hall të madh, sepse, kur nxirrte bagëtinë në kullotë, një ujk i hante nga dy–tri dele. Bariu disa herë e kishte qëlluar me pushkë, por plumbat nuk e zinin egërsirën. Atëherë, për të shpëtuar, bariu i tha ujkut:

– O ujk, po vazhdove çdo ditë të më hash delet, së shpejti do të ma zhdukësh tufën, prandaj që të shpëtosh nga plumbi e unë të shpëtoj delet, a biem në ujdi?

– Fol! – i tha ujku.

– Unë çdo ditë do të të jap nga një dele ta hash, ndërsa ti do të më ruash bagëtinë nga egërsirat.

Ujku pranoi. Kështu bariu i jepte delen, ndërsa ujku ruante tufën. Pas disa vitesh, kur ujkut nisën t’i zbardhen qimet, ia hëngri fjalën bariut. Një mëngjes, kur bariu shkoi të nxirrte bagëtinë në kullotë, pa gjysmën e tyre të shqyera nga ujku.

– Çfarë ke bërë, o ujk i pabesë? – i tha bariu, – a nuk të mjaftonte delja që të jepja çdo ditë?!

– Delja më mjaftonte, – ia ktheu ujku, – por kisha frikë se mos harroj zakonin e babës.